Feja islame është mesazhi hyjnor që, në thelb, e cilëson dhe i jep vlerë e kuptim jetës së njeriut. Njeriu si krijesa e Allahut xh.sh., e ka mision ngritjen e avancimin e së drejtës dhe vendosjen e paqes dhe harmonisë në mes njerëzve kudo qofshin ata dhe çfarëdo race, ngjyre, etnie apo feje qofshin.
Marrja e jetës së tjetrit nuk përkon kurrsesi me mësimet dhe mesazhet e Islamit. “Kush mbyt një besimtar me qëllim, dënimi i tij është Xhehenemi (ferri, zjarri), në të cilin do të jetë përgjithmonë. Allahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar atë dhe i ka përgatitur dënim të madh”. (En-Nisaë,93).
Vrasja konsiderohet absolutisht si një krim i kryer kundër gjithë njerëzimit:
“… kush mbyt një njeri pa mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pasë bërë ai ndonjë shkatërrim në Tokë, atëherë është sikur t’i kishte mbytur të gjithë njerëzit”. (El Maide,32).
Kurse në një vend tjetër Allahu xh.sh. urdhëron e thotë: “Dhe mos e mbytni njeriun që e ka ndaluar Allahu, përveçse me drejtësi. E kush mbytet pa të drejtë, kujdestarit të tij Ne i kemi dhënë të drejtë (të kërkojë drejtësinë) e ai të mos e kalojë kufirin në mbytje përderisa ai është i ndihmuar”. (El Isra,33).
Qenësore për njeriun është të dijë qëllimin e krijimit në këtë botë të krijuar. Myslimani jeton për qëllime dhe objektiva të qartë e të lartë. Karakteristikë e njerëzve të suksesshëm dhe popujve të përparuar është hartimi i strategjive të qarta në programet e tyre, qofshin individuale apo kolektive, po dhe shtetërore. “A menduat se Ne ju krijuam kot dhe se nuk do të ktheheni te Ne”? (El Mu’minun,115).
Në praktikën islame krimet nuk mbesin pa u ndëshkuar dhe kriminelët e keqbërësit do të vuajnë dënimin e veprës së tyre: “O ju që besuat, ju është bërë obligim gjurmimi për dënim për mbytje: i liri për të lirin, robi për robin, femra për femrën. Kurse atij që i falet diçka nga vëllai i vet, atëherë ajo le të përcillet (e atij që e fal) kuptueshëm dhe shpagimi (nga dorasi) atij le t’i bëhet me të mirë. Ky është një lehtësim dhe mëshirë prej Zotit tuaj. E kush e tejkalon pas këtij (pajtimi), ai ka një dënim të idhët. O ju të zotët e mendjes, kjo masë e dënimit është jetë për ju, në mënyrë që të ruheni (nga mbytja e njëri-tjetrit)”. (El Bekare,178-179)
Në kriminalitet ndikojnë një mori faktorësh, të cilët janë të ndërlidhur në mes tyre dhe ndikojnë në njëri-tjetrin. Në këtë vazhdë, edhe mjetet e komunikimit masiv - mediet, kanë një rol të rëndësishëm si në procesin e formimit të personalitetit, sepse individin mund ta orientojnë në drejtim pozitiv-në drejtimin e parandalimit të kriminalitetit, ose në drejtim negativ - në drejtim të nxitjes/shtytjes për sjellje delikuente dhe kriminale. Po ashtu frymëzim mund të jetë dhe mjeti me të cilin kryhen një varg veprash penale. Mjetet e komunikimit masiv, luajnë rol të madh në informimin dhe formimin e opinionit publik lidhur me jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore, shkencore, fetare etj..
Më tutje, mjetet e komunikimit masiv kanë ndikim edhe në zhvillimin dhe formimin e personalitetit të njeriut. Mirëpo, në këtë aspekt ndikojnë edhe një varg faktorësh të tjerë subjektiv e objektiv dhe në ndërlidhje me faktorë të tjerë. Rreth kësaj çështjeje ka shumë hadithe, disa prej të cilave janë: “Vrasja e një myslimani padrejtësisht është po aq e rëndë sa shfarosja e mbarë botës”.
“Nëse të gjithë banorët e Qiejve dhe të Tokës do të bashkoheshin për të vrarë një mysliman, Allahu do t’i hidhte që të gjithë me fytyrë në zjarr duke i poshtëruar dhe përbuzur”.
“Nuk ka dyshim se gjaku dhe pronat tuaja janë të paprekshme”.
I Dërguari a.s., në një hadith tjetër na paralajmëron shumë qartë se marrja e jetës së tjetrit llogaritet prej “shtatë gjërave shkatërruese”.
I Dërguari a.s. e sqaroi këtë çështje me këto fjalë:
“Kushdo që vritet, qoftë edhe padrejtësisht, trashëgimtarët e tij kanë mundësi të zgjedhin njërin nga tri opsionet e mëposhtme: ekzekutimin, faljen ose kompensimin. Nëse zgjedh një alternativë të katërt, pengojeni atë.”
Dituria Islame 271