Leximi i librave - kuptimi i së vërtetës


Zoti na ka dhënë lirinë dhe mundësinë e zgjedhjes. Kemi shumë aktivitete tona, përmes së cilave identifikohemi dhe funksionojmë, siç janë adhurimi - ibadeti, gjumi e ushqimi, puna e lëvizja, argëtimet e ndryshme etj.. Aktivitetet tona në jetën e përditshme janë të ndryshme, dhe prej tyre ka të dobishme, të obligueshme etj., të cilat duhet t’i klasifikojmë sipas prioriteteve, sipas rëndësisë që kanë, sipas periudhës që jetojmë apo edhe dëshirës e pëlqimit tonë. Mundësia jonë për të lexuar është gjithashtu një dhunti, por edhe një prioritet që kërkon t’i jepet vendi i merituar, së paku në periudha të caktuara, për të mos thënë në çdo kohë. Që nga fillimi i shpalljes, leximi mbetet simbolika më madhështore e fesë sonë islame.

Besimi në libra, kusht i besimit

Përmes leximit, i Dërguari i Allahut ua sqaroi argumentet e Zotit, në mënyrë që t’ua ndriçonte rrugën e udhëzimit përmes së cilës do të arrijnë t’i shijojnë bukuritë e paimagjinueshme që Allahu ka përgatitur për besimtarët e Tij. “Të Dërguarin që ua lexoi ajetet e qarta të Allahut për t’i nxjerrë ata që besuan dhe bënë vepra të mira prej errësirave në dritë. Kush i beson Allahut dhe bën vepra të mira, Ai e shpie atë në xhenete nëpër të cilët rrjedhin lumenj; aty do të jenë gjithmonë e kurrë pakëputur. Allahu i ka dhënë atij furnizim të mirë...” (Talak, 11).
Allahu xh.sh. e zgjodhi të Dërguarin e Tij për t’ua lexuar argumentet e qarta dhe për t’i hequr nga errësirat e informimeve të devijuara drejt dritës së argumentuar nga Krijuesi. Andaj me leximin e ajeteve të Zotit, individi bëhet besimtarë i denjë dhe posedues i të gjitha cilësive të duhura për të. Pastaj duke lexuar të vërtetën e saktë e të argumentuar, e cila gjendet në librin e shpallur nga Zoti, ai plotëson vlerat e tij.
Njeriu sado i zgjuar që të jetë, nuk do të arrijë të kuptojë të vërtetën, andaj ka zbritur Kurani për t’u lexuar dhe për t’u orientuar përmes tij. Sikur njeriu të ishte vetë në gjendje të besonte Zotin ashtu siç duhet, dhe të bënte përzgjedhjen e veprave dhe klasifikimin e tyre në të mira dhe jo të mira, për të, për familjen dhe shoqërinë, atëherë mendja do të ishte zotëruese e çdo gjëje. Kjo teori nuk qëndron, ngase Allahu xh.sh., dërgoi pejgamberë të shumtë dhe libra të shumtë me qëllimin e vetëm që ta mësonte njeriun për zgjedhjen e rrugës së drejtë, për besimin në Zotin Një dhe për kryerjen e urdhrave që vijnë prej Tij.(1)
Pesë shqisat tona: të nuhaturit, shikimi, dëgjimi, prekja e shija, na bëjnë të mundshme që fizikisht të kërkojmë e kuptojmë vetëm botën rreth nesh. Mirëpo leximi na bënë të mundshme që të pasurohemi me informata edhe përtej botës që na rrethon.
Ajo çka përmendet në Kuran rreth organizimit të Universit është e rëndësishme, sepse këto thënie përbëjnë një fakt të ri të Shpalljes hyjnore. Kurani trajton këtë çështje në thellësi, megjithëse kjo nuk është trajtuar në shkrimet e shenjta të mëparshme.(2) Me lexim arrin pasuri të madhe, e prej tyre është rregullimi i raporteve tua me Zotin, pasi që kupton atë që ka thënë Zoti. Pastaj përmes leximit arrin pasuri në familje, ku përveç qetësisë arrin edhe njohuri të reja, por edhe zhvillon debate për libra. Prandaj me lexim arrin shëndet e përmbushje, largohesh nga stresi dhe preokupimet e përditshme, arrin qetësinë mendore e trupore, shkon drejt meditimit, e freskon dhe e rigjallëron trurin. Leximi është relaksim, qetësim shpirti, orientim e përfitim i madh, leximi ofron më shumë se çdo veprimtari tjetër në jetë.

Kujdesi në lexim më shumë se sa në ushqim

Libri aktual dhe i kohës i cili duhet të lexohet është Kurani. Lexuesit e librave të vjetër shpesh dalin qesharak kur sjellin shembuj nga librat e famshëm nga shekulli i kaluar, apo më të hershme, por këtu bënë përjashtim vetëm Kurani dhe Suneti. Këshillat e Kuranit asnjëherë nuk janë të vjetërsuara apo të shterura shkencërisht apo që u humb koha e leximit, praktikumit apo citimit të tyre.
Citimi nga Kurani apo jeta e Muhamedit a.s. është gjithnjë aktual dhe u përshtatet moshave dhe kohëve të ndryshme. Shpesh dëgjojmë për disa njerëz se janë udhëzuar apo janë kthyer për së mbari. Por çuditëm si janë kthyer pa lexuar asnjë libër apo duke lexuar vetëm një të tillë. Mendoj se udhëzimi duhet të vije pikërisht nga leximi i librave, e jo vetëm nga dëgjimi i ndonjë ligjërate në internet apo në ndonjë takim. Këto mund të jenë shkëndija udhëzimi apo nxitje, por udhëzimi bëhet vetëm pasi që të kemi lexuar disa libra. Literatura e mirë ndikon te njeriu më shumë se çdo gjë tjetër, madje edhe më shumë se sa çdo medium tjetër. Libri të shëtit nëpër kohë, duke angazhuar imagjinatën dhe ndjenjat. Është e qartë se njeriu përmes librit mund të përballojë dhembjen dhe ndryshimin.(3) Pra leximi i duhur është sikurse uji që pihet në burim. P.sh. Kurani, duhet të jetë burimi, dora e parë, pastaj librat e tjerë. Leximi është sikurse ushqimi. Kujdesi për ushqimin e pastër e kualitativ është i vogël, në krahasim me atë se sa duhet të jetë kujdesi në leximin e librit. Helmimi me ushqimin lë pasoja të gjata e shqetësuese edhe pas shërimit, e edhe më keq është puna e atyre që lexojnë libra të devijuar. Leximi apo studimi është më i rëndësishëm se sa të diplomoni. Derisa një hulumtim ka sqaruar se 30% e të diplomuarve nuk dinë të mbushin një aplikacion për punë, ngase nuk kanë lexuar apo dinë të lexojnë, kanë mundësinë, por nuk duan. Kurse përqindja e të arsimuarve që nuk dinë të lexojnë është afër 80%. Secili duhet t’i bëjë vetes leximin si obligim strategjik, shprehi për të gjithë. Të lexuarit, bashkëjetesa me librin të shoqëruarit me të, të medituarit dhe rishqyrtuarit e tij përfaqësojnë njërën prej zgjidhjeve për gjendjen e komunitetit islam.(4)


___________________________
1. Naim ef. Tërnava, “Besimi Islam, shtyllat dhe veçoritë – 2”, Prishtinë, 2020, f. 99.
2. Mustafa Mlivo, Kur’ani përpara shkencës dhe civilizimit, Ekzegjezat e 250 ajeteve kuranore”, përktheu nga gjuha angleze Mimoza Sinani, SH.B “Dituria Islame”, Prishtinë, 2008, f. 73.
3. Burke Hedges, “Lexo dhe bëhu i pasur”, përktheu Ali Mehmetaj, Prishtinë, 2005, f. 65.
4. Dr. Abdulkerim Bekar, “Si të lexosh një libër”, përktheu Agron Islami, Tetovë, 2018, f. 5



Ma. sc. Refik Gërbesh
Dituria Islame 388