Vëllezërit Benu Musa, Ebu Xhafer Muhamed, Shakir Ahme dhe el Hasan, ibn Musa ibn Shaki
Ndër zbulimet tjera janë edhe shtypja diferenciale, pastaj luajtja automatike e flautit, e cila mendohet të ketë qenë makina e parë programuese; ata po ashtu zbuluan edhe mjete të ndryshme bujqësore, makina për tërheqje e ngritje peshash, fontana, mjete shtëpiake dhe lodra fëmijësh. Ishin tre vëllezër Ebu Xhafer Muhamed ibn Musa ibn Shakir (803- 873), Ahmed ibn Musa ibn Shakir (803- 873) dhe el Hasan ibn Musa ibn Shakir (810-873).(1) Ishin gati identikë, mirëpo dihet se, edhe pse shpesh kishin punuar së bashku, ata kishin fushat e veta të ekspertizës.
Ebu Xhafer Muhamedi ishte shkencëtar me njohuri të mëdha në fushën e gjeometrisë dhe astronomisë. Ahmedi ishte ekspert dhe inovator në fushën e inxhinierisë mekanike, kurse el Hasani ishte mjeshtër i gjeometrisë. është e pamundur të ndahen biografit e këtyre tre vëllezërve që zakonisht janë të njohur si Benu Musa, dhe ne nuk do të mundohemi të bëjmë një gjë të tillë.
Mirëpo, për t’u njohur me biografit e këtyre dijetarëve, patjetër duhet t’i hedhim një vështrim kronologjisë së rrjedhave politike që patën ndikim edhe në jetën intelektuale gjatë historikut të shtetit islam.
Në vitit 786 Harun er-Rashidi u bë halifi i pestë i dinastisë abasite, jo shumë kohë, pasi kishte lindur Musa ibn Shakiri, babai i vëllezërve Benu Musa. Rashidi nga qyteti i Bagdadit qeveriste shtetin Islam, i cili shtrihej nga Mesdheu e deri në Indi. Ai u mundua të sillte kulturë gjatë pushtetit të tij dhe të rrënjoste apo të krijonte disiplina intelektuale të cilat në atë kohë nuk po lulëzonin në Botën Arabe.
Shembull i kësaj ishte edhe ndryshimi i jetës së Musa ibn Shakirit, babait të vëllezërve Benu Musa, i cili në rini kishte qenë plaçkitës, por më vonë iu kthye shkencës duke u bërë ekspert në astronomi. Gjatë sundimit të Rashidit, u bënë përkthimet e para të Elementeve të Euklidit në gjuhën arabe, e prej hapave të parë ishte edhe që të mësohej matematika greke në shtetin islam.
Vëllezërit Benu Musa angazhohen në Bejtul Hikme
Rashidi kishte dy djem, i madhi ishte Emini dhe i dyti Me’muni. Harun er- Rashidi vdiq më 809 dhe pas kësaj pati një konflikt të armatosur në mes dy bijve të tij. Me’muni e fitoi këtë betejë dhe Emini pësoi disfatë dhe u mbyt më 813.(2)
Pas kësaj Me’muni mori postin e halifit dhe e sundoi perandorinë nga qyteti i Bagdadit. Edhe para kësaj, Musa ibn Shakiri ishte bërë mik i ngushtë me Me’munin dhe, kur vdiq Musa ibn Shakiri, Me’muni u bë kujdestar i vëllezërve Benu Musa, i cili ia besoi ata Ishak bin Ibrahim el Mus’abit, i cili në të kaluarën e tij kishte qenë mëkëmbës i Bagdadit. Vëllezërit u rritën në një mjedis shkencor dhe atyre iu dha edukimi më i mirë i mundshëm në Bagdad, ku studionin gjeometrinë, mekanikën, matematikën dhe astronominë, kurse edukimin e tyre e kishte marrë përsipër Jahja bin Ebu Mensur, i cili ishte një ndër dijetarët e shquar të asaj kohe.
Me’muni vazhdoi përkrahjen për studime dhe nxënie të dijes, që e kishte filluar babai i tij, dhe themeloi një akademi, të quajtur Bejt el-Hikmeh apo shtëpia e urtësisë, institucion ky që kishte një bibliotekë të rëndësishme me një koleksion të madh librash, një observator astronomik dhe qendrën e përkthimeve, ku përktheheshin punimet filozofike dhe shkencore greke.
Me’muni në Shtëpinë e Urtësisë mblidhte njerëzit më të talentuar; nga dijetarët e angazhuar ishin edhe vëllezërit Benu musa, dhe aty talenti i tyre filloi të çmohej shumë shpejt. Ai angazhoi gjithashtu edhe dijetarët e tjerë, si Muhamed ibn Musa el havarizmi, Kindiu dhe Haxhaxhi, i cili ishte përkthyesi i parë i elementeve të Euklidit në gjuhën arabe. Në Shtëpinë e Urtësisë ishin gjithashtu edhe Thabit ibn Kurra dhe Hunejn ibn Ishak, i cili ishte bërë mik i ngushtë i Muhamed ibn Musa ibn Shakirit. Kështu, për një kohë të shkurtër, ai institucion arriti të bëhej tempull i vërtetë i diturisë.
Në vitin 833 vdes Me’muni dhe atë e trashëgoi i vëllai, Mu’tesimi. Shtëpia e urtësisë vazhdonte të lulëzonte
nën patronazhin e këtyre halifëve. Mirëpo Mu’tesimi vdiq më 842 dhe atë e trashëgoi Vathiku, dhe pas tij do të vinte vëllai i tij, Mutevekili në vitin 847.(3)
Libri i mjeteve gjeniale, përmban 100 disenjime makinash të ndryshme
Gjatë sundimit të këtyre dy halifëve, filloi një rivalitet ndërmjet dijetarëve brenda Shtëpisë së Urtësisë, ku ishin; përfshirë, natyrisht, edhe Vëllezërit Benu musa.
Ata kishin kundërshtime me filozofin e famshëm el Kindi dhe, duke marrë parasysh se vëllezërit Benu musa kishin lidhur miqësi me Mutevekilin, ata bënë që halifi të humbte simpatinë ndaj Kindiut, i cili më pas urdhëroi që ai të dëbohej dhe i lejoi Vëllezërit që t’i konfiskonin bibliotekën e tij.
Por, pavarësisht nga këto ngjarje, vëllezërit Benu Musa dhanë kontribute të çmuara në disiplina të ndryshme shkencore, sidomos me inovacionet e tyre; ata zbuluan një numër të madh makinash automatike dhe mjetesh mekanike, të cilat i përshkruan në punimin e tyre Libri i mjeteve gjeniale, libër ky që përmban 100 disenjime makinash të ndryshme.
Disa nga këto zbulime përfshijnë: Rubinetën (mjet ky i cili rregullon qarkullimin e materieve në gjendje të lëngshme a të gaztë, duke u mbyllur dhe hapur plotësisht ose pjesërisht) valvulën pluskuese (mekanizëm mekanik që rregullon nivelin e ujit apo lëngjeve të tjera në serbatorë të ndryshëm, që sot përdoret më së shpeshti në cisterna dhe në serbatorët e ujit në tualet).
Sistemin e sigurisë nga dështimet (që është mjet apo veçori e një mjeti, që, në rast avarie, reagon në atë mënyrë që nuk do të shkaktojë dëme, apo do të shkaktojë dëme minimale në mjete ose rrezikim të personelit).
Kundërgazin (maskë kundërgaz), (pajisje që përdoret për parandalimin e thithjes së ajrit të ndotur apo gazrave helmuese).(4)
Vëllezërit Benu Musa gjithashtu bënë zbulimin e instrumentit të parë mekanik muzikor të njohur, një mjet që punonte me fuqinë rrjedhëse të ujit e që, sipas autorit charles B. flowler, ky zbulim qëndroi si mjeti bazë për të prodhuar dhe riprodhuar muzikë në mënyrë mekanike deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX.
Gjatë veprimtarisë së tyre, ata kryen punime edhe për halifin Mutevekil, siç ishte angazhimi i tyre për konstruktimin e gypave për qytetin e ri të quajtur Xhafaria, të cilin po e ndërtonte halifi asokohe.
Vëllezërit Benu Musa po ashtu luajtën rol të rëndësishëm në zhvillimin e matematikës, astronomisë dhe gjeometrisë, përmes traktateve të tyre, duke u ofruar kështu nxitje dhe mbështetje përkthyesve e shkencëtarëve për avancimin e mëtutjeshëm në disiplinat e ndryshme shkencore.
Në këtë kontekst autorja gjermane Dr. Sigrid Hunke, e cila është e njohur për librin e saj ’’Allahs Sonne über dem Abendland’’ (Dielli i Allahut mbi Perëndimin), për vëllezërit Benu Musa kishte thënë: ’’Ata, me shpenzimet e veta dërguan njerëz në Perandorinë Bizantine, në kërkim të dorëshkrimeve antike filozofike, astronomike, matematikore dhe mjekësore.
Shpenzuan mjete të konsiderueshme vetanake për të blerë trashëgiminë shkencore greke dhe për t’i sjellë ato në shtëpi. Ndërsa halifi el Mutevekili u pati dhënë në dispozicion ekipe përkthyesish, të cilët punonin pandërprerë’’.
Vëllezërit Benu Musa çuan përpara zhvillimet matematikore të filluara nga grekët antikë
Vëllezërit Benu Musa ishin ndër shkencëtarët e parë arabë, që i studiuan punimet matematikore të grekëve dhe që vunë themelet e shkollës arabe të matematikës. Ata mund të quhen si ndjekës të matematikës klasike greke, sepse në metodologjinë e aplikuar nga ana e tyre kishte ngjashmëri me ato që u aplikuan nga Arkimedi. Po megjithëkëtë, mund të themi se devijuan nga ajo, nga fakti se kishte mjaft dallime të cilat, edhe pse në shikim të parë, nuk duken të rëndësishme, siguruan hapat e parë drejt një shtegu të ri për avancimin e mëtutjeshëm të matematikës.
Vëllezërit Benu Musa aplikuan mënyrën e dobësimit të zbuluar nga eudoksus dhe të përdorur me shumë efektshmëri nga Arkimedi.
Në shumë aspekte vëllezërit Benu Musa çuan përpara zhvillimet matematikore të filluara nga grekët antikë, meqë grekët nuk i kishin menduar sipërfaqet dhe vëllimin si numra, por vetëm bënin krahasime proporcionesh të sipërfaqeve etj.. koncepti i vëllezërve Benu musa ishte shumë më i gjerë sesa ai i grekëve. P. sh. π e përshkruajnë si: … madhësi e cila, kur të shumëzohet me diametrin e rrethit, jep perimetrin e tij.
Ndërsa traktati më i studiuar, që është punuar nga Vëllezërit Benu Musa, është Kitab marifat masakhat el-ashkal. Ky punim është bërë i njohur me anë të përkthimit të tij latin nga Gherardi prej Kremone, që e kishte titulluar Liber trium fratum de geometria. Ky traktat merret me probleme të ngjashme me ato që kishte paraqitur Arkimedi në punimet e tij.
Vëllezërit Benu Musa dhanë po ashtu kontribut të madh edhe në fushën e fizikës dhe astronomisë.
Muhamed ibn Musa ishte pionier i astrofizikës dhe mekanikës qiellore. Në punimin e tyre Libri mbi lëvizjet e trupave qiellorë, ai ishte i pari që zbuloi se trupat qiellorë dhe sferat qiellore i nënshtrohen ligjit të njëjtë të fizikës ashtu siç është edhe Toka, në dallim nga shkencëtarët antikë, të cilët besonin se sferat qiellore ndiqnin ligjet e tyre fizike, të ndryshme nga ato në tokë.(6)
Poashtu Muhamed ibn Musa në librin e tij Lëvizjet e yjeve dhe fuqia tërheqëse, zbuloi se ekzistonte një forcë tërheqëse në mesin e trupave qiellorë, duke lënë kështu nën hije ligjin e Njutonit për gravitacion universal.
Kanë bërë shumë vrojtime të diellit dhe të hënës nga Bagdadi, formuluan kalendar ku i paraqitnin pozicionet e planeteve, ndërsa punuan edhe mbi ndryshimet meteorologjike dhe regjistronin vrojtimet e tyre.
Ata kishin ardhur në përfundim se gjatësia e vitit diellor ishte 365 ditë e 6 orë
Ata po ashtu llogaritën edhe perimetrin e tokës duke përdorur trigonometrinë.(7) Nga sukseset e vëllezërve Benu Musa ishte edhe matja e vitit diellor nga Muhamedi dhe Ahmedi, të cilët kishin ardhur në përfundim se gjatësia e tij ishte 365 ditë e 6 orë. Një vlerësim ky shumë i ngjashëm me atë të kohës moderne, duke pasur parasysh faktin se, për shkak të kësaj mbetjeje prej 6 orësh, edhe sot një herë në çdo katër vjet plotësohet me një 24-orësh, që i shtohet muajit shkurt në kalendar, dita e 29. Vëllezërit Benu Musa kishin bërë vrojtime edhe të yllit Regulus nga shtëpia e tyre mbi një urë në Bagdad, në vitet 840/41, 847/48 dhe 850/51. Gjatë tërë jetës së tyre, ata ishin kërkues të diturisë dhe njëkohësisht, me inteligjencën e tyre, kontribuuan në avancimin e mëtutjeshëm të shkencës, po edhe në zhvillimin e teknologjisë me anë inovacionesh të tyre, të cilat vunë fundamentet e përparimit për gjeneratat e ardhshme.
_________________
1. Joseph Needham, Science and Civilization in China Volume IV:1, Cambridge University Press, viti i botimit: Janar 1962.
2 Bajrush Ahmeti, Historia Islame 3 / Abasitët, Botues: Medreseja e mesme ’’Alauddin’’ Prishtinë, viti i botimit:1992 Prishtinë.
3. Po aty
4. Donald Routledge Hill, ’’ Mechanical Engineering in the Medieval Near East’’, revista Scientific American, Maj 1991.
5. Film dokumentar, Ancient Discoveries, Machines of the East, produksion i History Channel 2008.
6. George Saliba, ’’Early Arabic Critique of Ptolemaic Cosmology: A Ninth-Century Text on the Motion of the Celestial Spheres’’, Artikull për History of Astronomy 25, viti i botimit 1994.
7. www. encyclopedia. farlex.com
Besart Shala
Dituria islame 230