Dispozita e agjërimit të shtatzënës dhe gjidhënëses dhe mënyra e kompensimit të tij

 
Agjërimi i muajit Ramazan është një ndër pesë shtyllat e Islamit, të cilin Zoti i Madhëruar ia bëri obligim robërve të Tij myslimanë. Ky obligim është përmendur në Kuran, e për të cilin, i Lartmadhëruari, thotë: "O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm." (El Bekare, 183).
Agjërimi është një nga ibadetet më të rëndësishme dhe më madhështore, përmes së cilit, myslimani i ofrohet Krijuesit të tij. Ai dallohet nga shtyllat e tjera të Islamit nga vendi i veçantë dhe i posaçëm që gëzon te Zoti, duke qenë se nëpërmjet gjuhës së profetit të Tij, Ai ka thënë: “Çdo vepër e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë shpërblejë për të.”(1)
Agjërimi është i detyrueshëm për çdo mysliman të aftë e të moshërritur që ka mundësi të agjërojë. Por, megjithëkëtë, ka raste kur ndërprerja e agjërimit gjatë Ramazanit lejohet me kushtin e kompensimit ose dhënies së fidjes për ditët e pa agjëruara. Madje, ka raste specifike ku ndërprerja e agjërimit bëhet e detyrueshme për shkak të frikës nga dëmtimi. Këto arsye mund të ndryshojnë, disa prej tyre janë specifike për gratë, siç janë shtatzënia dhe gjidhënia, ndërsa disa janë të përgjithshme për të gjithë njerëzit, siç është sëmundja dhe pleqëria. Ne, në këtë artikull, do të fokusohemi në dispozitat e agjërimit të shtatzënës dhe gjidhënëses në Ramazan, dhe t'i përgjigjemi pyetjeve: A është agjërimi i detyrueshëm për to? A lejohet ndërprerja e agjërimit dhe nëse e ndërprenë agjërimin, a duhet të kompensohet apo të paguhet fidjeh për ditët e pa agjëruara?
 
Dispozita e agjërimit të shtatzënës dhe gjidhënëses
 
Sa i përket dispozitës së agjërimit të gjidhënëses dhe shtatzënës, ekzistojnë dy raste që e shpjegojnë këtë dispozitë.
 
Rasti i parë: Nëse gjidhënësja dhe shtatzëna nuk ndikohen nga agjërimi dhe nuk i shkakton ndonjë rrezik atyre apo fëmijës së tyre, atëherë në këtë rast, të dyjave u obligohet agjërimi dhe nuk lejohet prishja e tij.
 
Rasti i dytë: Nëse gjidhënësja dhe shtatzëna kanë frikë se do t'u rrezikohet jeta e tyre, ose nëse gruaja shtatzënë ka frikë për fetusin ose gruaja gjidhënëse për foshnjën, në bazë të disa shenjave ose përvojave, madje edhe nëse kjo përvojë është nga dikush tjetër, kur në pyetje është sëmundja e njëjtë, ose në bazë të mendimit të mjekut të kualifikuar, i cili është mysliman që nuk i dihet gjendja e tij, pra nuk njihet për mëkate, Islami ua lejon të mos agjërojnë. Këtë e dëshmon hadithi: "Allahu e ka liruar udhëtarin nga agjërimi dhe gjysma e namazit, si dhe shtatzënën dhe gjidhënësen."2
Në këtë hadith, Pejgamberi a.s., dispozitën e shtatzënës dhe gjidhënëses e ka bërë të njëjtë me të udhëtarit dhe të sëmurit. Udhëtari dhe i sëmuri e prishin agjërimin dhe e kompensojnë atë, po ashtu edhe gruaja shtatzënë dhe gjidhënëse.
Gjidhënësës, gjithashtu i lejohet të prishë agjërimin për shkak të pirjes së ilaçit që parandalon diarrenë e foshnjës, nëse këtë ia rekomandon mjeku.
Nga kjo nënkuptojmë se agjërimi për gruan shtatzënë apo gjidhënësen në thelb është i detyrueshëm, si për çdo mysliman tjetër që është i detyruar ta bëjë këtë. Atyre nuk u lejohet ta prishin agjërimin gjatë muajit Ramazan nëse trupi i tyre është i fortë dhe mund të agjërojnë, si dhe nëse agjërimi i tyre nuk e dëmton fetusin ose foshnjën. Mirëpo, ashtu siç nuk i lejohet një gruaje shtatzënë apo gjidhënëse të prishë agjërimin gjatë muajit Ramazan nëse trupi i saj është i fortë dhe mund të agjërojë dhe nëse agjërimi gjithashtu nuk i shkakton dëm fetusit ose foshnjës, nga ana tjetër, prishja e agjërimit është obligim për gruan shtatzënë dhe gjidhënëse nëse e shohin se agjërimi mund ti shkaktojë dëme serioze. Atyre u lejohet ta prishin agjërimin gjatë muajit Ramazan, me dy kushte, të cilat janë si vijon:
Gruaja shtatzënë ose gjidhënëse duhet të ketë frikë për veten apo fetusin dhe foshnjën, apo dëmtimin e rëndë ose sëmundjen.
Frika e gruas duhet të bazohet në udhëzimet e mjekut të kualifikuar, një përvojë të mëparshme ose një rekomandim nga një grua tjetër që e ka pasur këtë përvojë më parë.
 
Kompensimi i agjërimit të Ramazanit
 
Nëse shtatzëna dhe gjidhënësja e prishin agjërimin, ato obligohen vetëm me kompensimin e ditëve e pa agjëruara dhe nuk obligohen të paguajnë fidjeh. Kjo duke bërë analogji me udhëtarin dhe të sëmurin, të cilët i përmend Allahu në Kuran: “E kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëron), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë." (El Bekare, 184).
Allahu xh.sh. e obligon të sëmurin dhe udhëtarin me kompensimin e ditëve të pa agjëruara dhe nuk e përmend fidjen. Ndërsa dispozita e shtatzënës dhe gjidhënëses është e njëjtë me të udhëtarit dhe të sëmurit, shërimi i të cilit shpresohet, kështu që ajo duhet ta kompensojë atë nëse është në gjendje ta bëjë këtë. Kjo mbështetet gjithashtu nga hadithi: "Allahu e ka liruar udhëtarin nga agjërimi dhe gjysma e namazit, si dhe shtatzënën dhe gjidhënësen."(3)
Sipas këtij hadithit, bëhet e qartë së dispozita e shtatzënës dhe gjidhënëses është e njëjtë me të udhëtarit dhe të sëmurit. Udhëtari dhe i sëmuri e prishin agjërimin dhe e kompensojnë atë, po ashtu edhe gruaja shtatzënë dhe gjidhënëse. Nëse themi se duhet dhënë fidjeh, atëherë detyrohemi të shtojmë në Kuran, prandaj mund konkludohet se pagimi i fidjes nuk është obligim, por është një veprim i rekomanduar (mustehab).
Është e rëndësishme të përmenden edhe mendimet e tre shkollave juridike të tjera lidhur me këtë çështje për shkak të fetvave të ndryshme që dëgjohen në kundërshtim me të gjitha këto shkolla. Sipas këtyre tre shkollave juridike, nëse një grua shtatzënë ose gjidhënës frikësohet për veten dhe për fëmijën e saj, ose vetëm për veten, ajo është e detyruar të kompensojë vetëm ditët e pa agjëruara. Por, nëse ajo frikësohet vetëm për fëmijën e saj, ajo është e detyruar të kompensojë ditët e pa agjëruara dhe të paguajë fidjen.
Nga kjo, kuptohet që gruaja shtatzënë dhe gjidhënësja unanimisht obligohen të kompensojnë ditët e pa agjëruara sipas katër shkollave juridike. Ndërsa mospajtimi i tyre lidhet me faktin se a janë gjithashtu të detyruara të paguajnë fidjen apo jo. Sipas shkollës hanefite, nuk janë të detyruara të paguajnë fidjen, ndërsa tre shkollat e tjera e konsiderojnë atë të detyrueshme.
 
Kushtet e obligimit të kompensimit
 
Të gjitha kushtet, të cilat duhet plotësuar për agjërimin e Ramazanit janë kushte për kompensimin e tyre, me përjashtim të kohës dhe caktimit të nijetit natën. Kjo do thotë se mund të kompensohen në çfarëdo kohe, me përjashtim të ditëve kur është i ndaluar agjërimi, si dhe nuk lejohet të kompensohen vetëm se me bërjen nijet natën, e kundërta e agjërimeve në kohën e tyre.
Personat, që nuk e kanë agjëruar Ramazanin, që në mesin e tyre në këtë rast është shtatzëna dhe gjidhënësja, obligohen me kompensim të aq ditëve që nuk i kanë agjëruar në Ramazan. Ato obligohen të kompensojnë ditët e pa agjëruara, pas kalimit të muajit Ramazan, sepse atëherë më nuk ka arsye për mos agjërim. Mirëpo, nëse vdesin gjatë kohës së ekzistimit të justifikimit të tyre, për to nuk është obligim kompensimi, sepse kanë vdekur para se t'u bëhet obligim kompensimi. E nëse e lënë testament që të ushqejnë të varfër për to, testamenti i tyre është i drejtë edhe pse nuk kanë qenë të obliguara, kurse të varfrit ushqehen nga një e treta e pasurisë së tyre.
Në rast se shtatzëna dhe gjidhënësja nuk i kompensojnë ditët e pa agjëruara derisa të vdesin, duke pasur mundësinë e kompensimit të agjërimit, ato duhet ta lënë testament që trashëgimtarët e tyre të japin fidjeh, për çdo ditë ta ushqejnë nga një të varfër. Kjo për shkak se kompensimi u është bërë obligim dhe mandej u është paraqitur paaftësia, shkaku i lënies së tyre pas dore, kështu që obligimi transferohet në atë që e zëvendëson atë, e që në këtë rast është fidja. Këtë e dëshmon hadithi, të cilin e transmeton Amrah bint Abdurrahmani r.a., e cila thotë: "E pyeta Aishen r.a. e i thashë asaj: “Nëna ime ka vdekur e i ka mbetur Ramazani (pa agjëruar), a bën ta kompensoj për të?” Ajo tha: "Jo, mirëpo jep sadaka për të për çdo ditë një të varfëri, kjo është më e mirë se agjërimi yt për të."(4)
Këtë e dëshmon gjithashtu etheri i transmetuar nga Nafiu r.a., i cili thotë: "Ibën Umeri r.a. kur pyetej për ndonjë njeri që kishte vdekur dhe kishte ditë të pa agjëruara nga Ramazani ose zotimi, thoshte: "Askush nuk agjëron për askënd, mirëpo jepni lëmoshë për të nga pasuria e tij për agjërim, për çdo ditë një të varfëri."(5) Në një transmetim tjetër nga ai, thuhet: "Askush nuk falet për askënd, dhe askush nuk agjëron për askënd, por në qoftë se e bëni atëherë jepni sadaka për të."(6)
 
Koha e obligimit të kompensimit
 
Kohë e kompensimit janë të gjitha ditët jashtë Ramazanit me përjashtim të gjashtë ditëve, e që ato janë: dy bajramet dhe ditët e teshrikut. Këtë e dëshmon ajeti: "E kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëron), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë ditë." (El Bekare, 184).
Urdhri për kompensimin e ditëve të pa agjëruara në ajet është i pakufizuar në kohë, andaj nuk lejohet të kufizohet në një periudhë të caktuar, përveç nëse ka ndonjë argument të vlefshëm për të bërë këtë.
Prandaj, sipas mendimit të drejtë, kompensimi i ditëve të pa agjëruara nuk kufizohet të bëhen në ditë të caktuara, mirëpo i obliguari me kompensim, që në këtë rast është shtatzëna dhe gjidhënësja, e ka lirinë të zgjedhë kur të kompensojë ditët e pa agjëruara dhe në cilën kohë do të fillojë agjërimin. Koha në të cilën zgjedhë të agjërojë do të konsiderohet si plotësim i obligimit. Nëse i obliguari me kompensim, që në këtë rast është shtatzëna dhe gjidhënësja, nuk fillon të agjërojë, atëherë kufiri kohor i obligimit i ngushtohet në vitet e fundit të jetës së tij dhe gjatë kësaj kohe agjëron kurdo që i jepet mundësia para vdekjes.
Nuk kushtëzohet që ditët e pa agjëruara të agjërohen para ardhjes së Ramazanit tjetër. Prandaj, është thënë nuk është mekruh për personin që ka për t'i kompensuar ditët e pa agjëruara të Ramazanit të agjërojë vullnetarisht dhe nëse e vonon derisa të hyjë Ramazani tjetër, nuk ka nevojë të paguaj fidjeh. Megjithatë, duhet ditur se është më mirë shpejtimi i kompensimit të ditëve të pa agjëruara.
Gjithashtu, agjërimi i ditëve të pa agjëruara nuk kushtëzohet të jetë i njëpasnjëshëm, por personi është i lirë t'i agjëroj ato ditë të ndara ose të njëpasnjëshme. Ky fleksibilitet është për shkak të mungesës së kufizimit të përmendur në ajetin e lartpërmendur. Megjithatë, praktika e preferuar është të agjërohen ditët e pa agjëruara njëra pas tjetrës për heqjen e obligimit sa më shpejt që është e mundur.
 



_________________________
1 El Buhari, nr: 1904, 3/26, Muslimi, nr: 1151, 2/807.
2 Ahmedi, nr: 20326, 33/436, Shejh Shuajbi thotë: "Hadithi është i mirë".
3 Ahmedi, nr: 20326, 33/436, Shejh Shuajbi thotë: "Hadithi është i mirë"
4 Sherhu Mushkel el Athar, 5/178. Et Turkmani, në El Xhevher en Nekij, 4/257, thotë: "Senedi i tij është sahih".
5 Sunen el Kubra i Bejhekiut, nr: 8215, 4/4242.
6 Abdurrezak, nr: 16346, 9/61. Et Tchanevi, në I'lau es Sunen, 9/159, thotë: "Transmetuesit e tij janë transmetues të sahihut, përveç Abdullahut që është prej transmetuesve të Muslimit".


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?