Kontratat hibrid në sistemin financiar islam


Hyrje

Zhvillimi i hovshëm i industrisë së bankimit dhe financave islame nga dita në ditë duhet të ofrojë produkte dhe shërbime konkurruese, në mënyrë që t’i përgjigjen kërkesave të biznesit dhe të tregtisë. Tani që jetojmë në kohën e transaksioneve elektronike, kërkohet edhe me shumë risi dhe produkte bashkëkohore. Kjo nënkupton se kontratat e tanishme janë më të komplikuara sesa ato të mëhershmet, dhe lënë të kuptohet se me rritjen e numrit te produkteve të reja dhe shërbimeve bashkëkohore do të përdoren më shumë se një kontratë në një transaksion të vetëm. Disa hulumtues të kësaj fushe kanë ekzaminuar konceptin e kontratave hibrid (të kombinuara) në sistemin financiar islam, dhe aplikimin e tyre për zhvillim të produkteve të bankimit islam. Prandaj, nevoja për studimin e kësaj teme është më se e nevojshme, si nga këndi sheriatik, ashtu edhe nga ai ekonomik, që produktet të cilat zhvillohen t’i plotësojnë kriteret e kërkuara nga aspekti i sheriatit, dhe në të njëjtën kohë të jenë konkurrente nga aspekti ekonomik dhe financiar.
Ky studim fokusohet në diskutimin e parametrave sheriatikë në kontratat hibrid të kombinuara, me qëllim të përdorimit të tyre në një transaksion të vetëm, gjithmonë nga këndvështrimi i jurisprudencës islame. Gjithashtu, këtu diskutohet edhe të kuptuarit e kontratave të ndaluara, të cilat edhe bien ndesh me ligjin mbi transaksionet. Dihet se baza e muamelatit (jurisprudenca mbi transaksionet) është se çdo gjë është e lejuar, përderisa nuk gjendet një evidence apo dëshmi që tregon se ajo është e ndaluar, apo nuk ekziston ndonjë element që e bën të ndaluar. Nga ky parim, të gjitha transaksionet janë të lejuara, përderisa nuk gjendet ndonjë element që e bën të ndaluar, dhe si duhet të hulumtohet nëse gjendet ndonjë element i tillë. Mirëpo, kontrata hibrid është një çështje kontroverse, deri në njëfarë shkalle, për shkak se ekziston një hadith që i ndalon “dy kontrata në një kontratë”. Dhe interpretimi joadekuat i këtij hadithi potencialisht mund të çojë në ndalimin e zhvillimit të kontratave që kanë për bazë kombinimin e kontratave në përgjithësi, pa bërë dallim për nga natyra dhe veçoritë e këtyre kontratave.

Zhvillimi historik i kontratave në ligjin komercial islam

Gjatë kohës së Pejgamberit, a.s., dhe shokëve të tij, për çdo transaksion është përdorur vetëm një kontrate. Ekzistojnë raste të shumta të përmendura gjatë historisë qe dëshmojnë ekzistimin e koncepteve te ndryshme te financimit e te cilat janë pajisur me kontrata, pra në konceptin e tregtisë, partneritetit, qiradhënies etj. Po ashtu ekzistojnë edhe evidenca të shumta në burimet e sheriatit, dhe nuk ka nevojë për ndonjë interpretim rreth tyre.
Që nga shekulli i 19-të juristët myslimanë kanë filluar të merren me zhvillimin e kontratave të kësaj natyre, duke pasur për qëllim plotësimin e kushteve për të dy palët kontraktuese, si dhe kërkesat e një tregu global.
Në ditët e sotshme, në kohën e zhvillimit teknologjik e me një infrastrukture moderne dhe komplekse, si dhe në kohën e zhvillimit të nevojave të shumta të njerëzve, kontratat në muamelat kërkojnë kombinimin e disa kontratave të bashkuara në një transaksion të vetëm, në mënyrë që të plotësuar dhe të lehtësohen kërkesat e tregut. Ky kombinim i kontratave, të njohura si kontrata hibrid, është diskutuar prej shumë dijetarëve dhe ekonomistëve bashkëkohorë nga vende dhe institucione të ndryshme.(1)

Definimi dhe urtësia e kontratave hibrid

Në literaturën klasike të Fikhut nuk ka ndonjë definicion konkret në lidhje me kombinimin e kontratave. Mirëpo, është e qartë se termi kontrata hibrid ka për qëllim bashkimin e dy apo më shumë kontratave në një transaksion të vetëm. Pra, është një marrëveshje në mes të dy palëve, për të ndërmarrë një transaksion të specifikuar, i cili në përbërje ka dy apo më shumë kontrata. Për shembull, kombinimi i kontratës së shitjes me atë të qirasë-qiramarrje me qëllim të blerjes në fund të periudhës së qirasë, e të ngjashme. Kështu që, të gjitha pasojat ligjore nga kombinimi i kontratave, me të gjitha të drejtat dhe obligimet që dalin nga ato konsiderohen si një entitet i vetëm që nuk mund të ndahet. Domethënë, në fillim të marrëveshjes janë pajtuar për disa marrëveshje (dy e me shumë) në një transaksion të vetëm, e që ato kontrata e plotësojnë njëra-tjetrën, dhe që janë të kushtëzuara dhe nuk mund të ndahen.
Sipas AAOIFI2 (standardi 25/2008), kontrata hibrid është kombinimi i kontratave si “një proces i cili bëhet në mes të dy apo më shumë palëve, dhe sjell përfundime të njëkohshme të më shumë se një kontrate. Kombinimi i kontratave mund të bëhet në disa lloje:

I. Të kombinuarit e më shumë se një kontrate, duke mos imponuar ndonjë kushtëzim në palën tjetër, dhe pa ndonjë marrëveshje paraprake për të vepruar ashtu;
II. Të kombinuarit e më shumë se një kontrate, duke imponuar disa kushtëzime në palën tjetër, pa ndonjë marrëveshje paraprake për të vepruar ashtu;
III. Të kombinuarit e më shumë se një kontrate, të kushtëzuar me një marrëveshje paraprake, mirëpo pa imponuar asgjë nga ajo marrëveshje si kushte për palën tjetër; dhe
IV. Të pajtuarit për ta përmbyllur marrëveshjen përmes njërit nga modelet e kontraktimit, ashtu siç do të vendoset në të ardhmen.”

Urtësia për të pasur bashkim të kontratave, nga perspektiva e Fikhut, është nga nevoja për t’u larguar nga transaksionet që bartin kamatë, për shembull, te kombinimi i shitjes së bashku me këmbimin e valutave të huaja, për të eliminuar transaksion kamatar, si dhe për të plotësuar kërkesën ekonomike, apo edhe për të plotësuar ndonjë aktivitet ekonomik. Apo, për shembull, shitja e valutës euro së bashku me një produkt në dollar amerikan me pagesë të vonuar.
Një shembull tjetër mund të jetë edhe shitja e dy shtëpive nga shitësi te blerësi përmes dy kontratave. Pra, shtëpia e parë është përmes kontratës së shitblerjes, kurse shtëpia e dytë përmes kontratës së Ixharah (qiradhënie që përfundon me blerje). Këtu janë kombinuar shitje dhe qiradhënie në të njëjtën kohë. Në këtë rast nuk ka ndonjë kushtëzim të përfitimit nga situata, por ka lehtësim për të dy palët, dhe kontratat plotësojnë njëra-tjetrën në mënyrë progresive.(3)
Kombinimi i kontratave dallon nga lidhja e një kontrate që imponon një kontratë tjetër e cila është e ndryshme nga e para dhe që nuk ndihmon në plotësimin e të parës, por që kushtëzon diçka tjetër për të përfituar njëra palë, e cila gjë është e ndaluar sipas ligjit islam, dhe njihet si ‘bej’atejn fi bej’ah’. Një shembull tipik i kësaj kategorie është “ta shes ty shtëpinë time për 100,000 euro me pagesë të shtyre (apo veresi, siç njihet në vendin tonë), me kusht që ti ta blesh veturën time për 80,000 euro”, ose kur blerësi i shtëpisë kushtëzohet të shesë diçka me një çmim të caktuar, gjë që e bën shitësin e shtëpisë të përfitojë nga situata, për shkak se ka mundësi të pritjes për pagesë.

Llojet e kontratave hibrid në aplikimin bashkëkohor të bankimit islam

Kontratat hibrid të rekomanduara

Aktualisht në praktikën e bankave dhe institucioneve financiare islame ekzistojnë shumë lloje të kontratave hibrid. Një shembull shumë i njohur dhe shumë i përdorur nga bankat islame në ditët e sotshme është edhe Musharakah Mutenakisah, që në përkthim do të thotë “Partneritet me Zvogëlim”, për shembull, pronësie.
Musharaka Mutenakisah është një formë e partneritetit e cila është zhvilluar në vitet e fundit për t’iu përshtatur produkteve bankare, dhe kryesisht përdoret për financim të patundshmërive. Sipas këtij koncepti, financuesi/banka dhe klienti së bashku marrin pjesë në pronësi të përbashkët të një pasurie apo pajisjeje, apo të në ndonjë projekti komercial. Ky koncept është partneritet në të cilin banka islame pranon të transferojë gradualisht partnerit tjetër nga pjesa që e ka në pronësi, kështu që pronësia e bankës zvogëlohet, ndërsa pronësia e partnerit tjetër rritet në mënyrë graduale, deri kur personi të bëhet pronar i vetëm i asetit të financuar. Pjesa që i takon financuesit ndahet në numër të njësive, dhe është e qartë se klienti do t’i blejë ato një nga një, dhe kjo duhet të ndodhë për një interval kohor deri kur personi t’i blejë të gjitha njësitë dhe të bëhet pronar i vetëm i pasurisë apo projektit komercial.(4)
Ky partneritet mund të marrë forma të ndryshme, varësisht nga transaksionet, por, në vijim do të merret vetëm një shembull që ka të bëjë me financim/blerje të patundshmërive, sa për ilustrim të konceptit.
Përdorimi i këtij modeli për financim të shtëpive/apartamenteve për banim. Klienti dëshiron të blejë një apartament për të cilën nuk ka para të mjaftueshme. Ai kërkon mbështetje financiare nga banka, e pasi e banka kupton kërkesën e tij, i sugjeron që të bëhen partnerë në financimin e shtëpisë. Partneriteti do të jetë në këtë mënyrë: për shembull, një apartament mesatar në Prishtinë kushton 50,000 euro. Klienti ka mundësi participimi vetëm 10,000 euro, kurse banka duhet ta plotësojë shumën tjetër, në vlerë të 40,000 eurove. Të dy partnerët (banka dhe klienti) formojnë një fond të përbashkët, i cili është i nevojshëm për ta arritur vlerën për blerjen e apartamentit. Partneriteti mes tyre, sipas participimit në blerje të apartamentit, është 80% me 20% në favor të bankës, dhe në të njëjtën kohë, sipas marrëveshjes, klientit i mundësohet që ta blejë përqindjen tjetër nga banka në mënyrë graduale. Mirëpo, përderisa të blejë përqindjen që gjendet në pronësi të bankës klienti duhet të paguajë qira për shfrytëzimin e apartamentit për përqindjen që është në pronësi të bankës. Për shembull: nëse qiraja mesatare mujore për një apartament të tillë është 300 euro, ai paguan 80% të asaj qiraje, e që i bie 240 euro, ndërsa për 20% (60 euro) nuk paguan qira, sepse për atë pjesë është pronar (pra, për atë përqindje). Ky çmim është në fillim të marrëveshjes, por me kalimin e kohës, kur klienti blen përqindje të pronësisë nga banka, qiraja zvogëlohet. Sipas marrëveshjes, çdo 10% e blerë nga klienti do të thotë 10% e çmimit të qirasë që do të zbritet për klientin. Kështu vazhdohet deri kur të arrihet në fund, kur klienti e bën edhe pagesën e fundit për blerjen e 10% të fundit. Interesi ekonomik për partneret është si në vijim: interesi ekonomik/financiar për bankën është se do të marrë qiranë mujore si fitim për vete deri kur klienti ta blejë pjesën e cila është financuar nga banka sipas vlerës së blerë në fillim. Kurse interesi ekonomik për klientin është se do ta shfrytëzojë apartamentin dhe, në të njëjtën kohë, do t’i mundësohet ta blejë atë apartament në mënyrë të pjesshme dhe në mënyrë graduale, për një interval kohor që është i caktuar nga banka në fillim të marrëveshjes, pa u brengosur për kamata apo ndëshkime të tjera. Gjithashtu, duhet të theksohet se lidhja mes klientit dhe bankës është lidhje partneriteti e jo kredidhënësi dhe kredimarrësi. Nëse vjen deri te shkëputja e kontratës për arsye solide, atëherë marrëveshje ndërpritet sipas konceptit të partneritetit: apartamenti shitet përmes ankandit apo kanaleve të tjera, dhe çmimi i shitur ndahet në mes të partnerëve, sipas përqindjes që ata kanë në kohën kur shitet apartamenti.
Kjo kontratë në vetvete përbëhet nga disa kontrata në një transaksion, si, për shembull, kontratë për pronësi të përbashkët (banka dhe klienti janë partnerë në pronësi të shtëpisë), kontrate për shitblerje (klienti e blen nga banka përqindjen që nuk e ka në pronësi), kontratë për qiradhënie dhe qiramarrje (klienti paguan qiranë për pjesën që nuk është pronar), si dhe kontratë e transferimit të pronësisë (në momentin e plotësimit të blerjes së përqindjes nga klienti, banka ia kalon klientit pronësinë 100%).(5)
Ekzistojnë edhe lloje të tjera të kontratave të kombinuara, e që janë shumë të nevojshme për plotësimin e transaksioneve dhe lehtësimin e blerjeve online, shitjes, qiradhënies, kursimeve dhe investimeve, mirëpo me kusht që kontratat nuk janë të kundërta diametralisht, por që plotësojnë njëra-tjetrën dhe janë të së njëjtës natyrë, sikurse shembulli që u përmend më lart. Kontratat hibrid të ndaluara Në kategorinë e kombinimit të ndaluar janë ato kontrata që janë në kundërshtim nga natyra e tyre, dhe janë diametralisht të kundërta. Në vijim po i përmendim disa shembuj, sa për ilustrim:
Për shembull, kombinimi i kontratës së shitjes dhe dhënies së një huaje (kredi pa kamatë) në një transaksion. Në rastin e huadhënies pa kamatë, e cila është kushtëzuar që huamarrësi të blejë një produkt nga huadhënësi me çmim më të lartë sesa një çmim i zakonshëm në treg, kjo e bën këtë kontratë të ndaluar, sepse kushtëzimi ka ndodhur për ta plotësuar fitimin e lënë në kredinë që është dashur të jetë pa kamatë. Dhe, është shumë e sigurt që klienti nuk do ta kishte blerë atë produkt me çmimin e ofruar, sikur mos të ishte marrje e kredisë/huasë, dhe në të njëjtën kohë edhe huadhënësi nuk do t’i jepte hua nëse huamarrësi nuk do ta blinte produktin në fjalë me atë çmim të kushtëzuar.
Një shembull tjetër është kombinimi i huazimit me qiradhënien në të njëjtin transaksion, apo edhe kombinimi i huadhënies/huamarrjes me premtimin për shpërblim/dhuratë nga huamarrësi në kohën e kthimit. Sipas shpjegimit të hulumtuesve, këto kontrata janë të ndaluara të kombinohen në një transaksion të vetëm. Sipas këtij argumenti, palët kontraktuese përfitojnë nga shitja, në vend se të përfitojnë nga huaja. Domethënë, kompensojnë në shitje atë që nuk kanë mundur ta fitojnë nga huaja/kredia(6).
Një shembull i kësaj kategorie, kombinimit të shitjes dhe huas/kredisë në një transaksion është edhe kur një person fizik apo juridik i thotë tjetrit “ma huazo një shumë të caktuar për një kohë të caktuar, për shembull, 10,000 euro, dhe unë po e blej nga ti telefonin tënd për 1000 euro” e që në realitet vlera e atij telefoni nuk është 1000, por këtu njëra palë dëshiron t’i bëjë palës tjetër një favor për të arritur deri të shuma e synuar. Apo, shembull tjetër: nëse një person kërkon hua, dhe në të njëjtën kohë premton se në kthim do të paguajë më shumë, në formë dhurate për huadhënësin. Pra, që të dy kontratat, sipas shembujve të marrë më lart, janë të ndaluara, për shkak se premtimi për shpërblim është bërë pjesë e marrëveshjes. Metoda e kombinimit të disa kontratave në një transaksion duhet të bëhet një karakteristikë e veçantë e sistemit financiar islam në çdo vend të botës edhe për zhvillim të produkteve të reja. Në realitet kjo duket se është bërë një domosdoshmëri për t’iu përgjigjur kërkesave dhe nevojave në vazhdimësi të njerëzve, për t’i mbështetur aktivitetet ekonomike dhe kërkesat e tyre.

Qëndrimet e dijetarëve në lidhje me kontratat hibrid

Shumica e dijetarëve që të gjitha shkollave të njohura juridike janë të mendimit se kontratat hibrid janë të vlefshme dhe të lejuara në jurisprudencën islame, në aspekt të përgjithshëm, mirëpo duhet gjykuar individualisht përmbajtjen e secilës kontratë. Argumentimi për lejimin e kësaj kontrate bazohet në maksimat ligjore kawaid fikhij, ku rregulli i përgjithshëm në lidhje me transaksionet biznesore është lejueshmëria, e që do të thotë se çdo gjë është e lejuar përderisa nuk ekziston ndonjë argument për ta bërë të ndaluar. Prandaj, është e lejuar edhe të kombinohen disa kontrata në një transaksion, me kusht që secila kontratë t’i plotësojë kriteret e lejueshmërisë. Përveç nëse kombinimi i dy kontratave çon në kamatë ose diç të ngjashme me të, siç është kombinimi i kontratës së huazimit me kontratën e shitjes në një transaksion, edhe pse këto kontrata, nëse shikohen ndaras, që të dyja janë të lejuara. Ngjashëm me këtë është edhe kombinimi i pagesës me këste mujore për një periudhë kohore të caktuar dhe pagesës me një këst të vetëm në fund të periudhës, nëse këto bashkohen në një transaksion në kontratën e shitjes pa e specifikuar se për cilën janë pajtuar palët atëherë kjo paqartësi e bën kontratën te ndaluar edhe pse që të dyja janë të lejuara nëse palët pajtohen se për cilën janë pajtuar.7 Ngjashëm me këtë është edhe Bej el-inah (Shitja dhe blerja prapë e të njëjtit mjet/gjësend) në një transaksion. Ky koncept (shitje dhe blerje prapë i të njëjtit objekt) në fillim është praktikuar nga disa banka islame por është anuluar më vonë. Qëllimi i këtij transaksioni ka qenë që të arrihet deri te paratë kesh (të gatshme); pala që e ka shitur mjetin me pagese të vonuar p.sh me çmim në vlerë prej 1000 euro e ka blerë prapë prej klientit me para kesh dhe për një çmim më të ulët p.sh 900 euro. Pra, klienti i ka marrë paratë e gatshme 900 euro, kurse ka vazhduar të paguajë borxhin me këste, borxh i dalë nga marrëveshja e parë në vlerë 1000 euro. Modeli i bej el-ineh është kritikuar, dhe tani është ndaluar së praktikuari, për shkak se të dy kontratat kanë qenë të kushtëzuara në një transaksion, dhe sikur mos të ishte e aranzhuar nga banka blerja prapë e mjetit të kontratës, pala nuk do ta kishte blerë mjetin nga banka, sepse nuk ka qenë qëllimi i blerjes dhe posedimit. Sipas shpjegimeve të dijetarëve, lejimi i këtyre transaksioneve është një lloj manipulimi për ta legalizuar kamatën, ndërsa në të vërtetë nuk ka ndonjë transaksion real në këtë kontratë, por vetëm plotësim dokumentesh.
Sa për qartësim, nëse kjo ka ndodh pa qenë e kushtëzuar, duke qenë të lira të dy palët, si, për shembull, pasi blerësi ka marrë në posedim mjetin e blerë, ai mund të vendosë nëse dëshiron ta shesë, dhe pala tjetër ta blejë, pa qenë kusht i marrëveshjes, në këtë rast nuk ka ndonjë problem. Kjo mund të ndodhë edhe në jetën e përditshme, kur personat juridikë apo fizikë blejnë me huazim (pagesë të shtyrë-veresi) me një çmim më të lartë, dhe shesin atëherë kur iu duhet, me një çmim më të ulët, si pjesë e strategjisë së tyre për të ardhur deri te paraja e gatshme, mirëpo, në të njëjtën kohë duke u larguar nga marrja e kredive me kamatë. Megjithatë, në asnjë mënyrë nuk duhet të këtë marrëveshje me shitësin (bankën) për ta blerë të njëjtin mjet pa e lëvizur nga vendi objektin e shitjes, pra vetëm duke plotësuar dhe nënshkruar dokumente pa e parë fare mjetin e tregtuar.

Parametrat ligjorë për lejimin e kontratave të kombinuara

Ligjshmëria e kontratave të kombinuara për qëllim të instrumenteve dhe produkteve të bankimit dhe financave islame duhet të formohet në atë mënyrë që nuk bie në kundërshtim me principet bazë të sheriatit. Me fjalë të tjera, një produkt i strukturuar në modelin e kontratave hibrid nuk ka për qëllim të legalizoje një transaksion të ndaluar, siç janë kamata dhe bixhozi. Parametrat sheriatikë, apo kufizimet sheriatike, janë aplikuar edhe nga Institucioni Ndërkombëtar për Standarde, siç është AAOIFI, duke bërë kufizime në produkte dhe shërbime, për t’i bërë të vlefshme kontratat hibrid. Sipas këtyre standardeve, të gjitha marrëveshjet që kanë për bazë kontratat hibrid janë të lejuara, duke u siguruar se secila kontratë është e lejuar në vetvete, përveç kombinimit të kontratës së shitjes me kontratën e huadhënies (kredidhënies) në një transaksion. Dhe, ka vendosur kriteret si në vijim:

1. Kombinimi i kontratave nuk mund të përfshijë edhe kontrata që shumë qartë janë të ndaluara sipas sheriatit si, për shembull, kombinimi i kontratës së shitjes me atë të kredi dhënies.
2. Kombinimi i kontratës nuk mund të përdoret si një mashtrim për ta arsyetuar kamatën si, për shembull, shitja dhe blerja prapa e të njëjtit mjet, sikurse në rastin e bej el-inah.(8)
3. Kombinimi i kontratave nuk mund të përdoret si një mjet për kamatë, si, për shembull, kur kredituesi jep para hua në mënyrë që të përfitojë ndonjë dhuratë në fund, apo për përfitime të tjera, siç është akomodimi falas në banesën e tij, etj.
4. Kombinimi i kontratave nuk duhet të jetë në kundërshtim me esencën e marrëveshjes, si, për shembull, në kontratën e mudarabas (partneritetit), nuk mund të garantohet fitimi për njërën palë duke e përdorur kontratën e hibah (dhuratës).

Përfundim

Kontratat e biznesit dhe të tregtisë duhet patjetër t’i plotësojnë kriteret e sheriatit, e që do të thotë se duhet të mënjanojnë çështjet e ndaluara dhe duhet të sigurojnë se secila kontratë i përmbush elementet kryesore dhe kushtet e kërkuara. Mendimet e atyre që e lejojnë këtë koncept të kontratave shkojnë nga ajo se është i pranueshëm dhe i nevojshëm për zhvillimin e mëtutjeshëm të bankimit dhe për të mirën e përgjithshme, por që duhet të plotësohen edhe kriteret që u përmendën më lart. Gjithashtu, rregulli i përgjithshëm në sferën e transaksioneve thotë se çdo gjë është e lejuar, derisa të gjendet një argument që e ndalon. E, ky është një motivim dhe siguri për zhvillim të sistemit financiar. Prandaj, kontratat hibrid rezultojnë të jenë të lejuara, përveç atyre që u përmendën në mënyrë të drejtpërdrejt, ngase kombinimi i tyre në një transaksion të vetëm është më i dëmshëm për njeriun. Dhe, pikërisht për këtë edhe është i ndaluar.


__________________________
1. Muhammad Iman Sastra Mihajat, “Hybrid Contract in Islamic Banking and Finance: A Proposed Shari’ah Principles and Parameters for Product Development”. EJBM-Special Issue: Islamic Management Business. Vol. 2, No. 2 (Special Issue) 2014.
2. AAOIFI (Accounting and Auditing Organization for Islamic Financial Institutions) Organizata për Kontabilitet dhe Auditim të Institucioneve Financiare Islame, është e themeluar në vitin 1990, për të promovuar dhe rregulluar standarde të bazuara në sheriat, e të cilat rregullojnë aspektin e kontabilitetit, etikës, qeverisjes, investimit dhe transaksioneve për Institucionet Financiare Islame. Para se të aprovohet një produkt apo shërbim i ri, duhet marrë aprovimin nga kjo organizatë.
3. Saiful Azhar Rosly, Critical Issues on Islamic Banking and Financial Markets: Islamic Economics, Banking & Finance, Investments, Takaful and Financial Planning (Kuala Lumpur: DINAMAS, 2005) f. 313.
4. Abdulkader Thomas, “Real Estate”, Structuring Islamic Finance Transactions, eds. Abdulkader Thomas, Stella Cox & Bryan Kraty, (London: Euromoney Books, 2005) f.129
5. Ibid.
6. Asyrah Wajdi Dusuki, Commodity Murabahah Programme (CMP): An innovative Approach to Liquidity Management. Journal of Islamic Economics, Banking and Finance, Volume 3. No. 1, 2007.
7. Ibid
8. Te kontrata në të cilën aranzhohet shitja dhe blerja prapa e të njëjtit produkt klienti ka nevojë për para të gatshme, prandaj edhe e blen nga banka një produkt me pagese të vonuar (pagesë me këste), dhe të njëjtin produkt ia shet bankës me para të gatshme, por për një çmim më të lirë. Ky produkt është kritikuar nga shumica e dijetarëve, duke e konsideruar si të paligjshëm.