Muhtesari i tahaviut
Në periudhën e shekujve III-IV hixhri, u shkruan 3 muhtesarët e parë të fikhut hanefi. I pari prej tyre llogaritet Muhtesari i Tahaviut. Pastaj pas tij vijojnë Muhtesari i Kerhit dhe Muhtesari i Hakim Shehidit. Të tre këta muhtesare më vonë u komentuan gjerësisht dhe u kthyen në mutun (doracakë) jashtëzakonisht shumë të rëndësishëm të f ikhut hanefi.
Si erdhi deri te shkrimi i Muhtesarëve të fikhut?
Shekulli i II hixhri llogaritet periudha kur f ikhu islam filloi të shkruhej në libra të posaçëm. Fakihu i parë i cili shkroi fikhun ndaras nga shkencat e tjera është Muhamed b. Hasen Shejbani, nxënësi i Ebu Hanifes. Ai këtë gjë e bëri në shumë libra të tij. Libri më i njohur i tij padyshim se është vepra El Mebsut, që ndryshe njihet edhe si El Asl. Në modelin e kësaj vepre, Shafiu shkroi veprën El Umm, ndërsa Sahnuni veprën El Mudevveneh, që është libri themelor i fikhut maliki.(1) Vetë titulli El Umm i veprës së imam Shafiut ka ngjashmëri të madhe me titullin El Asl të veprës së Shejbanit. Prej kuptimeve të fjalës El Umm, krahas kuptimit nënë janë edhe këto kuptime të tjera: prejardhje, origjinë, zanafillë, pikënisje, burim, gurrë, bazë, themel, etj., e që shumicën e këtyre kuptimeve i ngërthen edhe vetë fjala El Asl, që në shqip përkthehet si: origjinë, prejardhje, fillesë, gjenezë, burim, gurrë, bazë, bazament; themel, etj.(2)
Vepra El Asl e Shejbanit për nga vëllimi është shumë e madhe. Mendohet se fillimisht kapitujt e saj ishin libra në vetvete, d.m.th. dalin diku 75 libra që u njohën si ElUsul, të cilat libra-kapituj më vonë Shejbani i bashkoi në një libër të vetëm dhe ajo u njoh me titullin El Asl. Kjo vepër tani në botimin e fundit të Katarit ka 12 vëllime me gjithsej afër 7000 faqe. Pastaj, vepra El Umm e Shafiut në njërin prej botimeve të saja ka 11 vëllime, prej të cilëve 7-8 vëllime janë fikh. Ndërsa El Mudevveneh e Sahnunit në botimin e Saudisë ka 16 vëllime. Po të kihet parasysh kjo që u tha, shumë lehtë kuptohet se në periudhën e shekujve II-III hixhri ishte vështirë sigurimi i një kopjeje të plotë të këtyre veprave, kopjimi i tyre për bibliotekat personale, ruajtja, transporti, referimi në debate dhe libra si dhe sjellja e tyre në mexhliset dhe hallkat e fikhut. Pastaj të mos flasim për mësimin e tyre nga të rinjtë e të rejat që ndiqnin udhën e dijes dhe se sa kohë do t’i duhej një mësuesi që ta shpjegonte deri në fund një vepër kaq të madhe, etj.. Kjo gjë solli që dijetarët e brezave të rinj të mendonin që materialin e këtyre veprave ta shkurtonin, kuptohet me ruajtje të tërësishme të domethënies së tyre, duke hequr përsëritjet e duke e ngjeshur fort mirë fjalinë me fjalë të përpikta dhe mjaft precize, si dhe duke hequr në shumicën e rasteve argumentet e sidomos zinxhirët e transmetuesve. Kjo solli që libra e libra të mëdhenj të shkurtoheshin nga qindra fletore dorëshkrimesh në disa fletore, e që lehtësisht mund të barteshin dhe të siguroheshin, si dhe shumë më shkurt mund të përfundohej studimi i tyre para një mësuesi të fikhut. Kështu pra lindën librat e fikhut që do të njihen me termin muhtesar.
Muhtesarët e parë fikhor në historinë islame
Të parët që sollën këtë risi mendohet se janë malikitë, pastaj shafitë dhe të tretët hanefitë. Dijetari i parë që shkroi një vepër të llojit muhtesar del se është fakihu maliki Ibën Abdulhakem (jetoi në periudhën 154-214 hixhri). Ibën Abdulhakemi shkroi 3 libra të këtij lloji: El Muhtesar el Kebir, El Muhtesar el Evset dhe El Muhtesar el Sagir. Kadi Ijadi për veprat e tija thotë: “Njerëzit (dijetarët e fushës) u morën me muhtesarët e tij si me asnjë libër tjetër të librave medhhebore, kuptohet pas El Muvettasë dhe El Mudevvenesë.”(3) Pastaj prej shafive, i pari që shkroi një vepër të llojit muhtesar llogaritet Buvejtiu, nxënësi i Shafiut dhe pas tij, Muzeniu, nxënësi tjetër shumë i afërt i Shafiut. Më vonë vepra Muhtesar i Muzeniut do të kthehet si njëri ndër 5 librat bazë të fikhut shafi. Ndërsa te hanefitët, sipas Afganiut ishte Tahaviu që shkroi librin e parë të llojit muhtesar.(4) Për habi, muhtesarët e parë fikhor lindën në Egjipt, ngase të tre këta dijetarë jetuan dhe vepruan në Egjipt.
Rruga që çoi deri te Muhtesari i Tahaviut
Muzeniu i sipërpërmendur kishte një motër fakihe-juriste, e cila kishte ndjekur mexhlisin e imam Shafiut.(5) Ajo u martua dhe burri i saj ishte njeri i edukuar dhe njihte mirë poezinë arabe. Nga kjo martesë, në fshatin Taha të Munjes në vitin 239 hixhri lindi djali i tyre, të cilit ia lanë emrin Ahmed. Shkaku i vendlindjes së tij filloi të njihet si Ahmed Tahavi dhe më vonë si Ebu Xhafer Tahavi. Ky djalosh sigurisht se mësimet e para i mori nga këta dy. Pastaj filloi me ndjekjen e mexhlisit të dajës së tij, Muzeniut, nxënësit më të dashur dhe më të dalluar të imam Shafiut. Ky mexhlis zhvillohej në shtëpinë e Muzeniut. Tahaviu pasi u rrit u largua nga ky mexhlis si dhe nga tërë medhhebi i shafive dhe kaloi në atë të hanefive. Shkaqet e këtij ndërrimi medhhebor nuk janë edhe shumë të qarta. Thuhet se ishte zemërimi pas një qortimi nga daja i tij, Muzeniu. Mirëpo, Keutheriu në librin e tij El Havi mjeshtërisht dhe me kriteret e haditho logëove i hodhi poshtë gjitha thashe themet duke argumentuar se shkaku kryesor ishte ai shkencor dhe se kureshtja dhe hulum timi ishin shkaqet që e çuan Tahaviun të gjurmonte medhhebin hanefi dhe pastaj edhe të kthehej në medhhebin e tyre.(6) Megjithatë, duket se pati diçka mes nipit dhe dajës edhe pse sigurisht se nuk ishte kjo që çoi në ndërrimin medhhebor. Tahaviu pasi u largua nga Muzeniu filloi të mësonte nga hanefiu, Bekar b. Kutejbeh, nga i cili transmeton me të madhe hadith si dhe hanefiu tjetër Ahmed b. Ebi Imran, nga i cili e përvetësoi fikhun hanefi dhe prej të cilit pati përfituar shumë dituri fikhore.(7) Në vitin 268 hixhri udhëtoi për në tokat e Shamit (Levant), ku qëndroi afër 1 vjet. Atje edhe u takua e përfitoi dituri nga kryegjykatësi i madh hanefi, kadi Ebu Hazim. Këta ishin mësuesit e tij kryesor. Pas vdekjes së dajës së tij, Tahaviu duke imituar stilin e dajës në librin e tij, si dhe duke parë nevojën e madhe në mesin e hanefive për një libër të këtillë si të Muzeniut, ai shkroi librin e tij fikhor të njohur si Muhtesar Tahavi. Tahaviu ishte njeri i lapsit dhe gjithsej shkroi rreth 30 vepra, shumica e të cilave janë të humbura dhe vetëm një pjesë e tyre ekzistojnë dhe fatmirësisht janë edhe të botuara. Ai ishte historian dhe shurutij i madh (noter i lartë sheriatik), mufesir i kalibrit të Taberiut dhe vepra e tij e botuar pjesërisht me titull Ahkam el Kuran dëshmon më së miri këtë gjë. Njëherësh kjo vepër llogaritet edhe si tefsiri i parë tematik në islam. Ai ishte muhadith dhe fakih i derexheve më të larta. Veprat hadithore, Sherhu Meani’l-Athar dhe Sherhu Mushkili’l-Athar janë fenomenale si në shkencat hadithore ashtu edhe në f ikhun e hadithit. Libri tjetër i tij i akides është vepra kryesore dhe më e sigurt e akides islame. Dhehebiu në Sijerin e tij, Tahaviun e cilëson kështu: “Alamet imami, hafëzi i madh e muhadithi dhe fakihu i Egjiptit.”(8) Muhadithi i madh, Ibën Ethiri, atë e numëron si njërin prej përtëritësve (ar. el-muxhedid) të fesë në shekullin e III hixhri.(9) Ndërsa në medhhebin hanefi ai gëzon rangjet më të larta në hierarkinë e fukahave hanefi. Sipas disave ai zë vend në nivelin e muxhtehidëve të meseleve, e që është niveli i tretë i fukahave. Ndërsa sipas fjalëve të Keutheriut, Tahaviu ishte prej muxhtehidëve mutlak që ruajti përkatësinë e tij ndaj Ebu Hanifes.(10) Sipas kësaj del sa ka qenë thuajse në po atë derexhe fikhore të Ebu Jusufit dhe Shejbanit. Pas një jete gati një shekullore, Tahaviu vdiq në vitin 321 hixhri në moshën 82 ose 92 vjeçare dhe u varros në Karrafeh. Rreth 37 vjet pas vdekjes së tij, Dinastia Fatimite morën Egjiptin dhe themeluan Kajron. Me këtë edhe iu dha fund shkollave të para sunite të Egjiptit që d.m.th. u shua edhe medreseja e madhe e hanefive të Egjiptit. Prandaj, pas Tahaviut nuk pati më ndonjë tjetër në nivelin e tij shkencor që doli nga ato troje.
Muhtesari i Tahaviut dhe koha e shkrimit të tij
Në mesin e tridhjetë veprave të jashtëzakonshme të Tahaviut, u përmend edhe Muhtesari i tij fikhor. Sajmeriu shënon se kjo vepër është edhe libri i parë që shkroi Tahaviu dhe se pas shkrimit të tij ai pati deklaruar: “Allahu e mëshiroftë Ebu Ibrahimin (Muzeniun)! Sikur të ishte gjallë tani, ai do të bënte qefaret për betimin e tij.”(11) Pra, del se diç pati thënë Muzeniu për të! Edhe pse disa dijetarë të tjerë që janë kronistë hanefi të më vonshëm janë të mendimit se libri i tij i parë ishte vepra Sherhu Meani’l-Athar,(12) mirëpo deklarata e Sajmeriut ka më tepër përparësi, kjo kur kihet parasysh se Sajmeriu jetoi dy-tre breza pas Tahaviut. Deklarata e Sajmeriut tregon edhe kohën e përafërt të shkrimit të kësaj vepre dhe ajo është pas vdekjes së Muzeniut. Vdekja e Muzeniut ishte më 24 ramazan 264 hixhri.(13)
Sa versione të Muhtesarit fikhor pati shkruar Tahaviu?
Një numër i madh i kronistëve hanefi, si Sajmeriu, Kutlubuga, Ibën Hinai, Kefeviu, Lekneviu, etj.,(14) kur bëjnë numërimin e veprave të Tahaviut, ata përmendin vetëm një Muhtesar të tij fikhor. Bibliografi i madh, Ibën Nedimi, regjistron dy vepra të Tahaviut me emrin El Muhtesar, njëra e madhe dhe tjetra e vogël dhe më qëndrimin e tij pajtohet edhe Haxhi Halifeja.(15) Nga ana tjetër, Kurashiu krahas Muhtesarit fikhor të Tahaviut shënon edhe dy libra tjerë me titujt El Muhtesar el Kebir dhe El Muhtesar el Sagir. Po këtë gjë e shënon edhe mulla Ali Lexuesi. Madje, bile Afganiu shton dhe thotë se, kopja që ai nxori nga dorëshkrimi në botim është versioni i mesëm i Muhtesarit të Tahaviut.(16) Haxhi Halifeja duke u bazuar te Kurashiu dhe ky i fundit duke u bazuar tek Ibën Nedimi deklarojnë se Tahaviu shkroi dy versione të Muhtesarit, mirëpo, teksti i Ibën Nedimit, e që është burimi më i vjetër që përmendën më shumë se një Muhtesar të Tahaviut, nuk jep për t’u kuptuar se dy veprat tjera me titullin El Muhtesar janë versioni të Muhtesarit të tij të fikhut. Ndoshta këto dy vepra janë versione të ndonjë libri tjetër, e që si zakonisht në atë periudhë autori librat e mëdhenj i shkruante edhe në një version më të vogël, ndërsa Muhtesari i tij i fikhut nuk është ndonjë libër i madh që do të duhej të shkruhej dy-tre herë. Megjithatë, mbetet për t’u krahasuar komentet e këtij Muhtesari, qofshin ata të botuar apo dorëshkrime, kjo për t’u vërtetuar se a shpjegojnë të njëjtin libër apo kanë dallime në materialin e shpjeguar dhe të komentuar.
Ndërtimi strukturor dhe botimet e Muhtesarit të Tahaviut
Muhtesarin e tij fikhor, Ta ha viu e shkroi në stilin dhe renditjen e Muhtesarit të Mu ze niut, dajës së tij dhe më suesit të tij të hershëm. Kjo gjë theksohet në shumë burime.(17) Realisht po të krahasohen titujt e kapitujve të dy veprave, do të vërehet një ngjashmëri e dukshme si në emërtimet e kapitujve, ashtu edhe në renditjen e një pjese të tyre. Mirëpo, Ibën Tejmijeh, gjatë një diskutimi, kalimthi jep një deklaratë tjetër interesante në të cilën thotë se, Muzeniu në një pjesë të renditjes dhe ndarjeve ka imituar Muhamed b. Hasen Shejbanin, kur thotë: “Hirakiu imitoi Muzeniun, e ndërsa Muzeniu imitoi Muhtesarin e Muhamed b. Hasenit edhe pse kjo gjë ka ngjarë në disa ndarje dhe renditje...”(18) Për nga ana strukturore, Muhtesari i Tahaviut fillimisht ka një hyrje të shkurtër dhe shumë domethënëse. Pastaj libri ndahet në kapituj (ar. kitab) si dhe temat brenda kapitullit ndahen në nën-kapituj (ar. bab). Numri i kapitujve është 58. Kur mes Ebu Hanifes dhe nxënësve ka mendime të ndryshme, ai i regjistron ato dhe ua atribuon thënësve të tyre edhe pse për disa atribuime kritikohet në mënyrë shkencore dhe me mjaftë edeb-edukatë nga Razi Xhesasi në komentin e tij. Në fund të shumë meseleve, Tahaviu shpreh edhe përzgjedhjet e tija (ihtijaratuhu). Në disa çështje ka edhe qëndrime të tija personale që dallojnë nga qëndrimet e Ebu Hanifes dhe nxënësve të tij. Muhtesari i Tahaviut deri vonë ka qenë vetëm dorëshkrim. Meritën e botimit të tij për herë të parë e gëzoi Ebu’l-Vefa Afganiu, i cili në vitin 1951 e botoi atë për herë të parë, edhe atë në një vëllim me 480 faqesh, ku rreth 430 faqe janë teksti i Tahaviut me fusnotat e nevojshme të Afganiut. Më vonë Muhtesari i Tahaviut pati edhe disa botime të tjera, e bile disa janë edhe më cilësor se ai i Afganiut, ngase mbështeten në më shumë dorëshkrime.
Në gjuhën shqipe prej këtij Muhtesari nuk ka ndonjë përkthim as edhe të pjesshëm, e lëre më i plotë. Mirëpo, kjo nuk domethënë se në trojet tona nuk ka qenë i njohur ky doracak, ngase dorëshkrimi i këtij Muhtesari që ndodhet në Bibliotekën Kombëtare Universitare “Sh. Kliment Ohridski” në 36 Shkup tregon shumë për këtë gjë. Kjo kopje daton nga viti 591 hixhri (1195 gregorian).(19) Ky Muhtesar dhe metën i famshëm i fikhut hanefi bie në grupin e doracakëve të plotë, ngase mes kapakëve ngërthen tërë kapitujt e njohur të fikhut hanefi. Shikuar nga këndi i komenteve, ai mund të klasifikohet në grupin e doracakëve të komentuar mesatarisht, ngase për të janë shkruar të paktën 10 komente (shuruh) nga dijetarë të ndryshëm. Si dhe shikuar nga aspekti i burimit të materialit, Muhtesari i Tahaviut është punim origjinal brenda kornizave të medhhebit hanefi që nuk bazohet direkt në ndonjë vepër konkrete paraprake. Muhtesari i Tahaviut edhe si metën edhe bashkë me komentarët (shuruh) citohet mjaftueshëm, bile kënaqshëm në literaturën hanefite, sidomos në Bedaiu’s-Sanai të Kasanit. Ky doracak ishte njëri prej materialeve bazë në përpilimin e shumë veprave të mëvonshme fikhore hanefite si p.sh.: Xhevahiru’l-Fikh e djalit të Merginanit, Tekmiletu’l-Kudurij e Husamedin Raziut, etj., dhe për t’u vërtetuar në këtë, mjafton të lexohet hyrja e këtyre veprave.
Komentet (El Shuruh) të Muhtesarit të Tahaviut
Afganiu shprehet se Muhtesari i Tahaviut është: “muhtesari i parë i hanefive, më i miri dhe me shkurtimin më të mirë, si dhe me transmetimet më të sakta nga dijetarët e medhhebit dhe me studimet më të fuqishme dhe më me përparësi për fetfa.”20 Vlera dhe pozita e autorit si dhe librit të tij në medhheb bënë që kjo përmbledhje fikhore (muhtesar) brenda një kohe të shkurtër të kthehej në një doracak (metën) të rëndësishëm, mbi të cilin dijetarë të mëdhenj do të shkruajnë komentare shkencor (shuruh). Komentet21 në fjalë janë:
1. Komenti i Razi Xhesasit (vdiq 370 hixhri). Autori i kësaj vepre të madhe është Ebu Bekër Ahmed b. Ali Razi Xhesasi. Kjo vepër e madhe fatmirësisht e ka pa dritën e botimit dhe është botuar në 8 vëllime me rreth 8000 faqe, kuptohet me gjithë shënimet margjinale të muhakikëve. Kevtheriu për këtë koment thotë: “Komenti më i vjetër dhe më i rëndësishëm, libër i shkallës më të lartë në mjeshtëri si të rivajetit (transmetim) ashtu edhe të dirajetit (fikh).”(22) Vlen të theksohet se gabimisht ky koment në shumë burime i atribuohet Ebu Bekër Ahmed b. Ali el Verrak, e që realisht është keqlexim i emrit të Raziut dhe fjala është për të njëjtin person dhe të njëjtin libër.
2. Komenti i Sajmeriut (vdiq 436 hixhri). Llogaritet prej komenteve të humbura dhe në disa burime përshkruhet si vepër disa vëllimesh.
3. Komenti i Ebu Nesr Ekta’ (vdiq 474 hixhri). Tani për tani llogaritet vepër e humbur. Ebu Nesri është nxënësi i Kuduriut dhe njëherësh edhe komentuesi i parë i Muhtesar Kudurit.
4. Komenti i Ispixhabit të Madh (vdiq 481 hixhri). Autori i tij është Ebi Nesr Ahmed b. Mensur Huxhendi Ispixhabi (Isfixhabi) el Kebir. Kevtheriu shënon se ky koment ndodhet dorëshkrim në bibliotekën Ali Pash Shehidi të Stambollit. Shejhu’l-islam Ispixhabi (do të përmendet në vijim) në fillim të komentit të tij mbi Muhtesar Tahaviun për këtë komentin e Ispixhabit të Madh thotë se ishte një punim mjaft i zgjeruar.
5. Komenti i Serahsiut (vdiq 483 hixhri). Autori i tij është Shemsi’l-eimeh Serahsi, autori i Mebsutit të famshëm. Kutlubuga në Taxhu’t-Teraxhim(23) thekson se ai personalisht e ka parë një pjesë të këtij komenti. Bile, Kevtheriu shënon se kjo vepër ekziston si dorëshkrim në bibliotekat Sulejmanijeh dhe Shehzadeh të Stambollit.
6. Komenti i Shejhu’l-islam Ispixhabit (vdiq 535 hixhri). Autori i tij është Ali b. Muhamed Ispixhabi Semerkandi. Ai është njëri prej mësuesve të Merginanit. Nga dijetarët është cilësuar si dijetari i Semerkandit, i cili e dinte medhhebin hanefi më mirë se gjithë bashkëkohëtarët e tij. Kevtheriu shënon se ky koment ndodhet dorëshkrim në bibliotekën Jeni Xhami të Stambollit. Fatmirësisht edhe kjo vepër së fundmi e ka pa dritën e botimit dhe është botuar në 4 vëllime me diku afër 2200 faqe.
7. Komenti dy vëllimesh i Veberiut. Autori i tij cilësohet si imami i madh Ebu Nesr Ahmed b. Muhamed b. Mes’ud Veberi.(24) Për të nuk dihet gjë tjetër. Në literaturën fikhore të hanefive figuron një personalitet që citohet me të madhe me nofkën El Veberi, e sidomos nga Ajniu në komentin e Hidajes, mirëpo a flitet për të njëjtin person a jo, kjo nuk është e sigurt. Edhe komenti i tij tani për tani llogaritet i humbur.
8. Komenti i Signakit (vdiq 714 hixhri). Tekijudin Gaziu shënon se ai ka hasur një shënim nga ca dijetarë të shquar se Signaki ka shkruar një komentar disa vëllimesh mbi Muhtesar Tahaviun. Edhe ky koment sot për sot llogaritet i humbur.(25)
9. Komenti i Kutlubugasë. Në disa burime figuron se edhe Ibën Kutlubuga pati shkruar një koment mbi Muhtesar Tahaviun, për të cilin koment nuk dihet gjë dhe llogaritet i humbur.(26)
10. Komenti i Eflatunzades. Në disa burime figuron se edhe myftiu i madh i Stambollit dhe nxënësi i mulla Husrevit i njohur si Eflatunzadeh shkroi një koment të Muhtesar Tahaviut. (vijon)
______________________
1. Muhamed Sejid, Desuki, Tedvinu'l-fikhi'l-hanefij ve etheruhu fi tedvini f ikhi'l-medhahib. (Doha: Universiteti i Katarit, Revista “Mexheletu Kulijeti'sh-sheriah ve'd-dirasati'l-islamijeh”, nr. 20, viti 2002), fq. 294; fq. 303 dhe fq. 304.
2. Përkthimet janë marrë shkurtimisht nga fjalët përkatëse nga fjalori online i dr. Isa Memishit (https://arabishtshqip.com), parë për herë të fundit më: 03.10.2023.
3. Kadi Ijad, Tertibu'l-Medarik ve tekribu'l-mesalik . (Rabat: Metbeatu'l fedaleh, botimi i parë, 1966), vol. 3, fq. 366.
4. Ebu'l-Vefa Afgani. Hyrja studimore e Muhtesar Tahaviut. (Kajro: metbeatu dari'l-kitabi'l-arabij, 1951), fq. 4.
5. Xhelaludin Sujuti, Husnu'l-muhadarah fi tarihi Misr ve'l-Kahirah. (Kajro: daru ihjai'l-kutubi'l-arabijeh, botimi i parë 1967), vol. 1, fq. 399.
6. Muhamed Zahid el Keutheri, El-Havi fi sirati't-Tahavi. (Kajro: el Mektebetu'l-ez'herijeh, 1995), fq. 15-19.
7. Bekar b. Kutejbeh vdiq në vitin 270 h. dhe është nxënësi i Hilalurra'jit dhe ky i fundit ishte nxënës i Ebu Jusufit dhe Zuferit. Ndërsa, Ibën Ebi Imrani, i cili vdiq në vitin 280 h. ishte nxënës i Bishr Kindiut dhe Ibën Sema'as. Bishër Kindiu është nxënës i Ebu Jusufit dhe Ibën Sema'ah ishte nxënës i Ebu Jusufit dhe Shejbanit. Ndërsa kadi Ebu Hazimi vidiq në vitin 292 h., me të cilin u takua në Sham, është nxënës i Isa b. Ebanit dhe ky i fundit nxënësi i Shejbanit.
8. Shemsudin Dhehebi, Sijeru ealami'n-nubela. (Bejrut: muesesetu'r risaleh, botimi i tretë, 1985), vol. 15, fq. 27.
9. Mexhdudin Ibën Ethir, Xhamiu'l-usul fi ehadithi'r-Rasul. (Damask: daru Ibën Kethir, botimi i tretë 2016, me tahkik të Arnautit), vol. 8, fq. 232.
10. Për rangimin e Tahaviut shiko: Tashkuprizadeh, Tabekatu'l-fukaha. (Mosul: metbeatu'z-zehra, botimi i dytë, 1961), fq. 58; Abdulhaj el Leknevi, El-Fevaidu'l-Behijeh. (Kajro: daru'l-kitabi'l-islamij, pa vit botimi), fq. 31 fq; Zahid el-Keutheri, el-Ishfak ala ehkami't-Talak. (Amman: daru'l-fet'h, botimi i parë, 2022), fq. 208.
11. Kadi Ebu Abdilah Sajmeri, Ehbaru Ebi Hanifeh ve es-habihi. (Rijad: Alemu'l-kutub, botimi i dytë, 1985), fq. 168
12. Abdulkadir el Kurashi, El Xhevahiru'l-mudijeh fi Tabekati'l-Hanefijeh. (Rijad: Hexhr, botimi i dytë, 1993), vol. 1, fq. 276 dhe 277; El Fevaidu'l Behijeh. fq. 34.
13. TDV Islam Ansiklopedisi, (Stamboll: Türkiye Diyanet Vakfi, 2006), vol. 32, fq. 246.
14. Shiko: Ehbaru Ebi Hanifeh ve Es-habihi. Fq. 168; Kasim bin Kutlubuga, Taxhu't-Teraxhim. (Damask: daru'l-kalem, botimi i parë, 1996), fq. 101; Alaudin Ibën el Hinaij, Tabekat el-Hanefijeh. (Bagdad: Divanu'l-vakfi's sunij, botimi i parë, 2005), vol. 2, fq. 26, bio. 60; Mahmud el Kefevi, Ketaibu Ealami'l Ehjar. (Bejrut: DKI, botimi i parë, 2019), vol. 1, fq. 355; El-Fevaidu'l-Behijeh. Fq. 32.
15. Shiko: Ibën el Nedim, El Fihrist. (Londër: Al-Furqan Foundation, 2009), vol. 2, fq. 32; Katip Çelebi, Keshfu'dh-Dhunun an esamij el kutubi ve'l funun. (Londër: Al-Furqan Foundation, 2021), vol. 6, fq. 332, lib. nr. 15973.
16. Shiko: El Xhevahiru'l-mudijeh fi Tabekati'l Hanefijeh. Vol. 1, fq. 276 dhe 277; Ali Lexuesi, El Ethmaru'l-xhenijeh fi esmai'l hanefijeh". (Bagdad: Divanu'l-vakfi's-sunij, botimi i parë, 2009), vol. 1, fq. 335; Hyrja s tudimore e Afganiut mbi Muhtesar Tahavi. fq. 5.
17. Ehbaru Ebi Hanifeh ve Es-habihi, fq. 168.
18. Ahmed Ibën Tejmijeh, Mexhmuu'l Fetava. (Rijad: Mexhmeu'l-melik Fehd, 1995), vol. 4, fq. 450-451.
19. http://nubsk.edu.mk/en/collections/oriental-manuscripts (parë për herë të fundit më: 01/10/2023)
20. Hyrja studimore e Muhtesar Tahaviut, fq. 4.
21. Për komentet në fjalë dhe dorëshkrimet e tyre shiko: El-Havi fi sirati't Tahavi. Fq. 37; Abdullah el-Habeshi, Xhamiu'sh-shuruh ve'l-havashi. (Xhide: daru'l-minhaxh, botimi i parë, 2017), vol. 4, fq. 131.
22. ElHavi fi sirati't-Tahavi. Fq. 37.
23. Taxhu't-Teraxhim, fq. 235, bio. nr. 201.
24. Taxhu't-Teraxhim, fq. 125, bio. nr. 55.
25. Tekijudin Temimi Gaziu, El Tabekatu's-Senijeh fi teraxhimi'l-hanefijeh. (Rijad: daru'r-Rifaij, botimi i parë, 1983), vol. 3, fq. 152, bio. nr. 758.
26. Ismail Pashë Bagdadi, Hedijetu'l-Arifin. (Bejrut: daru ihjai't-turath, pa vit botimi), vol. I, fq. 831.
Hazir D. Selmani