“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.’’ (El Bekare, 183)
Muaji i bekuar Ramazan, paraqet një nga ritualet më madhështore të fesë islame, i cili nuk bën jehonë vetëm në taborin islam, por edhe në mbarë opinionin botëror, gjegjësisht, bota anembanë marrë vesh se ka filluar muaji i agjërimit për myslimanët. Me fillimin e muajit Ramazan, myslimanët në mbarë botën do të fillojnë të agjërojnë nga agimi deri në perëndim.
Fjala arabe “takva’’ është përkthyer në shumë versione, si vetëndërgjegjësim për Zotin, frikë-respekt ndaj Zotit, devotshmëri dhe vetëpërmbajtje. Kësisoj, për një muaj rresht na kërkohet të agjërojmë nga agimi e deri në perëndim të diellit, duke mënjanuar ushqimin, pijen, marrëdhëniet intime dhe fjalët e pahijshme.
Urtësia e obligimit të agjërimit, ashtu siç e potencon Allahu xh.sh., fshihet në devotshmërinë që nënkupton çdo gjë të mirë që e do Zoti, duke falënderuar njeriu për të në këtë botë, kurse mbrojtja nënkupton largimin prej çdo vepre të urryer e të dëmshme për shoqërinë dhe individin.
Nga hadithi i Muhamedit a.s. shohim dobitë e agjërimit: “Agjërimi është mbrojtje, ngase agjëruesi s’përgojon e as që bën mëkate.”
Agjërimi është një vepër e veçantë adhurimi vetëm ndërmjet njerëzve dhe Zotit, pasi askush nuk e di në të vërtetë nëse dikush agjëron apo jo, prandaj Allahu xh.sh. në një hadith kudsij ka thënë: “Agjërimi është për Mua dhe vetëm Unë di si ta shpërblej.” Pejgamberi a.s. në një hadith ka thënë: “Nëse dikush nuk u jep fund fjalëve dhe veprave të mbrapshta, Allahu nuk ka nevojë që ai të rrijë pa bukë e pa ujë.”
Agjërimi e mëson njeriun të jetë i sinqertë, pasi agjërimi është fshehtësi ndërmjet Allahut xh.sh. dhe besimtarit, atëherë vërtetësinë e kryerjes së këtij ibadeti e di vetëm Allahu xh.sh., ky pra, është ibadet sekret, i cili nuk kryhet që ta shoh dikush prej njerëzve.
Pra, nëse është i sinqertë në kryerjen e obligimeve ndaj Allahut xh.sh. kur nuk e sheh askush, atëherë ai mësohet të jetë i sinqertë edhe ndaj njerëzve në përgjithësi. Si ibadet i tillë, që kryhet vetëm nga ndjenjat e sinqerta ndaj Krijuesit, Allahu xh.sh. i garanton besimtarit – myslimanit, shpërblim të posaçëm në botën tjetër. Dobitë nga agjërimi numërohen me qëllim që të ndikojnë më tepër në shpirt e të kenë ndikim më të thellë, kurse myslimani të jetë më tepër i bindur në adhurim dhe sheriat.
Ky ibadet-adhurim, jo vetëm që është rehabilitim dhe shërim për trupin, por është rehabilitim edhe për shpirtin e myslimanit, i cili pikërisht në urinë që e karakterizon juridikisht agjërimin, i ushqen ndjenjat, aspiratat, dëshirat dhe pretendimet e veta për ngritje kah piedestalet më të larta dhe kah e përsosura. Në këtë muaj, besimtari bën humanizimin e shpirtit të vet, dhe si të thuash në një mënyrë paraqitet në shoqëri si një personalitet i ri i cili ka bërë ndryshime rrënjësore.
Ai është më i kujdesshëm në fjalët dhe veprimet e veta, është më sensibil dhe më tepër interesohet për vëllezërit e tij të varfër dhe hallexhinj. Forcohen edhe lidhjet, sepse në Ramazan, ashtu siç predikojnë dijetarët, hoxhallarët tanë të nderuar nga mësimet islame, në këtë muaj duhet të shuhen zënkat dhe konfliktet në shoqëri. Ngjallin nevojën për një afrim dhe bashkim të përgjithshëm të myslimanëve kudo që janë në botë, edhe atë duke i ndarë ndërmjet vete çastet e gëzueshme të iftareve dhe syfyreve që i përjetojnë gjatë ditëve të këtij muaji të madhnueshëm. Për jetën e individit, familjes dhe shoqërisë islame, muaji Ramazan, paraqet një muaj të veçantë, të cilin mund ta emërtojmë si pranvera e jetës islame, ngase në të ripërtërihen jeta në tërësi, ripërtërihen mendjet me dituri dhe njohuri, ripërtërihen zemrat me besim dhe devotshmëri, ripërtërihet shoqëria me unitet dhe lidhshmëri, ripërtërihen ambiciet me gara për në të mirë, ngase në këtë muaj shtohen stimulimet, pakësohen faktorët e së keqes, melekët e mirë dëbojnë djajtë e këqij, rrethana për të cilat hadithi i Pejgamberit a.s., ka thënë: “Kur vjen muaji Ramazan hapen dyert e Xhenetit, lidhen djajtë.”
Ai që e vështron jetën e myslimanëve para dhe pas kalimit të Ramazanit, do të bindet në këtë realitet social me vetë dëshminë se në këtë muaj shtohen veprat e mira dhe pakësohet e keqja dhe krimi. Këto fjalë të Pejgamberit a.s., si thonë dijetarët islamë, duhen kuptuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, pikërisht ashtu si janë thënë. Po ashtu, në ato fjalë tregohet në bereqetin e Ramazanit dhe në të mirën e madhe që vjen me këtë.
Hapja e dyerve të Xhenetit dhe mbyllja e dyerve të Xhehenemit është shenjë e ardhjes së muajit të bekuar Ramazan dhe shenjë e vlerës së madhe të tij, kurse lidhja e shejtanit tregon në faktin se iu pamundësohet shqetësimi i besimtarëve gjatë muajit të nderuar Ramazan. Duke e pasur parasysh këtë hadith të Muhamedit a.s., besimtari gjatë muajit Ramazan do të bëjë kujdes për veprimet e tij, më shumë do të kujdeset për veprat e mira, do të ketë motivim shtesë që t’i veprojë, do t’ua zvogëlojë gabimet gjymtyrëve dhe zemrës së tij. Transmetohet prej Abdurrahmanit r.a. se Pejgamberi i Allahut a.s., njëherë, duke folur për muajin Ramazan ka thënë: “Ky është muaji në të cilin Allahu ua ka përcaktuar agjërimin, kurse unë ua kam bërë traditë që natën të falni nafile gjatë këtij muaji, dhe kush agjëron dhe fal natën gjatë këtij muaji, duke besuar dhe shpresuar se për këtë do të shpërblehet, do të pastrohet nga mëkatet sikur tash është lindur nga nëna.” (Ibën Maxheh, 1328).
Pejgamberi i Allahut a.s., pra, na ka bërë traditë që natën gjatë muajit Ramazan të falim namaz nafile. Këtu është fjala për namazin e teravisë, i cili është sunet muekede (sunet i konfirmuar) për meshkuj dhe femra. Me fjalë të tjera, është e njohur se Pejgamberi a.s. ka falur disa net me sahabët, kurse nuk ka vazhduar të fali bashkë me ta çdo natë, për arsye që ky namaz mos të kuptohet si detyrim. Namazi i teravisë si namaz vullnetar paraqet “profit” Ramazani të llojit të vet, i cili edhe më shumë i zbukuron netët e Ramazanit, e rrit kënaqësinë shpirtërore të besimtarëve në ibadetin e përbashkët, i forcon lidhjet e tyre të Xhenetit dhe nxit në dashurinë e ndërsjellë. Si i tillë, namazi i teravisë është simbol i netëve të Ramazanit dhe shenjë e ibadetit vullnetar të myslimanëve, të cilin për shekuj me radhë, ata e ruajnë me xhelozi dhe e përcjellin nga brezi në brez.
Ebu Hurejre r.a. transmeton se Pejgamberi i Allahut a.s. e pati bërë shprehi të thotë: “Kryerja e pesë kohëve të namazit, falja e përhershme e namazit të xhumasë dhe agjërimi i Ramazanit për çdo vit – kjo është shpagesa për të gjitha mëkatet të cilat bëhen ndërmjet tyre nëse njeriu heq dorë nga bërja e mëkateve të mëdha.” (Musnedi, 552)
Për këtë përmasë të muajit Ramazan, mund të përfundohet edhe nga etimologjia e tij. Me fjalë të tjera, sipas një mendimi të gjuhëtarëve arabë, fjala “ramadan” ramazan është nxjerr nga fjala “remda”, me të cilën shënohet shiu pranveror i cili e pastron tokën nga pluhuri i saj. Me këtë dëshirohet të thuhet që, sikur që shiu e hapë dhe e pastron tokën, ashtu edhe muaji Ramazan e hapë dhe e pastron shpirtin dhe zemrën e myslimanit nga mëkatet dhe të këqijat. Po ashtu, thuhet se muaji Ramazan është quajtur ashtu, sepse me të, d.m.th. me bereqetin e tij digjen (jermeda) mëkatet e njerëzve. Si argument për këtë qëndrim theksohet edhe hadithi i Pejgamberit të Allahut a.s., në të cilin thuhet: “Ramadan është quajtur ashtu, sepse ai i djeg mëkatet e robërve të Allahut.”
Prandaj, muaji Ramazan është rast unik që me bereqetin e kohës së tij t’i pastrojmë shpirtrat tonë dhe zemrat tona dhe që nga ato t’i mënjanojmë të këqijat dhe negativitetet të cilat janë shtresuar në to që nga Ramazani i kaluar. Allahu i lartësuar dhe Pejgamberi i Tij i kanë shpallur të vërtetat për muajin mubarek.
Agjërimi është edukues dhe forcues i shpirtit të njeriut, për arsye se ai formon personalitete shpirtërisht të forta dhe të vendosura, karakter të fortë dhe të vendosur, e bën të matur në qëndrimet e veta, të kuptueshëm në situata të ndryshme, qofshin ato pozitive apo negative.
Muaji i bekuar Ramazan i ngjan një universiteti i cili punon vetëm një muaj gjatë vitit dhe sjell mësime shumë të dobishme, por njeriu nuk ka mundësi të ndërtojë një universitet të tillë, Mirëpo, fjala e Zotit ka ndikuar aq thellë në zemrat e myslimanëve, saqë edhe pas kalimit të shekujve nga shpallja e ajetit të agjërimit drejtuar Pejgamberit Muhamed a.s., në muajin e mëshirës, ky universitet rihapet për miliona studentë në pika të ndryshme të botës.
Mr. Nashit Ferati
Dituria Islame 364