Ramazani shpëtim për njerëzimin

 


Allahu xh.sh. shton shpërblimet dhe dhuron me plotëni. Gjatë këtij muaji hapen dyert e të mirave për çdonjërin që synon të mirën. Ky është muaj i mirësisë dhe bereqetit, muaj i shpërblimeve dhe dhuratave. Ky është muaji Ramazan, në të cilin është shpallur Kur’ani a.sh., si udhëzim për njerëzit, udhërrëfyes i qartë për rrugën e drejtë dhe që e dallon të vërtetën nga gënjeshtra. Ky është muaji që është i mbuluar dhe i shtruar me mëshirën (rahmetin) e Allahut. Muaj i faljeve të mëkateve (magfiret) dhe shpëtimit nga zjarri i Xhehenemit. Janë shumë hadithe që flasin për vlerat dhe rëndësinë (fadiletet) e këtij muaji. Në shihet, d.m.th. në dy përmbledhjet më besnike të haditheve, që i shënojnë Buhariu dhe Muslimi, ndodhet edhe ky: “Kur të arrijë muaji Ramazan, hapen dyert e Xhenetit që të mbyllen dyert e Xhehenemit dhe të pengohen shejtanët”. Dyert e Xhenetit në këtë muaj hapen për shkak të shumë veprave të mira dhe për shkak të respektit për autorët e këtyre veprave të mira. Dyert e Xhehenemit mbyllen për shkak të mëkateve të vogla të kryera nga besimtarët e devotshëm – mu’minët. Ndërsa, për sa u përket shejtanëve, ata lidhen dhe pengohen, në mënyrë që të mos mund të bëjnë atë që bëjnë gjatë muajve të tjerë. Këtu mendohet në mashtrimin nga ana e tyre të njerëzve të dobët, për vepra të liga. Imam Ahmedi shënon një hadith, në të cilin Pejgamberi Muhamed a.s.,., thotë:“Umetit tim (d.m.th., ithtarëve të mi) u janë dhënë pesë cilësi në Ramazan, ndërkohë që diçka e tillë nuk i është dhënë asnjë populli tjetër para Ymetit tim:
 - era e gojës së agjëruesit, gjersa agjëron, është më e dashur për Allahun se aroma e myshkut; 
- melekët luten për faljen e mëkateve të Ymetit tim derisa të përfundojë agjërimi; 
- Allahu çdo ditë e zbukuron Xhenetin për ta, duke thënë: Edhe pak dhe nga robët e mi do të mënjanohet çdo brengë dhe shqetësim, dhe ata do të vijnë tek ti; 
- pengohen të gjitha intrigat e shejtanit dhe ata nuk mund të bëjnë atë që bëjnë zakonisht; 
- do t’u falen mëkatet natën e fundit. Dikush pyeti: Mos është natën e Lejletu-l-kadrit, o Pejgamber i Allahut? Ndërsa ai u përgjigj: Jo, por kur ndonjë punëtor kryen punën e vet deri në fund, atëherë për atë punë i jepet edhe pagesa”. Këto pesë vlera Allahu i ka përgatitur dhe rezervuar vetëm për ne, Ymetin dhe ithtarët e Muhammedit, a.s., dhe me këtë na ka dalluar nga të tjerët. 


Ju jeni populli (umeti) më i mirë prej të gjithë popujve (Kur’an) 


Këto janë të mirat dhe nimetet e Allahut që nuk mund të numërohen, po duhet të vërehen dhe të jemi mirënjohës për to. Allahu i Madhëruar thotë: “Ju jeni populli (umeti) më i mirë prej të gjithë popujve. Urdhëroni për vepra të mira dhe ndaloni nga të këqijat dhe ju vërtet E besoni Allahun”. 
Cilësia e parë, që era e agjëruesit për Allahun është më e dashur se aroma e myshkut, nuk mund të matet me masat njerëzore. Dihet se agjëruesi, i cili tërë ditën nuk ka ngrënë as pirë gjë, duhet të ketë një erë të posaçme nga goja, që për njerëzit është e rëndë. Pikërisht kjo erë e rëndë, për Allahun është më e dashur, ngase buron nga devotshmëria dhe bindja ndaj Tij, e gjithçka që është rezultat i ibadetit – devotshmërisë dhe ita’atit – bindjes, është e çmuar nga Allahu. Ai robin e tillë do ta shpërblejë dhe do t’ia kompensojë në mënyrë të duhur këtë flijim.E dimë se shehidi që vritet në rrugën e Allahut, duke luftuar që Fjala e Tij të jetë supreme, do të arrijë në Ditën e Gjykimit, ndërsa nga plaga e tij do të rrjedhë gjak, ngjyra e të cilit do të jetë ngjyrë gjaku, kurse aroma e të cilit do të jetë aromë myshku. 
Ose në Haxh, kur Allahu do të krenohet me robërit e Vet para melekëve duke deklaruar:“Shikoni këta robët e Mi, Më kanë ardhur kështu të kreshpëruar dhe të pluhurosur”. 
Pikërisht këtë haxhi të pluhurosur dhe të kreshpëruar e pëlqen Allahu, ngase kjo pamje e tij është pasojë e ibadetit dhe bindjes – d.m.th., respektimit të të gjitha dispozitave të cilave duhet t’u përmbahet haxhiu derisa të jetë në ihram. 
Cilësia (vlera) e dytë është se Melekët do të kërkojnë falje mëkatesh për ne derisa të bëjmë iftar, respektivisht derisa ta ‘prishim’ agjërimin. Melekët janë robërit e respektuar të Allahut, të cilët nuk i thyejnë kurrë Urdhrat e Tij dhe bëjnë vetëm ato për se urdhëron Ai. Melekët meritojnë që Allahu t’ua dëgjojë dhe plotësojë lutjet dhe kërkesat që i bëjnë për ne që agjërojmë. Ndërsa Vetë Allahu u ka lejuar të bëjnë lutje për ne agjëruesit, për shkak të famës dhe respektit që kanë tek Allahu i të gjithë nesh. Ky istigfar i bërë nga Melekët, në realitet është kërkim i faljes – magfiretit, dhe kjo nënkupton eliminimin dhe shlyerjen e mëkateve edhe në dynjallëk – këtë botë, edhe në Ahiret – në Botën tjetër. Çdo njeri ka mëkate dhe të gjithë ne jemi të shtrënguar të synojmë faljen nga Allahu dhe ta kërkojmë atë… 


Vuajtjet do të zëvendësohen me lumturi 


Cilësia e tretë është zbukurimi i përditshëm i Xhenetit nga Allahu xh.sh., i cili këtë e bën në shenjë mirëseardhjeje për robërit e ndershëm. Fjalët e Tij:
“Së shpejti robërve të Mi do t’u hiqen vështirësitë dhe shqetësimet…”, domethënë të gjitha vuajtjet, sprovat, fatkeqësitë dhe brengat e tjera në dynjallëk, që do t’u zëvendësohen dhe kompensohen me lumturi të përjetshme, e cila i pret gjithsesi. 
- Cilësia e katërt është të penguarit e shejtanit me zinxhirë dhe pranga që të mos mund u afrohet robërve të mirë të Allahut. Kështu nuk do të mund t’i shqetësojë dhe t’i shtyjë për vepra të liga dhe as t’i mashtrojë. Kjo është një prej mënyrave të ndihmës së Allahut për ne, që ai ta pengojë armikun tonë të hapur, i cili synon të na nxitë për vepra të këqija dhe të na fusë në grupin e banorëve të Xhehenemit. Kjo intervencë e Allahut shihet qartë kur i shikojmë robërit e Tij të mirë se si, me vullnet të madh, kryejnë vepra të mira gjatë këtij muaji dhe se si i kanë mposhtur të metat dhe pasionet e tyre. 
- Cilësia e pestë është që Allahu xh.sh. do t’ua falë mëkatet përfaqësuesve të Ymetit të Muhamedit a.s., natën e fundit të këtij muaji. Pikërisht kur ata të përfundojnë të gjitha ibadetet që i kanë kryer gjatë këtij muaji të mëshirshëm: edhe agjërimin, edhe namazin, edhe leximin e Kur’anit, edhe duatë, edhe dhënien në rrugën e Allahut, - Allahu ua jep shpërblimin e merituar. Ngase, thotë Muhamedi a.s., punëtori duhet të paguhet posa të kryejë punën e vet. 
Këto shpërblime Allahu robërve të Vet ua jep në tri mënyra: 
(a) Ai u ka përcaktuar dhe obliguar veprat e mira që duhet t’i kryejnë dhe që do të jenë shkak për faljen e mëkateve të tyre dhe lartësimin e tyre në nivele dhe derexhe më të larta. 
(b) Allahu është ai që robërit e Tij të vërtetë i orienton që të kryejnë vepra të mira, të cilat shumë të tjerë i lënë anash. Po të mos ishte kjo ndihmë dhe Udhëzim i Allahut, ata nuk do t’i kryenin këto vepra të mira. Prandaj, falënderimi i pakufishëm I përket vetëm Allahut të Madhërishëm. “Ata ta hedhin ty që u bënë myslimanë. Thuaju: “Pranimin tuaj të fesë islame mos ma hidhni mua, por, nëse jeni të sinqertë, ju All-llahu ju bëri mirë, kur ju udhëzoi në fê të drejtë”. (Huxhurat, 17) 
(c)Allahu jep kompensim dhe shpërblim të shumëfishtë. Për një vepër të mirë shpërblen me shpërblim dhjetë herë më të madh, madje shpërblen deri shtatëqind herë më shumë. Kështu nuk shpërblen askush tjetër për ndonjë punë! Prandaj, mbani mend: Fillimi i muajit Ramazan është shpërblim i madh për atë që e pret, që i plotëson të gjitha kërkesat (hakk) e tij, që kthehet nga mëkati në bindje ndaj Zotit të vet, që nga indiferenca kalon në gjendjen e të kujtuarit të Allahut vazhdimisht, dhe që i afrohet Atij pasi të jetë larguar. 


Dobitë e agjërimit të Ramazanit 


Agjërimi është një nga ibadetet më të vlefshme dhe argumenti më i qartë i bindjes dhe nënshtrimit ndaj Allahut. Për fadiletet e tij, transmetohen shumë hadithe, thënie dhe shembuj nga jeta e përditshme. Një nga karakteristikat e agjërimit është ajo që Allahu ka përcaktuar dhe obliguar për të gjithë popujt: “O besimtarë! Agjërimi ju është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të largoheni nga mëkati”. (El-Bekare, 183).Sikur agjërimi të mos ishte ibadet me rëndësi të posaçme, me të cilin njerëzit fitojnë sevape të mëdha dhe për të cilin asnjëri nuk mund të deklarojë se shpërblimi është i tepërt, Allahu i Madhëruar nuk do ta kishte bërë obligim për tërë njerëzimin. 
Prej karakteristikave të agjërimit të Ramazanit është edhe ajo që ky është shkak i faljes dhe shlyerjes së mëkateve. Në Sahihun e Buhariut dhe Muslimit shënohet hadithi, në të cilin Muhamedi a.s. ka deklaruar: “Kush e agjëron Ramazanin me bindje dhe besim të fortë se për këtë ka shpërblim nga Allahu, atij do t’i falen mëkatet e kryera më herët”. Kjo nënkupton se duhet të kemi besim të sinqertë tek Allahu, të jemi të kënaqur që na ka e ka bërë obligim agjërimin dhe të shpresojmë se do ta fitojmë sevapin dhe shpërblimin e Tij. Nëse njeriu – besimtari, mendon në këtë mënyrë, atij nuk i vjen vështirë obligimi i rreptë – farz i agjërimit, si dhe ai nuk dyshon për shpërblimin që do ta fitojë më pastaj; mu’minit të tillë Allahu do t’ia falë mëkatet e mëparshme. Në përmbledhjen e haditheve nga Muslimi, pra në Sahihun e tij, ndodhet edhe ky hadith: “Pesë namazet ditore, xhumaja deri në xhumanë e ardhshme dhe ramazani deri në ramazanin e ardhshëm, shlyejnë të gjitha mëkatet që janë kryer në atë periudhë, nëse nuk është fjala për mëkate të mëdha”. Nga veçoritë dhe fadiletet e agjërimit është edhe ky që shpërblimi për të nuk është i kufizuar me ndonjë numër të caktuar, por agjëruesi fiton shpërblim të shumëfishtë, pa kurrfarë kufizimi. Buhariu dhe Muslimi shënojnë edhe hadithin, në të cilin Muhamedi a.s. ka deklaruar: “Allahu i Madhëruar thotë: “Çdo punë e njeriut është personalisht për të, përveç agjërimit. Agjërimi është Imi dhe Unë jap shpërblim për të.” – Agjërimi është mburojë (nga zjarri i Xhehenemit), prandaj, kur dikush agjëron, të mos bëjë ndonjë vepër të keqe, as të flasë fjalë të papëlqyeshme. 


Vlera e agjërimit 


(a) Në mesin e shumë veprave, Allahu pikërisht agjërimin e ka zgjedhur për ta shpërblyer Vetë. Këtë e ka bërë për të theksuar rëndësinë që i përket këtij ibadeti dhe dashurinë ndaj agjëruesit. Agjërimi është sekret në mes robit e Zotit të tij, dhe këtë sekret nuk mund ta sqarojë askush përveç Allahut, ngase, edhe sikur të ndodhej në një vend të shkretë, pa asnjeri afër, agjëruesi nuk do të bënte atë që i është ndaluar me agjërim. Ai e di se është Zoti që e shikon edhe kur është vetëm, prandaj nuk do të bëjë asgjë që është e ndaluar, nga frika prej dënimit të Allahut dhe duke shpresuar shpërblimin e Tij. Për hir të këtij ibadeti të sinqertë, Allahu e falënderon dhe e ka zgjedhur pikërisht agjërimin për Vete nga mesi i shumë veprave të tjera të mira. 
(b) Lidhur me agjërimin, Allahu thotë: “... atë do ta shpërblej…”, kështu i ka vë detyrë Vetes se do ta shpërblejë agjëruesin me shpërblim të cilin vetëm Ai e di. Ai, Allahu, është më Fisniku dhe më Bujari prej të gjithë fisnikëve dhe bujarëve. Çdo shpërblim e dhuratë është në harmoni me mundësitë e atij që i jep. Prandaj shpërblimi i agjëruesit është shumë i madh dhe i pafund, sepse Allahu, Krijuesi i gjithësisë, është Ai që e jep këtë shpërblim. Agjërimi është durim në bindjen ndaj Allahut, durim në heqjen dorë nga gjërat e ndaluara dhe durim për të mos ngrënë e pirë, e nganjëherë edhe me dobësimin e fuqisë fizike dhe kuvetit. Pra, në agjërim gërshetohen këto tri durime – sabre, prandaj është e natyrshme që agjëruesi të futet në mesin e atyre që janë durimtarë. Allahu i Madhëruar thotë:“… ndërsa durimtarëve do t’u jepet shpërblimi i tyre pa masë”! (Ez-Zumer, 10) 
(c) Agjërimi është mburojë, respektivisht perde dhe pengesë që mbron agjëruesin nga fjalët dhe veprat e papëlqyeshme dhe të ndaluara. Prandaj në hadithin e sipërshënuar thuhet se, kur dikush prej jush agjëron, nuk duhet të bëjë vepra të këqija dhe as të flasë fjalë të papëlqyeshme. Agjërimi gjithashtu e mbron agjëruesin edhe nga zjarri i Xhehenemit. Imam Ahmedi, në përmbledhjen e tij të haditheve të Pejgamberit, shënon edhe këtë: “Agjërimi është mburojë me të cilin robi i Allahut mbrohet nga zjarri i Xhehenemit”. 
(d) Era nga goja e agjëruesit, për Allahun, xh.sh. është më e dashur se aroma e myshkut. Kjo për arsye se është pasojë e agjërimit, prandaj është e dashur dhe e mirë për Allahun e Madhëruar. Ky është edhe një argument për rëndësinë që ka agjërimi si ibadet tek Allahu, sa kohë që diçka të shëmtuar dhe të papëlqyer për njerëzit, e pranon si të pëlqyeshme dhe të mirë, sepse është rezultat i bindjes ndaj Tij, respektivisht i heqjes dorë nga haja dhe pija. 
(e) Agjëruesit i përkasin dy kënaqësi: njëra është të njëjtën ditë, kur njeriu - agjëruesi prish dhe bën iftar, kurse tjetra ditën e takimit me Allahun. Për sa i përket gëzimit të parë, agjëruesi gëzohet për shkak se si mu’min i sinqertë, me mëshirën e Allahut dhe përcaktimin e Tij, ka kryer një ibadet aq të rëndësishëm dhe të respektuar ndaj Allahut xh.sh..



Rrustem Spahiu 
Dituria Islame 241


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme