Haxhi, udhëtim drejt një shprese për xhenet


Vizita e Shtëpisë së shenjtë – Qabesë sjell begati të mëdha, ngase robi në mënyrën më të theksuar vetmohet në lutjen e tij teksa i bën lutje Allahut; ai me kryerjen e farzeve të Haxhit dhe syneteve të tjera arrin një shkallë devotshmërie që nuk mund ta arrijë në ndonjë vend tjetër dhe as në ndonjë kohë tjetër.
Ka shumë nga dispozitat dhe ligjet e ndryshme të shteteve të ndryshme që ndonjëherë, në raste të caktuara, me mundësitë dhe të drejtat që ka ndonjë personalitet shtetëror, si presidenti a kryeministri etj., mund ta kenë të drejtën që ndonjë ta dënojnë penalisht, ta falin dhe t’i dhurojnë lirinë. Në një mënyrë tjetër, mund të bëhet edhe ndonjë amnisti e përgjithshme nga këto shtete, por nëse ndalemi dhe u bëjmë një vëzhgim dispozitave dhe normave që ka vendosur dhe caktuar Krijuesi për robërit e Tij, do të shohim se një amnisti e përgjithshme shfaqet çdo vit për një numër të madh besimtarësh myslimanë. Këta janë mysafirët e Allahut xh. sh., që kanë vendosur të vizitojnë Shtëpinë e Tij dhe të kryejnë Haxhin. 
Kështu, pra, nga mrekullitë më mahnitëse që ka krijuar Allahu xh. sh. për njerëzit, është edhe obligimi i tyre që, sipas mundësive financiare dhe fizike, të vizitojnë Shtëpinë e Allahut – Bejtullahun, një herë në jetën e tyre. Kjo vizitë do të shpëlajë dhe të pastrojë trupin dhe shpirtin e vizituesit dhe do të bëjë një ndryshim të madh në jetën e tij. Sipas kuptimit leksikor haxh-xh domethënë ‘drejtim’, ‘qëllim’, një vizitë që bëhet shumë herë, kurse domethënia e tij në të drejtën islame është: “Udhëtimi i një myslimani në një kohë të caktuar nga shtëpia e tij drejt Qabesë, me qëllim që të kryejë obligimin e Allahut dhe me qëllim ibadeti – adhurimi dhe nënshtrimi ndaj Krijuesit duke zbatuar rregullat - të hyjë në ihram, të qëndrojë në Arafat, të bëjë tavafin rreth Qabesë duke i kryer edhe disa norma të tjera të nevojshme”. Vizita e Qabesë është bërë obligim që nga viti i nëntë hixhri, pra nja 22 vjet pas fillimit të shpalljes së Kur’anit. Ky obligim është bërë me ajet dhe po ashtu në hadithin e Pejgamberit a. s., ku theksohen pesë shtyllat bazë dhe themelore të İslamit. Prandaj nuk mbetet asnjë hapësirë për diskutim rreth vizitës së saj. Për këtë, Allahu i Madhëruar u drejtohet njerëzve e u thotë: 
“Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi të shkojë tek ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); Allahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit.”( Ali Imran, 97). 
Siç dihet, kjo shtyllë e fesë islame ka qenë obligim edhe më herët, obligim edhe për popujt e tjerë para Ymetit të Muhamedit a. s., dhe kjo daton qysh nga koha e İbrahimit a. s., për se, posaçërisht edhe në lidhje me këtë, Kur’ani fisnik paralajmëron për një obligim të mëhershëm:“Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura, që vijnë prej rrugëve të largëta”.(El Haxhxh, 27). 


Çdo mysliman këto ditë të Haxhit duhet t’i kalojë në sa më shumë ibadete 


Nga të katër anët e botës, që nga koha kur Haxhi u bë obligim, pati vizitorë që për çdo vit, bashkërisht - në mënyrë kolektive, morën rrugën drejt kësaj shtëpie të shenjtë dhe të begatshme. Qoftë me deve, para disa kohësh, qoftë në këmbë apo edhe në mënyra të ndryshme, sikur sot kur si mjet udhëtimi përdoret aeroplani, myslimanët e çdo cepi të botës, me një besim dhe bindje të madhe në Allahun xh. sh., ndajnë një pjesë nga pasuria e tyre dhe e shpenzojnë vetëm për të kryer këtë obligim. E si të mos ndajnë një pjesë të pasurisë për të vizituar bukuritë mahnitëse të Qabesë me rrethinë dhe Xhaminë e Muhamedit a. s., së bashku me stolitë e saj dhe vendet e tjera atje, për sa kohë që myslimani si shpërblim të kësaj e di se do ta fitojë Xhenetin? 
Vizita e Shtëpisë së shenjtë – Qabesë sjell begati të mëdha, ngase robi në mënyrën më të theksuar vetmohet në lutjen e tij teksa i bën lutje Allahut; ai me kryerjen e farzeve të Haxhit dhe syneteve të tjera arrin një shkallë devotshmërie që nuk mund ta arrijë në ndonjë vend tjetër dhe as në ndonjë kohë tjetër. Çdo mysliman këto ditë të Haxhit duhet t’i kalojë në sa më shumë ibadete e lutje dhe sa më efikase, sepse çdonjëri nga ata që vizitojnë Shtëpinë e Allahut, duhet ta dijë se nuk ka ndonjë vend tjetër më të shenjtë në botë sesa Qabeja, qyteti i Pejgamberit a. s. Medina dhe Mesxhidu’l-Aksaja në Palestinë. Haxhiu, për ta plotësuar Haxhin e tij dhe për ta kurorëzuar me begati , përveç kushteve të tjera, në mënyrë të domosdoshme duhet të bëjë: a) Veshjen e İhramit; b) Tavafin – rrotullimin shtatë herë pranë Qabesë duke filluar nga Haxheru’l Esvedi dhe c) Të qëndruarit një pjesë të ditës në fushën e Arafatit, sepse Pejgamberi a. s. ka thënë: “Haxhi është (qëndrimi në) Arafat” (Ibn Maxheh në Synen 2/1003, nr:3015). 
Çdo mysliman duhet të kuptojë rëndësinë e këtyre vendeve të shenjta dhe duhet të shohë gjithë ato mrekulli dhe arte të Allahut, në mënyrë që kryerja e Haxhit të ndikojë në jetën e tij gjithmonë, që jetës së tij t’i shtojë diçka të veçantë, të bëjë një ndryshim pozitiv tek ai. Në këtë mënyrë ai që e ka bërë nijet ta kryejë Haxhin, duke iu përmbajtur rregullave të Haxhit, do të arrijë atë shpërblimin e madh - pastrimin nga mëkatet ashtu sikur ka lindur nga nëna e tij. Ai po ashtu duhet të kryejë një varg tjetër veprimesh, të cilat e zbukurojnë dhe e begatojnë Haxhin, duke therur kurban, duke bërë vizitë në vende të tjera - në Mekë, në Hudejbije, në kodren Hira, në Xhaminë Ten’ime etj. dhe duke kaluar në qytetin e bukur të Pejgamberit a. s., Medinën e Ndritshme, që t’i japin selame Muhammedit a. s., të falin së paku dy rekate në kopshtin e Xhenetit – Ravdatu’l-Xhenneh, të shijojnë aromën e këtij qyteti të bekuar dhe gjithashtu të bëjnë vizitën e vendeve të tjera në këtë qytet. Më pastaj ai të plotësojë një kapitull të rëndësishëm të jetës së tij, për t’u kthyer në shtëpinë e tij në mënyrën më të gëzuar, që të ketë mundësi t’u shpjegoje myslimanëve të tjerë për artin, mrekullinë dhe zanafillën e Haxhit. 
Haxhiu – personi që ka marrë rrugën për ta kryer këtë obligim, duhet të jetë i vetëdijshëm se po kryen një adhurim shumë të rëndësishëm dhe se shpërblimi i tij është më me vlerë se gjithë ç’ka në këtë botë. Këtë shpërblim të madh dhe mahnitës, na e ka treguar Muhamedi a. s. në një hadith, ku thotë: “Të gjitha mëkatet e kryera midis një Umre dhe një tjetre shlyhen dhe fshihen, ndërsa shpërblimi për haxhxhin mebrur – të pranuar, pa dyshim është vetëm Xheneti”. (Muttefekun alejh). Ndërkaq, në një hadith tjetër Muhamedi a. s. po ashtu i përgëzon besimtarët me këtë lajm madhështor dhe i bind ata për veprën e tyre, duke i siguruar se janë duke kryer diçka që nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër. Thotë: “Personi që kryen haxhin për kënaqësinë e Allahut xh. sh. dhe u shmanget të gjitha gjërave të këqija dhe mëkateve, do të kthehet pas haxhit i çliruar nga të gjitha mëkatet ashtu siç ka qenë në ditën siç ka lindur nga nëna e tij”. (Buhariu dhe Muslimi). 
Shpresat e myslimanit gjithmonë janë të larta dhe bindëse, sepse feja islame besimtarëve të tyre u ka hapur zemrat e tyre në këtë botë, që t’i shijojnë të mirat e saj dhe që, për një të mirë më të mirë se në këtë botë, të shpresojnë shpërblimin e Botës tjetër, të amshueshme. Ndërsa mjeti për të arritur shijimin e të mirëve në Ahiret, pa dyshim është adhurimi i Allahut xh. sh. në format siç kërkohen, në këtë rast Haxhi mebrur – i pranuar, do të ishte mjeti më i fortë për hyrjen e tij në Xhenet. 
Vizitorëve të Shtëpisë së shenjtë u është mundësuar që të kenë disa alternativa për kryerjen e dispozitave të Haxhit. Për këtë arsye, ekziston edhe një ndarje e llojeve dhe mënyrave të kryerjes së Haxhit. Prandaj, ai mund të kryejë një nga llojet e Haxhit, të cilat janë: 
a) Haxhi Ifrad; 
b) Haxhi Temettu dhe 
c) Haxhi Kiran.


Mr. sci. Zymer ramadani
Dituria Islame 256