Feja islame i erdhi në ndihmë gruas dhe e shpalli barazinë në krijim të burrit dhe të gruas. Nuk ka asnjë dallim ndërmjet tyre në besimin ndaj Zotit dhe bazave të fesë, në njohjen e urdhrave dhe të ndalesave të Zotit, në lidhje me botën dhe përjetësinë, në ndëshkimin ose shpërblimin e veprave.


Islami garanton se kushdo që bën vepër të mirë, qoftë mashkull apo femër, do të shpërblehet për angazhimet dhe punët e tyre në këtë dhe botën tjetër. Islami na bën me dije se Zoti nuk humb mundin e askujt prej nesh, qoftë mashkull apo femër. Burrat dhe gratë janë të barabartë në çdo obligim që ka urdhëruar Zoti xh.sh.: “Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e tha): Unë nuk iu humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër...”(1) 
Në thelbin e kulturës së Ramazanit, gjejmë një klimë arti, kulture dhe ideje. Ky muaj është muaj i bereqetit, në të cilën ndërron klima e ditës dhe e natës, duke e shndërruar në adhurim të gjithë veprimin. Të gjitha këto gjëra fillojnë dhe shndërrohen në traditë, e cila vit pas viti paraqet rëndësinë e tyre, duke u bërë pjesë dhe sistem jete te të gjithë popujt. Promotori kryesor për shfaqjen, krijimin dhe zhvillimin e kësaj kulture të shenjtë është gjithmonë gruaja. 
Sipas konceptit islam, gruaja është një njeri i nderuar dhe jeton jetë të ndershme, të mbushur me respekt e ndershmëri, që nga dita e parë e lindjes në këtë botë, e duke vazhduar kështu në të gjitha etapat e jetës së saj, si vajzë e vogël, jetime, vajzë e re, grua, plakë, e shkurorëzuar, grua e vejë, nënë, motër. Ajo e bëri kështu femrën element kyç të shoqërisë dhe i dha vlerën, rëndësinë, autoritetin, kufizimet dhe përgjegjësitë. 
Islami urdhëron dashuri dhe respekt për gruan. Rëndësinë e saj e shohim në çdo aspekt të jetës së saj, derisa është vajzë e vogël është shkak i fitimit të Xhenetit për prindërit e saj, kur është grua respekton dhe nderon burrin e vet. Në fazën e të qenit nënë, fazën më të vështirë të jetës së saj, ajo përballon çdo dhimbje me shumë durim. Përkundër vështirësive të shumta që mban mbi supe, ajo në vazhdimësi përkujdeset për fëmijët, shtëpinë, e po ashtu është esenca e gjallërisë së muajit të bekuar Ramazan. 
Ndoshta edhe vetë krijimi i tyre si qenie e butë dhe e mëshirshme i gradon dhe i mundëson që të fitojnë shpërblime të mëdha gjatë këtij muaji madhështor, që është mysafiri ynë, të cilin e quajmë “kurora e njëmbëdhjetë muajve të tjerë”. Zoti xh.sh. ka thënë: “O ju që keni besuar, agjërimi u është bërë obligim, ashtu sikurse ishte i atyre që ishin para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm.”(2) 
Qëllimi kryesor i agjërimit është që të jemi të devotshëm. Devotshmëria është që Zoti të të gjejë aty ku të ka urdhëruar dhe mos të të shoh aty ku të ka ndaluar. Nëse të ka urdhëruar që të falesh, të gjejë në xhami në kohën e faljes, nëse të ka urdhëruar që të agjërosh, të gjejë agjërueshëm në muajin Ramazan. 
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ka thënë Allahu: Çdo punë i përket njeriut, përveç agjërimit. Agjërimi është Imi dhe Unë për të do të shpërblej. Agjërimi është mburojë, ai që agjëron nuk flet gjëra të turpshme dhe nuk bërtet. Nëse e shan dikush ose e sulmon, lë të thotë: Unë agjëroj. Pasha Atë në duart e të Cilit është shpirti i Muhamedit, era e gojës së agjëruesit me siguri është më e këndshme tek Allahu sesa era e parfumit. Agjëruesi ka dy çaste me të cilat gëzohet: gëzohet kur bën iftar dhe gëzohet me agjërimin e tij kur do ta takojë Krijuesin e tij.”(3) 
Pra, kur ne fillojmë agjërimin e muajit Ramazan, ne duhet të parapërgatitemi që t’i shfrytëzojmë ditët me shumë kujdes, edhe nëse ballafaqohemi me probleme, t’i përgjigjemi që jemi agjërueshëm, ngase në dhjetë ditët e para të Ramazanit, Zoti xh.sh. na sheh me syrin e mëshirës. Nëse na mëshiron, do të na i falë gjynahet, e nëse na i falë gjynahet do të na nxjerrë nga zjarri.
Gruaja shqiptare gjithmonë ka trashëguar ndjenja të pastra për pritjen dhe përcjelljen e muajit Ramazan, sepse ajo e para fillon me parapërgatitjet, duke filluar me rregullimin dhe pastrimin e shtëpinë, parapërgatitjen e ushqimit për syfyr dhe për iftar, përgatitjen e fëmijëve për zgjimin në syfyr. Organizimi i tubimeve dhe i vizitave ndërmjet familjarëve i japin shije të mahnitshme atmosferës së Ramazanit, që vetëm gruaja di ta aplikojë qoftë në shtëpi, punë apo në publik. Andaj Zoti xh.sh. për gratë që agjërojnë ju premton që kanë përfunduar një shtyllë të besimit që është urë për kalimin e tyre në Xhenet. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin me besim (të vërtetë), duke llogaritur vetëm në shpërblimin e Allahut (mundi s’do t’i shkojë kot), do t’i falen mëkatet e mëhershme. Ai i cili falet (lutet) Natën e Kadrit me besim të vërtetë, duke llogaritur (vetëm në shpërblimin e Zotit) do t’i falen mëkatet e mëhershme.”(4) 
Në ditët e sotme, gruaja shqiptare e pret Ramazanin me leximin e Kuranit dhe agjërimin e ditës së hënë. Nga Ebu Katadeja r.a. transmetohet se i Dërguari i Allahut a.s. është pyetur për agjërimin e ditës së hënë dhe ka thënë: “Në këtë ditë (të hënën) kam lindur dhe në këtë ditë ka filluar të më zbresë shpallja nga ana e Allahut xh.sh..”(5) 
Gruaja po ashtu fokusohet në parapërgatitjen e vetes dhe familjes për agjërimin e muajit shaban. Ebu Seleme ka thënë: E kam pyetur Aishen r.a. për agjërimin e të Dërguarit a.s. dhe ajo tha: “Ka agjeruar aq sa që ne kemi thënë se kurrë nuk do ta prishte (të hante). Ka ngrënë derisa kemi thënë se ai kurrë nuk do të agjërojë. Nuk e kam parë në asnjë muaj që ka agjëruar më shumë se në muajin shaban. Agjëronte pothuajse tërë muajin, përveç pak ditëve.”(6) 
Për mysafirin i cili po troket në dyert tona, nënat tona mbollën traditën në zemrat dhe sofrat tona, traditën e faljes së namazit në xhami, madje edhe duke patur me vete fëmijë të vogël. Ebu Katade tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: ”Fillova namazin me qëllim që ta zgjas me të kënduarit (e Kuranit). Atëherë dëgjova qarjen e një fëmije dhe e shkurtova këndimin në namazin tim, duke mos dashur që me këtë t’i shkaktoj telashe nënës së tij.”(7)
Pejgamberi a.s. na ka nxitur që të bëjmë vepra të mira, gjithherë aq sa kemi mundësi. Aisheja r.a. bashkëshortja e të Dërguarit a.s., transmeton se Havla, vajza e Tuvejt ibën Habib ibën Esed ibën Abdul Uzza kaloi njëherë pranë saj, teksa i Dërguari i Allahut ishte tek ajo (Aisheja). Aisheja r.a. i tha: “Kjo është Havla, vajza e Tuvejt. Thonë se ajo gjatë natës asnjëherë nuk flinte.” I Dërguari i Allahut a.s. e pyeti: “Nuk flenë tërë natën?! Punoni vepra të mira sa të keni mundësi. Për Allahun, Allahu nuk do të mërzitet derisa të mos mërziteni ju.”(8) 
Traditë tjetër e bukur është qëndrimi zgjuar gjatë tërë natës deri në syfyr, si dhe për të përgatitur syfyrin, në mënyrë që agjërimi të përballohet me lehtësi. Enesi r.a. transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Çohuni në syfyr, sepse në syfyr ka bereqet.”(9) Në tubimet e organizuara për Ramazan, me një fjalë bëhen biseda të ndryshme, jetohet një jetë e ndërthurur me një kulturë ku diskutohet për qytetërim, kulturë, art, poezi, ilahi dhe tema të tjera të ndryshme fetare. Edhe pse për gruan gjatë Ramazanit shtohet obligimi e angazhimi, bereqeti, rahmeti dhe mirësia që e rrethon atë gjatë këtij muaji, i mundësona asaj që përkundër gjithë këtyre angazhimeve, ajo sërish të ndihet e pushuar dhe të ketë lehtësi e vullnet për të vazhduar çdo ditë në të njëjtën mënyrë. 
Gjithashtu, edhe gjatë fesave të gëzimit, gjatë Bajrameve, Pejga mberi a.s. kishte mbajtur ligjërime vetëm për gra. Na ka treguar Is’hak Ibrahimi, e këtij Abdurrezaku, e këtij Ibën Xhurejxhi, të cilin e ka informuar Atau, që e transmeton nga Xhabir bin Abdullahu, se ka dëgjuar duke thënë: “Pejgamberi a.s. në ditën e Bajramit të Ramazanit u ngrit dhe u fal, e filloi me faljen e namazit, e pastaj e mbajti hytben. Pasi mbaroi hytben, zbriti (nga minberi) dhe shkoi te gratë, ku i mbështetur në duart e Bilallit u mbajti ligjëratë. Mandej Bilalli e shtroi xhyben e vet në të cilën gratë hidhnin sadaka.”(10) 
Sami Frashëri për vlerën e gruas ka thënë: “Gruaja është baza e shoqërisë njerëzore. Ajo është shtylla kryesore e moralit të përgjithshëm. Gruaja shqiptare është nënë e fëmijës, zonjë e shtëpisë dhe e krejt njerëzisë. 


 


___________
1. Ali Imran,195. 
2. El-Bekare, 183. 
3. Sahihul Buhari në gjuhën shqipe, libri 5., 1773-2259, përktheu: Ismail Ahmedi, Prishtinë, fq. 124-125. 
4. Po aty, fq. 206. 
5. Sahihu Muslim, version i shkurtuar, vëll. II, Imam Zekijud-din el-Mundhiri, Sira, qershor 2009, Prishtinë, fq. 37. 
6. Po aty, fq. 33. 
7. Sahihul-Buhari në gjuhen shqipe, libri 2, 349-875, përktheu Abdullah Hamiti, Prishtinë - 1994, fq. 291. 
8. Sahihu Muslim, version i shkurtuar, vëll. I, Imam Zekijud-din el-Mundhiri, Sira, Prishtinë, fq. 306-307. 
9. Po aty, fq.15. 
10. Sahihul-Buhari në gjuhën shqipe, libri 3, 876- 1394 hadithe, përktheu Feti Mehdiu, Prishtinë 1994, fq. 1


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?