Alban ef. Xhemajli ka lindur më 08.01.1980 në fshatin Rracaj të komunës së Gjakovës nga babai Zenuni dhe nëna Eminja. Shkollën fillore “Mark Zefë Perkoviq” e ka mbaruar në Sheremet, kurse në vitin shkollor 1997/1998 është regjistruar në medresenë e mesme “Alauddin” -paralelja e Prizrenit dhe ka kryer vitin e tretë. Albani i përkiste gjeneratës së pestë të kësaj paraleleje.
Gjatë bombardimeve të NATO-s, forcat serbe, përveç që vranë një numër të madh shqiptarësh, shumë prej tyre i deportuan për Maqedoni dhe Shqipëri.
Nga kolonat e gjata të depërtimit, pothuaj gjithnjë forcat paramilitare e militare serbe nxirrnin të rinj e burra, të cilët i vrisnin e i masakronin.
Po kështu vepruan edhe më 27. Prill 1999 dhe, në mesin e atyre që i nxorrën nga kolona e të dëbuarve ne fshatin Mejë afër Gjakovës, qe edhe Alban Xhemajli.
Aty ndodhi një nga tmerret e papara: u masakruan një numër i madh i banorëve të këtyre anëve. Në mesin e tyre qe vrarë edhe Albani.
Trupi i shehidit është gjetur pas dy vjetësh, saktësisht më 1. Gusht 2001, në varrezat masive në Batajnicë të Beogradit, dhe është konstatuar se ishte vrarë mizorisht me armë zjarri në fytyrë.
U varros në varrezat e fshatit të lindjes ditën e xhuma, më 13. Qershor 20087.
Nga forcat serbe Albanit i janë vrarë edhe tre vëllëzër tjerë, të gjithë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.