Nuk jam alim dhe as thirrës, por tani e kuptoj, se përse nëna ime gjatë gjithë muajit Ramazan e kthente televizorin me fytyrë nga muri. Isha fëmijë i vogël dhe mërzitesha me nënën time, e cila më ndalonte mua dhe vëllezërit e mi të për të parë serialet humoristike. Kaluan vite e jeta më mori në vrullin e saj, ndërkohë betejat e studimeve dhe punës më kishin mbuluar me heshtjen e tyre pyetjen e fëmijërisë. Derisa Allahu deshi të më sjellë përgjigjen e kësaj pyetjeje nga një njeri i moshuar, jo i arsimuar, në cepin tjetër të rruzullit tokësor. Ky njeri ishte një punëtor amerikan në stacionin e karburantit, në të cilin e kisha bërë zakon të hyja për të blerë kafe, ndërkohë që furnizoja makinën me karburant kur shkoja në punë.
Një ditë përpara krishtlindjeve hyra për të blerë kafenë si zakonisht, ndërkohë që gjej këtë njeri të preokupuar në vendosjen e drynave frigoriferit të pijeve alkoolike. Kur u kthye te kasa për të bërë llogarinë e kafesë sime e pyeta, meqenëse unë nuk isha i njohur me ligjet amerikane: “Përse i vure dry këtij frigoriferi?” Mu përgjigj: “Ky është frigoriferi i pijeve alkoolike dhe ligjet e Shteteve të Bashkuara e ndalojnë shitjen e pijeve alkoolike në natën e krishtlindjeve, ditën e lindjes së Krishtit.”
E pash i çuditur dhe i thashë: “A nuk është Amerika shtet laik? Përse shteti ndërhyn në një diçka të tillë?” Ai më tha: “Respekti. Duhet që të gjithë të respektojnë lindjen e Krishtit dhe të mos pinë alkool në këtë ditë, madje edhe nëse nuk është fetar. Nëse shoqëria humb respektin, atëherë kemi humbur çdo gjë.”
Respekti... “respekt”, kjo fjalë më mbeti në mendje duke mu sjell me ditë të tëra, pas asaj nate. Alkooli nuk është i ndaluar (haram) te shumë të krishterë në Amerikë, por nuk është çështja te hallalli dhe harami. Ajo është çështje respekti. Ata e shohin krishtlindjen si mysafir, që i viziton çdo vit për t’ua kujtuar atyre lindjen e Krishtit a.s., kështu që nuk është prej respektit që të dehen në prani të këtij mysafiri.
Shpresoj ta respektojmë muajin e Kuranit dhe të dimë se çfarë të shikojmë, sepse kush lë diçka për hir të Allahut, Allahu do t’ia zëvendësojë me diçka më të mirë, se sa ajo që ka lënë. “Kush i madhëron dispozitat e Allahut, atëherë kjo është prej devotshmërisë së zemrave.” (El Haxh, 32).
Ne jemi të bindur se media jonë sot e ka hequr fjalën respekt nga fjalori i saj, por a do të stolisesh ti me një çik respekt dhe ta rrotullosh ekranin e televizorit?!
Nga artikulli “Përse media arabe nuk e respekton Ramazanin”
Përktheu dhe përshtati nga gjuha arabe: Lavdrim Hamja
Dituria Islame 364