Të Dashurit e Allahut - të devotshmit

 


Ta keni të ditur se të dashurit e Allahut (evliatë) nuk do të kenë frikë (në botën tjetër) dhe as kurrfarë brengosjeje. (Të tillët janë) ata që besojnë dhe - që I frikësohen Allahut. Atyre u jepet myzhde (lajm i mirë) në këtë jetë dhe në jetën tjetër (për Xhenet). Premtimet e Allahut nuk mund të pësojnë ndryshim. Kjo është fitorja madhështore. (Junus, 62-64)


Allahu xh.sh. ka garantuar ardhmëri të sigurt për të dashurit e Tij


Ky ajet ka ardhur pasi Allahu xh.sh., në mënyrë të përgjithësuar, ka theksuar zotimin dhe premtimin e Tij për shpërblimin e atyre që pasojnë ligjin e Tij, dhe ndëshkim për ata që kundërshtojnë, duke vijuar me sqarimin rreth besimtarëve të devotshëm, të cilët janë të dashur të allahut. kështu, në këtë ajet shprehet qartazi premtimi dhe myzhdeja e Allahut të Madhërishëm për të dashurit e Tij, për përkushtimin dhe devotshmërinë e tyre, pasi dëshmoi më herët se allahu xh.sh. është mbikëqyrës dhe mbrojtës i Pejgamberit a.s. dhe besimtarëve në çdo çështje. Ai dëshmoi për Vetveten, se është Absolut në dijen e Tij ndaj çdo gjëje, duke kërcënuar, në anën tjetër, përgënjështruesit për ndëshkimin në Ditën e Kiametit.
Shprehja e theksuar në origjinal “ta keni të ditur” është që u tërheq vëmendjen atyre që u drejtohet, që të jenë të vëmendshëm dhe të përqendruar në fjalët vijuese, me se tregohet rëndësia e kësaj çështje që sqaron ajeti. D.m.th. është filluar kjo fjali me shprehjen që tërheq vëmendjen dhe vërteton çështjen në fjalë, për të konfirmuar fuqishëm përmbajtjen dhe domethënien e këtij ajeti.(1)


Të dashurit e Allahut nuk kanë frikë dhe as brengosje


Ata gjithashtu nuk do të kenë absolutisht kurrfarë brengosjeje, ngase nuk do t’i godasë asnjëherë ndonjë e ligë, dhe as do të kenë brengosje për ndërprerjen e shpërblimit, dhe as që do ta kenë në mendje një gjë të tillë, sepse e tëra është garantuar në bazë të premtimit të allahut fuqiplotë, i cili zbatohet nga ana e Tij absolutisht. Të dashurit e Allahut nuk kanë frikë e as brengosje, as në këtë botë, sikurse kanë frikë pabesimtarët ose mëkatarët me besim të dobët, nga ajo që mund t’i godasë, prandaj lidhur me këtë, Krijuesi thotë: “Ju mos iu frikësoni atyre, por frikësohuni prej Meje, nëse jeni besimtarë”.(2)
Pra, frika vjen nga ndonjë ngjarje parashikuese për të ardhmen, ndërsa brengosja dhe dëshpërimi ndodhin për ndonjë gjë që ka kaluar, dhe në këtë rast dëshpërimi për të kaluarën është i kotë, ngase koha nuk kthehet. Prandaj të dashurit e Allahut – të devotshmit nuk kanë frikë asnjëherë, sepse ata kuptojnë gjithnjë urtësitë dhe caktimin e Krijuesit.
Përderisa ky ajet ka ardhur pas ajetit që konfirmon se Dija e Fuqiplotit përfshin çdo gjë, e edhe të fshehtën (gajbin), atëherë sikur Allahu xh.sh. dëshiron të na bëjë me dije se Ai dikujt nga krijesat e Tij i jep dituri më të dalluar, prandaj tërë merita I takon Krijuesit. Ai që bën një zbulim, nuk lejohet t’ia atribuojë atë vetes së tij, ngase e tëra është dhuratë nga Ai që di të fshehtën në gjithësi dhe s’mund t’i ikë asgjë.
Mbështetur në këto, nuk thuhet: Kur zbuloi filani diçka, e diti të fshehtën, ngase është I dashur i Allahut (evlia), por duhet të themi: “Filanit i është dhënë - dhuruar ai zbulim (dija)”, kështu, sepse ka të fshehta që vetëm njerëzit nuk i dinë, por dikush tjetër i di, dhe kjo nënkupton se këto të fshehta nuk janë absolute, si: p.sh., njeriu të cilit i është vjedhur diçka, ai nuk e di ku gjenden gjësendet që i janë vjedhur, mirëpo vjedhësi dhe ata që e kanë ndihmuar, e dinë mire vendin; këtë e dinë edhe krijesat e tjera nga xhindet, dhe prej kësaj kuptojmë se kjo fshehtësi nuk mund të quhet absolute. Në këtë mënyrë kuptojmë se e fshehta (gajbi) mund të jetë e llojit kur Allahu xh.sh. ua zbulon njerëzve: - ose me angazhim hulumtues nga ata, ose nga rastësia, dhe kjo në bazë të ajetit Kur’anor: “Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron”.(El Bekare, 255)
“Ai është që e di të fshehtën, por fshehtësinë e Vet nuk ia zbulon askujt..”.(El Xhinn, 26-27)
Kurse lloji i dytë i së fshehtës (gajbit) është e fshehta që nuk e di askush përveç Allahut xh.sh., dhe ajo nuk I zbulohet askujt përveç Pejgamberit a.s. (ndonjërit prej tyre): “Ai është që e di të fshehtën, por fshehtësinë e Vet nuk ia zbulon askujt. Me përjashtim të ndonjë të dërguari që Ai do”.(3)
Përderisa Pejgamberi a.s. është shëmbëlltyrë jona e konfirmuar edhe në Kur’an, kuptojmë se atij që pason me përkushtim dhe sinqeritet mësimet e Tij, Allahu xh.sh. i jep dhuratë urtësinë dhe diturinë, por kjo nuk nënkupton fare se ai di të fshehtën. Shiko ajetin, ku Allahu xh.sh. thotë: “Çelësat e fshehtësisë janë vetëm tek Ai, atë (fshehtësinë) nuk e di kush përveç Tij”. (El En’am, 59)
Kjo sepse Krijuesi Fuqiplotë është afër me të gjitha krijesat e Tij, dhe në këtë çështje nuk ndikon asnjë factor i jashtëm, Ai është absolutisht mbrojtës i vërtetë. Ai thotë: “Mbrojtja (ndihma) vjen vetëm nga Allahu, i Vërteti”. (El
Kehf, 44)
Prandaj, kush ka nevojë për ndihmë dhe mbrojtje, le të drejtohet tek Mbrojtësi i vërtetë – Allahu xh.sh.(4)
Imam Bejdaviu thotë: Të dashurit e Allahut – të devotshmit janë ata që pasojnë programin e Tij me nënshtrim dhe përkushtim të plotë, prandaj Krijuesi u dhuron atyre urtësi dhe dituri të shumta. Dashuria e besimtarit për Allahun xh.sh. manifestohet me përkushtim të plotë ndaj Ligjit Tij, dhe dashuria e Allahut xh.sh. ndaj besimtarit, manifestohet me shpërblim të mirë ndaj tij”.(5)


Të tillët janë ata që besojnë dhe që i frikësohen Allahut


Të dashurit e Allahut xh.sh. janë ata që E besojnë në mënyrë të sinqertë Atë e gjithë ç’ka kërkuar Ai, dhe duke qenë të devotshëm e të sinqertë maksimalisht e duke përshtatur jetën dhe tërë veprimtarinë me Ligjin
hyjnor të Krijuesit – me të lejuarën dhe të ndaluarën. Këtë e konfirmon më së miri ky ajet, ku Allahu xh.sh. ka bashkuar shumësin e të dy fjalëve: “ata që besuan (besojnë) dhe që i frikësohen Allahut” në mes kohës së shkuar dhe së tashmes (së ardhmes).(6)
Kjo është devotshmëria - frika ndaj Allahut xh.sh., e urdhëruar në shumë ajete, si: “O besimtarë! Kini frikë Allahun me një sinqeritet të vërtetë”. (Ali Imran, 102)
Cilësitë e të devotshmëve sqarohen edhe në këtë thënie të Muhamedit a.s.: Transmetohet nga Ebu Hurejra se Pejgamberi a.s. kishte thënë: “Janë disa robër të Allahut (të cilët nuk janë as pejgamberë, as dëshmorë), që për pozitën e tyre që u ka dhuruar allahu, ua kanë lakmi edhe pejgamberët edhe dëshmorët! Shokët i thanë: Na trego kush janë ata? Çfarë veprash kanë bërë? Pejgamberi a.s. u përgjigj: Ata janë njerëzit të cilët janë dashur në mes tyre për hir të Allahut, pa pasur afërsi farefisnore dhe pa favorizuar njëri-tjetrin nga pasuria; fytyrat e tyre janë dritë dhe në vende të ndërtuara nga drita (nuri); ata nuk frikësohen kur njerëzit e tjerë frikësohen dhe as brengosen kur njerëzit e tjerë brengosen. Pastaj lexoi ajetin: “Ta keni të ditur se të dashurit e Allahut (evliatë) nuk do të kenë frikë (në botën tjetër) dhe as kurrfarë brengosjeje”.(7)
Shembull të tillë (që përmendet edhe në Kur’an) e kemi njeriun e mirë (Hidrin), të cilit Krijuesi Fuqiplotë i dhuroi mëshirë, urtësi dhe dituri, kështu që ai e mësoi edhe musain a.s.. kur musai a.s. pa se hidri hapi një vrimë në anijen me të cilën udhëtonin, mendoi se ai bëri një punë të keqe dhe kishte synim t’i mbyste udhëtarët e saj, por nuk e diti arsyen për këtë, derisa i shpjegoi Hidri se ekzistonte një sundimtar i padrejtë, i cili grabiste të gjitha anijet e mira, kurse të dëmtuarat jo, meqë konsideroheshin të të varfërve. Ose rasti kur ky njeri i mirë mbyti një djalosh, një veprim i cili nga Musai a.s. u konsiderua krim, mirëpo ky i fundit nuk e dinte atë që dinte njeriu i urtë e i ditur (Hidri), sepse ai djalosh do të ishte i dëmshëm për familjen e tij, dhe Allahu xh.sh. e urdhëroi ta mbyste para moshës së tij të pjekurisë, e të ishte i merituar për Xhenet. Prindërit e tij ishin besimtarë të mirë dhe dashuria ndaj tij do t’i çonte në të keqe e mosbesim, prandaj Zoti xh.sh. deshi që në vend të tij t’u jepte një djalosh të mirë. Ose rasti kur Musai a.s., bashkë me të, kishin kaluar pranë një fshati, banorët e të cilit refuzuan t’u jepnin ushqim për të ngrënë, e me këtë rast hasën një mur që ishte duke u shembur dhe ai njeriu, të cilit Allahu xh.sh. i kishte dhuruar dituri e urtësi, e drejtoi atë, ngase ai ishte pronë e dy djelmoshave jetimë, prindi i të cilëve kishte qenë besimtar i mirë dhe nën të u kishte lënë (fshehur) një thesar. Ai e drejtoi murin që të qëndronte derisa të rriteshin djelmoshat dhe ta merrnin thesarin vetë, ngase, po të mos drejtohej muri, do të rrëzohej dhe banorët e fshatit do ta gjenin thesarin. 8


Fitorja madhështore Për të dashurit e Allahut


“Atyre u jepet myzhde (lajm i mirë) në këtë jetë dhe në jetën tjetër (për Xhenet). Premtimet e Allahut nuk mund të pësojnë ndryshim. Kjo është fitorja madhështore”.
Me këtë ajet vërtetohet konfirmimi hyjnor i Allahut xh.sh. në ajetin e mësipërm, se të dashurit e Allahut – të devotshmit, nuk do të kenë as frikë, as brengosje a dëshpërim, duke u premtuar se në të dy botët do të
kenë shpëtim dhe shpërblim.(9)
Kur është pyetur Muhamedi a.s. për “myzhden – lajmin e mirë”, është përgjigjur me fjalët: “Ajo është një nga dyzet e gjashtë pjesët e shpalljes hyjnore”.(10)
Në këtë mënyrë edhe duhet kuptuar shprehja e shumëpërfolur tek myslimanët “evlia – të dashurit tek Allahu (të devotshmit)”, dhe jo siç keqkuptohet në shumë raste, ose siç pretendon dikush nga njerëzit me
të padrejtë dhe në mënyrë të rrejshme, një epitet tillë11, vetëm për trillime dhe përfitime materiale. Premtimet e Allahut janë të vërteta e të realizueshme në mënyrë absolute dhe askush nuk mund të ndryshojë vendimet e Tij, e prej tyre as myzhdenë (lajmin e mirë) e Tij për besimtarët e devotshëm për shpërblim me Xhenetin, dhe kjo pa dyshim meriton të quhet fitore shumë e madhe, dhe fitore më të madhe sesa kjo nuk ka.



_____________________
1. Imam Alusi, Ruhul Meani fi Tefsir El-Kur’an El-Adhim ve Es-Seb’ul Methani, 11, f. 146, boton: Ihja et-Turath el-Arabijj, Bejrut.
2. Ahmed Mustafa El-Meragi, Tefsir El Meragi, f. 130, botimi i parë, 1946, Kajro. Ajeti nga kaptina Ali Imran 175
3. Tefsiri i Sharaviut, 10, f. 6024-6025. Ajeti nga surja El Xhinn, 26-27
4. Tefsiri i Sharaviut, f. 6027-6028
5. Muhamed Mahmud Hixhazi, EtTefsir El-Vadih, 2, f. 75, viti i botimit 1992 Kajro
6. Imam Alusi, Ruhul Meani, f. 147
7. Tefsiri i Ibni Kethirit, Tefsir El-Kur’an El-Adhim, 2, f.. 432, si dhe Tefsiri i Sharaviut, f..6035. Hadithin e gjejmë edhe në përmbledhjen e Ebu Davudit të transmetuar nga Omeri r.a.
8. Këto ngjarje të Musait a.s. dhe të njeriut të men- çur dhe të urtë Hidrit, sqarohen në suren El Kehf, ajetet 65-82
9. Imam Alusi, Ruhul Meani, f. 150 [10] Buhariu dhe Muslimi. Tefsiri i Sharaviut, f..6038


 


Dituria Islame 235


Artikulli i kaluar
Dy persona të kundërt
Artikulli radhës
Besimi ndjenjë e parëlindur

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme