Vakëfi në qytetërimin islam

 


Islami është fe tolerante, e cila bën thirrje për drejtësi dhe barazi jo me gjuhën e parullave dhe fjalëve të thata, por me argumente dhe vepra. Ai parashtron obligime që ngrenë lart shoqërinë islame, duke vendosur baza të shëndosha për një shtet islam të qytetëruar, ku mbretërojnë siguria, qetësia dhe stabiliteti. Institucioni i vakëfit është një prej bazave themelore, i cili siguron drejtësinë shoqëror dhe një pamje të dalluar të gjenialitetit islam, për të cilën kemi nevojë më shumë se asnjëherë më parë- për ndërtimin e shoqërisë islame, e cila do të posedojë të gjitha elementet e forcës, qytetërimit. Në vijim do t’u përgjigjemi pyetjeve: Ç’është institucioni i vakëfit? Cili është roli i tij në ndërtimin e qytetërimit islam?
Husni Abdul Hafidh F jala “vakf” në aspektin gjuhësor do të thotë (mbyllje) apo ndalim. Thuhet e kam bërë vakëf, do të thotë e kam mbyllur apo e kam ndaluar. Në fjalorin “Muhtar es-Sah-hah” thuhet: ‘e kam mbyllur në kuptimin e kam lënë vakëf’. 
Në të njëjtin kuptim, fjala vakëf shpjegohet edhe në fjalorin “Lisanul arab” (Gjuha arabe). Në fillim, vakëfi quhej “sadaka” (lëmoshë) dhe “Habs, habis” (ndalim apo mbyllje). Kështu, në hadithin e vakëfit të Omerit r.a.,thuhet: “Nëse dëshiron, e ndalon kapitalin tënd apo e jep lëmoshë”. 
Fjala vakëf në aspektin e Sheriatit do të thotë: “moslejimi i ndryshimit të destinimit të tij dhe mbetja e destinimit të tij fillim e mbarim për qëllime të bamirësisë dhe humanitetit”. 
Baza e lejueshmërisë së vakëfit islam janë Syneti dhe Ixhmai. Prej argumenteve të lejueshmërisë së tij, Fjala e Allahut xh.sh. në Kuranin famëlartë: “Çkado që t’u jepni të tjerëve nga pasuria, ajo do t’ju kompensohet në mënyrë të plotë duke mos u dëmtuar ju”. (El-Bekare, 272). “Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë me besim, derisa të mos e jepni më të dhembshmen e pasurisë suaj. Çkado që jepni (për Zotin) , Allahu atë e di.” (Ali-Imran, 92). Kur Ebu Talha e dëgjoi këtë ajet të Kuranit, shprehu gatishmërinë e tij për të lënë vakëf “Birxhanë”, që ishte pasuria më e dashur e tij. Për këtë qëllim ai shkoi tek Pejgamberi a.s. dhe i tha: ”O i Dërguari i Zotit, kam dëgjuar se Allahu xh.sh. thotë: “Kurrë nuk do të arrini sinqeritetin, derisa të mos e jepni më të dhembshmen e pasurisë suaj”, pasuria më e dashur imja është “Berxha” dhe unë po e dhuroj atë sadaka për hir të Allahut xh.sh.” 
Në Synetin e Pejgamberit a.s. kemi argumente të shumta për lejimin e vakëfit. Prej tyre, hadithi i Pejgamberit a.s. “Kur vdes i biri i Ademit, pushojnë veprat e tij përveç nga tri gjëra: nga sadakaja e vazhdueshme, nga dituria nga e cila ka dobi dikush, si dhe nga trashëgimtari i mirë që ka lënë pas”. (Transmeton Muslimi, kurse Imam Neveviu në shpjegimin e këtij hadithi thotë se edhe sadakaja e vazhduar është vakëf). 
Nga i biri i Omer ibnul Hattabit r.a., transmetohet se Omeri kishte zënë një tokë në Hajber dhe prandaj i kishte thënë Pejgamberit a.s.: ”Kam rënë në një pasuri në Hajber, që ka një vlerë shumë të madhe. Cila është këshilla jote, si të veproj me të?” Pejgamberi a.s. iu përgjigj: “Nëse dëshiron, mbylle atë apo jepe sadaka, por ajo nuk shitet, nuk blihet, nuk dhurohet dhe as nuk trashëgohet”. Atëherë, Omeri e dha sadaka. 
Kur Pejgamberi a.s. u shpërngul nga Meka në Medinë, në atë kohë në Medinë nuk kishte ujë të pijes, përveç pusit “Rume”, që ishte pronë e një njeriu koprrac, që e shiste ujin me një çmim shumë të lartë. Pejgamberi a.s. ishte i interesuar që atë pus ta blinte dikush prej myslimanëve, prandaj iu drejtua atyre dhe u tha: “Kush e blen pusin Rume, do të shpërblehet me Xhenet”. U paraqit Othman bin Affani, i cili e bleu me çmimin tridhjetë e pesë mijë dërhemë. Pejgamberi a.s. i tha Othmanit: “Bëje atë krua për myslimanët, dhe shpërblimi do të jetë për ty!” Osmani veproi ashtu. (Transmetojnë Tirmidhiu dhe Nesaiu) Muhamedi a.s. e kishte lavdërua Halid ibnu Velidin me këto fjalë: “Halidi i ka mbyllur armët dhe municionin e tij, për hir të Allahut”. (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi) 
Institucioni i vakëfit ishte përhapur në mesin e të gjithë ashabëve, saqë Xhabir ibnu Abdullahu thotë: “Nuk di asnjërin prej ashabëve, Zoti qoftë i kënaqur me ta, që pati mundësi e nuk ka lënë pasuri vakëf, për hir të Allahut”. 


Vakëfi dhe roli i tij qytetërues në shtetin islam 


Me zgjerimin e hapësirës së shtetit islam, vakëfet u përhapën në të gjitha anët, për t’u shërbyer myslimanëve kudo që ishin e ngado që jetonin. Burimet historike tregojnë që shpenzimi i myslimanëve për vakëfe ishte me bollëk. Ishte një garë e vërtetë në mes tyre për të ndë rtuar vakëfe apo institucione të ndryshme bamirësie. Eksploruesi ibn Xhubejri përmend që kishte parë në gjithë vendet islame, që nga Maroku arab e deri në Indi e Kinë, lloje të panumërta vakëfesh. Disa prej tyre ofronin shërbime të përgjithshme, e disa ofronin shërbime për njerëzit në nevoja të veçanta. Gjithashtu këtë fakt e konfirmojnë edhe ibn Batuta, ibn Hukuli, Jakut el-Hameviu dhe shumë prej eksploruesve të tjerë, të cilët kishin ecur në gjithë Botën Islame, që nga lindja e deri në perëndimin e saj. Prej vakëfeve, të cilat u përhapën në shtetin islam dhe patën një rol të efektshëm në strukturën qytetëruese, do t’i përmendim këto: 
Shkollat: Ndërtimi i tyre filloi pasi u stabilizua lëvizja e çlirimeve të para islame në fund të periudhës së hulefai-Rrashidinëve. Në atë kohë u dyfishua prania në mësime të shkencave të ndryshme, që mbaheshin në xhami. Për këtë arsye, shkollat u bënë një nevojë e domosdoshme, për përvetësimin e specializimeve shkencore, që u shfaqën tek ligjëruesit. U shtua ndërtimi i shumë shkollave të tilla për pranimin e një numri të madh të nxënësve të dijes. Prej shkollave më të njohura dhe më të mëdha, ishte ajo e Damaskut, së cilës njëri prej poetëve më të mëdhenj i pati kushtuar një poezi me titull “Meritat e shkollave të Damaskut”, të cilën e ka përmendur ibn Asakiri në librat e historisë.
E sa për shkollat që ishin në Bagdad, ibn Xhubejri thotë: “Në Bagdad kam parë afro 30 shkolla. Të gjitha ishin pallate të mahnitshme. Shkolla më e njohur ishte “Shkolla Nidhamije”. Këto shkolla kishin vakëfe të mëdha e pasuri (pronë) të patundshme, që shpenzohej për dijetarët, mësuesit dhe nxënësit. 
Në Kajro, shkollat u përhapën në kohën e dinastisë së Fatiminjve e të Ejubinjve, veçanërisht në kohën e el-Hakim bi Emrilah el-Fatimij, i cili u dha shkollave vakëfe të mëdha e të shumta, të cilat i përmend gjykatësi suprem, Malik bin Seid el-Farukij, në një regjistër të tij. Të gjitha ishin vende të njohura e të rëndësishme në Kajro. Salahudin el-Ejubi ndërtoi shkollën e tij të njohur “Shkolla Nasirije”, prej së cilës dolën shumë prej emrave shkëlqyes në qytetërimin islam, të cilët, me dijen e tyre përhapën dritë në gjithë Evropën injorante të asaj kohe. 
Bibliotekat: Ato u përhapën aq shumë, saqë nuk kishte qytet islam që të mos kishte bibliotekë, që nga shekulli i katërt hixhri. Jakut el-Hamevij, në fjalorin e tij, përmend që vetëm në qytetin Merukan kishte dhjetë biblioteka të lëna si vakëfe. Për to thotë: “Nuk kam parë biblioteka të tilla kurrë në jetë, me aq shumë përmbajtje. Dy prej tyre gjendeshin në xhami. Njëra quhej Azizije, të cilën e kishte lënë vakëf një njeri i quajtur Azizudin Ebu Bekër ez-Zenxhani, e cila kishte afro 12 mijë vëllime, kurse tjetra ishte lënë për hir të Ebi Seid Muhamed bin Mensurit. 
Prej bibliotekave vakëfe më të rëndësishme, roli i të cilave nuk mund të shpërfillet në zhvillimin e qytetërimit islam, ka qenë biblioteka “Bejtul Hikme” në Bagdad, e cila u themelua në kohën e kalifit abasit Harun Rashid, në vitin 193 hixhri. Kulmin e famës si shoqëri intelektuale e arriti gjatë kohës së Me’munit (viti 218 hixhri), koha gjatë të cilës lulëzoi lëvizja e përkthimeve, saqë thuhet që Me’muni përkthyesin e shpërblente me ar për aq sa peshonte libri. Ibn Xhubejri, gjatë udhëtimit të tij në Egjipt, rrëfen që ishte njohur me gjendjen e bibliotekave të tij dhe kishte përfituar nga pasuria e lënë si vakëf. Këto biblioteka i mirëpritnin dijetarët, të cilët vinin nga vende të largëta. Të gjithë, aty gjenin strehim dhe pasuri, me të cilat përmirësonin kushtet e tyre. 
Udhëheqja apo menaxhimi i këtyre bibliotekave vakëfe nuk bëhej në formë të paorganizuar, por në një mënyrë shkencore, të cilën e lavdërojnë edhe ekspertët e udhëheqjes së bibliotekave në kohën bashkëkohore. Ishte drejtori i bibliotekës, që quhej deponues, zgjedhja e të cilit bëhej nga dijetarët më të njohur të asaj kohe. Pastaj ishin ata që u jepnin libra lexuesve, përkthyesit që i përkthenin librat nga gjuhët e huaja në gjuhën arabe, si dhe shkruesit, libralidhësit, shërbëtorët dhe të tjerë, për të cilët kishin nevojë bibliotekat. Çdo bibliotekë, qoftë e vogël a e madhe, kishte indeksin për ta përdorur. E gjithë kjo për t’i përdorur më lehtë librat, që ishin të ndarë në kapituj sipas shkencave e arteve. Përveç kësaj, në çdo raft vendosej një listë, e cila përmbante emrat e librave që gjendeshin aty. Pasuritë e lëna si vakëf për bibliotekat, shpenzoheshin për punëtorët e saj, dhe gjithashtu për mirëmbajtësit dhe furnizimi i tyre me botime të reja.
Spitalet: Valitë (guvernatorët), princërit e myslimanët e pasur bënin gara në ndërtimin e spitaleve dhe dhënien e pasurisë për to. Shumë prej myslimanëve jepnin toka për ndërtimin e spitaleve dhe shërimin e të sëmurëve. Këto pasuri nuk ishin vetëm për shërimin e njeriut, por gjithashtu përfshinin edhe shërimin e kafshëve. 
Spitalet ishin të shumta, shikuar nga puna që bënin. Disa prej tyre ishin të veçanta për një pjesë të njerëzve, si për ushtarët apo të burgosurit. Disa prej spitaleve ishin për shërimin e sëmundjeve të veçanta (spitale për shërimin e sëmundjeve të syve, të tjera për shërimin e sëmundjeve të brendshme, të tjera për sëmundjet psikike, e kështu me radhë.). Përveç këtyre spitaleve, u ndërtuan edhe spitale të përgjithshme, të cilat ishin për shërimin e të gjithë njerëzve. Këto spitale përbëheshin nga dy pjesë, njëra për meshkujt, e tjetra për femrat. Çdo pjesë kishte sallat e dhomat e shumta. Çdo sallë ishte për një lloj të caktuar sëmundjesh. 
Myslimanët i menaxhuan këto spitale sipas një sistemi administrativ e mbikëqyrës me saktësi. Mjekët, të cilët pranoheshin të punonin në këto spitale, u nënshtroheshin shumë provimeve në mjekësi, në teorinë e praktikën mjekësore, të cilat nuk i kalonin me sukses të tjerë, përveç atyre që kishin aftësi të veçanta. 
Prej dokumenteve të lëna vakëfe për këto spitale dhe shërimin e të sëmurëve, të cilat konsiderohen si ilustrim për shpenzimet e mëdha që bëheshin me qëllim të përkujdesjes shëndetësore, si dhe për saktësinë në menaxhimin e punës e caktimin e specializimeve, - është dokumenti i veçantë për spitalin “Mensurij”, të cilin e pati ndërtuar në Kajro mbreti el-Mensur Kalavun në vitin 683 hixhri. Në fillim të këtij dokumenti përmendej qëllimi i ndërtimit të këtij spitali si dhe numri i përfituesve nga ky spital prej myslimanëve, burra e gra, të pasur e të varfër njëlloj, pavarësisht nga dallimi i sëmundjeve të tyre. Kjo tregon rëndësinë e këtyre spitaleve dhe kontributin e tyre të madh në ofrimin e kujdesit shëndetësor për të gjithë njerëzit njësoj. 
Tregjet: Prej roleve të rëndësishme që ka luajtur vakëfi në zhvillimin ekonomik, është saktësia dhe stabilizimi i çmimeve. Shumë prej pasurive që u dhanë në tregje për përmirësimin e tyre, një pjesë prej tyre shkonte tek tregtarët e vegjël, që t’ua lehtësonte atyre marrjen e qirave të ulëta për dyqanet tregtare. Kjo ndihmoi për uljen e çmimeve të mallrave në ato tregje, në krahasim me tregjet për të cilat nuk ishin dhënë vakëfe, të cilat u detyruan t’i ulnin çmimet e mallrave të tyre, për shkak se prej tyre iknin blerësit. Vakëfi në tregje kontribuoi në rifreskimin e tregtisë së brendshme, dhe si rrjedhojë për një zhvillim më të madh ekonomik. 
Pa dyshim që vakëfi është prej institucioneve më të rëndësishme, i cili pati një rol të efektshëm për vendosjen e bazave të shoqërisë islame dhe ndërtimin e përparimit të tij qytetërues. Ai mbajti ekzistencën e shoqërisë nga brenda dhe e mbrojti nga shkatërrimi. E mbajti ekzistencën e saj nga jashtë në përballje me sulmet dhe luftërat njëpasnjëshme me armiqtë. Ai është prej elementeve vullnetare për të përforcuar identitetin islam. Ai është shprehje e sinqertë për shkallën e fortë të besimit të myslimanit. 
Vakëfi e pati këtë rol vital në shtetin islam për shumë shekuj, deri në rrënimin e Perandorisë Osmane dhe vërsuljen e shteteve perëndimore, të cilat rënkonin nën prangat e prapambeturisë dhe të egërsisë gjatë mesjetës, për ndarjen e trashëgimisë së “njeriut të sëmurë” dhe për gjërat e çmuara të saj të shekujve të besimit. Shoqëritë myslimane iu ekspozuan sulmeve të ashpra, në të cilat u përdorën të gjitha metodat e rrugët që të merrnin pjesën më të madhe nga kjo trashëgimi. Dallgët e kolonizuesit perëndimor u përpoqën që, me emërtime të ndryshme, të ushtronin presion ndaj myslimanëve për të zotëruar vakëfet dhe shpenzimet e tyre. Vakëfet ishin prej elementeve kryesore për t’u rezistuar përpjekjeve të tyre. Institucioni i vakëfit po luan edhe sot rol të rëndësishëm për t’i rezistuar armikut sionist e lakmive të tyre ekspansioniste, pavarësisht nga përpjekjet sioniste e perëndimore për ta eliminuar këtë rol të vakëfit. 


 


Përktheu nga arabishtja: 
Fuad Morina 
Marrë nga Mexhel-letu “el-Haxhu ve al-umretu”, nr. 7, gusht-shtator 2004, Xhedë.
Dituria Islame  206


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme