Në shkencën e edukimit është e njohur se, për të realizuar edukimin e individit, duhet krijuar një ambient edukues, në të cilin të mund të kryhen të gjitha llojet e veprimeve edukuese në kushte të volitshme, duke ia lehtësuar individit mundësinë që ta kuptojë misionin e tij në këtë jetë dhe përfitimin që ka nga ky mision, në mënyrë që të ngrihet niveli i tij reaktiv në aspektin logjik, shpirtëror dhe edukativ ndaj të mirave të edukatës së mirëfilltë. Nëse shikojmë nga kjo dritare edukative drejt agjërimit të muajit Ramazan, me konsideratat se është mjeti më i rëndësishëm që ka caktuar Zoti i njerëzimit dhe botës me gjithë ç’ka në të, për të mirën e njerëzimit dhe pastrimin e tyre, e gjejmë se vetë muaji Ramazan është një ambient i veçantë dhe shumë i rrallë edukimi, i cili ofron kujdes të jashtëzakonshëm hyjnor për realizimin e qëllimit të agjërimit, që është realizimi dhe rrënjosja e cilësisë së lartë të devotshmërisë në shpirtin e agjëruesit. Siç dihet, koha e agjërimit është e caktuar, nuk kalon vit që shpirti i besimtarit të mos ndiejë nevojë që një muaj të agjërojë dhe ta kalojë me intensitet të adhurimeve për Krijuesin e vet dhe të sprovojë durimin e tij e të bëjë ndryshime rrënjësore nga rutina ditore dhe mujore e gjithë vitit. S’ka dyshim se përmbajtja e agjërimit është një ndryshim rrënjësor nga jeta e zakonshme, nga të ushqyerit dhe gjumi i rregullt e gjithë ç’përfshihet brenda tyre, për gjithçka besimtari angazhon trupin e tij në një sistem krejtësisht ndryshe, një sistem të ri që thyen krejtësisht rrjedhën normale të jetës. Për të realizuar një ndryshim të tillë rrënjësor, kërkohet patjetër një përgatitje e lartë shpirtërore.
Agjërimi përsos mëshirën dhe devotshmërinë
Besimi i paluhatshëm që ekziston te besimtarët, mundëson që ndryshimin e tillë dhe pikërisht agjërimin ta presin me plotë emocione, kënaqësi dhe aktivitet, duke pasur parasysh se është detyrim nga Krijuesi i vet i Plotmëshirshëm. Në anën tjetër, besimtari e di fare mirë se agjërimi sjell vetëm dobi për besimtarin dhe se për të ka lehtësime. Në fund të fundit, agjërimi qëllim kryesor ka përsosjen e mëshirës dhe devotshmërisë. Si në Kur’an, gjithashtu edhe në Synet, na paraqiten inkurajime të mëdha dhe stimulime që ofron Allahu i Gjithëmëshirshëm dhe këshillat që jep Pejgamberi a.s. për besimtarët. Allahu i Madhërishëm thotë: “O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm. (jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), të një të varfri, ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për të. Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju”. (El-Bekare 183-184)
Ajetet kur’anore që obligojnë agjërimin, mbyllen me këto thënie të të Fuqiplotit Allah: “..., Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për shkak se ju udhëzoi dhe që të falënderoni”. (El-Bekare, 185)
Gjithashtu Syneti i Pejgamberit a.s., inkurajon dhe stimulon besimtarët edhe më shumë, që ta duan agjërimin dhe ta kenë për shpirt. Pejgamberi a.s., në hadithet e tij, flet për dobitë që sjell agjërimi, e ne po citojmë disa prej tyre: Transmetohet nga Emame, i cili thotë: Shkova te i Dërguari i Allahut, dhe i thashë: O i Dërguari i Allahut, më urdhëro të bëj një vepër e cila ma mundëson Xhenetin, e ai më tha:- Të këshilloj të agjëroni, sepse është i pakrahasueshëm! Pastaj i thashë edhe një herë, ai përsëri më rekomandoi që të agjëroj”.(1)
Transmetohet nga Ebi Said El-Hudri r.a. se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: ”Sa herë që robi i sinqertë agjëron një ditë për hir të Allahut, Allahu e largon zjarrin e xhehenemit nga fytyra e tij për shtatëdhjetë vjet largësi”.(2)
Takimi ma i afërt me Allahun, angazhimi intensiv në adhurim dhe largimi më i mirë e më i madh nga mëkatet, s’ka dyshim që të gjitha këto janë në muajin e bekuar dhe të begatshëm të Ramazanit, më shumë se në cilindo muaj tjetër. Ditët dhe netët e këtij muaji kalojnë në një atmosferë përplot kënaqësi shpirtërore dhe ngazëllim, i cili depërton thellë në zemrat e besimtarëve dhe ata i bën të lumtur. Me fjalë të tjera, sjell një gjendje krejtësisht tjetër nga ajo e zakonshmja dhe reflekton një gatishmëri për pendim e sakrificë.
Hapja e dyerve të Xhenetit i gëzon besimtarët
E gjithë kjo ndodh nga fakti se çdo gjë ndryshon në botën e ndjenjave metafizike, që nga momenti kur shfaqet Hëna e këtij muaji të bekuar, e deri në përfundim të tij. Ashtu siç na paralajmëron i Dërguari i Allahut kur thotë se dyert e Xhenetit hapen, ndjenjat shpirtërore të besimtarëve lidhen patjetër për muajin e Ramazanit dhe kanë një ndjenjë të veçantë gëzimi. Pastaj, kur thotë Besniku i besnikëve a.s., se mbyllen dyert e Xhehenemit, s’ka dyshim se zemrat e besimtarëve ndiejnë një siguri të madhe dhe janë krejtësisht larg shqetësimit. I Dërguari thotë se gjatë muajit të agjërimit prangosen djajtë (shejtanët), kjo gjë sjell një gëzim tjetër për besimtarët, sepse janë të sigurt nga pëshpëritjet dhe nxitjet e djallit, i cili ua zbukuron të keqen dhe të ndaluarën e i nxit që të veprojnë gjëra të këqija dhe të ndaluara.
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a., se i Dërguari i Allahut a.s., sa herë që vinte muaji Ramazan, thoshte: “Erdhi për ju muaji i bekuar, në të cilin jeni të obliguar të agjëroni, në të hapen dyert e Xhenetit, mbyllën me dry dyert e Xhehenemit dhe prangosen shejtanët. Në këtë muaj është një natë më e vlefshme se një mijë muaj, kush nuk e arrin atë ka humbur mirësitë e saj.”(3) Në një transmetim tjetër shtohen edhe fjalët:”Dhe engjëlli (meleku) thërret: O kërkues të mirësisë, pranoni dhe: O kërkues keqbërës, ndalohuni, e kjo vazhdon deri në përfundim të Ramazanit.
Pra, nuk mund të ketë muaj më të përshtatshëm për ushtrimin, stërvitjen dhe edukimin e zemrës me devotshmëri dhe për pastrimin nga hamendja dhe ndjekja e epsheve e dëshirave të djallëzuara, sidomos pasi janë të prangosur shejtanët dhe u është dobësuar ndikimi i tyre për të nxitur për punë të ndyta dhe lajthitje, e zemrat janë të drejtuara drejt Zotit të tyre me frikë dhe respekt.
Ka hadithe të tjera të cilat ndalojnë rreptësisht vazhdimin e jetës normale në muajin Ramazan, në mënyrë që njeriu të mos fillojë t’i japë arsye vetvetes dhe të bëjë ndonjë nga devijimet. I Dërguari a.s., thotë:” Kush ha brenda një dite të Ramazanit pa arsyet që i lejon Allahu, nuk do të ketë mundësi ta kompensojë atë edhe sikur të agjërojë tërë vitin, nëse do ta agjëronte”(4) Përveç këtyre që theksuam, në muajin Ramazan gjithçka merr një pamje krejtësisht tjetër: xhamitë janë të mbushura përplot me besimtarë, shtohen ligjërata këshilluese, tribunat, shtohet xhemati në namazin e Teravisë, lexojnë Kur’an, takohen miq e shokë në sofrën e iftarit, zgjohen në imsak, shtohet solidariteti familjar shoqëror, - që të gjitha këto i japin ngjyrën e lartë shpirtërore dhe duket sikur shpirti i besimtarit lundron qetë-qetë në oqeanin e rehatshëm të imanit- besimit tek Allahu, ose, thënë ndryshe, njeriu fluturon me krahë fluture në puhinë përplot aromë besimi e dashurie. Pse të mos ndihet aq mirë besimtari mysliman, kur dihet se gjatë tërë muajit të bekuar Ramazan, arrin të bëjë pastrimin komplet të qenies së tij dhe gjithçka që zotëron ai. Adhurimet islame, që marrin intensitet të lartë sidomos në muajin Ramazan, kryejnë edhe një funksion më të madh dhe më fisnik për njeriun, ato bëjnë pastrimin e tërë qenies së besimtarit me të gjitha ato që zotëron ai.
Adhurimet afrojnË tek Zoti
Këtë e konfirmojnë ajetet kur’anore dhe hadithet e Pejgamberit a.s.. Pastrimi nëpërmjet adhurimeve nënkupton fshirjen e mëkateve të vogla nga regjistri i besimtarit, duke e konsideruar si rezultat të asaj që ka vepruar. Thotë Pejgamberi a.s.:” Kush e agjëron Ramazanin me besim të paluhatshëm dhe me kujdes të veçantë, i falën mëkatet e bëra më parë”.(5) Gjithashtu thotë: ”Pesë namaze, namazi i xhumasë deri në xhumanë tjetër dhe agjërimi i Ramazanit deri në Ramazanin tjetër, besimtarin e pastrojnë nga mëkatet nëse nuk bën mëkate të mëdha”.(6) Pastrimi i zemrës së besimtarit nëpërmjet adhurimeve, ka edhe kuptimin e largimit të besimtarit nga njollat e lajthitjeve dhe devijimeve të ndryshme që e shpien besimtarin në mëkate. Adhurimet ndikojnë që besimtari të afrohet sa më shumë tek Zoti, ta respektojë Krijuesin më shumë, t’i frikësohet Allahut. Për të arritur një gjë të tillë, në radhë të parë kërkohet që në zemrën e tij të rrënjosë imanin-besimin tek Allahu. I Madhërishmi Allah thotë: ”Allahu juve jua bëri të dashur besimin dhe jua zbukuroi atë në zemrat tuaja, ndërsa mosbesimin, shfrenimin dhe kundërshtimin, jua bëri që t’i urreni. Të tillë janë ata që gjetën rrugën e drejtë”. ( El-Huxhurat: 7)
Mirëpo, këtë besim në zemrat e besimtarëve e zbukuron Allahu dhe e rrënjos thellë në to, nëpërmjet pastrimit të tyre që ua bën me adhurimet ose ibadetet me të cilat e ka obliguar besimtarin. Secili farz ka rolin e pastruesit dhe zbukuruesit të imanit në zemrën e besimtarit. Namazi kryen një funksion të tillë pastrimi. Për të thotë Allahu: “Një xhami e cila që prej ditës së parë është themeluar për respekt ndaj Allahut (pa hile), është më e drejtë të falesh në të, aty ka burra që dëshirojnë të pastrohen mirë, e All-llahu i do të pastrit”. (Et-tevbe:108) Gjithashtu farzi i Zeqatit kryen funksionin e pastrimit. Mëshirëploti Allah thotë: “Merr prej pasurisë së tyre (të atyre që pranuan gabimin) lëmoshë, që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh (të mirat) dhe njëkohësisht lutu për ta, se lutja jote është qetësim për ta. Allahu dëgjon dhe sheh”. ( Et-Teube 103) Të njëjtin funksion të pastrimit të zemrës së besimtarit e bën edhe Haxhillëku, i cili ia shton devotshmërinë. Allahu xh.sh. thotë: “E kush madhëron dispozitat e Allahut (është fjala për dispozitat e Haxhit), ajo është shenjë (pjesë) e devotshmërisë së zemrave.” –(Haxhxh, 32). Ndërsa agjërimi për të cilin flitet në veçanti në këtë artikull, shton devotshmërinë në zemër duke e ndaluar besimtarin nga ngashërimi pas dëshirave dhe epsheve të lejuara të barkut dhe marrëdhënieve intime, si dhe e largon nga fjalët e ndyta dhe shpifjet e gënjeshtrat. Allahu xh.sh., lidhur me këtë, na thotë: “O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.”( El-Bekare 183) Në fund, duhet theksuar se devotshmëria është kulmi i pastërtisë dhe edukimit shpirtëror. Agjërimi i muajit Ramazan mbetet shkolla më e spikatur për edukimin dhe pastrimin e shpirtit të njeriut dhe për kthimin e tij në natyrën e pastër të krijuar nga Allahu. Sepse në të gërshetohen shumica e llojeve të adhurimeve. Atmosfera që krijohet në mjediset ku jetojnë besimtarët, flet vërtet për shumë të mira shpirtërore, që njeriun e bëjnë të lumtur dhe sikur ia shtojnë ëmbëlsinë jetës. Muaji i bekuar Ramazan arrin që edhe brengat e jetës, për besimtarët t’i zvogëlojë e nganjëherë edhe t’i zhdukë fare. Prandaj, a nuk duhet t’i themi:
MIRË SE VJEN, O MUAJI I MËSHIRËS, O MUAJI I EDUKIMIT SHPIRTËROR DHE DISIPLINËS!
_________________
1. Ahmedi, Nesaiu dhe Hakimi, i cili e koleksionon nga hadithet sahih.
2. Buhariu dhe Muslimi
3. Ahmedi, Nesaiu dhe ElBejhekiu.
4. Ebu Davudi,Ibni Maxhe dhe Termidhiu.
5. Hadith sahih i transmetuar dhe i aprovuar nga të gjithë transmetuesit.
6. Muslimi
Fitim Flugaj
Dituria Islame 241