Organizimi i haxhit në kohën osmane dhe disa të dhëna burimore për haxhilerët e Kosovës gjatë shekullit XVIII-XX
Kronikat osmane sjellin informacion se titulli “Halife”, apo siç njihet në literaturën evropiane “Kalif” tek osmanët kishte filluar së përdoruri qysh nga koha e sundimit të Sulltan Muradit të Parë (1359-1389). Megjithatë ky titull, tek osmanët, nuk nënkuptonte pushtetin politik të halifes mbi të gjithë myslimanët e botës, por më shumë ishte epitet i një sundimtari lokal, i cili udhëhiqej me parimet e Sheriatit.(1)
Ky realitet vazhdoi deri në vitin 1517, respektivisht deri në rënien e sundimit të Emevitëve në Egjipt, sundim i cili u shpërbë si rezultat i humbjes së këtyre të fundit karshi ushtrive osmane të udhëhequra nga Sulltan Selimi i Parë (1512-1520) në Merxhidabik (1516) dhe Ridanije (1517). Kështu, me shpërbërjen e dinastisë Emevite edhe kalifati/ hilafeti kaloi në duart e sulltanëve osman, të cilët udhëhiqnin me ligjin e Sheriatit. Nga këtu e tutje, Sulltan Selimi i Parë (1512-1520), i mbiquajtur Javuz, titujve të tij, ia shtoi edhe epitetin më të ri Hâdimü’l-Haremejn-i Şerifeyn, që nënkupton shërbëtorin e dy vendeve të Shenjta, atë të Mekës dhe të Medinës.(2)
Pas fitores dhe hyrjes në Kajro, Sulltan Selimi, nxori edhe fermanët e parë, të cilët kishin të bënin me tatime dhe me të drejtat që do të gëzonin banorët lokal, përderisa njihnin autoritetit shtetëror osman. Në të njëjtën kohë, ai sanxhakbeun e Karesinjve, Behram Beun, e emëroi për kryesues (emirulhaxh) të delegacioneve të vizitorëve të Qabesë.(3)
Menjëherë pas marrjes nën kontroll të Egjiptit, respektivisht më 3 korrik të vitit 1517, sulltani mori njoftimin për ardhjen e djalit të Sherifit të Mekës, Ebu Numejit. Takimi në mes sulltanit dhe përfaqësuesit të Mekës u realizua më 6 korrik. Sulltani e priti me nderime të larta djalin e sherifit, saqë kronistët shkruajnë se Ebu Numeji ishte ulur bashkë me sadriazamin (kryeministrin) dhe kadiasqerët osman karshi sulltanit. Ebu Numeji kishte ardhur te sulltani për të kumtuar gatishmërinë e njohjes së sundimit osman dhe autoritetin e sulltanit.(4) Njëherësh, përfaqësuesi i sherifit kishte specifikuar edhe kushtet dhe privilegjet që sulltani duhej t’i kishte parasysh karshi vendeve të shenjta. Njëri ndër këto ishte edhe furnizimi i banorëve të Mekës dhe Medinës me grurë pa asnjë pagesë.
Si rezultat i këtij realiteti të ri politik, edhe organizimi i haxhit kaloi në përgjegjësinë e kalifit të ri, në këtë rast, sulltanit osman, i cili në radhë të parë duhej të siguronte rrugët që çonin drejt dy vendeve të shenjta (Mekës e Medinës), që jo rrallëherë karvanët e haxhilerëve ishin cak i sulmeve të fshatarëve. Sipas shkresave zyrtare osmane nënkuptohet se, para se regjimenti ushtarak (surre Alaylari) të nisej për rrugë me dhurata për vendet e shenjta, lëshoheshin fermane për autoritetin osman të zonave nga kalonin haxhilerët të shoqëruar me regjimentet ushtarake osmane që të bënin përgatitjet e nevojshme për pritjen e kandidatëve për haxhi. Kjo nënkuptonte që të rritej niveli i sigurisë karshi sulmeve bandite, të bëheshin furnizimet e nevojshme me ushqime, të siguroheshin për vende të lira nëpër hane dhe menzile ku pushonin kandidatët për haxhi, ose pelegrinët.(5)
Me kalimin e titullit të kalifit te sulltani osman, edhe kryeqendra e kalifatit u bë Stambolli, njëherësh kryeqytet i Dovletit Osman. Kështu dhe pikëtakimi më i madh kandidatëve për haxhi bëhej në Stamboll. Respektivisht, të interesuarit për të kryer haxhin, më 10 të muajit rexhep, duhej të ishin në Yskydari (qytezë e Stambollit), nga ku nisej karvani i haxhilerëve. Ky karvan përbëhej edhe nga shumë dhurata në ari dhe gjëra të tjera të çmueshme që sulltani dhe familja e tij i dërgonte për banorët e vendeve të shenjta. Një traditë e cila ka zanafillën që nga Sulltan Bejaziti i Parë, i cili fronin e mori në Fushë Kosovë, pas betejës së parë të Kosovës të vitit 1389.(6)
Karvanët shoqëroheshin nga Jeniçer dhe Spahinjë osmanë, të cilët kishin për detyrë mbrojtjen e karvanëve nga sulmet e bandave të ndryshme gjatë rrugës. Sipas të dhënave zyrtare, karvani i haxhilerëve në kohën e sundimit të Sulltan Sylejmanit, i mbiquajtur Kanuni (ligjvënësi) përbëhej nga 150 jeniçerë dhe 100 spahinjë.(7)
Studiuesja e mirënjohur, Suraiya Faroqhi, ka vërtetuar se 2% e buxhetit qendror osman shpenzohej në mirëmbajtjen e ndërtesave në Meke dhe Medine, si dhe për sigurinë e rrugëve që kalonin karvanët e haxhilerëve. Dhe duke qenë se pas problemit të grupeve banditeske që sulmonin haxhilerët, problemi më i madh ishte sigurimi i ujit në thatësira e gadishullit me temperatura të larta. Andaj, administrata osmane në vazhdimësi përkujdesej në mirëmbajtjen e çezmave dhe puseve që ishin hapur nëpër menzile-vendpushimet që shërbenin për pushime dhe furnizime me ujë. Njëherësh, njëra nga kërkesat e sherifit të Mekës, që i ishte bërë Sulltan Selimit, ishte edhe investimi dhe mirëmbajtja e puseve me ujë të pijshëm për fshatarët në rrethinë të vendeve të shenjta.(8)
Rruga nëpër të cilën kalonte karvani i haxhilerëve fillonte në Yskydar të Stambollit kalonte në Gebze, Eskishehir, Konja, Adana, Antakja, Halep për të shkuar drejt Shamit/Damaskut, i cili ishte edhe pikëtakim me haxhilerët e zonave të tjera të Arabisë. Ndërsa karvani i haxhilerëve që vinin nga Afrika Veriore pushimin e bënin në Kajro dhe më pas kalonin nëpër shkretëtirën arabe për të arritur në Hixhaz. Sipas një traktati anonim, të shkruar në vitin 1780, haxhilerët që vinin nga zonat e Rumelisë osmane, apo hapësirës së Ballkanit të sotëm, ndiqnin rrugën deri në Stamboll dhe nga aty kalonin nëpër Damask drejt Hixhazit. Në këtë traktat janë përmendur 76 menzile-bujtina që përdoreshin për pushime gjatë udhëtimit të gjatë rreth 3 muajsh që realizohej nga kandidatët për haxhi.(9)
Rrugëtimi deri në Sham/Damask bëhej me kafshë personale të pelegrinëve, apo kandidatëve për haxhi. Ndërsa nga këtu e tutje vazhdonin me deve, të cilat i merrnin me qira. Kjo bëhej edhe për shkak të klimës dhe deveja si kafshë e zonës që ishte, i përshtatej kësaj klime të nxehtë. Njëherësh duhet theksuar se, studiues të ndryshëm kanë sjell dëshmi se, pushimet e pelegrinëve deri në Damask bëheshin nëpër hane dhe menzile të veçanta që ishin ngritur pikërisht për këtë qëllim, mirëpo nga Damasku e deri në vendet e shenjta, këto pushime mund të jenë bërë nëpër çadra e shatorë të ndryshëm, meqë nuk ka dëshmi për ekzistimin e haneve në këto hapësira.(10)
Pas hapjes së kanalit të Suezit më 1869, udhëtimi për në vendet e shenjta mund të realizohej edhe me anije. Kjo bëhej nga Stambolli nëpërmjet Detit të Kuq në limanin e Xhides. Një formë tjetër e udhëtimit ishte edhe ajo me tren, hekurudhë e cila ishte projektuar nga ana e Sulltan Abdulhamitit të Dytë (1876-1909). Projekti i Sulltan Abdulhamitit synonte që fillimisht të bëhej hekurudha deri në Meke. Më pas të lidhet me Xhiden dhe si rrugë alternative të bëhet edhe rruga me hekurudhë nga Meka për në Akabe, Jemen, Nexhid dhe Bagdad. Kështu, me 1 shtator të vitit 1900, në Damask, kishin filluar punimet për ngritjen e hekurudhës, ku kishin marrë pjesë zyrtarë të shumtë osmanë, kori diplomatik i huaj dhe shumë media. Kjo hekurudhë, e cila ishte emëruar si hekurudha e Hixhazit, për shkak se bashkonte të gjithë myslimanët e zonës, përbënte rrezik të nivelit të lartë për fuqitë evropiane të huaja që kishin hartuar politika koloniale në këtë zonë. Karshi lëvizjeve për të penguar këtë projekt, sulltani kishte paraparë që hapësirat nga do të kalonte rruga e trenit të popullohej vetëm me banorë të besimit islam. Kështu pas punimeve të vazhdueshme, me 27 gusht 1908, me prezencë të burokratëve osmanë dhe shumë mysafirëve nga diplomacia dhe media u lëshua dhe treni i parë nga Damasku për në Medine. Si rezultat i kësaj hekurudhe, rruga e cila merrte rreth 40 ditë me deve, tani arrihej me vetëm 72 orë, por që, me rrëzimin e sulltanit nga pushteti më 1909, projekti mbeti i parealizuar, madje u pasivizua edhe rruga Damask-Medine, si rezultat i luftërave dhe bombardimit të një pjesë të hekurudhës nga ana e anglezëve.(11)
Haxhilerët nga Kosova gjatë shek. XVIII-XX
Ashtu siç u cek më lartë, vizitorët e vendeve të shenjta nga hapësira e Ballkanit ndiqnin itinerarin rrugor nga vendlindja e tyre, në Stamboll dhe nga aty bëheshin bashkë me kandidatët e tjerë dhe vazhdonin drejt Damaskut. Fakti që mungojnë regjistrat e kadinjve osmanë të Kazave - gjykatave të Kosovës, nuk mund të kemi informacione mbi numrin e saktë të haxhilerëve, ngase siç dihet, kandidatët për haxhi, pasi që i bënin të gjitha përgatitjet, linin një testament të shkruar, të cilin e zyrtarizonin te kadiu. Ky testament bënte fjalë për pasurinë dhe në rast se vdiste gjatë rrugës, tregonte në detaje se çfarë do bëhej me këtë pasuri. Sipas studimeve të deritanishme, të bëra nga të dhënat e sixhileve nënkuptohet se, këta regjistra përmbajnë të dhëna edhe për testamente të kandidatëve të cilët kishin vdekur pasi që kishin bërë testamentin dhe nuk kishin arritur të marrin rrugën për në haxh. Duke qenë se studiuesja, Suraiya Faroqhi, në studimin e saj të detajuar, përveç testamenteve ka marrë për bazë edhe titullin haxhi të palëve që kanë qenë pjesë e vendimeve të ndryshe të lëshuara nga kaditë, qoftë si dëshmitar të një gjyqi, apo të përfshirë në vendime që për tematikë kanë shitblerjen, apo edhe vendimet që kanë të bëjnë me shkelje, ka krijuar një standard shkencor që na mundëson edhe neve të bëjmë identifikimin e haxhilerëve nga Kosova. Për ta bërë këtë identifikim, kemi përdorur të dhënat e epitafeve me mbishkrim osman, të gjetura në Kosovë. Kështu, mbi këto të dhëna të epitafeve, kemi identifikuar 11 haxhilerë nga Kosova, të cilët e kanë kryer haxhin në kohën e sundimit osman dhe të cilët po i japim në formë tabelare. Të dhënat e mësipërme ofrojnë fakte të reja në raport me historinë e haxhilerëve nga Kosova, njëherësh këto fakte burimore shpërfaqin edhe përkushtimin e myslimanëve shqiptarë të hapësirës së Kosovës për të plotësuar njërën nga kondiditat kryesore të Islamit, atë të kryerjes së haxhit. Të dhënat e epitafit të gjetur në Gadime të Lipjanit, ofrojnë informacion për njërin nga haxhitë e parë të kësaj zone, i cili kishte vdekur në vitin 1726. Një datë e cila orientimisht na bën të mundur që të supozojmë se historia e vizitës së vendeve të shenjta nga shqiptarët me qëllim të kryerjes së haxhit i takon shekullit XVII.
_______________________________
1. Azmi Ozcan, “Osmanlı Doneminde Hilafet”, Dianet Islam Ansiklopedisi, Cild 17, Istanbul: Dianet Vakfi Yayınlari, 1998, f. 546.
2. Mustafa Sabri Kuçukaşçı, “Mekke” , Dianet Islam Ansiklopedisi, Cild 28, Istanbul: Dianet Vakfı Yayinlaiı, 2003, f.563
3. Feridun M. Emecen, Yavuz Sultan Selim, Istanbul: Hazine Yayinlari, 2010, f.302.
4. Ibid.
5. Suraiya Faroqhi, Pilgrims and Sultans, The Hajj under the Ottomans 1517- 1683, London-New York: I.B. Tauris & Co Ltd, f. 54
6. Tufan Buzpinar, “Surre” Dianet İslam Ansiklopedisi, Cild 37, Istanbul: Dianet Vakfı Yayınları, 2009, f. 567.
7. Ibid.
8. Suraiya Faroqhi, Pilgrims and Sultans, The Hajj under the Ottomans 1517- 1683, London-New York: I.B. Tauris & Co Ltd, f. 61.
9. A. Latif Armağanı, “XVIII. Yüzyılda Hac Yolu Güzergâhı ve Menziller (=Menâzilü’l-Hacc)”, Osmanlı Araştırmaları, nr. XX, Istanbul, (2000), 76.
10. S. Faroqhi, Pilgrims and Sultans, f.64.
11. Ufuk Gülsoy, William Ochsenwald, “Hicaz Demiryolu”, Dianet İslam Ansiklopedisi, Cild 17, Istanbul: Dianet Vakfı Yayınları, 1998, f. 444.
12 Agron Islami, Selim Selimi, Hatixhe Ahmeti, Epitafet në Gjuhën Osmane, Deshifrimi dhe Përkthimi i tyre, Regjioni i Prishtinës, vëllimi 1, Prishtinë: Fakulteti i Studimeve Islame, 2017, f. 94
13. Ibid. f. 94
14. Agron Islami, Selim Selimi, Epitafet në Gjuhën Osmane, Deshifrimi dhe Përkthimi i tyre, Regjioni i Mitrovicës, vëllimi 2, Prishtinë: Fakulteti i Studimeve Islame, 2019. f. 163.
15. Ibid, f. 121
16. Ibid, f. 85, guri është i thyer dhe viti i mungon.
17. Ibid, f. 153, guri është i thyer dhe viti i mungon.
18. Agron Islami, Selim Selimi, , Epitafet në Gjuhën Osmane, Deshifrimi dhe Përkthimi i tyre, Regjioni i Gjilanit, vëllimi 3, Prishtinë: Fakulteti i Studimeve Islame, 2021, f. 197. 19 Agron Islami, Selim Selimi, , Epitafet në Gjuhën Osmane, Deshifrimi dhe Përkthimi i tyre, Regjioni i Ferizajt, vëllimi 4, Prishtinë: Fakulteti i Studimeve Islame, (në Botim). 20 Ibid.
Dr. Agron Islami
Dituria Islame 391