Haxhi paraqet një nga pesë shtyllat përbërëse të Islamit. Kategoria e tij obliguese është bërë e qartë me Kur’an dhe Synet. Në këtë është unik i tërë Ymeti islam dhe po ashtu ka edhe ujdinë e shkollave juridike islame, me gjithë diversitetin e natyrshëm në mendime rreth shumë çështjeve që kanë të bëjnë me të. 
Haxhi paraqet tubimin më madhor të myslimanëve, aty nga mbarë bota tubohen njerëz duke iu nënshtruar rregullave dhe riteve të njëjta, dhe në mënyra të ndryshme shkrihen dallimet në mes tyre. Nga vende të ndryshme marrin rrugën drejt Mekës, me qëllimin e vetëm që t’i përgjigjen Zotit të tyre, ngase Ai i ka thirrur për të ardhur aty. Dallimet e shumta dhe etnitetet e ndryshme i bëjnë edhe më të dashur në mes tyre, shtojnë besimin dhe bindjen në Allahun. Ai i ka thirrur që të vijnë aty të shohin Madhërinë e Tij dhe të shtojnë besimin duke u kënaqur me mirësitë që ua dhuron. Haxhinjtë janë dëshmitarë të dobive të shumta që janë drejtpërdrejt prodhim i Haxhit. Aty kërkojnë mirësitë e veçanta dhe kënaqësitë e Allahut, Që dhuron për të gjithë ata që kryejnë këtë obligim madhor islam. 
Pa dyshim që në gjithë atë që Allahu ka obliguar, ka shumë urtësi, për të cilat shkruhet me kënaqësi, por ne kësaj radhe, në një version të shkurtuar, do të bëjmë një njoftim rreth Haxhit si kategori obliguese, mënyrave të mundshme të kryerjes së Haxhit për të përfunduar me Arafatin si shtylla kryesore e Haxhit. 


Haxhi si kategori obliguese (farz) 


Bazuar në Kur'an dhe në Synet, Haxhi është (farz), kategori obliguese për çdo mysliman që plotëson kushtet për kryerjen e tij, dhe ka në dispozicion mundësitë për të marrë këtë rrugë. Haxhi si dispozitë obliguese është fuqizuar përmes ajetit Kur'anor: “ Për hir të Allahut, vizita e Shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo, e kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd.” (Ali Imran, 97) 
Në radhitjen paraprake të ajetit, Allahu bën të qartë veçoritë e Qabesë dhe shenjat e qarta që janë aty dhe në ambientin hapësinor përreth saj. Ajo është faltorja e parë e ngritur për njerëzit, e dobishme e udhërrëfyese për mbarë njerëzimin. Aty gjendet vendi i Ibrahimit, kush hyn në të, është i sigurt, prandaj Allahu e ka obliguar vizitën për të gjithë ata që gjejnë mundësi. 
Ky varg Kur’anor është argumenti i drejtpërdrejtë, nga i cili është nxjerrë obligueshmëria e Haxhit, ndërsa hadithet e kësaj kategorie, janë të shumta. Në mesin e tyre është hadithi ku Pejgamberi a.s. thotë se Islami është ngritur mbi pesë shtylla:” Dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi a.s. është i dërguar i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe shkuarja në Haxh për atë që ka mundësi.” (Buhariu dhe Muslimi) 
Haxhi përmbushet si obligim nëse besimtari e kryen këtë detyrë, qoftë edhe një herë në jetën e vet, natyrisht nëse përmbush obligimet e tjera që lidhen me dispozitat e Haxhit, si mosha madhore, mençuria etj.. Argumenti i drejtpërdrejtë për obligimin një herë gjatë gjithë jetës, kemi hadithin që transmeton Ebu Hurejra, i cili tregon se në një rast Pejgamberi a.s. kishte mbajtur një ligjëratë (hutbe), ku kishte thënë: ”O ju njerëz! Allahu për ju e ka bërë obligim haxhin, prandaj kryejeni këtë detyrim (shkoni të bëni haxhin). Një njeri tha:” A për çdo vit, o i dërguar i Allahut? Këtë e përsëriti tri herë, kurse Pejgamberi a.s. heshtte. Më në fund Pejgamberi a.s. tha:” Po të thosha po (për çdo vit), do t’ju obligohej, e ju nuk do të mund ta bëni këtë.”(1) 
Nuk është i qëndrueshëm mendimi i atyre dijetarëve që thonë se Haxhi, si obligim, duhet të përsëritet së paku një herë në pesë vjet. 
Haxhi ka qenë i njohur edhe në periudhën paraislame, mirëpo kishte shumë devijime. 
Vetë Pejgamberi a.s. e kishte bërë Haxhin edhe para periudhës së obligimit. Ai i kryente ritualet sipas mësimeve të trashëguara nga Pejgamberi Ibrahim a.s.. Kishte qëndruar në Arafat dhe kryente Haxhin pa anuar aspak nga ato që kishin bërë injorantët dhe pabesimtarët.(2) 
Ka disa mendime rreth vitit të saktë kur haxhi është bërë obligim. Argumentet më të qarta janë se Haxhi si kategori obliguese për myslimanët, është fuqizuar në vitin nëntë pas hixhretit. Në mesin e dijetarëve është bërë një polemikë në lidhje me shkallën emergjente që kërkon zbatimi i urdhrit për kryerjen e Haxhit, gjegjësisht, nëse duhet të kryhet menjëherë sa të përmbushen kushtet, në vitin e parë të mundshëm, apo, me gjithë kushtet e plotësuara, ka mundësi që të vonohet për herën tjetër, natyrisht duke mos u vonuar radhazi, ngase gjendja e përgjithshme mund të ndryshojë, ndërsa obligimi i zbatimit të urdhrit mbetet fuqiplotë, sepse njeriu ka kaluar nëpër periudhën e mundësisë për të kryer Haxhin. Mendimi më i preferuar i hap derën mundësisë së shtyrjes-vonesës për një periudhë të caktuar, por jo të zgjatur. 
Ky mendim paraqet një zgjidhje shumë racionale dhe të arsyeshme, sidomos në ditët e sotme, kur nuk mund të mendohet se të gjithë ata që hyjnë në fazën e obligimit, ta kryejnë Haxhin menjëherë. Është e pamundur të përballohet një fluks kaq i madh i myslimanëve që vijnë nga vendet e ndryshme të Botës Islame. Ky mendim përshtatet edhe me rrethanat e sotme, kur mundësia e shkuarjes në Haxh është kushtëzuar edhe me rregullore të ndryshme që shkojnë në favor të kryerjes së obligimit me shumë lehtësi dhe bëhet i mundur kontrollimi i tërë ecurisë së procedurave të Haxhit, qofshin ato fetare apo administrative. Në anën tjetër, nëse themi se Haxhi është obligim që duhet të kryhet pa asnjë vonesë, atëherë si mund ta mendojmë realizimin e tij duke pasur parasysh numrin e madh të myslimanëve në tërë botën, të cilët kanë mundësinë për ta kryer këtë obligim? Sigurisht që është një diçka e pamundur. 


Haxhi i zotimit 


Në kategorinë e Haxhit të detyrueshëm llogaritet edhe kur njeriu zotohet se do ta bëjë Haxhin nëse realizon ndonjë qëllim të caktuar ose përmbush ndonjë dëshirë, e të tjera si kjo. Natyrisht, në rast një zotimi të tillë, kërkohet që veprimi të përputhet me dispozitat islame dhe në të të ketë mirësi. Në asnjë rast, zotimi nuk është i vlefshëm nëse kemi të bëjmë me ndonjë veprim që paraqet shkelje fetare dhe lidhet me mëkat. 


Haxhi bedel (si zëvendësim) 


Nëse dikush e kryen Haxhin për një tjetër, si zëvendësim, pas vdekjes apo për shkak të sëmundjes, kur nuk shpresohet se do të kthehet në gjendje që ta kryejë vetë atë, Haxhi i tillë është i vlefshëm dhe përmbush obligimin. Në medhhebin hanefi kjo është shumë e preferuar dhe e porositur.(3) 


Haxhi i fëmijës jomadhor 


Edhe fëmijët e moshës jomadhore, para pubertetit, mund të shkojnë në Haxh, dhe prindërit nga Haxhi i fëmijëve që i shoqërojnë gjatë kryerjes së obligimeve, përfitojnë shumë, mirëpo, sipas mendimit më real të dijetarëve, nga shkollat juridike islame, Haxhi i tyre nuk llogaritet si kryerje e obligimit. Ata, gjithsesi duhet ta bëjnë Haxhin pasi të përmbushin kushtet e tij, që në këtë rast është mosha (hyrja në bylyk). 


Haxhi nafile 


Nëse myslimani kryen obligimin e Haxhit një herë në jetë, praktikisht ka përmbushur detyrimin që del nga pesë shtyllat e besimit dhe nuk kërkohet ta përsërisë këtë si kategori obliguese. Megjithatë, ai mund të vazhdojë të shkojë në Haxh edhe herë të tjera, në mënyrë vullnetare (nafile), dhe kjo do të ishte nga veprimet më të lavdëruara në fushën e ibadeteve. 
Nuk rekomandohet që dikush të kryejë Haxhin për tjetrin, nëse këtë paraprakisht nuk e ka bërë për veten, sipas gjykimit kjo është afër zonës së ndalimit. Disa nga shkollat juridike ndalimin e shprehin shumë qartë. Në kohët e sotme, për arsye praktike, nxirren fetva me të cilat kërkohet që të mos përsëritet Haxhi vullnetar (nafile), në mënyrë që t’u lihet mundësia për ta kryer ata që duan ta bëjnë këtë për herë të parë. Kjo është me interes të veçantë, sidomos në vendet ku për një mundësi udhëtimi konkurrojnë me qindra e mijëra individë. 


Mënyrat e kryerjes së Haxhit 


E tërë ecuria e ceremonive të Haxhit përbëhet nga shumë veprime, të cilat në disa segmente dallojnë në varësi nga nijeti se për cilën mënyrë është përcaktuar. Ai që merr rrugën e Haxhit, kur arrin në ndonjërën nga pikat e caktuara për veshjen e petkut të Haxhit (ihramit) në momentin kur e bën nijetin, është mirë (synet) të jetë i vetëdijshëm se për çfarë mënyre të kryerjes së Haxhit ka vendosur. Edhe pse nuk prish punë që më vonë, deri në një periudhë të caktuar, të bëjë ndonjë zgjedhje tjetër përbrenda tri praktikave të njohura. 
Në bazë të asaj që u tha, duhet ta bëjmë të qartë se për kryerjen e Haxhit ka tri mënyra dhe në të gjitha situatat ka të bëjë me caktimin e lidhshmërisë në mes Haxhit dhe umres, gjegjësisht se a do ta kryejë Haxhin vetmas apo do ta bashkojë me umren, dhe t’i kryejë së bashku, me një veprim. Sikur u tha, Haxhi është tri llojesh: 


1. El Ifradu (Kryerjae Haxhit vetmas) 


Në momentin kur haxhiu vesh ihramin, e bën nijetin se do ta kryejë vetëm Haxhin, fillon leximin e telbijes duke thënë “Leb-bejke bihaxhin”. Më pastaj vazhdon rrugën derisa të hyjë në Mekë, bën tavafin e arritjes (kudumin) dhe vazhdon të mbetet i veshur në ihrame derisa të vijë koha e veprimeve të Haxhit. Qëndron në Arafat, natën e kalon në Muzdelife, i hedh guralecët, kryen tavafin kryesor (El Ifada), sa’jin (vrapimin në mes Safas dhe Merves), i hedh guralecët në ditët e mbetura. Pas përfundimit të të gjitha veprimeve që lidhen me Haxhin, nëse do, kthehet në mikatin e mekasve dhe vesh rishtazi ihramin, në mënyrë që të kryejë umren. Sipas medhhebit Shafii dhe Maliki, kjo është mënyra më e vlefshme e kryerjes së Haxhit. Një kohë të gjatë haxhinjtë nga Kosova, Haxhin e kryenin në mënyrë masive në këtë mënyrë. 


2.Temetu (Ndarjae umres nga ecuriae Haxhit) 


Umreja i paraprin Haxhit kur me rastin e veshjes së ihramit, fillimisht, nga mikati, bëhet nijeti për kryerjen e umres, duke thënë: “Lebejke bi umretin”. Haxhiu hyn në Mekë, plotëson veprimet e umres duke bërë tavafin, sa’jin, rruan apo shkurton flokët dhe kështu përfundon umren e lirohet- heq ihramin.
Më pastaj është i lirë deri në ditën e tetë të muajit Dhul –Hixhxhe, kur i vesh ihramet duke qenë në vendbanimin e tij në Mekë, qëndron në Arafat dhe i kryen veprimet e Haxhit, sipas radhës, deri në përfundimin e tyre. Kështu, haxhiu ka kryer umren e plotë duke e pasuar me Haxhin e plotë, që të dyja ndarazi. Sipas medhhebit Hanbeli kjo është mënyra më e vlefshme e kryerjes së Haxhit. 
Që kjo mënyrë e kryerjes së Haxhit të jetë e vlefshme, është obliguese që Haxhi dhe umreja të jenë patjetër në vijën lineare, domethënë të kryhen në një udhëtim, dhe kjo gjithsesi në kohën e Haxhit. Ky është mendim unanim i fukahenjve (xhumhurit). 


3. El Kiran (Bashkimi i veprimeve të Haxhit dhe umres) 


Kur haxhiu vesh ihramin, e bën nijet kryerjen e Haxhit dhe të umres duke thënë: “ Leb-bejke bihaxhin ve umretin”. Kur arrin në Mekë, kryen tavafin e kudumit (me rastin e arritjes), bën sa’jin dhe pastaj vazhdon të qëndrojë në veshjet e haxhit (ihrame) derisa të vijë koha për fillimin e veprimeve të Haxhit. Ai qëndron në Arafat, natën e kalon në Muzdelife, i hedh gurët dhe kryen tavafin kryesor (El Ifada), bën sa’jin në mes Safas e Merves, dhe kështu kryen të gjitha veprimet e tjera që lidhen me Haxhin. Në këtë rast nuk ka nevojë që, për shkak të umres, të kryejë edhe një tavaf dhe sa’jin. Për këtë i mjafton ajo që ka bërë për Haxhin. Sipas mendimit të shumicës së dijetarëve (xhumhurit), atij që kryen Haxhin sipas kiranit, i mjafton një tavaf dhe një sa’j. Nëse e ka kryer me rastin e arritjes në Mekë, me nijetin e umres, këtë nuk e kryen pas përfundimit të Haxhit. Në të kundërtën, duhet ta kryejë. 
Sipas medhhebit Hanefi, kjo është mënyra më e vlefshme për kryerjen e haxhit.(4 )Kur kryhet Haxhi Temetu dhe Kiran, është e detyrueshme të pritet kurban. Për këtë mjafton së paku një dele, që duhet të pritet në Mekë gjatë ditëve të caktuara për prerjen e Kurbanit. Nëse nuk ka mundësi ta bëjë këtë, atëherë duhet të agjërojë dhjetë ditë, prej tyre, tri derisa të gjendet në Haxh, dhe këto duhet të kryhen gjithsesi, më së voni deri ditën e Arafatit. Në të kundërtën, obligohet të presë kurban. Shtatë ditët e tjera duhet t’i agjërojë pasi të kthehet në shtëpi. 


Qëndrimi në Arafat 


Në ditën e nëntë të muajit Dhul-hixhe haxhinjtë qëndrojnë në rrafshnaltën e Arafatit. Koha e parë për qëndrim fillon që nga zevali (mesdita kur dielli është në zenit) dhe zgjat deri në agimin e ditës tjetër (ditës së Bajramit). Sipas disa dijetarëve, koha e parë për qëndrimin në Arafat nis që nga agimi i ditës së Arafatit. Nëse haxhiu brenda kësaj periudhe kohore qëndron në Arafat, qoftë edhe për ndonjë moment, llogaritet se ka përmbushur shtyllën kryesore të Haxhit. Natyrisht, këto janë limitet që përcaktojnë fillimin dhe mbarimin, se përndryshe, brenda kësaj periudhe kemi limite të tjera kohore. Aty qëndrojnë duke u lutur dhe duke kërkuar mirësitë që Allahu u ka premtuar. 
Haxhinjtë qëndrojnë në Arafat gjatë tërë ditës. Sipas shumicës së dijetarëve, është vaxhib që haxhiu të jetë në Arafat deri në perëndimin e diellit, e pastaj të lëvizë drejt Muzdelifes, kështu që, me qëndrimin e tij, bën lidhjen në mes ditës dhe natës. 
Ky qëndrim paraqet tubimin më madhështor të myslimanëve, të cilët që të gjithë tubohen në një vend dhe për të njëjtin qëllim. 
Qëndrimi në Arafat është shtylla kryesore, pa të cilën Haxhi nuk është i vlefshëm dhe, nëse dikujt i kalon pa kryer qëndrimi në Arafat, qoftë edhe për ndonjë moment, Haxhi i tij është i pavlefshëm dhe gjithsesi duhet ta përsërisë një herë tjetër. Faktin se qëndrimi në Arafat paraqet shtyllën kryesore të Haxhit, e gjejmë në hadithin e Muhamedit a.s.:” El haxhu Arefetun” / Haxh është Arafati. Kjo nënkupton se ky veprim është vetë Haxhi, prandaj pa të Haxhi nuk është i vlefshëm. 
Veprimi më i vlefshëm në këtë ditë është lutja. Pejgamberi a.s. thotë: ”Duaja më e vlefshme është ajo e Arafatit. Duaja më e vlefshme që kam thënë unë dhe pejgamberët para meje, është:” 
La ilaheil-la Llahu vahdehu la sherike lehu, lehul mulku, ve lehul hamdu, ve huve ala kul-li shejin kadijr”. (Tirmidhiu dhe të tjerët). 


______________________
1) Muslimi me koment të Neveviut 9/101.
2) Tefsiri i Kurtubiut 4/143. 
3) Vehbetu Ez Zuhejli “ El Fikhul Islamiju ve Ediletuhu” 3/41. 
4) Abdulgani El Gunejmi “ El-lubab fi sherhil kitab 1/169.