Isak Mazreku ka lindur më 9 janar 1929 në fshatin Opterushë të komunës së Rahovecit, nga babai Rexhepi nëna Minaverja. Mektebin e ka mbaruar në vendlindje tek Mulla Ejup efendiu dhe pastaj mësimet fetare i ka ndjekur te Mulla Ibrahim efendiu.
Nga viti 1958 deri 1966 ka punuar imam në xhaminë e fshatit Brestovc të Rahovecit.
Më 1960 mori dekretin e imamit zyrtar. Kurse nga viti 1966 – 1969 ka qenë imam në xhaminë e fshatit Romajë të Hasit të Prizrenit.
Më 1970 u kthye në vendlindjen e tij në Opterushë, ku vazhdoi detyrën e imamit deri më 1989, kur për shkak të moshës, me gjithë përkushtimin e dëshirën e tij për të kontribuuar, shkoi në pension të merituar.
Më 1998 në ofensivën e Rahovecit, si të gjithë që lëshuan me dhunë shtëpitë e tyre, edhe Isak efendiu me familjen e tij, lëshuan shtëpinë dhe u vendosën në Hoçë të vogël të Rahovecit.
Aty në Hoçë të vogël, ditën e enjte, më 15 shkurt 1999 Isak efendiu u vra nga forcat serbe, dhe kufomën e të ndjerit xhelatët serb e hodhën në bunarin e shtëpisë së mikut të tij, haxhi Shabanit. Isak efendiu në fillim qe varrosur në Hoçën e vogël, kurse më 6 prill 2004 është rivarrosur në varrezat e fshatit Opterushë.
Ka lënë pasardhës gjashtë djem e tri vajza.