Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim drejtorin e Çështjeve Fetare në Ministrinë e Vakëfeve dhe Çështjeve Islame të Katarit, z. Muhamed al Menai, i cili shoqërohej nga zëvendësi i tij, dr. Sead al Kawari.
Myftiu Tërnava fillimisht iu uroi mirëseardhje mysafirëve, e më pas i falënderoi ata dhe nëpërmjet tyre shtetin e Katarit për ndihmat dhe përkrahjen e vazhdueshme që ka dhënë për Kosovën dhe Bashkësinë Islame. Myftiu Tërnava shfrytëzoi rastin që ta falënderoj Ministrinë e Vakëfeve dhe Çështjeve Fetare Islame të Katarit për ndërtimin e selisë së shoqatës “Bereqeti”, e cila do të përurohet nesër. Myftiu Tërnava me këtë rast shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucionit që ai drejton që të vazhdojë bashkëpunimin e mirë me Ministrinë e Vakëfeve dhe Çështjeve Fetare Islame, gjithnjë në të mirë të besimtarëve dhe qytetarëve të Kosovës.
Nga ana e tij, drejtori Al Menai, falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen dhe për gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me Ministrinë e Vakëfeve dhe Çështjeve Fetare Islame të Katarit në realizimin e projekteve të përbashkëta.
Gjatë ditës së sotme, Myftiu Tërnava dhe al Menai vizituan edhe punishten e objektit që është duke u ndërtuar në Gjilan, ndërtimi i së cilit është financuar nga Ministria e Vakëfeve dhe Çështjeve Fetare Islame të Katarit.