Komentimi i sures El Fet’h (11)


Përshkrimi i të Dërguarit a.s. dhe i sahabëve të ndershëm 


 


29. Muhamedi është i Dërguar i Allahut. Ata që janë me të (sahabët), janë të ashpër me jobesimtarët dhe të mëshirshëm me njëritjetrin. I sheh ata si përkulen dhe bien në sexhde, duke kërkuar mirësi prej Allahut dhe kënaqësinë e Tij. Në fytyrat e tyre shihen gjurmët e sexhdes. Ky është përshkrimi i tyre në Tevrat, ndërsa në Ungjill, ata përshkruhen si një farë e mbjellë që nxjerr filiz. Kur ai forcohet e trashet dhe qëndron fortë në kërcellin e vet, e mahnit mbjellësin, dhe nëpërmjet tyre (sahabëve), ua shton mllefin jobesimtarëve. Kurse atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Allahu u ka premtuar falje dhe shpërblim të madh. 


Lidhja e këtij ajeti me ata paraprakë 


Në ajetet paraprake, i Madhërishmi e bëri të qartë se ëndrra e mirë e Pejgamberit a.s., se do të hynte në Mekë së bashku me sahabët e tij, do të realizohej, në momentin kur Ai me Dijen e Tij absolute e sheh të arsyeshme, dhe njëkohësisht e përgëzon Pejgamberin a.s., dhe mbarë myslimanët, se feja islame do të rritet e do të triumfojë mbi çdo fe tjetër. Kurse tash në ajetin e fundit të kësaj sureje, që në fillim të tij, Allahu e vërteton pejgamberinë e Muhamedit a.s., se është i Dërguar i Tij, dhe i lavdëron sahabët e Resulullahut s.a.v.s., me cilësitë më të mira, me të cilat janë përshkruar në Tevrat dhe në Inxhil. 


Koment: 


“Muhamedi është i Dërguar i Allahut...” Ajeti i fundit i sures El Fet’h, është një prej ajeteve më madhështor të Kuranit famëlartë. Në të, fillimisht vërtetohet edhe njëherë se Muhamedi a.s. është i Dërguar i Allahut, e që ndërlidhet fuqishëm edhe me fundin e ajetit paraprak: “Mjafton Allahu si dëshmitar!” , që d.t.th., të mjafton ty o Muhamed, që Allahu është dëshmitar se ti vërtet je i Dërguar i Tij, edhe nëse krejt njerëzimi të mohojnë.(1) Ndërkohë, ky ajet është edhe një kundërpërgjigje e fortë ndaj hezitimeve të Suhejl ibn Amrit, të autorizuarit nga kurejshët, që të mos e shkruante në marrëveshje fjalinë: “Muhamedi, i dërguari i Allahut”. Nëpërmjet kësaj fraze hyjnore: “Muhamedi është i Dërguar i Allahut...”, i Madhërishmi dëshiron ta qetësojë e kënaqë shpirtërisht Muhamedin a.s., që mos të ndikohej nga qëndrim mohues i kurejshëve karshi tij, sepse të refuzuan ata apo jo, ti vërtet je i Dërguari Im, jo vetëm për kurejshët, por për mbarë njerëzimin. 
Meqë ky ajet, i përshkruan sahabët e Resulullahu s.a.v.s., në mënyrën më meritore, atëherë Allahu xh.sh. e filloi këtë ajet pikërisht me përshkrimin e të Dërguarit të Vet, me këtë frazë kaq të shkurtër, por me kuptime shumëdimensionale, pas së cilës nuk ka peshë asnjë përshkrim tjetër, sepse është përshkrimi më gjithëpërfshirës dhe më i bukuri i mundshëm. 
“...Ata që janë me të (sahabët), janë të ashpër me jobesimtarët dhe të mëshirshëm me njëri-tjetrin....” 
Të Dërguarit të Allahut, Muhamedit a.s., për ta kryer me sukses këtë mision të thirrjes në besimin e drejtë, përveç fuqizimit nga ana e Allahut xh.sh., do t’i nevojiteshin edhe shokë e përkrahës, të cilët nuk do të hezitonin për asnjë çast të hidheshin në zjarrin e luftës, me qëllim të lartësimit të fesë së Njëshmërisë. Këta ishin sahabët e ndershëm, gjenerata më fisnike që e shoqëroi të Dërguarin e Allahut gjatë misionit të tij të shenjtë. Sipas shumicës dërmuese të dijetarëve, ky ajet i përfshin të gjithë sahabët, kurse është transmetuar nga Ibn Abasi, se në këtë ajet, synohen vetëm ata që ishin dëshmitarë të Hudejbijes.(2) Sidoqoftë, mendimi i parë është më i pranuari.
Sipas unanimitetit të dijetarëve të Ehli Sunetit, të gjithë sahabët konsiderohen njerëz të drejtë e të mirë. Ata ishin të dashurit e Allahut dhe më të zgjedhurit prej krijesave pas pejgamberëve të cilët Ai i zgjodhi nga njerëzit.(3) 
Ashtu siç shihet në këtë ajet, përshkrimi i sahabëve, është një përshkrim i jashtëzakonshëm, përshkrim që ishte përmendur për ta më parë edhe në Tevrat dhe në Inxhil. Sahabët e Resulullahut s.a.v.s., ishin shembulli më i lartë i devotshmërisë, i besnikërisë dhe i përkushtimit. Ata përveç përulësisë që e stoliste karakterin e tyre, megjithatë kur ballafaqoheshin me armikun, ishin të ashpër dhe sypatrembur, dhe nuk ndjenin aspak frikë se mund të vriteshin, sepse qëllimi i tyre kryesor ishte fitimi i kënaqësisë së Allahut dhe rënia shehid në fushëbetejë. 
Edhe në rastin e marrëveshjes së Hudejbijes, sahabët e Resulullahut s.a.v.s., duke qenë të brumosur me një iman të fortë, dhe duke e ditur se ishin në të vërtetën, nuk kishin qenë të kënaqur me këtë marrëveshje, sepse sipas shumicës prej tyre, kjo ishte dorëzimi para kërkesave irracionale të kurejshëve, ndërkohë që ata ishin të gatshëm të vdisnin e të mos ktheheshin të thyer shpirtërisht. Natyrisht, ky hidhërim dhe pikëllim u kishte hije sahabëve të Resulullahut s.a.v.s., gjë të cilën e ka cekur edhe Ibn Ashuri në tefsirin e tij. Madje mund të themi se Ibn Ashuri është ndër të paktët prej mufesirëve që e ka pikasur këtë element nga sjelljet e sahabëve të ndershëm. Ata ishin këmbëngulës në insistimin e tyre që pavarësisht pasojave, të hynin në Mekë për ta kryer umren. Megjithatë, në këtë rast, ata nuk kishin qasje në fshehtësitë dhe urtësitë e Allahut, për të cilat dinte vetëm i Dërguari i Allahut. Ata këtë e bënin vetëm për hir të dashurisë ndaj Allahut dhe ndaj Pejgamberit a.s., sepse imani i tyre i fortë, i shtynte drejt kësaj. Ata i ndjenin drithërimat e këtij nuri imanor në zemrat e tyre, prandaj ishin gati të vdisnin e të mos ktheheshin prapa.(4) 
Këtë mëshirë të sahabëve në mes vete, dhe ashpërsinë që kishin ndaj armikut, e ka përshkruar Allahu xh.sh. edhe në disa ajete kuranore, si f.v.: “O besimtarë! Nëse ndokush prej jush braktis besimin e vet, dijeni se Allahu do të sjellë njerëz, që i do dhe që e duan; të përulur me besimtarët dhe të ashpër me femohuesit; që luftojnë në rrugën e Allahut dhe nuk i tremben qortimit të asnjë qortuesi...”- (El Maide, 54), ndërkohë që në shumë hadithe të Resulullahut s.a.v.s., është përshkruar raporti i shëndoshë i besimtarëve islamë në mes vete, si: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe solidaritetin reciprok është sikurse shembulli i trupit; nëse ankohet një gjymtyrë, i tërë trupi lëngon nga temperatura dhe pagjumësia.”(5) 
“... I sheh ata si përkulen dhe bien në sexhde, duke kërkuar mirësi prej Allahut dhe kënaqësinë e Tij. Në fytyrat e tyre shihen gjurmët e sexhdes. Ky është përshkrimi i tyre në Tevrat...” 
Sahabët fisnikë të Resulullahut s.a.v.s., që shfaqnin ashpërsi e fortësi ndaj armikut, ishin shumë të mëshirshëm në mes vete. Ata ishin njerëzit më modestë dhe më të përulurit para Madhërisë së Allahut në rukutë dhe sexhdet e namazit. Ata e përjetonin thellë në shpirtrat dhe në zemrat e tyre, këtë dashuri ndaj të Madhit Zot. Meditonin thellë për çdo ajet që e lexonin gjatë namazeve të tyre ditore, po edhe më shumë gjatë namazit vullnetar të natës. Sahabët e ndershëm, ashtu siç i përshkruan ky ajet, nuk e bënin këtë adhurim, për të kërkuar shpërblim tek Allahu, përkundrazi, ata duke qenë të vetëdijshëm se si qenie njerëzore kanë mangësi, lëshime e gabime të natyrave të ndryshme, i kërkonin mirësitë e Allahut dhe kënaqësinë e Tij. Vetëm pas kësaj, shpresonin në Xhenetin si shpërblim.(6) 
Në fytyrat e sahabëve, përshkrim që sipas dijetarëve vlen edhe për çdo besimtar të devotshëm e të sinqertë, deri në Ditën e Gjykimit, shiheshin qartë gjurmët e këtyre sexhdeve. Këto gjurmë nuk nënkuptojnë gjurmë fizike në ballë, siç pretendojnë disa shkurtpamës, por nënkupton se në fytyrat e atyre që bien në sexhde para Krijuesit, shihen drita, shkëlqimi dhe madhështia, të cilat shenja e shpërfaqin mirësinë dhe përulësinë e një robi të devotshëm. Qëllimi me fjalën: “gjurmët e sexhdes” është për gjurmët e adhurimit, por i Madhërishmi e përzgjodhi fjalën “sexhde”, sepse ky veprim yni bë namaz, gjatë vënies së ballit në sexhde, nënkupton përulësinë, përvujtninë, devotshmërinë dhe adhurimin e Allahut në formën më të plotë. Shumë prej dijetarëve të mëdhenj nëpër shekuj, duke u bazuar edhe në disa thënie profetike, kanë thënë se namazi i natës i zbukuron fytyrat e besimtarëve gjatë ditës. Disa të tjerë kanë thënë se mirësia reflekton dritë në zemër, shkëlqim-vezullim në fytyrë, shtim të rrizkut dhe dashuri në zemrat e njerëzve. Në lidhje me këtë, Omeri r.a., ka thënë: “Ai që ndërgjegjen e brendshme e ka të pastër e të mirë, Allahu do t’ia shpërfaq mirësinë edhe në veprimet e jashtme”.(7) 
Ky është përshkrimi i sahabëve të Resulullahut s.a.v.s. në Tevrat, të cilin e devijuan dhe shtrembëruan çifutet, por megjithatë, në disa kopje të vjetra, siç janë disa kopje të viteve 1800 dhe fillimit të viteve 1900, të Dhiatës së Vjetër, mund të haset përshkrimi i tyre edhe në Tevrat. Në kopjen biblike të Richard Wats të vitit 1822, e gjejmë këtë citat biblik: “Zoti erdhi nga Sinai dhe prej Seirit rrezatoi mbi ta; dhe u paraqit në madhështinë e tij nga mali Paran, dhe me të ishin mija të pastër, e nga e djathta e tij, dilte për ta një ligj i zjarrtë”.(8)
 Duke e krahasuar këtë kopje të Biblës, me kopjet e sotme të saj, shohim se nga to është hequr krejtësisht fjala “mija të pastër”, për t’u zëvendësuar me fjalën: “mija shenjtorë”. 
Ndërsa ky pasus, në Dhiatën e sotme të vjetër, në versionin elektronik, gjendet në këtë formë: “Zoti erdhi prej Sinait, prej Seirit rrezatoi mbi ta, vezulloi prej malit Paran, bashkë me mijëra të shenjtë. Zjarr flakërues, lëshonte dora e tij e djathtë.”(9) Pa dyshim, fjala Paran, apo në arabishte Faran, sipas të gjithë studiuesve të teksteve biblike, nënkupton malin e Mekës, ku zbriti shpallja e fundit hyjnore, ndërsa me fjalën “mija të pastër” apo “mijëra të shenjtë” , aludohet në sahabët e Pejgamberit a.s., gjatë çlirimit të Mekës. “
...ndërsa në Ungjill, ata përshkruhen si një farë e mbjellë që nxjerr filiz. Kur ai forcohet e trashet dhe qëndron fortë në kërcellin e vet, e mahnit mbjellësin, dhe nëpërmjet tyre (sahabëve), ua shton mllefin jobesimtarëve.” 
Tash kemi një përshkrimin besnik dhe autentik e sahabëve të ndershëm të Resulullahut s.a.v.s., që si citat ka qenë më parë edhe në Inxhil, duke aluduar për fillet e para të Islamit, kur numri i tyre ishte fare i vogël, dhe ngjanin me një fare të brishtë, e cila mbillet dhe ngadalë nxjerr filizat e saj. E pastaj, ky filiz merr hovin e rritës së tij, dhe kur forcohet, bujku që e ka mbjellë, mahnitet me bukurinë dhe fortësinë e tij. Ky shëmbëllim përputhet plotësisht me gjendjen e sahabëve, të cilët pasi që ishin të paktë në numër, numri i tyre erdhi duke u shtuar dita-ditës, dhe kur ndodhi shpërngulja e bekuar në Medinë, ata tash kishin filluan të forcoheshin dhe të tregonin forcën dhe përkushtimin e tyre, mu ashtu siç i përshkruan ajeti në fjalë: “kur ai forcohet e trashet dhe qëndron fortë në kërcellin e vet, e mahnit mbjellësin”.
Fatkeqësisht, në Ungjijtë e sotëm, të cilët kanë shpërputhje të mëdha edhe në mes vete, pothuajse janë larguar fare apo janë shtrembëruar të gjitha ato citate, që mund të aludonin në përngjasime të tilla për të Dërguarin a.s. dhe sahabët e tij, sepse mëria dhe urrejtja e jobesimtarëve nga radhët e Ehli Kitabit, ishte dhe vazhdon të jetë paskajshmërisht agresive, armiqësore dhe jotolerante. Mirëpo, dijetarët myslimanë, duke studiuar Ungjijtë që sot janë të kanonizuar nga të krishterët, kanë gjetur në Ungjillin sipas Metës apo Mateut një shëmbëllim shumë të përafërt me përshkrimin kuranor të sahabëve,: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me kokrrën e sinapit, të cilën njeriu e mori dhe e mbolli në arën e vet. Ajo është, pa dyshim, më e vogla ndër të gjitha farërat, por, kur rritet, bëhet më e madhe se të gjitha barishtet, zhvillohet në pemë, sa që shpendët e qiellit vijnë e bëjnë çerdhe në degë të tij.”(10) 
Ndërsa në vetë Kuranin famëlartë, ashtu siç e ka përshkruar mufesiri bashkëkohor, Muhamed esh Shenkiti, gjejmë me dhjetëra ajete që e përshkruajnë këtë shëmbëllim të sahabëve kur në fillet e para të Shpalljes, ata ishin të dobët dhe të paktë në numër si p.sh.: “Dhe kujtohuni kur ishit pak në numër, ishit të dobët në tokë e kishit frikë se njerëzit (jobesimtarët) do t’ju gllabëronin!... ”- (El Enfal, 26)”; “Allahu ju ndihmoi në Bedër, kur qetë të pafuqishëm, andaj frikësojuni Allahut, për të qenë falënderues.” - (Ali Imran, 123), etj.(11) 
Kurse pjesa e fundit e pasusit të ajetit në fjalë: “dhe nëpërmjet tyre (sahabëve), ua shton mllefin jobesimtarëve.”, shpërfaq madhështinë e sahabëve, sepse ashpërsia e tyre në luftë kundër idhujtarëve, dhe mëshira që e kishin në mes vete, bëri që jobesimtarët të ndjenin mllef e urrejtje ndaj tyre. Sahabët e Pejgamberit a.s., me të cilët kjo fe e ndritshme islame u lartësua dhe mori hov duke u përhapur në të katër anët e botës, ishin gjenerata më fisnike që jetoi deri më sot. Ata ishin njerëzit më të privilegjuar e më të zgjedhur të këtij ymeti, meqenëse patën rastin ta shoqëronin njeriun më të madh të njerëzimit – Muhamedin a.s., të cilin Allahu xh.sh. e dërgoi udhëzues dhe mëshirë për botët. I Lartmadhërishmi, i ka lavdëruar sahabët e Resulullahut s.a.v.s. në shumë vende në Kuran siç është ky ajet i fundit (29) i sures El Fet’h, pastaj: “Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për të mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni Allahun.” - (Ali Imran, 110). 
Kurse i Dërguari i Allahut për shokët e vet ka thënë: “Mos i shani sahabët e mi, mos i shani sahabët e mi, se për Atë në Dorën e të Cilit është jeta ime, nëse ndonjëri prej jush do të jepte (shpenzonte) sasi të arit sa kodra e Uhudit, nuk do të arrinte mirësinë e ndonjërit prej tyre, madje as sa gjysmën e tyre.” (12); si dhe: “Njerëzit më të mirë janë gjenerata ime (sahabët), pastaj ata që vijnë pas tyre (tabi’injtë) dhe pastaj ata që vijnë pas tyre (tebei tabi’injtë)...”(13) E në një version tjetër: “Gjenerata më e mirë është gjenerata ime (sahabët), pastaj ata që vijnë pas tyre (tabi’injtë) dhe pastaj ata që vijnë pas tyre (tebei tabi’injtë)...”(14) 
Sipas disa dijetarëve, shembulli i sahabëve që është përmendur në Tevrat, është i lidhur ngushtë me ibadetin e shumtë të tyre dhe me përkushtimin e përulësinë që kishin në raport me Krijuesin Fuqiplotë, tradita të cilat çifutët i kishin hedhur pas shpine që moti, sepse ata njihen si popull që i ka preokupuar për së tepërmi luksi dhe jeta e kësaj bote si dhe grumbullimi i pasurisë, dhe nuk çajnë kokën për afrim të Zoti xh.sh., me adhurim. Ndërsa shembulli i sahabëve, i përmendur në Inxhil, është krahasimi në mes tyre dhe të krishterëve në çështjen e adhurimit dhe të përpjekjeve për këtë botë. Dihet se të krishterët vetë e shpikën murgjërinë, me qëllim të lënies pas dore dynjanë dhe preokupimin me adhurim ndaj Zotit, gjë të cilën Allahu nuk ua kishte urdhëruar, andaj i Madhërishmi ua tërheq vërejtjen se murgjërinë e tyre nuk ditën ta ruanin e as ta praktikonin në formën e duhur, duke e humbur edhe këtë botë, edhe botën tjetër, ndërkohë që sahabët ishin të devotshëm në adhurim, por ishin gjithashtu edhe në ballë të xhihadit dhe ndërtimit të shoqërisë njerëzore në parime të shëndosha, dhe nuk u mbyllën nëpër xhamia për ibadet, por krahas ibadetit, shkruan faqet më të ndritshme të historisë islame, me përhapjen e fesë islame, ngado që shkuan.(15) 
Pjesa përmbyllëse e ajetit të fundit të kësaj sureje, përfundon me një premtim të madh përgëzues nga ana e Allahut të Gjithëmëshirshëm për besimtarët: “...Kurse atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Allahu u ka premtuar falje dhe shpërblim të madh”. 
Pas këtij nderimi dhe lartësimi të sahabëve nga ana e të Madhërishmit, të cilët preokupim kryesor kishin fitimin e kënaqësisë së Allahut ndaj tyre, tash në fund vjen përgëzimi hyjnor se ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të kenë falje dhe shpërblime të mëdha. Ky përgëzim, i premtuar nga Allahu Fuqiplotë do të thotë se Ai kurrë nuk i thyen premtimet e Tij, prandaj, ata që besojnë bindshëm dhe drejt në Njëshmërinë e Tij, që besojnë në ekzistencën e engjëjve, në Librat e shenjtë, në të Dërguarit e Allahut, në Kadanë dhe Kaderin e Allahut, dhe në Ringjallen pas vdekjes, këtyre, i Madhërishmi iu ka premtuar falje dhe shpërblim të madh në jetën e Ahiretit. Me këtë përgëzim, mbyllet perdja e kësaj sureje fisnike, duke përçuar një mesazh të fuqishëm për çdo kohë dhe për çdo brez të besimtarëve deri në Ditën e Gjykimit, se vetëm besimi i drejt në Krijuesin, është rruga që shpie në lumturinë e përhershme si në këtë dynja, ashtu edhe në Ahiret. 


Porosia e ajetit (29)


 - Vërtetimi i pejgamberisë së Muhamedit a.s. nga ana e Krijuesit Fuqiplotë me dëshminë më madhështore që i përfshin të gjitha kuptimet: “Muhamedi, i dërguari i Allahut”, e cila njëkohësisht vjen si kundërpërgjigje ndaj kurejshëve, të cilët nuk e pranonin Muhamedin a.s. si pejgamber. 
- Në zemrat e besimtarëve është rrënjosur thellë dashuria për Pejgamberin a.s., sepse ky është zotëria i krejt njerëzimit dhe zotëria i krejt pejgamberëve nëpër kohë. Është vula e profetëve dhe është i pari që do të ndërmjetësojë në Ditën e Gjykimit me lejen e Allahut. Prandaj, mjafton dëshmia e Allahut, se ai, Muhamedi a.s. është i dërguar i Allahut.
- Përshkrimi i sahabëve të ndershëm si të mëshirshëm në mes vete e të ashpër ndaj armiqve dhe jobesimtarëve, është një përshkrim besnik i shpirtrave të tyre, sepse Allahu i Madhërishëm e përzgjodhi këtë gjeneratë që të ishte bartëse e fanarit dhe dritës së Islamit, në të katër anët e botës. 
- Përshkrimi i sahabëve në Tevrat dhe Inxhil, me cilësitë më të lavdëruara, është edhe një argument shtesë për vlerën e tyre, e njëkohësisht, ky ajet shpërfaq djallëzitë e çifutëve dhe të të krishterëve, të cilët kanë ndërhyrë në tjetërsimin e librave të tyre të shenjtë, duke hequr citate e duke shtuar citate, sipas tekeve dhe interesave të tyre. 
- Sahabët e ndershëm të Resulullahut s.a.v.s., shumë lehtë dalloheshin nga të tjerët, sepse fytyra e tyre ndriçonte nga nuri i imanit që u vlonte në zemra. E këto shenja dalluese ishin namazi i natës, devotshmëria dhe lutjet e pafund drejtuar Zotit Fuqiplotë që t’ju jepte mirësi në këtë botë, dhe ta meritonin kënaqësinë e Tij me Xhenetin si shpërblim. 
- Në fund, kemi premtimin hyjnor për besimtarët të cilët punojnë vepra të mira, se mbi ta do të jetë falja, mëshira dhe shpërblimi i Allahut xh.sh.. 
Ajeti i fundit i kësaj sureje, është i veçantë, sepse sipas shumë studiuesve të mrekullisë kuranore është i vetmi ajet kuranor, në të cilin janë përmbledhur të gjitha shkronjat e alfabetit arab.(16) 
- Fund -


_________________________ 
1. Et-Tenasuku-l mevduijju fi sureti-l Fet’h, f. 427. 
2. Ibn Atijje el Endelusi, El-Muharreru-l vexhiz fi tefsir-l Kitabi-l Aziz, Bejrut, 2007, vëll. VII, f. 689. (botim i Ministrisë së Vakëfit të Katarit). 
3. Et-Tefsir el mevdui li suveri-l Kuran, vëll. VII, f. 330. 
4. Et-Tahriru ve-t-tenviru, vëll. 26, f. 204. 
5. Buhariu (6011); Muslimi (2586). (hadithi është i kategorisë ‘sahih’). 
6. Dr. Adil bin Ali esh Shiddi, Nedharatun fil ajeti “Muha.medun Resulullahi” – dirasetun tahlilijeh, mukareneh, Rijad, 2010, f. 19. 
7. Tefsiri i Ibn Kethirit, Kajro, 2000, vëll. 13, f. 134. (redaktuar nga grup dijetarësh në krye me Mustafa es Sejjid Muhamed). 
8. Nedharatun fil ajeti “Muhamedun Resulullahi” – dirasetun tahlilijeh, mukareneh, f. 21. 
9. Ligji i përtërirë 33:2 (AL). 
10. Ungjilli sipas Mateut (13: 31-32); http://www.bibla.net/?cid=1,939. 
11. Muhamed esh-Shenkiti, Advau-l bejani fi idahi-l Kurani bi-l Kurani, Mekë-Xhedë, 1426 h., vëll. VII, f. 646. 
12. Buhari (3673); Muslimi (2541); Ebu Davudi (4658). 
13. Buhariu, (2652); Muslimi (2533). (hadith ‘sahih’). 
14. Ibn Rexheb, Xhamia’l ulumi ve-l hikem, (2/477). (hadith ‘sahih’) 
15. Nedharatun fil ajeti “Muhamedun Resulullahi” - dirasetun tahlilijeh, mukareneh, f. 26. 
16. https://www.albayan.ae/across-the-uae/2009-08-23-1.462407; https://almaktaba.org/book/31617/50290


 


 


Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme