Vlera e muajit Shaban dhe e natës së Beratit



Vlera e muajit Shaban

Muaji Shaban është muaj gjatë të cilit Pejgamberi a.s. agjëronte më shumë tij sesa gjatë muajve të tjerë. Tradita e Pejgamberit a.s. qe ashtu siç e transmetojnë shokët e tij: “Agjëronte (vullnetarisht) përderisa thoshim se nuk do ta lë atë dhe nuk agjëronte një kohë të gjatë sa që thoshim se nuk do të agjëronte fare.”(1) Ai agjëronte më shumë gjatë muajit Shaban, sa që thuhet se e agjëronte shumicën e tij, madje në disa transmetime thuhet se ai e agjëronte tërë muajin Shaban, mirëpo disa transmetime të tjera thonë se ai nuk e ka agjëruar një muaj të tërë përveç muajit Ramazan. Usame ibën Zejdi r.a. e kishte pyetur Pejgamberin a.s.: “O i dërguar i Allahut, nuk vërej se agjëron në ndonjë muaj më shumë se që agjëron gjatë muajit Shaban.” Ai i tha: “Ky muaj, të cilin njerëzit e harrojnë (janë të pavëmendshëm ndaj tij), është mes Rexhebit dhe Ramazanit, është muaj që gjatë tij ngrihen veprat tek Allahu xh.sh., e dëshiroj që veprat e mia të ngrihen gjersa jam duke agjëruar.”(2)
Gjithashtu, transmetohet se Pejgamberi a.s. agjëronte çdo të hënë dhe të enjte për çdo javë. Kur Usame ibën Zejdi r.a. e pyeti atë për sekretin e kujdesit të agjërimit të këtyre dy ditëve, ai iu përgjigj: “Ato janë dy ditë që gjatë tyre veprat paraqiten para Allahut, dëshiroj që veprat e mia të paraqiten gjersa jam duke agjëruar.”(3)
Agjërimi e afron robin tek Allahu xh.sh., dhe e bën të përshtatshëm për pranimin e lutjes dhe veprës së tij. Për këtë arsye, Pejgamberi a.s. është kujdesur që të agjërojë sa më shumë gjatë muajit Shaban. Agjërimi gjatë muajit Shaban ka vlerë të madhe, sidomos agjërimi i atyre që u ka mbetur ndonjë ditë pa agjëruar nga Ramazani paraprak, për shkak të sëmundjes, udhëtimit, ose femrës për shkak të ciklit menstrual. Ata duhet t’i agjërojnë ditët e mbetura para se të vije Ramazani i ardhshëm.

Vlera e natës së Beratit

Sa i përket natës së Beratit (në gjysmën e këtij muaji), janë cekur disa hadithe që i kanë përmendur disa dijetarë, e që kanë thënë se ato hadithe arrijnë shkallën e haditheve “hasen” - të mira, si hadithi i Muadh ibën Xhebelit: “Vërtet Allahu xh.sh. në natën e gjysmës së muajit Shaban u drejtohet robërve të Tij, ua falë mëkatet të gjitha krijesave të veta, përveç idhujtarit ose grindavecit.”(4)
Allahu u drejtohet krijesave të veta dhe i shikon ato me një shikim mëshirues e falës. Ai nuk është i pavëmendshëm ndaj robërve të Vet e as që i harron ata, mirëpo shikimi dhe drejtimi i Tij këtu do të thotë se Ai i mëshiron ata, i falë ata dhe përkujdeset për ta me një përkujdesje të veçantë. Allahu u drejtohet krijesave të Tij në këtë natë dhe ua falë mëkatet e tyre, përveç idhujtarit ose grindavecit. Sa i përket idhujtarit, Allahu xh.sh. thotë: “Është e vërtetë se Allahu nuk falë (mëkatin) t’i bëhet shok Atij, e pos këtij (mëkati), të tjerat i falë atij që dëshiron.” (En Nisa, 116). Ndërsa, grindaveci është ai që grindet me vëllain e tij mysliman, armiqësohet dhe i ndërpretë marrëdhëniet me të. Ky person ndalohet nga falja e Allahut për çdo javë. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Dyert e Xhenetit hapen ditën e hënë dhe të enjte, e Allahu ia falë mëkatet çdo robi të Tij që s’ka adhuruar askënd tjetër veç Tij, përveç personit që ka pasur grindje ndërmjet tij dhe vëllait (mysliman) të tij, do të thuhet: Shikoni këta të dy derisa të pajtohen (pra vononi ata në faljen e Allahut).”(5)
Kjo ndodhë për çdo javë, pastaj një gjë e tillë vije në natën e Beratit, pra dera e faljes është e mbyllur para atyre që zemrat s’u janë pastruar nga zemërimet, ata që s’e dinë kuptimin e pastërtisë.
Vjen e hëna dhe e enjtja, vinë xhumatë dhe muajt, vjen nata e Beratit, vjen muaji Ramazan, ndërsa inatet janë ato të njëjtat. Allahu ua falë mëkatet atyre që dëshiron, mirëpo Ai ua shtyn faljen inatçinjve, siç janë ziliqarët dhe të urryerit që s’i kanë pastruar zemrat e tyre.

Ndërrimi i kibles ndodhi pikërisht në natën e Beratit

Sipas transmetimeve, thuhet se në këtë natë është kishte ndodhur një ngjarje madhështore në vitin e dytë hixhri, ajo ishte ndërrimi i kibles prej Mesxhidi Aksasë (Kudsit) kah Qabeja e nderuar. Kjo ishte dëshira e Pejgamberit a.s., pasi që para saj, ai drejtohej për namaz kah Mesxhidi Aksaja – Kudsi, ashtu siç kishin bërë namaz edhe të gjithë pejgamberët e tjerë para tij. Pejgamberi a.s. gjersa ishte në Meke, mundohej të falej kah dy kiblet, kështu që falej ndërmjet dy rukneve, ndërmjet Gurit të Zi dhe ruknit Jemanij, Qabeja ishte para tij, por edhe Mesxhidi Aksaja - Kudsi ishte para tij, mirëpo kur emigroi në Medine ishte e pamundshme ta bënte një gjë të tillë, për atë shpresonte nga zemra e tij që të drejtohej kah kibleja e Ibrahimit a.s., i cili ishte ndërtues i Qabesë bashkë me të birin e tij Ismailin a.s.. Pejgamberi a.s. e shpresonte atë dhe e priste shpalljen nga Allahu xh.sh., shikonte kah qielli pa shqiptuar gjuha e tij asgjë, derisa Allahu ia përgatiti atij atë që dëshironte dhe ishte i kënaqur me të. Për këtë çështje zbriti fjala e Tij: “Ne shumë herë po shohim kthimin e fytyrës tënde kah qielli, e Ne gjithqysh do të drejtojmë ty në drejtim të një kibleje (Qabeja) që ti e do atë.” (El Bekare, 144). Shikoni këtë dashuri, iu realizua Muhamedit a.s. ajo që kënaqej me të në këtë botë, e Allahu i premtoi atij për dhënien e asaj që do kënaqet me të në botën tjetër. Allahu xh.sh. i tha Pejgamberit a.s.: “E Ne gjithqysh do të drejtojmë ty në drejtim të një kibleje (Qabeja) që ti e do atë. Pra kthehu anës së xhamisë së shenjtë (Qabesë), dhe kudo që të jeni (o besimtarë) kthehuni kah ajo anë. E atyre që u është dhuruar libri, ata e dinë sigurisht se kjo (kthesë) është e vërtetë nga Zoti i tyre. E Allahut nuk mund t’i fshihet ajo që veprojnë ata.” (El Bekare, 144).
Këtu shpërtheu shamata, që e shpërthyen hebrenjtë në Medine, duke thënë se Muhamedi për çdo ditë ka nga një mendim, dhe për çdo ditë ka nga një kible, si po drejtohet për namaz kah Qabeja, pasi që më parë drejtohej kah Mesxhidi Aksaja - Kudsi?! Nëse namazet e kaluara kanë qenë të pavlefshme, atëherë namazet e atyre që janë falur më parë janë të humbura, e nëse ka qenë e vërtetë, atëherë si e ka ndërruar sot këtë të vërtetë? Për t’u kthyer atyre, në Kuranin famëlartë, zbritën ajete të shumta që e rregulluan këtë çështje, duke pohuar së pari të drejtën e Allahut xh.sh. në shfuqizimin e dispozitave dhe ajeteve të cilat Ai dëshiron, siç ka thënë Allahu: “Ne nuk abrogojmë (pezullojmë) asnjë nga argumentet tona, apo ta hedhim në harresë e të mos sjellim edhe më të dobishëm se ai, ose të ngjashëm me të. A nuk e ke ditur se Allahu është i plotfuqishëm për çdo send.” (El Bekare, 106).
Pastaj nga një aspekt tjetër, Allahu i kritikoi ata mendjelehtë që e shfrytëzojnë çdo rast për nxitjen e dyshimeve dhe ndryshimin e thënieve pa dije dhe pa argumente, iu drejtua atyre duke u thënë: “Disa mendjelehtë nga njerëzit do të thonë: Çka i ktheu ata (myslimanët) prej kibles (drejtimit) në të cilin ishin ata (Kudsi)? Thuaj: Të Allahut janë lindja dhe perëndimi, Ai e vë në rrugën e drejtë atë që do.” (El Bekare, 142). Të Allahut janë lindja dhe perëndimi, të gjitha anët janë të Allahut, Mesxhidi Aksaja - Kudsi dhe Qabeja barazohen, Allahu është Ai që veçon dhe urdhëron, përndryshe drejtimet janë të barabarta.
Sa i përket asaj, pse Qabeja ka qenë kibleja e dytë, e Mesxhidi Aksaja - Kudsi kibleja e parë, kjo është fshehtësia e sprovimit, për këtë, Kurani thotë: “E kiblen nga e cila ti u drejtove nuk e bëmë për tjetër, vetëm se për të provuar atë që shkon pas të dërguarit, nga ai që kthehet prapa.” (El Bekare, 143).
Ata që falën më parë namaze kah Mesxhidi Aksaja - Kudsi, namazet e tyre nuk humbën, namazet e tyre kanë qenë të vlefshme për atë kohë. Mirëpo, sikur të falnin namaz kah Mesxhidi Aksaja - Kudsi pas këtij ajeti të zbritur, namazi i tyre do të ishte i pavlefshëm, sepse çdo dispozitë është e vlefshme në kohën e vet, e kur të shfuqizohet nuk lejohet të punohet më me të.


________________________
1. Transmetojnë Buhariu, Muslimi dhe Ebu Davudi.
2. Transmeton Nesaiu.
3. Transmetojnë Ebu Davudi dhe Nesaiu.
4. Transmetojnë Taberaniu dhe Ibën Hibbani.
5. Transmeton Muslimi nga Ebu Hurejreja r.a..



Përktheu: Mr. Faruk Ukallo (Burimi: “Predikimet e shejh Jusuf el Kardavit”, përgatitur nga Halid Essa’d, mektebetu vehbeh, Kajro, 1997, vëllimi I).


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme