Nuk lejohet kurrsesi asfar akuze për kriterin fetar të ashabëve në përgjithësi, pa marrë parasysh se në Kur’an ekziston kaptina El- Munafikun- hipokritët, dhe disa ajete që flasin për mynafikët.
Kundërshtarët e synetit thanë: Pse pretendoni dhe thoni se ashabët kanë kriteri të lartë fetar, kurse prej tyre ka të atillë që kanë shpifur ndaj nënës së besimtarëve - Aishes r.a.. Shpifësi me tekst të kur’anit, konsiderohet mëkatar i madh nëse nuk i sjell katër dëshmitarë. Pra, ai që shpif, konsiderohet mëkatar dhe atij i mohohet kriteri fetar dhe, duke u bazuar në këtë, ne nuk mund të themi se ashabët në tërësi kanë kriter fetar. Kundërpërgjigjja ndaj tyre është sa vijon:
Për sa u përket shpifësve, Allahu xh.sh. e thotë më së miri në suren (En-Nur, 4-5)
Në këtë ajet të Kur’anit parashihen tri dispozita për shpifësin, nëse ai nuk sjell katër dëshmitarë: rrihet me tetëdhjetë të rëna dhe të mos pranohet dëshmia e tij.
Të konsiderohet mëkatar dhe të tërhiqet nga ai (vlerësimi) kriteri fetar.(21) Pastaj ajeti kuranor vazhdon me këto fjalë: ”Përveç atyre që më vonë pendohen dhe përmirësohen”. (En-Nur,5). Sa i përket pjesëzës përjashtuese përveçse të ajetit kuranor, dijetarët nuk janë në ujdi nëse kjo pjesëz ka të bëjë vetëm me fjalinë e fundit, e me këtë të pranohet vetëm pendimi i veprimit si mëkatar, kurse çështja e mospranimit të dëshmisë të mbetet e tillë edhe nëse pendohet, apo kjo pjesëz përjashtuese ka të bëjë me të dy fjalitë - të dytën dhe të tretën.
Për sa i përket rrahjes me tetëdhjetë të rëna, kjo konsiderohet çështje e përfunduar, pavarësisht nëse pendohet apo e pranon. Për pranimin e dëshmisë Imam Maliku, Shafiu e Ahmedi kanë thënë: Nëse ai pendohet, dëshmia e tij pranohet dhe tërhiqet vendimi se ai është mëkatar. Të këtij mendimi janë edhe Seid bin El Musejeb dhe një grup nga selefët. Imam Ebu Hanife ka thënë: Pjesëza përjashtuese ka të bëjë vetëm me fjalinë e fundit, e me këtë i pranohet vetëm pendimi i veprimit si mëkatar, kurse dëshmia e tij nuk pranohet. Të këtij mendimi janë edhe Shurejhi, Ibrahim En-Nehaij, Ibn Xhubejri, Mekhuli, Abdurrahman bin Zejdi. Esh-shuubiu dhe Ed-dahaku kanë thënë: Dëshmia e tij nuk pranohet edhe nëse pendohet, përveç nëse ai vetë e pranon dhe thotë se ka shpifur, - atëherë dëshmia e tij pranohet.(22) Pra, pjesa dërrmuese e fukahave të Ymetit kanë rënë në ujdi për pranimin e dëshmisë së shpifësit pasi të pendohet. Po ashtu veprimi i hadithologëve tregon se dëshmia e shpifësit pranohet pas pendimit, ngase ata i pranuan transmetimet e Hasan bin Thabit-it(23) dhe të Himne bint Xhahshit, duke i radhitur në koleksionet e tyre. duke përkrahur këtë mendim, vlen të ceket edhe qëndrimi i Omerit r.a., i cili, kur e kundërshtoi Hasan bin Thabitin për recitime të poezisë në xhami, ai (Hasani) tha: “Unë kam recituar poezi edhe kur ka qenë i pranishëm Ai që ka qenë më i mirë se ti”. Omeri heshti. Ndonjëri nga kundërshtarët e Synetit mund të pyesë: Si e vërteton ti se ata (shpifësit) janë penduar? Atyre u përgjigjemi me këto f jalë: Kush nuk është penduar prej atyre që kanë marrë pjesë në shpifje ndaj Ajshes r.a., - konsiderohet jashtë Islamit. Kjo, sepse pastërtia dhe pafajësia e saj kanë ardhur nga Allahu xh.sh., i Cili është i Gjithëdijshëm dhe Informues për çdo gjë. E kush e mendon të kundërtën, ai ka dyshuar në Kur’an. Zoti na ruajtë prej tyre!
Nuk lejohet që ashabët të krahasohen me të tjerët, dhe anasjelltas
Mohimi i kriterit fetar të ashabëve përmes hadithit të kroit të ujit në botën tjetër, duke i përjashtuar disa njerëz nga ai, si dhe të kuptuarit e hadithit: “Transmetohet nga Ibn Abbasi r.a., i cili ka thënë: I dërguari i Allahut a.s., duke na këshilluar, tha: “O njerëz, ju vërtet do të tuboheni tek Allahu i Madhërishëm të zbathur, të zhveshur dhe të plotë në trup (në krijim) “ e pastaj lexoi: “Ashtu siç ju kemi krijuar herën e parë, do të përsërisim atë (krijim). Ky është premtimi Ynë, ne me të vërtetë do ta bëjmë këtë”.(El Enbija, 104). Pastaj tha: “Njeriu i parë që do të vishet Ditën e Gjykimit, është Ibrahimi a.s., atëherë do të sillen disa njerëz të Ymetit tim, e do të dërgohen në anën e majtë, dhe unë do të them: “O Krijuesi im, këta janë shokët e mi”! Pastaj do të më thuhet: “Ata vazhdimisht kanë dezertuar (janë bërë renegatë) qysh se je ndarë ti prej tyre”. Kurse unë do të them siç ka thënë robi i mirë, Isa bin Merjeme: “Kam qenë dëshmitar derisa isha në mesin e tyre, e, pasi më more, ti ishe mbikëqyrës i tyre! Dhe Ti je dëshmitar i çdo sendi. Nëse i dënon, i dënon robërit e Tu, e nëse ua fal, me të vërtetë Ti je i Gjithëfuqishmi , i Urti”.(El Maide, 117-118(24) Muhamed bin Jusuf el Ferberij ka thënë: “Ata ishin renegatët që kanë dezertuar në kohën e Ebu Bekrit. E këta i ka luftuar Ebu Bekri r.a..”(25)
“Transmetohet nga Enesi r.a. se Pejgamberi a.s., ka thënë: Do të vijnë pas meje tek burimi njerëz nga ashabët e mi, e kur t’i njoh, ata do të rrëqethen prej meje. E unë do të them: Ku m’i latë ashabët e mi? Atëherë thotë: Ti nuk e di ç’kanë bërë (shpikur) pas teje”.(26) “Gjithsesi disa njerëz do të largohen nga burimi i ujit tim, ashtu siç largohet deveja e humbur . Unë i thërras ata që të urdhërojnë (tek burimi), atëherë do të më thuhet: Vërtet ata pas teje kanë bërë ndryshime. e unë do të them: futini në dënim, futini në dënim (me zjarr)”. Transmetohet nga Ebu Hurejra, i cili ishte duke treguar se vërtet Pejgamberi a.s. kishte thënë: “Ditën e Kiametit një grup nga ashabët e mi vijnë pas meje, pastaj ata largohen nga burimi. E unë do të them: O Zoti im, ata janë ashabët e mi. E ai thotë: Vërtet ti nuk e di se ç’kanë bërë (shpikur) pas teje. Vërtet ata kanë dezertuar duke u kthyer”. S’ka dyshim, këto hadithe janë të vërteta. Por, largimi i disa njerëzve nga burimi i ujit ka të bëjë me ata që kanë dezertuar nga Islami pas vdekjes së Pejgamberit a.s.. Një gjë e tillë është vërtetuar qartazi në shumë transmetime, disa prej të cilave i kemi theksuar më sipër. kështu i kanë kuptuar dijetarët e këtij Ymeti këto hadithe, nga të cilët më parë theksuam edhe vendimin e El Ferberij it. Dijetarët e terminologjisë së hadithit kanë konsideruar përkufizimin e fjalës ashab. Ibn Haxheri lidhur me këtë ka thënë: “Ashabi është ai që e ka takuar Pejgamberin a.s., besimtar dhe ka vdekur në fenë islame”. Ajo që është e vërtetë (në këtë përkufizim) është se ashab është ai, nëse një herë ka dezertuar dhe është kthye prapë”. Për këtë është mbështetur në dezertimin e El Esh’ath bin Kajsit, i cili pastaj ishte kthyer në Islam në kohën e Ebu Bekrit, i cili kishte pranuar kthimin e tij. Pra, kërcënimet e theksuara në hadith, kanë të bëjnë me personin i cili vdes renegat, po në kohën e Pejgamberit a.s. kishte pranuar Islamin dhe ishte nderuar me epitetin ashab. Bazuar në këtë, nuk lejohet akuza e kriterit fetar të ashabëve, të cilët vdiqën në fenë islame, dhe as dyshime në moralin, vlerësimin, drejtësinë dhe në epitetin ashabë të tyre (ashabillëkun e tyre). Si do ta konfirmonte Islamin e tij një njeri, nëse dyshon në Islamin e ashabëve, të cilët të lirë dhe të shtrenjtën e flijuan në rrugën e kësaj feje?! Pas tërë këtyre, në anën tjetër, themi se vendimi në Islam mbështetet në anën e jashtme. Këtë e tregon edhe vërejtja, kërcënimi që vinte nga Pejgamberi a.s., duke i përshkruar në fjalën e tij: Një grup nga ashabët e mi, njerëz nga ashabët e mi. Pejgamberi a.s.i kishte quajtur ashabë duke u mbështetur nga ana e jashtme. E, nëse Pejgamberi a.s. kishte gjykuar nga ana e jashtme dhe jo nga ana e brendshme, atëherë edhe hadithologët ashabët në përgjithësi nuk i kanë kritikuar sepse kësodore ata ndjekin rrugën (Synetin) e Pejgamberit a.s..
Përfundim:
Nuk lejohet kurrsesi asfar akuze për kriterin fetar të ashabëve në përgjithësi, pa marrë parasysh se në Kur’an ekziston kaptina El- Munafikun- hipokritët, dhe disa ajete që flasin për mynafikët, sepse në vetë Kur’anin, ka shumë ajete që flasin për vlerën, lëvdatën dhe meritat e ashabëve. Është e pamundshme dhe joreale që ashabët të trajtohen në lagjen e mynafikëve. (vijon)
______________________________
21. Shih më gjerë mr. Musa Vila”Komentimi i haditheve…”f. 259-263.
22. tefsir Ibn Kethir, vëll. 5, f. 55-56.
23. Hasan bin Thabit bin Mundhir bin Haram el Ensarij, ka qenë poet i Pejgamberit a.s., (et-takrib, vëll:1, f.161.
24. Fet’hul Bari, vëll. 8, f. 230.
25. Po aty, vëll: 11, f.322.
26. Sahihu Muslim, vëll.15 f. 53-54.