Mëkati, shkak i çdo problemi

 


Lumturia në këtë botë dhe në botën tjetër arrihet me praktikimin e fesë së Allahut, me nënshtrim të plotë ndaj Tij. Kush pason udhëzimin e Tij, nuk do të humb kurrë, kurse ai që ua kthen shpinën fjalëve të Allahut, vetëm se ka fituar hidhërimin e Tij. Përse u nxorën Ademi dhe Havaja prej Xhenetit? Cila është ajo gjë për shkak të së cilës u përjashtua Iblisi prej rahmetit të Allahut?
Përse u fundos Faraoni dhe ushtria e tij në det? Përse u shkatërrua Populli i Adit, Themudit e i Lutit? Çfarë e ka bërë ymetin e Muhamedit a.s. sot të nënçmuar? Përgjigjen e gjejmë në fjalët e Allahut të Lartësuar:“Kush i përmbahet udhëzimit Tim ai nuk ka për të humbur (në Dynja), e as nuk ka për të dështuar (në jetën tjetër), e kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në Ditën e Kiametit do ta ringjallim të verbër. Ai (që nuk besoi) do të thotë: “Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?!” Ai (Allahu) thotë: “Ashtu si i harrove ti argumentet Tona që t’i ofruam, ashtu je i harruar sot!.” (Ta Ha, 123-126). 
Kush e beson Kuranin dhe e praktikon atë, nuk do të humb në këtë dynja e as që ka për t’u hidhëruar në botën tjetër, por ai që ia kthen shpinën Kuranit, duke mos besuar në të dhe duke mos praktikuar urdhrat e tij, ai si dënim do të jetojë një jetë të vështirë. Kështu shpërblehet çdo person i cili i ka bërë mëkat Allahut. 
Nga Ibën Umeri përcillet se Pejgamberi a.s., ka thënë: “O ju muhaxhirë! Pesë gjëra, nëse sprovoheni me to, e lus Allahun që mos t’i arrini. Nuk përhapet amoraliteti te një popull ashtu që të shfaqen njerëzit me një vepër të tillë, vetëm se kanë për t’u përhapur me të kolera dhe sëmundje të ndryshme, të cilat nuk ishin të njohura te popujt e mëhershëm; nuk ndodh që njerëzit të peshojnë mangët në matje dhe peshore, vetëm se kanë për t’u goditur me thatësi, varfëri dhe pushtetarë mizorë; nuk ndodh që njerëzit të ndalojnë zekatin e pasurisë së tyre, vetëm se Allahu do t’i sprovojë me pakësim të shiut prej qiellit, e sikur të mos ishin kafshët, nuk do të binte shi fare; nuk ndodh të kundërshtohet besa (feja) e Allahut dhe Pejgamberit, vetëm se Allahu do t’ua sjellë ndonjë armik nga të tjerët e t’ua marrë atë që ishte në duart e tyre. E, nëse prijësit e besimtarëve nuk gjykojnë me librin e Allahut dhe të jenë të kujdesshëm në të, vetëm se Allahu do t’i sprovojë me përçarje mes tyre.”(1)
Në këtë hadith, Pejgamberi a.s. po na paralajmëron për rrezikun që kanë mëkatet tek individi dhe shoqëria. 
Sot gjejmë vështirësi në furnizim, ngushtim në gjokse, nuk jem të kënaqur me atë që kemi, nuk ngopemi me pak, nuk kem qetësi shpirtërore, nuk kem harmoni familjare, e gjithë kjo vjen si pasojë e mëkateve. 
Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Le të dihet se Allahu e ka krijuar çdo gjë në formë dhe përmbajtje të përkryer. Krijimi i Allahut nuk ka asnjë të metë dhe asnjë aspekt negativ, por është gjithmonë i dobishëm për njeriun, kurse sëmundjet e ndryshme janë shfaqur më vonë, pasi krijesat që bëri Allahu u ‘ndotën’ disi prej përzierjes ose përlyerjes me substanca e kështu me radhë. Nëse krijimi i Allahut e ka të paprekur gjendjen e tij cilëstare, atëherë ai nuk përmban asnjë të metë ose efekt negativ.” 
Ata që kanë njohuri të thella mbi botën dhe krijimin, e dinë që çdo lloj e keqeje e rreziku që gjendet në ajër, tokë, bimësi dhe sende të tjera është shfaqur pasi ato janë krijuar. Në të njëjtën mënyrë, kur njerëzit filluan të mos u binden profetëve të tyre, u shfaqën e u përhapën të gjitha llojet e të këqijave, si në aspektin e përgjithshëm (shoqërorë), edhe në atë individual, të cilat u shkaktojnë atyre dhembje, vuajtje, sëmundje, murtaja, uri, humbje të bereqetit të tokës dhe të prodhimeve të saj. Dalëngadalë, frutat dhe pemët e humbën vlerën dhe cilësinë e tyre. 
Nëse ka ndonjë që nuk i kupton këto fakte, le të mjaftohet me ajetin vijues, që të kuptojë: “Të këqijat në tokë dhe në det janë shfaqur si pasojë e asaj që ka bërë njeriu me duart e tij.” (Rum, 44). Shiko çfarë ndodh në këtë botë dhe çfarë thotë ky ajet, e pastaj bëj përqasjen! 
Për më tej, të gjithë e vënë re se si sëmundje të ndryshme prekin bimët, kafshët dhe frutat. Këto sëmundje sjellin vetëm lloje të tjera sëmundjesh. Sa më shumë gjynahe e të këqija të bëjnë njerëzit, aq më tepër sëmundje u zbret Allahu te ushqimet e tyre, te frutat, ajri, burimet ujore, në trup dhe në pamjen e jashtme. Madje, kur sjellja e njeriut vuan nga ndonjë lloj sëmundjeje ose përçudnimi, ajo është në përputhje me gjynahet e zullumet që ka bërë trupi i tij.(2) 
Sulejmani a.s. kishte dalë një ditë me Beni Israilët për të falur namazin e shiut, por gjatë rrugës, Sulejmani, kaloi pranë një lugine, ku pa një milingonë e cila kishte ngritur këmbët e saj duke e lutur Allahun dhe thoshte:“O Zot, ne jemi krijesa prej krijesave Tua e mos na shkatërro për shkak të mëkateve të bijve të Ademit!” 
Allahu iu përgjigj duasë së milingonës dhe zbriti shiun. Atëherë Sulejmani iu drejtua Beni Israilëve duke u thënë: “O bijtë e Israilit, kthehuni tek Allahu të penduar dhe kërkoni falje prej Tij. Pasha Allahun, me të vërtetë Ai ju shpëtoi me përgjigjen e Tij ndaj lutjes së milingonës.”(3) 
Sa e sa njerëz jetojnë me dhuntitë dhe të mirat e Allahut dhe prapë i bëjnë mëkat Atij? I dëgjon duke thënë: “Unë jam i ri, kur të plakem, do të pendohem dhe do të kthehem tek Allahu.” Por dije se vdekja nuk njeh plak apo të rinj, ajo vjen befas, nuk mund të sigurohet askush prej saj as deri nesër. 
Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Një ditë i Dërguari i Allahut ma vendoi dorën mbi supe dhe më tha: “Jeto në dynja si të ishe i huaj a kalimtar rruge.” Ndërkaq, Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha: “Kur të ngrysesh, mos e prit mëngjesin, dhe kur të gdhihesh, mos e prit mbrëmjen. Shfrytëzoje shëndetin para se të sëmuresh dhe shfrytëzoje jetën para se të të vijë vdekja.”(4) 
Dijeni se vdekja është e vërtetë, andaj kujtojeni veten shpesh me këtë realitet. Allahu thotë: “Agonia e vdekjes do të sjellë të vërtetën (e jetës tjetër): ja, kjo është ajo së cilës përpiqeshe t’i ikje.” (Kaf, 19). 
Kjo është ajo së cilës përpiqeshe t’i ikje, nëse të kapte ndonjë sëmundje, shkoje te mjeku duke u frikësuar prej vdekjes. Po tani nga do t›ia mbathësh?!
O ti i ri! O ti i moshuar! O ti prijës! O ti i pasur! O ti i varfër! Nuk ke nga t’ia mbathësh! Edhe nëse të gjithë mjekët vijnë pranë teje dhe mundohen me mjekime e terapi të ndryshme që të të shpëtojnë, nuk kanë mundësi, ngase ata dëshirojnë diçka, kurse meleku i vdekjes dëshiron diçka tjetër. “Kudo që të gjendeni, do t’ju arrijë vdekja, madje qofshi edhe në kështjellat më të forta!” (En Nisa, 78). 
Kthehuni tek Allahu të penduar! E nëse dëshiron t’i bëni mëkat Atij, atëherë lexoni fjalët e Ibrahim ibën Ed’hemit, Allahu e mëshiroftë, me të cilat iu drejtua një mëkatari, i cili kishte ardhur te ky duke i thënë: “O Ebu Is’hak! E kam ngarkuar veten me shumë e shumë mëkate. Çfarë më këshillon të veproj, që ta shpëtoj zemrën time?” Ibrahimi i tha: “Nëse i pranon pesë gjëra dhe u përmbahesh atyre, nuk do të të bëjë dëm asnjë mëkat dhe as nuk do t’i shkatërrojë kënaqësitë tua.” “M’i trego ato gjëra!” – i tha. Ibrahim ibën Ed’hemi i tha: “Nëse dëshiron t’i bësh mëkat Allahut, atëherë mos ha prej riskut të Tij!” I tha: “E prej nga të ha kur çdo gjë që është në tokë është prej Tij?!” Ibrahimi ia ktheu: “Vallë, si mund t’i bësh mëkat Allahut, përderisa furnizohesh prej riskut të Tij?!” “Më trego të dytën!”. Ibrahimi i tha: “Nëse dëshiron t’i bësh mëkat Allahut, atëherë mos bano në tokën e Tij!” I tha: “Kjo është edhe më e rëndë se e para. O Ibrahim, nëse lindja dhe perëndimi dhe çfarë ka në mes tyre është e Tij, atëherë ku të banoj?” I tha: “O ti njeri, a bën që të hash prej riskut të Allahut, të banosh në tokën e Tij dhe prapë t’i bësh mëkat?!” Tha: “Jo!” 
“Më trego të tretën, Allahu të mëshiroftë!” Ibrahimi i tha: “Nëse dëshiron t’i bësh mëkat Allahut, edhe pse furnizohesh prej Tij dhe banon në tokën e Tij, shiko një vend të sigurt, në të cilin Allahu nuk të sheh dhe bëj mëkat atje.” I tha: “Si është e mundur kjo, o Ibrahim, kur Ai i di të fshehtat?!” I tha: “A bën që të hash prej riskut të Tij e të banosh në tokën e Tij si dhe t’i bësh mëkat edhe pse Ai të sheh ty dhe mëkatin që ti vepron?!” Tha: “Jo!” “Më trego të katërtën!” Ibrahimi i tha: “Nëse të vjen meleku i vdekjes, thuaji: Vonoje marrjen e shpirtit tim derisa të pendohem dhe të kthehem tek Allahu me një pendim të sinqertë dhe të punoj punë të mira për Allahun!” I tha: “Kjo nuk më pranohet!” Atëherë Ibrahimi ia ktheu: “O ti njeri! Nëse nuk ke mundësi të largosh vdekjen prej vetvetes e të pendohesh dhe e di se nëse të vjen, nuk ka kush që e vonon, atëherë si kërkon shpëtim?!” I tha: “Më trego të pestën!” I tha: “Nëse të vijnë engjëjt e zjarrit Ditën e Kiametit, që të të marrin ty për në zjarr, mos shko me ta!” I tha: “Nuk më lënë e nuk pranojnë nga unë asnjë arsye!” Ibrahimi i tha: “Atëherë si kërkon shpëtim...?!” Atëherë ai i tha: “Mjaft, mjaft o Ibrahim! Kërkoj falje prej Allahut dhe kthehem tek Ai i penduar. Dhe vazhdoi me ibadete derisa vdekja i ndau.”(5) 
Pendohuni ngase Allahu gëzohet për pendimin tuaj, gëzohet me kthimin tuaj tek Ai. Lexoni fjalët e Allahut kur thotë: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëplotë.” (Zumer, 53). 


___________________________ 
Literatura e konsultuar: 
• Kurani fisnik- Përkthim i kuptimeve të tij me komentim në gjuhën shqipe, H. Sherif Ahmeti. 
• Sunen ibën Maxheh; Muhamed ibën Jezid el Kazvinij, recensim: Muhamed Fuad Abdul Bakij, bot: Dar Ihja el Kutub el Arabijeh, Kajro, Egjipt, pa vit botimi. 
• El Mustedrek ala es Sahihajn, bu Abdullah el Hakim, Muhamed ibën Abdullah en Nejsaburij, recensim: Komisioni për Hulumtime dhe Studime pranë shtëpisë botuese “Dar et Te’ Sil”, bot: Dar et Te’sil, Kajro, Egjipt, viti i botimit 2014. 
• Sunen ed Darkutnij, Alij ibën Umer ed Darekutnij, recensim: Shuajb Arnauti me bashkëpunëtorë, bot: Muesesetu er Risaleh, Bjerut Liban, viti i botimi 2004. 
• El Bedr el Munir fi Tahrixhi el Ahadithi vel Athari el Vakiatu fi esh Sherh el Kebir, Ibën el Mulekkin, Ebu Hafs, Umer ibën Alij ibën Ahmed esh Shafij el Misrij, recensim: Mustafa ebu el Gajt, Abdullah ibën Sulejman, dhe Jasir ibën Kemal, bot: Dar el Hixhrah, Rijad- Arabi Saudite, viti i botimit 2004. 
• El Xhami’ë el Musned es Sahih..., Ebu Abdullah, Muhamed ibën Ismail el Buharij, recensim: Muhamed Zuhejr ibën Nasir en Nasir, bot: Dar Tauk en Nexhah, viti i botimit 1422 h. 
• Kitabu et Tev-vabin, Ibën Kudameh el Makdesij, Ebu Muhamed, Abdullah ibën Ahmed ibën Muhamed, recensim: Halid Abdul-latif, bot: Dar el Kitab el Arabij, Bejrut-Liban, viti i botimit 2001. 
• Zadu el Mead fi Hejdi Hajri el Ibad, Ibën Kajjim el Xhevzijeh, recensim: Shuajb dhe Abdul Kadir Arnauti, bot: Muessesetu er Risaleh, Bejrut, Liban, viti i botimit 2002.



 ____________________________ 
1. Ibën Maxheh në Es Sunen (2/1332, nr: 4019), Hakimi në El Mustedrek” (8/344, nr 8848) dhe thotë: Zinxhiri i hadithi është i saktë edhe pse Buhariu dhe Muslimin nuk e kanë shënuar në dy koleksionet e tyre. 
2. „Zadu el Mead“ (4/332-333). 
3. Transmeton Darekutniu në Es Sunen (2/421, nr: 1797), dhe Hakimi në El Mustedrek (2/273, nr: 1232) nga Ebu Hurejreh r.a., i cili thotë: E kam dëgjuar Pejgamberin a.s. duke thënë: “Një pejgamber prej pejgamberëve të Allahut kishte dalë bashkë me popullin e tij për t’u lutur që Allahu t’u lëshonte shi, papritmas panë një milingonë të shtrirë, këmbët i kishte kthyer kah qielli. Atëherë pejgamberi i tha popullit të vet: “Kthehuni, Allahu ua plotësoi kërkesën tuaj për shkak kësaj milingone.” Hakimi thotë: “Zinxhiri i hadithi është i saktë edhe pse Buhariu dhe Muslimin nuk e kanë shënuar në dy koleksionet e tyre.” Ndërsa tekstin e shënuar lart e ka përmendur Ibën el Mulekkin në El Bedr el Munir (5/157). 
4. Transmeton Buhariu në Sahihun e tij (8/89, nr: 6416). 
5. Kitab et Tev-vabin të Ibën Kudames (fq: 287-288).


 


Dr. Bali Sadiku
Dituria Islame 395


Artikulli i kaluar
Koncepti i zekatit në Kuran
Artikulli radhës
Një minutë deri në Xhennet

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme