Në përkujtim të atdhetarit të devotshëm, Hoxhë Lipovica
Gjatë gjithë kohës pjesa dërrmuese e ulemave fetarë islamë ishte përkrah problemeve të popullit të cilit i takonte. Shumë nga ata u bënë pjesëmarrës të qëndresës popullore kundër dhunës e gjenocidit ushtarako-policor, e disa edhe u flijuan në mbrojtje të popullsisë së pambrojtur shqiptare të pafajshme në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Njëri ndër ta ishte edhe mulla Jusuf Baftjari nga fshati Lipovicë i Karadakut të Gjilanit, i njohur si Hoxhë Lipovica, i cili, në luftë për lirinë e atdheut, nuk kurseu asgjë, sakrifikoi pronën e familjen dhe deri në flijim. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Hoxhë Lipovica ishte njëri ndër udhëheqësit e njësive guerilje të rezistencës shqiptare ndër bashkëluftëtarët më të afërm të mulla Idriz Gjilanit dhe njëri ndër komandantët e njësive vullnetare të mbrojtjes së kufirit të Kosovës Lindore. Në radhët e bashkëluftëtarëve të tij, përveç familjarëve të tjerë, ishin përherë edhe djemtë e tij - Selimi e Qazimi dhe vëllai Rifati. Nga të dhënat dokumentare shihet se aktiviteti patriotik i hoxhë Lipovicës dhe familjes së tij, kishte filluar që nga okupimi serb i këtyre trojeve. Ripushtimin serb dhe vendosjen e administratës okupuese në vjeshtën e vitit 1918, shqiptarët kudo e pritën me armë dhe kryengritje të armatosur, duke kërkuar liri dhe bashkim kombëtar. Për shuarjen e kryengritjes dhe çarmatosjen e shqiptarëve, Serbia vendosi pushtetin ushtarak në kosovë dhe ndërmori masa të ashpra terrori e gjenocidi. Një nga familjet shqiptare të Karadakut që kishin pësuar nga ky terror, ishte edhe familja e Hoxhë Lipovicës, ndaj së cilës atëbotë ishte ndërmarrë një operacion ndëshkues policor, në bashkëpunim me disa nga serbët vendës dhe të rrethinës, në të cilin kishin mbetur të vrarë tre anëtarë të kësaj familjeje. Nga anëtarët e rritur të kësaj familjeje, masakrës i kishte shpëtuar rastësisht vetëm Hoxhë Lipovica. Vrasja mizore e më të afërmve dhe keqtrajtimi i së shoqes, kishte bërë që Hoxha të hakmerrej. Lidhur me këtë ngjarje, Hoxhë Lipovica gjatë hetuesisë, para organeve zyrtare të UDB-së së rrethit të Ferizajt, më 10.03 1947, do të deklaronte: “Me ardhjen e ushtrisë serbe e franceze në këto anë (tetor 1918 AS), Cena Stojkoviç nga Lipovica me 4-5 serbë të tjerë dhe me një numër xhandarësh e rrethuan shtëpinë tonë dhe i kapën babën-Baftjarin, vllaun-Hamzën, dhe nipin – Zymerin. Unë shpëtova disi duke u fshehur në mal, por gruan time e keqtrajtuan. Ata i dërguan në drejtim të Kopilaqës dhe te fshati Korbliç i therën. Pas dhjetë ditësh, për t’u hakmarrë, e kam vrarë Cena Stojkoviçin me një tjetër. Për një kohë kam qëndruar i fshehur në mal. Me konsolidimin e Mbretërisë Jugosllave, duke e ditur se ka ligj, jam dorëzuar më 1921, pas tre muaj hetuesie dola para gjyqit dhe jam dënuar me 20 vjet burg. Burgun e mbajta në Zenicë të Bosnjës, dhe më 1932 jam liruar”. Siç mësojmë nga dëshmitë memoriale, gjatë kohës sa ishte në burg, askush nga familja nuk pati mundësi ta vizitonte. Në vizitë një herë i kishte shkuar Feriz Llashtica, deputet dhe pari i Anamoravës, i cili, pas vizitës, e kishte njoftuar familjen e Hoxhës së ai ishte në gjendje tepër të rëndë shëndetësore, se po e mbanin në një qeli burgu, me rrjedhje uji mbi kokë (metodë e rëndë psikike, që përdorej edhe më vonë kundër të burgosurve politikë shqiptarë).
Aktiviteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
Pas okupimit dhe copëtimit të Kosovës midis shteteve fashiste, nga gjysma e majit 1941 pjesa më e madhe e rrethit të Gjilanit iu bashkua Shqipërisë së okupuar nga Italia fashiste, kurse fshatrat matanë Moravës, me viset e Karadakut, mbetën nën administrimin bullgar, dhe aty ishin formuar komunat e Zhegrës, Pasjanit dhe Ranillugut, të cilat hynin në kuadër të rrethit të Kaçanikut. Popullata shqiptare nuk do të pajtohej me okupimin bullgar, kurse popullsia serbe e këtij rrethi në masë të madhe u deklaruan si “Bullgarë të Moravës”, dhe u vunë në shërbim të okupatorit kundër popullatës shqiptare. Kjo bëri që shumë familje shqiptare të këtyre fshatrave, për shkak të zullumit bullgar dhe bashkëpunëtorëve të tyre serbë, ishin detyruar që t’i lëshonin shtëpitë e veta dhe të vendoseshin në fshatrat këndej Moravës. Në mesin e këtyre familjeve ishin edhe ato të lagjes së Hoxhë Lipovicës, të cilat që nga marsi i vitit 1942, ishin vendosur te disa miq në fshatin Capar dhe në fshatin Malishevë, ku kishin qëndruar deri me kapitullimin e Bullgarisë fashiste, më 9 shtator 1944.
Që nga ditët e para të okupimit bullgar, Hoxhë Lipovica formoi njësitin e tij të rezistencës, në kuadër të të cilit, përveç familjarëve të tij, hynin edhe fshatarë të tjerë të vendit e rrethinës, me të cilët do të qëndronte me armë në dorë në mbrojtje të jetës dhe pasurisë së popullatës shqiptare të kësaj ane nga keqpërdoruesit fashistë bullgarë dhe bashkëpunëtorët e tyre serbë. Aktiviteti i tyre pasqyrohej edhe në pengimin e aktivitetit subversiv komunisto-çetnik të serbëve të kësaj ane, dhe në lidhjet e tyre me qendrat në Serbi e Maqedoni. Këtë aktivitet Hoxha me njerëzit e tij e zhvillonte në koordinim me organet e nënprefekturës së Gjilanit. Të zbuluarit në këtë aktivitet, pasi i çarmatosnin, i sillnin të lidhur në burgun e Gjilanit. Mirëpo, siç shihet nga të dhënat dokumentare dhe ato memoriale, disa prej tyre liroheshin shpejt nga burgu dhe i ktheheshin aktivitetit të mëparshëm. disa nga të liruarit ishin bashkëpunëtorë të okupatorit bullgar dhe liroheshin pas intervenimit të organeve okupuese bullgare tek ato italiane në Gjilan, kurse disa të tjerë liroheshin edhe përmes organizatës së PKJ –së në Gjilan dhe në mënyra të tjera. Në vijim po japim disa nga shembujt e tillë. Njëri nga eprorët e njësiteve partizano-çetnike, serb nga Pasjani, në dëshminë e tij gjatë hetuesisë kundër Hoxhës dhe djemve të tij, përveç të tjerash, thotë: “Më 1941, Vukosav Mladenoviç dhe Stojanko nga Velekinca, ishin duke bartur armë nga Pçinji për fshatin Llashticë, dhe gjatë rrugës qenë kapur nga Hoxhë Lipovica dhe njerëzit e tij e pastaj ishin çarmatosur dhe, të lidhur, qenë dërguar në burgun Gjilanit. I kam parë në Uglar, të lidhur, në përcjellje të Hoxhës. Që të dy me intervenimin e majorit bullgar ishin liruar si sllavo-bullgarë”. Ngjashëm flet edhe e veja e Stojan Antiçit nga Llashtica, e cila në dëshminë e saj thotë: “Stojani bartte armë nga Cërna Trava, por më 1941 ishte kapur nga Hoxha dhe njerëzit e tij e ishte dërguar në burgun e Gjilanit, prej nga, me intervenimin e bullgarëve, qe liruar me kusht që t’i ndihmonte bullgarët në likuidimin e Hoxhës. Pikërisht për këtë arsye ishte vrarë më 3 prill 1942, nga njerëzit e Hoxhës.” Në një dëshmi tjetër thuhet se më 1942, dy serbë (kolonistë) nga Llashtica qenë kapur prej njësitit të Hoxhës, me tri pushkë që po i sillnin nga Cërna Trava në Llashticë, dhe ata qenë dorëzuar në burgun e Gjilanit, por pas tetë muajve qenë liruar me intervenimin e komandantit të xhandarmerisë bullgare të komunës së Zhegrës. Edhe nga dëshmi memoriale mësojmë se ndodhte që edhe të zënët rob të liroheshin. Kështu haxhi Muharrem Selmani (1930), nip i Hoxhë Lipovicës rrëfen: “Ishte viti 1943, ishim me shokë duke ruajtur kafshët në livadhet e fshatit Malishevë, kur pamë dajën Hoxhë që po shkonte rrugës në drejtim të Gjilanit. Ai në krah mbante automatikun e tij anglez, kurse përpara kishte dy serbë të lidhur, me pushkët të varura në qafë, të cilët po i çonte në burgun e Gjilanit. Më vonë mësuam se ata ishin liruar pas dy ditësh nga Nënprefekti Rifat Berisha”. Siç dihet, atëbotë Nënprefekti Rifat Berisha bashkëpunonte me organizatën e PKJ-së në Gjilan, kurse të burgosurit ishin aktivistë të kësaj organizate. Si rrjedhojë e bashkëpunimit të serbëve të kësaj ane me okupatorin bullgar në luftë kundër shqiptarëve, ishin konfliktet e armatosura me pasoja tragjike, sikur ishte përleshja e armatosur në fshatin Lipovicë me 20 mars 1943, kur kishin mbetur të vrarë katër serbë. Po pati dhe raste të ngjashme, për të cilat më vonë do të fajësoheshin Hoxhë Lipovica dhe njerëzit e tij, pa marrë parasysh se nga kush ishin kryer vrasjet.
Në mbrojtje të kufirit
Pas kapitullimit të Italisë, më 8 shtator 1943, u krijuan rrethana të reja për aktivitet në drejtim të bashkimit të viseve shqiptare me Shqipërinë londineze. Për këtë qëllim më 16-20 shtator 1943, në Prizren u formua Lidhja e Dytë e Prizrenit, në të cilën do të përfaqësoheshin të gjitha viset, pra edhe ato nën administrimin gjerman dhe bullgar. Në fund të shtatorit 1943, Komiteti i Lidhjes së Dytë të Prizrenit për nënprefekturën e Gjilanit formoi Shtabin e Mbrojtjes Kombëtare të kufirit në anën lindore të Kosovës. Në shtab u emëruan: Mulla Idrizi, komandant i forcave vullnetare, i cili i përgjigjej komandantit të Regjimentit IV kolonel Fuad Dibrës, kurse Mulla Idrizit i përgjigjeshin udhëheqësit e njësiteve vullnetare, nga të cilët edhe Hoxhë Lipovica. Pas kapitullimit të Bullgarisë më 9 shtator 1944, forcat nacionaliste shqiptare ia bashkuan shtetit të Shqipërisë territorin që më parë i takonte zonës okupuese bullgare, ku përfshiheshin edhe pjesët e rrethit të Gjilanit. Kështu kufiri i Kosovës Lindore mbrohej nga forcat vullnetare shqiptare në vijën hekurudhore Kumanovë-Preshevë-Bujanoc. Këto forca ishin kryesisht të rrethit të Gjilanit dhe udhëhiqeshin nga njerëzit me ndikim, si Ibrahim Kelmendi, Xheladin Kurbalia, Limon Staneci, Hoxhë Lipovica, Sylë Hotla etj.. Fronti në këtë vijë qëndroi deri nga gjysma e nëntorit 1944. Forcat vullnetare, duke f illuar nga shtatori e deri nga gjysma e nëntorit, u shkaktuan humbje të konsiderueshme njësiteve çetnike e partizane serbe, maqedonase dhe bullgare, të cilat tentonin të hynin në Kosovë. Edhe nga të dhënat dokumentare të proviniencës gjyqësore për Hoxhë Lipovicën dhe djemtë e tij, shihet se Hoxha ishte njëri ndër komandantët e forcave nacionaliste shqiptare, i angazhuar në mbrojtje të kufirit në Luginën e Preshevës në sektorin Shistajë-Corroticë Raincë. Angazhimi i tij në këtë sektor ishte bërë me kërkesën e Nënprefektit të Gjilanit Hamit Kroj, dhe të ushtruesit të detyrës së Nënprefektit të Preshevës Limon Staneci, me detyrë të komandimit të forcave vullnetare në luftë kundër sulmeve partizano çetnike. Po sipas këtyre të dhënave, shihet se Hoxha kishte gradën e majorit, dhe shtabin e kishte në Corroticë. Ai në këtë vijë të frontit kishte qëndruar mbi dy muaj rresht. Gjatë asaj kohe pati luftime të ashpra me shumë të vrarë e të plagosur. Kështu, në ditën e Bajramit, më 19 shtator 1944, sulmuan forcat partizane dhe hynë në Luginën e Raincës, por pas më shumë se 12 orë luftimesh të ashpra, u thyen nga forcat vullnetare të komanduara nga Hoxhë Lipovica me të tjerë. Ngs luftimet mbetën të vrarë mbi 100 partizano-çetnikë dhe u zu rob një batalion i Brigadës së Dytë të Kosovës prej 206 vetash. Të zënët rob qenë dërguar në burgun e Preshevës dhe më vonë qenë liruar, kurse të vrarët qenë varrosur nga fshatarët e Raincës. Mirëpo, pas depërtimit të forcave partizane, ata qenë detyruar t’i zhvarrosnin 102 kufomat e partizanëve të vrarë. Pas dy muaj qëndrese, më 10-11 nëntor 1944, do të zhvilloheshin luftimet e fundit në mbrojtjen të kufirit të Kosovës Lindore në vijën hekurudhore të Preshevës e Bujanocit, me forca të pabarabarta kundër forcave të mëdha ushtarake partizane serbo-bullgare. Pas kësaj kohe kishin mbetur vetëm një numër vullnetarësh më të vendosur me udhëheqësit e tyre, për të vazhduar rezistencën, në mesin e të cilëve ishte edhe Hoxhë Lipovica, i cili me njësitin e tij kaloi në Hashani për të vazhduar rezistencën, dhe mori pjesë në tubimin e udhëheqësve të njësiteve të rezistencës të Kosovës Lindore me Mulla Idrizin në krye, më 17 nëntor 1944 në Suharne, ku u betuan për vazhdimin e luftës kundër ushtrisë komunisto çetnike. Më 26 nëntor 1944 u mbajt Kuvendi i Krerëve të Karadakut te “Livadhi i Shehut”, mbi Preshevë, nën drejtimin e Ymer Saqës. Në kuvend merrnin pjesë: Mulla Idrizi, Adem Stançiqi, Limon Staneci, Xheladin Kurbalia, Hoxhë Lipovica e të tjerë. Në këtë kuvend u aprovua kërkesa për lidhjen e Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare të Kosovës Lindore me Lëvizjen e Rezistencës Shqiptare në viset e tjera të Kosovës dhe Maqedonisë, drejtuar prej një organi organizativ e luftarak.Shtabi i Zonës IV për Mbrojtjen e Kosovës, i formuar në kuadër të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, me Adem Gllavicën në krye, që kishte për obligim mbrojtjen e zonës Ferizaj-Kaçanik-Gjilan. Në takimin e Tërpezës (Viti), më 1 dhjetor 1944, u vendos të mblidheshin të gjitha forcat nacionaliste shqiptare, për të çliruar dhe shpëtuar Ferizajn e Gjilanin nga masakrat e komunistëve dhe çetnikëve sllavë. Pas këtij takimi, me qëllim që të merreshin hapa të shpejtë mbrojtës të kufirit të Kosovës Lindore nga sulmet partizano çetnike, më 17 dhjetor 1944, në Zarbincë u themelua Shtabi Drejtues i Rezistencës Shqiptare për Kosovën Lindore me Mulla Idrizin komandant, Muharrem Fejzën sekretar, Syl Zarbincën zëvendëskomandant, kurse anëtarë të shtabit ishin emëruar të gjithë komandantët e njësive të rezistencës, nga viset e Gallapit e të Karadakut, si Xheladin Kurbalia, Mulla Jusufi - Hoxhë Lipovica, Ymer Saqa-Myqybaba, Sylë Hotla, Qazim Zekbasha i Depcës, Lot Vaka, Ajet Raica, Faik Taliri, Ajet Kosovica etj..Pas thyerjes së forcave maqedonase në viset e Gallapit më 19 dhjetor 1944, Hoxhë Lipovica mori urdhër nga Mulla Idrizi që me njësitin e tij të kalonte në drejtim të Malësisë së Bujanocit e të Preshevës, për t’ua ruajtur kurrizin njësiteve të rezistencës nga ajo anë.
Lufta e Myqybabës
Më 30 nëntor 1944 u zhvilluan luftime midis forcave vullnetare dhe atyre partizano-çetnike në vijën e frontit Myqybabë-gryka e Lloposhnicës, e cila njihet si Lufta e Myqybabës. Organizatorë të luftës ishin Ymer Saqa i Myqybabës dhe Hoxhë Lipovica. Pasi nuk iu dha leje kalimi nga Gjilani për Preshevë, një brigadë partizane serbe, e shoqëruar prej njësisë paramilitare serbe të Pasjanit dhe fshatrave të tjera, patën sulmuar para agimit të 30 nëntorit. Pasi strehuan gratë e fëmijët, forcat vullnetare shqiptare bënë rezistencë për disa orë, por, të ndodhur para forcave që sa vente e shtoheshin, forcat vullnetare në tërheqje vazhduan rezistencën në grykën e Llapushnicës dhe në disa fshatra të tjera të Karadakut. Në këtë luftë pati të vrarë e të plagosur nga të dy anët, në mesin e të cilëve edhe Ymer Saqa dhe vëllai i Hoxhë Lipovicës Rifati, kurse qe plagosur i biri i Hoxhës, Selimi. Rifati (45), i plagosur, vdiq pas dy javësh në grykën e Lapushnicës dhe u varros në shpatet e Llocës, ku ndodhet edhe sot varri i tij. Serbët, nga mllefi për humbjet e tyre në këto luftëra, u vunë zjarrin 73 shtëpive, stallave e plevicave në fshatin Myqybabë dhe shumë shtëpive në fshatra të tjera të Karadakut, ndër të cilat ishin edhe shtëpitë e lagjes së Hoxhë Lipovicës. Bashkëkohësit kujtojnë se zjarri i shtëpive shqiptare ato ditë shihej edhe nga Gjilani dhe dukej sikur po digjej flakë i tërë karadaku.
Aktiviteti në arrati
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe riokupimit sllavo-komunist të viseve shqiptare, siç dihet, një pjesë e personaliteteve ushtarake e politike nacionaliste të Kosovës, nuk do të largoheshin nga vendi, por do t’i qëndronin besnikë Programit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Në mesin e tyre ishte edhe Hoxhë Lipovica, i cili, së bashku me djemtë - Selimin e Qazimin dhe me disa nga bashkëluftëtarët, për një kohë do të qëndronin të fshehur në malet e Karadakut, në strehimoret bunkerët e tyre dhe ndër miq e bashkëpunëtorë. Strehimoret e tyre (që ishin pesë) ndodheshin në mal në mes fshatrave Lipovicë e Pogragjë afër lumit të Llapushnikut, në largësi rreth 10-15 minuta rrugë nga njëri-tjetri. Pas dorëzimit të tyre, më 20 shkurt 1947, për të mos i rënduar strehuesit dhe furnizuesit me ushqim, që të tre në hetuesi do të deklaronin se gjatë gjithë kohës ishin strehuar në bunkerët e tyre, kurse me ushqim ishin furnizuar nga familja dhe nga mulliri ku merrnin miell dhe e gatuanin bukën.
Në fakt bunkerët u shërbenin më tepër për t’u strehuar gjatë operacioneve të ndërmarra kundër tyre nga ana e ushtrisë dhe milicisë popullore dhe pas konflikteve të armatosura, operacione në të cilat, sipas të dhënave të OZN-ës, nuk kishte pasur të vrarë. Në bazë të deklarimit të tyre, dimrin e vitit 1944/45, Hoxha me djalin Selimin e kishin kaluar në strehimoren te “Uji i Bardhë”, kurse pas dezertimit nga APJ, atyre u ishin bashkuar edhe tre të tjerë, djali tjetër Qazimi nga muaji shkurt, Saqip Mehmeti nga muaji prill dhe Zymber Ajvazi nga muaji gusht i vitit 1945. Këta të rinj, ashtu si shumë të rinj të tjerë shqiptarë, për të shpëtuar nga likuidime pa gjyq, me propozimin e Hoxhës, qenë inkuadruar në brigadat e UNÇ-së, por ata, më vonë, duke parë se disa të rinj shqiptarë, pa asnjë faj nxirreshin nga rreshti dhe pushkatoheshin, sikur kishte ndodhur me nipin e hoxhës, jasharin, kishin vendosur të dezertonin. Qazimi, i pyetur në hetuesi për shkaqet e dezertimit nga APJ, do të deklaronte: “Kur e pashë se Jasharin e nxorën nga rreshti dhe e pushkatuan pa faj, u frikësova dhe vendosa për të ikur”. Edhe në dokumentet e UDB-së- së rrethit të Gjilanit, dorëzuar Gjykatës së Qarkut të Gjilanit, flitet për lidhjet e rregullta bashkëpunimi të grupit të Hoxhë Lipovicës me grupet e tjera në arrati, si me ato të karadakut ashtu edhe me ato në vise të tjera, si me grupin e Ali Stanecit, Hetë Kokës, Hasan Ali Remnikut, Hajdar Malishevës dhe me grupe të tjera. Për bashkëpunimin me Hetë kokën, hoxha do të pranonte edhe në hetuesi, duke thënë se me Hetë Kokën dhe vëllanë e tij, Muharremin, jam takuar më 1946. Po në këto të dhëna bëhet fjalë për pjesëmarrjen e Hoxhës dhe të përfaqësuesve të grupeve të tjera të Karadakut në Kongresin e Kopilaçës më 15 e 16 gusht 1945, të organizuar nga KQ i NDSH-së për Kosovë e Maqedoni dhe Shtabit Suprem të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare anti-jugosllave. Krerët e ilegales shqiptare dhe përfaqësuesit e NDSH-së i kishte ftuar Adem Gllavica, si komandant i Shtabit Suprem të Kosovës,. Tubimi u mbajt në Kopilaçë më 15-16 gusht 1945, dhe në të, përveç delegatëve të NDSH-së, nga përfaqësuesit e Rezistencës Shqiptare, krahas Adem Gllavicës, Hysen Tërpezës, Luan Gashit, Ibrahim Kelmendit e të tjerëve, të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e grupeve të rezistencës nga viset e Karadakut të Gjilanit: Hoxhë Lipovica, Ali Staneci, Qazim Zekbasha, Hasan Ali-Remniku, Hajdar Malisheva e të tjerë. Në tetor 1945, Rezistencës shqiptare i arriti shkresa në emër të Muharrem Bajraktarit dhe Mithat Frashërit, që të kalohej në Greqi. Ndaj kësaj kërkese reagoi Mulla Idrizi, i cili i lajmëroi njësitë e rezistencës që të mos lëshohej Kosova, po të luftohej për të. Urdhrit të Mulla Idrizit do t’i qëndronte besnik edhe Hoxhë Lipovica me grupin e tij. Në fund të vitit 1946, pushteti jugosllav mori një aksion me të gjitha forcat kundër forcave të Rezistencës Shqiptare në tërë Kosovën dhe, në fund, prej 1735 luftëtarëve shqiptarë të shpërndarë në 55 grupe guerilje, pas marsit 1947, në arrati do të ngelnin vetëm 36 persona.
Dorëzimi
Pas shumë operacioneve të pasuksesshme për të kapur apo likuiduar Hoxhë Lipovicën dhe grupin e tij, OZN-a përdori dredhinë. Shefi i OZN së, malazezi Vojo Vojvodiç, i kishte dhënë besën Hoxhës se, nëse dorëzohej, kishte për t’u dënuar me burg sipas Ligjit mbi amnistinë, por jo me vrasje. Torturat e OZN-ës ndaj familjes dhe miqve, zbulimi i jatakëve etj., nuk mundi t’i përballonte më tutje, edhe Hoxhë Lipovica, duke i parë të gjitha mundësitë për të vazhduar rezistencën, të mbyllura, pas më shumë se dy vjet qëndrimi në ilegalitet, më 20 shkurt 1947, u dorëzua me të dy djemtë - Selimin dhe Qazimin, në Uglar. Po atë ditë ishte dorëzuar edhe anëtari i katërt i këtij grupi, kurse i pesti ishte dorëzuar në dhjetor të vitit 1946. “Kam qenë i pranishëm kur e sollën në Pogragjë”, - vërteton ish-veprimtari i kohës, Daut Xhelili i Pogragjës. “Nuk e dorëzonte automatikun dhe ia puthte kondakun”. Vujo Vojvodiçit, shef i OZN-ës, i tha : “T’u kam dorëzuar, sepse je malazias dhe duhet ta kish besën e shqiptarit, se përndryshe Ushtria e Kuqe nuk do të më kishte kapur të gjallë”. Në të dhënat e botuara nga njerëzit e OZN-ës, përveç të tjerash, thuhet: “Në periudhën janar-mars 1947, në Gjilan janë dorëzuar: Hoxhë Lipovica dhe Hetë Koka me 9 veta; Shaban Smira me 6 veta; në Kamenicë Ajet Kosovica me 3 veta. Po ashtu janë dorëzuar Jusuf Ibrahim Gjilani dhe Raif Halimi nga Cërnica, komandanti dhe komisari i batalionit të Rinisë të Brigadës së parë të Kosovës, të cilët në Drenicë dezertuan me tërë batalionin dhe dolën në anën e “kryengritësve”.
Ekzekutimi
Nga lënda me dokumentet e kompletuara të Proviniencës gjyqësore për të akuzuarit - Hoxhë Lipovicën dhe djemtë e tij, Selimin e Qazimin, me shifrën K. 37/48, që ruhen në AK, në f. GJQGJ, P., shihet se deri më datën 17 .07.1948, Hoxhë Lipovica (Jusuf Baftjari), ndodhej në burgun e OZN-ës të Gjilanit, kurse për kohën dhe vendin e ekzekutimit mungojnë të dhënat. Nga të dhënat memoriale për kohën e ekzekutimit, mësojmë se një serb me emrin Zarije-tregtar nga Gjilani, i cili ato ditë ndodhej në burgun e OZN-ës të Gjilanit, kishte deklaruar: “Pas dënimit të Hoxhës me pushkatim, kur një ditë erdhi në oborrin e burgut Vuja- shef i OZN-ës, Hoxha, posa e pa nga dritarja, iu drejtua: “Ku mbeti besa jote e malaziasit?...”. Vuja, vetëm kishte ulur kokën dhe kishte shkuar”. Sikur e thamë më parë, në bazë të premtimit të tij, ishin dorëzuar Hoxha me djemtë. Natën e fundit, para se të dërgohej në pushkatim, Hoxhë Lipovica tërë kohën kishte lexuar Kuran dhe, në fund, kishte falur dy rekate namaz. I njëjti serb kishte shtuar: “As para pushkatimit, Hoxha nuk epej dhe as që frikësohej fare. Gjatë përshëndetjes me djemtë, i porositi të mos mërziteshin, sepse: Zoti jep shpirt dhe Ai merr, kemi luftuar për vatan e fe, për atë edhe duhet të vdesim”! Sipas të moshuarve dhe bindjes së tyre, Hoxhë Lipovica është pushkatuar dhe varrosur diku te Gllama, në veri të qytetit të Gjilanit.
Mr. Aliriza Selmani
Dituria Islame 254