lbën Abasi ka thënë: "Në këtë natë shkruhen në librin Amë ç'do të behet gjatë një viti, qoftë furnizim, shi, lindje, vdekje dhe Haxh.”

Ishte vullneti i Allahut të Lartësuar për të nderuar robërit e Vet duke veçuar disa muaj, disa ditë dhe net, që edhe besimtarët t'i veçojnë me më shumë
ibadet e të fitojnë kënaqësinë e Krijuesit të tyre. Andaj Allahu e ka nderuar umetin e Muhamedit a.s., duke ua shumëfishuar sevapet për përuljet që i bëjnë Krijuesit të tyre. Nganjëherë për atë që ndodh në ndonjë vend të vlefshëm, si p.sh.: falja e namazit në Mesxhidul-Haram (Qabe), ose në Xhaminë e Pejgamberit a.s. në Medinë, apo edhe në Mesxhidul-Aksa, në Jerusalem, e nganjëherë me ndodhjen në kohë të lavdishme, si: muaji Ramazan në përgjithësi, e sidomos Nata e Kadrit në veçanti. Herën tjetër ngritja e ibadetit, si p.sh.: namazi me xhemat është më i vlefshëm se namazi individual për njëzet e shtatë gradë ... Sa lumturi është për atë që shfrytëzon vlerat dhe i shumon ibadetet. Por është fat i keq për atë që e ka humbur rastin, ka bërë përtaci, dhe si rezultat nuk ka arritur të fitojë begatitë e Allahut të Lartësuar.
Rasti më i mirë dhe më i lartë është Nata e Kadrit, e cila është më e mirë dhe më me vlerë se një mijë muaj. Ajo është natë që e lidh tokën me qiellin. Ajo është nata e fillimit të zbritjes së Kuranit në zemrën e pejgamberit tonë, Muhamedit a.s. Ajo është natë që në të zgjidhen çështjet në mënyrë të prerë. Këtë e vërteton ajeti kuranor: "Në atë (natë) zgjidhet çdo çështje në formë të prerë" (Ed Duhan, 4)
Kjo natë është e premtuar dhe e dëshmuar, dhe është e tëra gëzim dhe hare, dhe përfshin robërit besimtarë, me ç'rast u falen mëkatet nga Mëshirëmadhi, Kjo natë është rast i artë për besimtarët që të angazhohen në të gjitha ibadetet, për të fituar shpërblimin e një mijë muajve. Allahu i Madhërishëm ka dalluar disa muaj, ditë e net, sikur që u përmend më parë: Muaji Ramazan; muaji Dhil-Hixh-xhe; ditët si: dita e Arefatit në Haxh; ditët e dy bajrameve; dita e xhuma për çdo javë; netët si: nata e xhumasë çdo javë, dhe Nata e Kadrit çdo vit.

Pse është quajtur Nata e Kadrit?

Dijetarët islamë kanë dhënë mendime të ndryshme për shkakun e emërtimit të kësaj nate" el-kadër", e në vijim po paraqesim shkurtimisht disa nga mendimet e tyre:
E para: Mendimi i parë thotë se është quajtur kështu ngase Allahu i Lartësuar në atë natë cakton furnizimet, egjelet dhe të gjitha ngjarjet që do të ndodhin brenda vitit e në vijim, dhe ua dorëzon për ekzekutim melekëve. Ky mendim ka mbështetje ajetin e sipërpërmendur: "Në atë (natë) zgjidhet çdo çështje në formë të prerë". (Ed Duhan, 4)
E dyta: Kjo është prej caktimeve dhe nderit të madh që i është dhënë këtij umeti.
E treta: Është quajtur me këtë emër ngase ai që e ngjall këtë natë me ibadete për hir të Allahut, ai fiton sevape dhe nder të madh.
E katërta: Në këtë natë çdo punë e mirë ka shpërblim të madh, sepse këtë natë e ka veçuar Allahu për këtë umet. E gjithë kjo vlerë është për atë se në këtë natë Allahu e ka zbritur Kurani kerimin, i cili përfaqëson kushtetutën hyjnore të besimit dhe bazën e legjislacionit (i cili nuk ndryshohet asnjëherë; ngase është i përshtatshëm për çdo kohë dhe vend).
Ibën Abasi ka thënë: "Në këtë natë shkruhen në librin Amë ç'do të behet gjatë një viti, qoftë furnizim, shi, lindje, vdekje dhe Haxh." Ikreme thotë se edhe ai që do ta vizitojë Qabenë caktohet në Natën e Kadrit, me emrin e tij dhe emrin e baballarëve të tij.
Edhe Ibën Kethiri shprehet ngjashëm për rëndësinë e natës së Kadrit, duke u mbështetur në fjalët e Ibën Abasit, se ajo natë është nata në të cilën Allahu e zbriti Kuranin e tërë në "Levhi Mahfudh", e prej aty në "Bejtul-Iz-ze", në qiellin e dynjasë, e prej aty ka zbritur sipas ngjarjeve apo nevojave, përgjigjeve në pyetjet që i janë bërë Muhamedit a.s. për 23 vjet me radhë. Kurani është kushtetutë e përhershme dhe e pandryshuar. Për atë edhe është kjo madhështi e kësaj nate. Me këtë libër qiellor ndërpritet zbritja e shpalljeve. Pra, Kurani është libri i fundit, i cili i zbriti vulës së pejgamberëve. Pas tij nuk ka pejgamber tjetër, edhe pse kohë pas kohe janë paraqitur pejgamberë të rrejshëm.
Sujutiu thotë: "Po të mos ishte urtësia hyjnore që vendosi ta zbresë sipas ngjarjeve të zhvilluara në shoqërinë e atëhershme, do të zbriste përnjëherë si librat para tij. Por Allahu veçoi Kuranin nga librat tjerë me dy gjëra:
Zbritjen e tij në tërësi deri në qiellin e parë, e pastaj zbritjen e tij siç u përmend, sipas nevojës, dhe atë për nder të Pejgamberit a.s."
Shejh Mahmud Sheltuti, ish rektor i universitetit "El Ezher", thotë: "Sureja "Kadër", ku përmendet kjo natë e rëndësishme, ka ardhur për shkak të zbritjes së Kuranit në atë natë. Njëherazi demanton zërat që mbështesin një ajet tjetër që thotë: "Ne e zbritëm atë në natën e bekuar", e nata e bekuar është e pesëmbëdhjeta natë e muajit Shaban. Me gjithë bekimin e asaj nate, Kurani ka filluar të zbresë në Natën e Kadrit."
Sheltuti vazhdon mendimin e tij duke thënë se Kadri është caktim i asaj që do të ngjajë mbi robërit e Tij, si furnizimi, jeta, vdekja dhe ngjarjet tjera kozmologjike ... "
Profesor Akadi ka shkruar një artikull në revistën "Hilal", në vitin 1961, me titull: "Lejletul-Kadri - Nata e Kadrit", ku kritikon sjelljet e disa njerëzve që kërkojnë nga qielli realizimin e kërkesave të tyre pa ndonjë shkak, duke pretenduar të përfitojnë nga rasti i kësaj nate, ndërsa ditët e netët tjera nuk angazhohen sa duhet, duke menduar se atë natë luten dhe u mjafton ajo. Myslimani i vërtetë e dallon Natën e Kadrit me adhurime, duke e përkujtuar si natë të ndarjes dhe llogarisë, si dhe duke lutur Allahun e Lartësuar që të jetë edhe ai nga përfituesit e asaj nate të begatshme, por që nuk i lë anash adhurimet edhe në ditët dhe netët e tjera.

Veçoritë e Natës së Kadrit dhe vlera e saj

Nata e Kadrit ka veçori të shumta dhe vlera të mëdha, e që nuk i kanë netët tjera. Pse jo kur ajo është nata në të cilën filloi zbritja e Kuranit fisnik. Nga veçorit e kësaj nate të bekuar është se në këtë natë shumohet zbritja e engjëjve në tokë, që sjellin begati të shumta. Engjëjt zbresin edhe kur lexohet Kurani, e njëherazi i shtrojnë krahët e tyre që të ecin mbi ta, ata që kërkojnë dituri e shkencë për respekt ndaj tyre.
Muxhahidi thotë: "Ajo natë po ashtu është e mbrojtur, e shejtani nuk mund të bëjë ndonjë të keqe, ose të bëjë ndonjë dëmtim." Ndërsa Shabiu thotë: "Engjëjt i përshëndesin me selam xhematin e xhamive deri në agim të hershëm." Kurse Ebu Hurejre thotë se atë natë ka engjëj në tokë më shumë se që llogaritet. Kurse Katade thotë se në atë natë caktohen punët që do të bëhen gjatë vitit vijues, dhe engjëjt i marrin detyrat që do t'i ekzekutojnë.
Në këtë natë preferohet të bëhen dua e dhikër, ngase duatë pranohen, e duaj a më me vlerë që Pejgamberi a.s. ia ka preferuar Aishes r.a., kur ajo e pyeti: "O Resulullah, nëse qëndroj Natën e Kadrit, çka të them?", Pejgamberi a.s. i tha: "Thuaj: O Zoti im, Ti je Falës, e do faljen, falna ne!" Hadithin e transmeton Tirmidhiu.
Puna e vazhdueshme, e sinqertë e për hir të Allahut të Lartësuar është baza e shpërblimit dhe dera e shpëtimit. Pra, fitimi i Xhenetit me vazhdimin e punëve të mira. Kjo do të thotë se myslimani duhet të jetë në shërbim e zbatim të urdhrave të Krijuesit të gjithësisë, por edhe në shërbim të vendit e mbarë njerëzisë në çdo kohë, e në veçanti në atë kohë që e ka veçuar Allahu dhe që është përmendur më lart dhe po në këtë temë. Nëse bëjmë ibadet në vazhdimësi dhe në të gjitha netët e Ramazanit, me siguri se do të qëllojmë edhe natën më të vlefshme.

Pse e fshehu Allahu i Lartësuar këtë natë?

Fahru-Rraziu thotë: "Allahu i Lartësuar e ka fshehur Natën e Kadrit ashtu sikur që i ka fshehur edhe disa gjëra tjera. E ka fshehur kënaqësinë e Tij në nënshtrime derisa të kenë njerëzit lakmi në kënaqësinë e Tij me vepra të mira. E ka fshehur hidhërimin e Tij në mëkate, që besimtari të largohet tërësisht nga mëkatet; e ka fshehur evlianë (njeriun e ngritur e të dashur te Zoti) në mesin e njerëzve; e ka fshehur pranimin e duasë-lutjes: e ka fshehur emrin e madh nga emrat e Allahut të Lartësuar, që të i madhërojnë të gjithë emrat; e ka fshehur namazin e mesëm që t'i ruajnë të gjitha namazet; e ka fshehur momentin e pranimit të lutjeve në ditën e xhuma që të kenë zell gjatë gjithë ditës; e ka fshehur pranimin e pendimit që të vazhdojë në punë të mira dhe të nxitojë në pendim; e ka fshehur kohën e vdekjes që robi ta pres atë në çdo kohë dhe të përgatitet për të ... Gjithashtu e ka fshehur edhe Natën e Kadrit, që t'i madhërojnë të gjitha netët e Ramazanit, dhe të bëjnë përpjekje në to me ibadete e afrim te Allahu."
Sikur Allahu i Lartësuar thotë: Po ta caktoja Natën e Kadrit, e Unë e di kurajën tënde në mëkate. Ndoshta epshet tua të thërrasin atë natë në mëkate dhe bën mëkat. Mëkati yt me dijeni është më i madh - më i ashpër sesa mëkati yt që nuk e di. Për këtë shkak e kam fshehur atë për ty. Transmetohet nga Pejgamberi a.s., se ai ka hyrë në xhami (një ditë), dhe e ka parë një njeri duke fjetur, dhe i ka thënë: "O Ali, tërhiqja vërejtjen të marrë abdes!", e Aliu e zgjoi atë njeri pastaj tha: "O Resulullah, ti je garues në të mira, pse nuk ia tërhoqe vërejtjen ti?" Pejgamberi a.s. tha: "Të të kundërshtoj ty (d.m.th. të refuzoj ngritjen, ose marrjen e abdesit), nuk është "kufër" (mosbesim), e për atë e bëra që të jetë më i lehtë faji i tij, nëse e refuzon." Kur kjo është mëshira Pejgamberit s.a.v.s., paramendoj e mëshirën e Allahut të Lartësuar! Sikur Ai të thotë: Kur e di Natën e Kadrit, nëse bën ibadet në të ke fituar sevapin e njëmijë muajve, e nëse bën mëkate në të ke fituar dënimin e njëmijë muajve. Mbrojtja nga dënimi është më me prioritet, sesa sjellja e sevapeve.

Shenjat e Natës së Kadrit

Në lidhje me caktimin apo përkufizimin e Natës së Kadrit kanë ardhur disa thënie, të cilat i ruajnë shumë njerëz dhe të cilat i tregojnë ulema të shumtë. Si p.sh.: hadithi i Pejgamberit a.s.: "Nata e Kadrit është në dhjetëshin e mbetur, (të muajit Ramazan). Kush bën ibadet në to, do ta arrijë kënaqësinë e Allahut. Ai ia fal atij gjynahet e kaluara dhe të ardhmet." Ka edhe shumë transmetime që flasin rreth përkufizimit të Natës së Kadrit. Këto i kanë bartur librat e besueshëm të haditheve, dhe që veprohet me to. Megjithatë, të gjitha këto transmetime dhe të gjitha hadithet nuk kanë ardhur në përfundim të vërtetojnë me precizitet kohën e asaj nate, ose momentin e saktë, gjë që u ka dhënë mundësi disa imamëve dhe ulemave të hershëm dhe të tashëm të shpenzojnë mund intelektual duke marrë shembull punën e Kurani kerimit, pra të bëjnë përpjekje e të mendojnë thellësisht për të arritur deri te caktimi apo përkufizimi i Natës së Kadrit.
Do të përmendim disa nga përpjekjet, duke shtuar atë që e ka hapur Allahu i Lartësuar për ne në këtë kontest. Megjithëse kjo fjalë nuk do të thotë se është fundi
i caktimit të asaj nate, ose përcaktim, se ne kemi arritur te koha e caktuar, ngase ajo është e prerë te shumica e ulemave. Ajo është e fshehur, dhe kjo bazuar në atë që është transmetuar nga Buhariu dhe në librin e tij: Nga Ubade bin Samit ka thënë: "Doli Resulullahi s.a.v.s. që të na lajmërojë për Natën e Kadrit."
Me këtë mbetet dija e saj përfundimtare te Allahu i Lartësuar, dhe mbetet puna e saj në rrethin e përpjekjeve që mund të qëllohet, po edhe mund të gabohet, duke e konsideruar si mendim njeriu. Do t'i përmendim disa nga këto përpjekje:
A- Ibën Kethiri thotë: "Është treguar nga disa prej të hershmëve tanë, se është bërë përpjekje të nxjerrin atë natë në të njëzetën e shtatën, bazuar në Kuran në fjalën e Allahut "hije"-“ajo", ngase ajo është fjala e njëzet e shtatë nga sureja "El Kadër". Fjala "ajo", jep shenjë sipas kësaj përpjekje, pra në këtë natë të bekuar, ngase ajo vjen me numrin 27 në renditjen e fjalëve të sures "El Kadër", e cila ka 30 fjalë, aq ditë sa ka muaji Ramazan.
B- Ibën Abasi tregon, se Omer bin Hatabi (kur ishte halif i myslimanëve) i ka ftuar shokët e Muhamedit a.s. dhe i pyeti ata për Natën e Kadrit. Ata njëzëri i thanë se ajo është në dhjetëshin e fundit të Ramazanit. Ibën Abasi thotë: "I thashë Omerit unë e di, ose unë mendoj se e di se cila natë është ajo." Omeri tha: "Cila është ajo?" Unë thashë e shtata që ka kaluar, ose e shtata që ka mbetur nga dhjetëshi i fundit. Omeri tha:" Prej nga e di ti atë?" Ibën Abasi tha: "I thashë: Allahu ka krijuar shtatë (palë) qiej, shtatë (palë) tokë, shtatë ditë, dhe se muaji qarkullon mbi shtatë. Sexhdeja bëhet me shtatë pjesë të trupit, tavafi rreth Qabës bëhet shtatë herë, dhe gjuajtja e gurëve në Mine bëhet me shtatë gurë." Omeri tha: "Ma bëre të qartë."
C- Vërtetë fjala e Zotit xh.sh. "Lejletul Kadri", është përsëritur në suren "El Kadër" tri herë, në çdo herë nëntë germa, dhe gjejmë se fjala "lejleh-nata" ka katër germa (bashkëtingllore), e fjala "el-kader" ka pesë germa. Kur e pjesëtojmë treshin në nëntë rezultati del 27.
D- Ky ajet kuranor na e bën të qartë se numri i germave të tij janë 27. Kjo na e bën të mundur fjalën se vërtet mund të jetë ajo shenjë në zbritjen e Kuranit, pra nata e 27 e Ramazanit.

Si të veprojmë në këtë natë?

Është e përhapur te disa myslimanë se është e mundur të dihet Nata e Kadrit, e kjo gjatë qëndrimit të netëve të supozuara, duke u përpjekur në shumimin e ibadeteve, kërkimin e faljeve për mëkatet, lartësimin e Allahut në këto kohë dhe jo në kohë të tjera. Kjo sipas mendimit të tyre se ky është rast i madh për shlyerjen e mëkateve me një mund të vetëm, vetëm për një natë ose me mund të pak netëve të caktuara.
E vërteta është se ky paramendim e cenon sheriatin islam në shumë gjëra, ngase raporti i njeriut me Allahun duhet të ngrihen në sinqeritet, në ibadet-adhurim, dhe i rrekur për urdhra të Tij dhe ndalime në çdo kohë e moment. Prej myslimanit kërkohet të adhurojë Allahun e Lartësuar jo vetëm në çdo kohë, por në çdo lëvizje, edhe kur është duke qëndruar, kur të ha, fle, punon, lutet, etj., duke zbatuar urdhrat e Allahut të Lartësuar. Nëse vepron kështu ai gjithnjë është në ibadet dhe nënshtrim ndaj Tij. Prej tij kërkohet t'i lutet Allahut për mëshirë e falje, dhe në vazhdimësi, gjatë gjithë ditëve dhe netëve. Jo të përpiqet të peshkojë në momentin ose natën e caktuar, që të fitojë faljen, e pastaj të kthehet prapë në atë që ka qenë më parë, në shpërfillje e shkurtim të ibadeteve. Po të ishte puna ashtu gjithë njerëzit do ta ndërprenin ibadetin e nënshtrimin ndaj Allahut, dhe do të bënin përpjekje të qëllonin Natën e Kadrit dhe të bëjnë ibadet vetëm atë natë. Por, nuk ka dyshim se Nata Kadrit është më me vlerë se një mijë muaj, e kjo është për ata që janë të nënshtruar ndaj urdhrave të Allahut, që largohen nga mëkatet, që shpresojnë mëshirën e Allahut dhe kanë frikë nga dënimi i Tij, bëjnë mund të pakursyer me vetveten e tyre çdo ditë e çdo natë,
çdo kohë e moment, për të arritur deri te pranimi dhe kënaqësia. Arritja e mirësisë së Natës së Kadrit lidhet me përpjekjet në baza fetare, nënshtrim ndaj Allahut dhe me qëllime të mira, pastaj largim nga gjynahet dhe pendim nga ato. Për ibadetin në këtë natë Pejgamberi a.s. thotë: "Kush bënë ibadet në Natën e Kadrit, me besim dhe duke llogaritur (në të mira që ka ajo natë), i falen gjynahet e kaluara". Imam Ahmedi dhe Nesaiu ia kanë shtuar" edhe të ardhmet".
Ajo arrihet me punë të vazhdueshme edhe nëse është e paktë. Ajo është bazë e shpërblimit, derë e shpëtimit dhe hyrjes në Xhenet.
Allahu i Lartësuar e ka nderuar urnetin islam me këtë natë të madhe, për të nxitur besimtarët që sa më shumë të bëjnë vepra të mira, por jo vetëm në këtë natë. Ata duhet të vazhdojnë edhe pas kësaj nate, dhe në vazhdimësi, edhe nëse bëjnë pak. Në Islam veprat e mira e në vazhdimësi janë më të mira sesa veprat e shumta e me ndërprerje.
Pejgamberi a.s. nuk ka pasur pasuri sikur që kishin mbretërit e kohës, e as si kryetarët e kohës sonë. Por ka qenë bujar në punë të mira e me atë pakicë; e ishte më bujari sidomos në Ramazan.
Ajo që na intereson neve është dobia që kemi nga kjo natë në këtë botë dhe në botën tjetër, pra të jemi të zellshëm e të përpiqemi që ta arrijmë bereqetin e Natës së Kadrit. E, atë bereqet nuk e arrin përtaci ose i pakujdesshmi. Ato të mira që u përmendën deri tash i arrin ai që agjëron ditën, lexon Kuran ditën e natën, vendos të hyjë në "I'tikaf", izolohet në xhami për ta lartësuar Allahun, kërkon falje prej Tij, e lut Atë, shpreson mëshirën e Tij, i frikësohet dënimit të Tij ... Ai është që do ta marrë çmimin më të lartë atë natë. E ku ka çmim më të vlefshëm se falja e të gjitha mëkateve. Lusim Allahun e Lartësuar që të jemi përfitues të kësaj nate të premtuar!



Literatura e konsultuar:

(1) Delilus-Saim, vëllim i veçantë me Minberu-l-Islam, nr. 9,1399 h.
(2) Minberu-l-Islam, nr 9, Gusht/Shtator 2010.
(3) Minberu-l-Islam, nr 9, Korrik/Gusht 2012.
(4) Menaru-l-Islam, nr. 9, vol. 24, Janar 1999.
(5) Menaru-l-Islam, nr 9, vol. 26, Dhjetor 2000



Bajrush Ahmeti
Dituria Islame-308


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme