I. Përkufizimi i Ulum el-Kur’an
Dituria e Ulum el-Kur’an, ose “Shkenca e Kur’anit” merret me njohuritë e atyre dijeve, të cilat kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me recitimin, historinë, të kuptuarit dhe të zbatuarit e Kur’anit. Kjo është, si pasojë, një fushë e diturisë islame, me rëndësi themelore. Kështu, për shembull, për sa i përket recitimit, Ulum al-Kur’an merret me shkencën e shqiptimit (texhvidit), me metodologjitë e ndryshme të recitimit të Kur’anit (kira’at), të mirat e recitimit të Kur’anit, dhe rregullat e recitimit të tij. Për sa i përket historisë së Kur’anit, Ulum al-Kur’an merret me periudhat e shpalljes së Kur’anit, me përmbledhjen dhe botimin e Kur’anit, me artin dhe historinë e shkrimit të tekstit të Kur’anit (rasm al-masahif), dhe me ruajtjen e Kur’anit. Për sa i përket të kuptuarit dhe zbatimit të tij Ulum al-Kur’an përfshin shkaqet e shpalljes (asbab an-nuzul), njohurinë e shpalljeve mekase dhe medinase, njohurinë e formave të ndryshme (ahruf) në të cilat është shpallur, të kuptuarit e rregullave dhe ajeteve të tij të shfuqizuara (nasih ve al-mansuh), njohurinë e klasifikimeve të ndryshme të ajeteve të tij (muhkam dhe muteshabih, ‘am dhe khas, mutlak dhe mukjad, etj.), njohurinë e interpretimit të tij (tefsir), analizën gramatikore të Kur’anit (irab al-Kur’an) dhe me njohurinë e atyre fjalëve përdorimi i të cilave është bërë i rrallë gjatë kohës (garib al-Kur’an). Është thënë se njohuria e Ulum al-Kur’an-it është në të vërtetë njohuria që kërkohet të dijë dikush për ta interpretuar Kur’anin si duhet. Prandaj, nëse këtë fushë të diturisë islame do ta quajmë “Rregullat dhe Metodologjia e Interpretimit” (Ilm Usul at-Tafsir) në vend të Ulum al Kur’an, nuk do të kishte shumë dallim nga e vërteta. Megjithatë, Ulum al-Kur’an gjithashtu përfshin tema që kanë shumë pak lidhje ose s’kanë lidhje aspak me të tefsir-it, si përmbledhja e Kur’anit, dhe përmirësimi i shkrimit të Kur’anit. Prandaj, njohuria e Ulum al-Kur’an it është më e përgjithshme se Ilm Usul al-Tafsir.
II. Dobitë e studimit të Ulum el-Kur’an
Së pari, ajo i mundëson lexuesit që të marrë pasurinë e diturisë dhe mprehtësisë që gjendet në lidhje me Librin e Allahut. Sikurse kanë thënë disa nga dijetarët e kaluar, “Dituria e vërtetë është që të njihet injoranca e dikujt.” Vetëm kur një njeri e zbaton atë që ai nuk e di atëherë do ta vlerësojë se sa pak di. Së dyti, ai i mundëson nxënësit të diturisë që ta kuptojë më mirë Kur’anin, dhe aspektet e ndryshme që e ndihmojnë të kuptuarit e tij. Kur ai i lexon librat e tefsir-it, ai do të jetë i aftë që të kuptojë termat e përdorura, dhe do të përfitojë nga njohuria në to në një hapësirë më të madhe. Me fjalë të tjera, ai do të pajiset me një rritje më të madhe të diturisë së tij dhe të mësojë rreth fesë së tij. Së treti, ajo rrit besimin e njeriut (imanin), sepse ai do të zbatojë bukurinë e Kur’anit dhe të mirat e mëdha që i janë dhënë atij përmes shpalljes së tij. Ai nuk do të mashtrohet nga pohimet e gabuara të armiqve të tij, dhe zemra e tij do të jetë e qetë për sa i përket vërtetësisë së Kur’anit. Ai do ta kuptojë natyrën e mrekullueshme të Kur’anit, dhe kështu do ta dojë më fortë Librin e famshëm që i është dhënë njerëzimit. Së katërti, ai do të jetë i aftë që ta mbrojë Kur’anin kundër armiqve të tij, meqenëse ai do të pajiset me diturinë e vërtetë dhe origjinale të Kur’anit, e pastër nga paragjykimet e kundërshtarëve të tij.Nuk është e tepërt të thuhet se, kur një njeri mëson themelet e fesë së tij dhe çfarë kërkohet që ai të dijë, dituria e parë që ai do ta kthejë vëmendjen e tij është dituria e Kur’anit dhe shkencave të tij. Siç thotë Allahu në Kur’an, “(Ky është një) Libër që ua zbritëm juve, plot me të mira, që ata të mendojnë për ajetet e tij, dhe që njeriu i arsyeshëm ta mbajë në mend.” (Kur’ani, 38:29)
III. Historia e Ulum el-Kur’an
Njësoj si të gjitha shkencat e Kur’anit, dhe dituria e Ulum el-Kur’an filloi me vetë Profetin Muhamed a.s., kur shokët Muhamedit a.s.,kërkonin të dinin rreth ndonjë koncepti që ata nuk e kuptonin në Kur’an. Për shembull, në lidhje me ajetin, “Ata të cilët besuan dhe nuk e përzien besimin e tyre me padrejtësi, vetëm ata do të jenë të sigurt, dhe ata janë të udhëzuar.” (Kur’ani, 6:82).Ata e pyetën, “O i Dërguari i Allahut! Kush është ai prej nesh që nuk bën padrejtësi (shpirtit të tij)?” Ata kishin menduar se ky ajet i drejtohet atyre besimtarëve të cilët nuk bëjnë asnjë padrejtësi, ose gjynah. Profeti Muhamed a.s. u përgjigj se padrejtësia që përmendet në këtë ajet është shirk-u ose shoqërimi i ortakëve me Allahun. I tillë ishte entuziazmi i Shokëve të Profetit në kërkimin e kësaj diturie që ata ishin të aftë jo vetëm që të shpjegonin çdo ajet në Kur’an, por gjithashtu jepnin historinë e tij dhe shkakun e shpalljes së tij. Ibn Mes’udi ka thënë, “Betohem në Allahun, përveç të cilit nuk ka zot tjetër, nuk ka asnjë sure në Kur’an të cilin unë nuk e di se ku është shpallur! Dhe nuk ka asnjë ajet në Kur’an që unë nuk e di arsyen e shpalljes së tij! Nëse kishte dikush njohuri më shumë sesa unë rreth Kur’anit, dhe ishte e mundur për mua që ta takoja atë, unë isha gati të shkoja (me devenë time) drejt tij (që të merrja dituri prej tij). ” Ali ibn Ebu Talibi u thoshte studentëve të tij, “Më pyesni! Unë betohem në Allahun, nuk ka asgjë për se ju do të më pyesni, që junë të mos ju përgjigjem juve. Më pyesni në lidhje me Librin e Allahut! Unë betohem në Allahun, nuk ka asnjë ajet të vetëm në Kur’an, të cilin unë nuk e di nëse është shpallur natën apo ditën, në mal apo në fushë!”Shumë prej Shokëve të Profetit ishin shumë të famshëm për njohuritë e tyre nga Kur’ani, ku në mesin e tyre ishin katër Hulefa er-Rashidun, Abdullah ibn Mes’udi (vdekur në vitin 32 h), Abdullah ibn Abbasi (vdekur në vitin 68 h.), Ubej ibn Ka’ab (vdekur në vitin 32 h.), Zejd ibn Thabit (vdekur në vitin 45 h), Ebu Musa el-Ashari (vdekur në vitin 50 h), Abdullah ibn Zubejri (vdekur në vitin 73 h), dhe Aisheja (vdekur në vitin 57 h).Gjenerata që erdhi pas Shokëve të Profetit, Pasuesit, studiuan me padurim nën kujdestarinë e Shokëve të Profetit. Këta studentë morën përsipër përgjegjësitë e paraardhësve të tyre, dhe e kaluan këtë dituri me besnikëri te brezi i ardhshëm. Studentët e Ibn Abbasit, Seid ibn Xhubejri (vdekur në vitin 95 h), Muxhahid ibn Xhabr (vdekur në vitin 100 h), Ikrimeh el-Berberi (vdekur në vitin 104 h), Tavus ibn Kajsan (vdekur në vitin 106 h) dhe ‘Ata ibn Rabah (vdekur në vitin 114 h), që të gjithë ishin të famshëm në Mekë; studentët e Ubej ibn Kab, Zejd ibn Eslem (vdekur në vitin 63 h), Ebu al-Alijah (vdekur në vitin 90 h) dhe Muhamed ibn Ka’ab (vdekur në vitin 120 h), ishin mësuesit e Medinës; dhe në Irak, Abdullah ibn Mas’udi trashëgiminë e tij të madhe ia la Alkameh ibn Kajsit (vdekur në vitin 60 h), Masruk ibn al-Ajda (vdekur në vitin 63 h), al-Hasan al-Basri (vdekur në vitin 110 h), dhe Katade al-Sadusi (vdekur në vitin 110 h). Këto tre vende, Mekë, Medine dhe Kufa, ishin qendrat kryesore të të gjitha shkencave të Islamit, duke përfshirë tefsir-in dhe Ulum el-Kur’an. Pra njohuria e Kur’anit u pasua.. . “nga të besuarit (dijetarët) e ummetit, të cilët e mbrojtën atë nga ndryshimet e heretikëve, nga pretendimet e pavërteta të gënjeshtarëve, dhe nga interpretimet e gabuara të injorantëve.” Dijetarët e hershëm nuk kanë shkruar mbi Ulum el-Kur’an në përgjithësi, por më shumë kanë shkruar disa pamflete të ndara mbi çdo shkencë të Kur’anit. Kjo për shkak të faktit se, gjatë periudhave të hershme të historisë islame, transmetimi gojor i diturisë zinte një status më të rëndësishëm sesa transmetimi i shkruar. Veç kësaj, niveli i përgjithshëm i diturisë ishte i lartë, dhe nuk e siguronte shkrimin e gjerë të shkruar të diturisë.
Tema kryesore, tefsiri
Tema kryesore dhe më e rëndësishme për të shkruar ishte tefsiri. Për shembull, secili nga dijetarët pasues shkroi një tefsir të Kur’anit, të përbërë nga thënie të Profetit Muhamed a.s, dhe nga Shokët e tij: Sufjan eth-Theuri (vdekur në vitin 161 h), Sufjan ibn Ujejnah (vdekur në vitin 198 h), Vaki ibn el-Xherah (vdekur në vitin 197 h) dhe Shu’bah ibn al-Haxhaxh (vdekur në vitin 160 hixhri).Duke ndjekur hapat e pararendësve të tij, Muhamed ibn Xharir at-Taberi (vdekur në vitin 310 h) shkroi veprën madhështore Xhami el-Bejan in Ta’vil el Kur’an, një tefsir nga i cili kanë përfituar të gjithë dijetarët e mëvonshëm. Tefsire të tjera të hershme janë shkruar nga Ebu Bekr ibn Mundhir an-Najsaburi (vdekur në vitin 318 h), Ibn Ebi Hatim (vdekur në vitin 328 h), Ibn Hibani (vdekur në vitin 369 h), al-Hakimi (vdekur në vitin 405 h) dhe Ibn Mardavajh (vdekur në vitin 410 h). Të gjithë këta tefsirë janë bazuar në transmetimet e Profetit Muhamed a.s.,dhe te Shokët dhe Pasardhësit e Profetit Muhamed a.s., duke përfshirë dhe zinxhirët e transmetimit (isnad) të transmetuesve.Pas librave të tefsir-it pasuan një bollëk librash në shkencat e tjera të Kur’anit: Ali al-Medeni (vdekur në vitin 234 h), mësuesi i Imam el-Buhari, shkroi një libër mbi Es’bab en-Nuzul; Ebu Ubejd al-Kasim ibn Salam (vdekur në vitin 224 h) shkroi dy libra, një në shkencën e Kira’etit (që ishte një nga të parët e llojit të vet), dhe një mbi shfuqizimin në Kur’an, Nasih ve Mensuh; Ibn Kutejba (vdekur në vitin 276 h) shkroi një libër mbi fjalët e rralla në Kur’an, Mushkil el-Kur’an; Abu Is’hak az-Zaxhaxh (vdekur në vitin 311 hixhri) shkroi një analizë gramatikore të Kur’anit, Irab el-Kur’an; Ibn Darstavajh (vdekur në vitin 330 h) përgatiti një pamflet mbi natyrën e mrekullueshme të Kur’anit, I’xhaz el Kur’an; Ebu Bekr es-Sixhistani (vdekur në vitin 330 h) shkroi një libër tjetër mbi fjalët e rralla në Kur’an, Garib el-Kur’an; Ebu Bekr al-Bakilani (vdekur në vitin 403 h) shkroi traktatin e tij të famshëm, gjithashtu të lidhur me natyrën e mrekullueshme të Kur’anit, I’xhaz el-Kur’an; Imam En-Nasi’i (vdekur në vitin 303 hi), autori i Sunen it, shkroi një libër mbi vlerat e Kur’anit, Fada’il el-Kur’an; Ebu al-Hasan al-Vahidi (vdekur në vitin 468 h) shkroi librin e tij të famshëm mbi Es’bab en-Nuzul; Ilm ad-Din as-Sahavi (vdekur në vitin 634 h) shkroi një libër mbi kira’et-et e ndryshme, etj.
Abu Ammar Jasir al-Kadhi
Përktheu nga gjuha angleze: Ermal Bega
Dituria Islame 239