Etika e pritjes së mysafirit bazuar në mësimet islame


Nëse vështrojmë me kujdes frymën e mësimeve islame, vërejmë se ato në vazhdimësi ftojnë që njeriu të pajiset dhe të stilizohet me virtytet e moralit. Këto virtyte, Zoti xh.sh. i ka bërë sebep që myslimani të futet në xhenet për shkak të respektimit të tyre. Kur është pyetur Pejgamberi a.s., se cilat janë veprat të cilat më së shumti ndikojnë për të hyrë në xhenet, ai a.s. ka thënë: “Frikarespekti ndaj Zoti xh.sh. dhe sjellja e mirë.”(1) Nuk ka dyshim se respektimi, nderimi dhe mirëpritja e mysafirit është prej virtyteve të moralit të mirë, si dhe argument i qartë për fuqinë e imanit –besimit të tij. 
Prandaj, duke u bazuar në mësimet islame dijetarët kanë përmendur rregulla për mikpritjen e mysafirëve të cilat e ka për obligim çdo mysliman që t’i mësojë dhe zbatojë ato, për arsye se ato burimin e kanë nga shpallja hyjnore (Kurani dhe Suneti). Mikpritja e mysafirëve është prej veprave fisnike të cilat feja islame ka për qëllim t’i përmbush. Këtë e vërteton edhe hadithi i Pejgamberit a.s. ku ka thënë: “Vërtet jam dërguar për të përsosur moralin e mirë.”(2) Në vazhdim të këtij punimi do të përmendim disa rregulla të cilat ndërlidhen me mikpritjen dhe respektin ndaj mysafirit: 
Nderimi, respektimi, përkujdesja ndaj mysafirit. Lidhur me këtë çështje kemi hadithin e Pejgamberit a.s. në të cilin ka thënë: “Kush beson në Zotin dhe Ditën e Gjykimit, le ta nderoj mysafirin.”(3) Në bazë të mësimeve islame, e drejta e mysafirit është tri ditë. Këtë e mbështesim edhe në hadithin të cilin e transmeton Ebu Shurejh el Adevij ku Pejgamberi a.s. ka thënë: “E drejta e mysafirit është tri ditë, pas tri ditësh ajo është mirësi vullnetare nga ana e mikpritësit.”(4) Ndërsa në një hadith tjetër, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk i lejohet një burri mysliman që të qëndrojë te vëllai i tij derisa ta ngushtojë atë, d.m.th.: të qëndrojë mysafir derisa zoti i shtëpisë nuk ka çfarë t’i ofroj më.”(5) 
Është e preferuar që kur të vjen një mysafir t’i shprehet mirëseardhje me zemërgjerësi dhe fytyrë të qeshur. Ibën Abasi r.a. tregon kur ka ardhur delegacioni i Abdulkajsit, Pejgamberi a.s. ju kishte drejtuar duke ju thënë: “Jeni të mirëseardhur, jeni të nderuar dhe të gëzuar.”(6) 
Njëri prej dijetarëve mysliman, Ebu Lejth es Semerkandij ka thënë: “Mysafiri duhet t’u përmbahet katër gjërave; të ulet aty ku i caktohet vendi, të jetë i kënaqur me atë që i ofron dhe e respekton zoti i shtëpisë, të mos ngritët përveç pas marrjes së lejes nga zoti i shtëpisë, dhe të lutet për zotin e shtëpisë pasi të del nga shtëpia.”(7) 
Ndërsa Ibën el Xhevzij ka thënë: “Prej edukatës së mysafirit është që mos të kërkojë ushqim të caktuar; e nëse i kërkohet të përzgjedh mes dy llojeve të ushqimeve, atëherë e udhës është që ta përzgjedh më të lehtën, përveç nëse e dinë se një gjë e tillë nuk e ngarkon aspak të zotin e shtëpisë.”(8)
Nëse ndonjëri shkon së bashku me mysafirin, atëherë është e udhës që në prezencë të zotit të shtëpisë të kërkoj leje për të. Kjo duke u mbështetur në transmetimin e Abdullah ibën Mesudit r.a., i cili tregon se një banor i Medinës i cili quhej Ebu Shuajb kishte një punëtor të cilin e porositi që ta përgatiste një darkë dhe ta ftonte të Dërguarin e Allahut së bashku me pesë persona të tjerë. Ai e ftoi Pejgamberin a.s. së bashku me pesë veta. Pejgamberit a.s. ju bashkëngjitë një person tjetër. Kur arritën, Pejgamberi a.s. ju drejtua të zotit të shtëpisë duke i thënë: “Ti më ke ftuar mua së bashku me pesë persona, ky i gjashti na u bashkëngjitë gjatë rrugës, prandaj, nëse donë i jep leje dhe nëse donë nuk e lejon.” I zoti i shtëpisë tha: “Ka leje gjithsesi.”(9) 
I zoti i shtëpisë nuk duhet ta ngarkojë vetën jashtë mase për shkak të mysafirit. Kjo çështje ndërlidhet më shumë edhe me traditën e secilit popull. Kjo çështje mbështetet në hadithin të cilin e transmeton Imam Ahmedi, i cili tregon rastin kur një njeri kishte shkuar mysafir te Selman Farisiu. Selmani porositi familjen e tij që t’i sjellin ushqim, me atë rast ai iu drejtua mysafirit duke i thënë: “Sikur të mos na kishte ndaluar i Dërguari i Allahut që të mos bëhemi telashe, sigurisht se do të bënim përpjekje edhe më shumë.”(10)
Kërkimi i lejes me rastin e hyrjes në shtëpi dhe me rastin e daljes nga shtëpia. Është e udhës që mos ta ngarkojë zotin e shtëpisë, përveç në rast kur ai insiston që të qëndrojë ende. Lidhur me këtë Allahu xh.sh. ka thënë në Kuran: “O ju që besuat, mos hyni në shtëpitë e Pejgamberit ndryshe vetëm nëse u lejohet për ndonjë ngrënie e duke mos pritur përgatitjen e saj, por kur të thirreni, atëherë hyni, e kur të jeni ushqyer, atëherë shpërndahuni, duke mos hyrë në bisedë njëri me tjetrin...” (El Ahzab, 53). 
Mysafiri duhet të lutet për të zotin e shtëpisë pas përfundimit nga ushqimi. Transmeton Enes ibën Maliku r.a., i cili tregon se Pejgamberi a.s. shkoi te Sead ibën Ubade r.a., i cili i solli Pejgamberit a.s. bukë dhe vaj ulliri, ndërsa Pejgamberi a.s. e hëngri atë, dhe pasi përfundoi së ngrëni, ai tha: “Te ju bënë iftar agjëruesit, ngrënën ushqimin tuaj njerëz të mirë, dhe melaqet e Zotit u lutën për ju.”(11) Lidhur me çështjen e lutjes, kemi edhe një hadith tjetër të cilin e transmeton Abdullah ibën Busri r.a., i cili tregon se Pejgamberi a.s. me një rast kur kishte ngrënë ushqim te një familje, në fund ishte lutur duke thënë: “O Zoti im! Jepu bereqet në atë që i ke furnizuar, falu atyre mëkatet dhe mëshiroj ata.”(12) E në një tekst tjetër Pejgamberi a.s. ka thënë: “O Zoti im! Ushqeje atë që më ushqeu mua, dhe jepi për të pirë atij që më dha mua ujë.”(13) 
Është e preferuar që mysafirit t’i jepet përparësi ndaj vetes dhe familjes së tij. Transmeton Ebu Hurejre r.a., i cili ka thënë: “Një njeri shkoi te Pejgamberi a.s. dhe iu drejtua atij duke i thënë: “Jam shumë i lodhur!” Me këtë rast Pejgamberi a.s. ju dërgoi porosi grave të tij (që të gjejnë diçka për të ngrënë), e ato të gjithat thanë: “Pasha Atë i Cili të ka dërguar pejgamber nuk kemi asgjë përveç ujit.” Me këtë rast Pejgamberi a.s. ju drejtua të pranishmëve duke ju thënë: “Kush i bënë konak sonte këtij person, Zoti e mëshiroftë!”. Një banor i Medinës tha: “Unë o i Dërguari i Allahut.” E mori mysafirin dhe e dërgoi te shtëpia e tij, kur arriti në shtëpi ju drejtua bashkëshortes së tij duke i thënë: “A ke ndonjë ushqim gati?” Ajo ju përgjigj: “Jo, përveç ushqimit të fëmijëve”. Atëherë ai i tha gruas: “Përgatite atë, e kur t’i servohet ushqimi mysafirit ndize fanarin që të na sheh se edhe ne jemi duke ngrënë, e kur të fillojë së ngrënë fike atë.” Atëherë ajo veproi siç i tha bashkëshorti i saj dhe mysafiri u ngop së ngrëni. Në mëngjes i zoti i shtëpisë shkoi te Pejgamberi a.s., me atë rast Pejgamberi a.s. i tha atij: “Allahu është mahnitur me veprimin tuaj mbrëmë.”(14) 
Është etike për zotin e shtëpisë që t’ju bëjë hyzmet mysafirëve. T’i pres ata me fytyrë të buzëqeshur, të tregohet i mirësjellshëm dhe të shfaq gëzim me rastin e ardhjes së tyre. Duhet t’u bëjë atyre muhabet me ato biseda çfarë atyre ju pëlqejnë. Duhet të përgatis ushqim për ta me atë që ka mundësi, duke mos i neglizhuar ata. Allahu xh.sh. në Kuran na e tregon rastin e Ibrahimit a.s. kur e kishin vizituar melaqet ndërsa ai ju kishte drejtuar atyre duke ju thënë: “Dhe ai pa u vërejtur shkoi te familja e vet dhe solli një viç të majmë të pjekur. Atë ua afroi atyre e tha: “Përse nuk po hani?” (Dharijjat, 26-27). Duhet ta kemi të qartë se ushqimi nuk është qëllim në vete, mirëpo qëllimi esencial i ofrimit të ushqimit është bashkimi në një tryezë dhe socializimi me njëri-tjetrin, ashtu siç mësimet islame në shumë vende kërkojnë që të bashkohen njerëzit si në xhami ashtu edhe në namazet ditore. Ne e dimë se namazi me xhematë ka më shumë shpërblime se sa namazi individual, dhe kjo pikërisht për shkak që njerëzit të bashkohen dhe të shihen me njëri-tjetrin. 
Përparësi në të gjitha çështjet duhet t’i jep atij që është më i moshuar, pastaj të vazhdojë me anën e djathtë. Pejgamberi a.s. lidhur me këtë ka thënë: “Filloni me atë që është më i moshuari.”(15) E nëse mysafirët për nga mosha janë të njëjtë, atëherë preferohet që përparësi t’i jepet atij që është në anën e djathtë. Enës ibën Maliku r.a. transmeton dhe thotë: “Një ditë Pejgamberi a.s. erdhi në shtëpinë tonë dhe kërkoi për të pirë. Ne kishin një dele të cilën e molëm dhe ia sollëm qumështin, më pas piu edhe nga uji i bunarit. Në anën e majtë të Pejgamberit a.s. ishte Ebu Bekri r.a., përpallë Pejgamberit a.s. ishte Omeri r.a., kurse në anën e djathtë ishte një beduin. Kur përfundoi Pejgamberi a.s. së piri, Omeri ju drejtua duke i thënë: “Ja ku është Ebu Bekri”, ndërsa Pejgamberi a.s. atë që mbeti ia dha beduinit dhe tha: “Përparësi ka ana e djathtë, të djathtët, prandaj jepuni përparësi.” Ndërsa Enesi r.a. ka thënë: “Një veprim i tillë është sunet, duke e përsëritu tri herë.”(16) 
Është e preferuar me rastin e daljes së mysafirit nga shtëpia që të përcillet deri te dera e oborrit. Tregohet se një dijetar i quajtur Ebu Ubejd el Kasim e kishte vizituar Imam Ahmedin. Kur ai deshi të ngritët, atë e përcolli Imam Ahmedi. Ebu Ubejde kërkoi prej Imamit që të mos e përcjell, mirëpo Imami insistoi dhe e përcolli atë deri te dera e oborrit dhe i tha atij: “Është etike dhe e preferuar që mysafiri të përcillet deri te dera e oborrit, në mënyrë që të përfitosh nga bereqeti i tij.” 
Zoti i shtëpi duhet të ftojë mysafirë të mirë dhe të ndershëm, e jo mysafirë të pandershëm. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Mos u shoqëro përveç se me një besimtar, dhe mos ta haj ushqimin tënd përveç njeriut të devotshëm.”(17)
Qëndrimi me mysafirët gjatë gjithë qëndrimit të tyre në shtëpinë tënde sa të kesh mundësi. 
Të mos bëjë ndonjë veprim apo të flasë ndonjë fjalë e cila e dëmton mysafirin apo e rëndon atë. 
Bazuar në rregullat të cilat u potencuan më sipër, vërejmë se çështja e mirëpritjes së mysafirit në mësimet islame është vlerësuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Gjeneratat e para të myslimanëve, po edhe ato pas tyre në mënyrë të vazhdueshme i kanë dhënë një rëndësi të veçantë kësaj çështje.
Edhe në mesin e popullit tonë, i cili mësimet islame i ka përqafuar tash e sa shekuj, vërejmë se tradita e mirëpritjes së mysafirit ka qenë prezentë dhe ende vazhdon, edhe pse mund të themi me një zbehje në këta dekadat fundit! Mirëpo ajo që bie në sy pas leximit të argumenteve fetare nga Kurani dhe hadithet e Pejgamberit a.s. vërejmë se ato janë në një linjë të ngjashme me traditën tonë të mirëpritjes së mysafirit, gjë që jep të kuptohet se ato mbështetjen e kanë në mësimet e mirëfillta islame. Së këndejmi, ne lutemi që traditat tona të kamotshme të cilat janë në përputhje me frymën islame të ruhen me xhelozi dhe të kultivohen edhe në të ardhme. E njëra prej këtyre traditave sigurisht që është edhe mirëpritja e mysafirit.



 _________________________ 
1. Transmeton Imam Tirmidhiu, hadithi nr. 2004. 
2. Transmeton Imam Buhariu. 
3. Transmeton Imam Buhariu, hadithi nr. 6018, gjithashtu edhe Imam Muslimi, hadithi nr. 48. 
4. Transmeton Imam Muslimi, hadithi nr. 48. 
5. Transmeton Imam Muslimi, hadithi nr. 48. 
6. Transmeton Imam Buhariu, hadithi nr. 6176 
7. El Fetava el Hindije, (5/344) 
8. Ibën Muflih, El Adab esh Sherijje, (3/208). 
9. Tansmeton Imam Buhariu, hadithi nr. 5434. 
10. Transmeton Imam Ahmedi, hadithi nr. 23733. 
11. Transmeton Imam Ebu Davudi, hadithi nr. 3854. 
12. Transmeton Imam Muslimi, hadithi nr. 2042. 
13. Transmeton Imam Muslimi, hadithi nr. 2055. 
14. Transmeton Imam Buhariu, hadithi nr. 3798, dhe Imam Muslimi, hadithi nr. 2054. 
15. Transmeton Ebu Ja’la në Musned, hadithi nr. 2425. 
16. Transmeton Imam Buhariu, hadithi nr. 2571. 
17. Transmeton Imam Tirmidhiu, hadithi nr. 2395.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi