Më 8 shkurt 2025, në prani të një numri të madh të mysafirëve dhe me një program të larmishëm, xhamia “Drita” në Pratteln të Zvicrës shënoi 20-vjetorin e veprimtarisë së saj.
Në këtë manifestim morën pjesë autoritete të ndryshme nga institucione të ndryshme të qytetit të Pratteln, imamë dhe veprimtarë nga Zvicra dhe rajoni. Nga Bashkësia Islame e Kosovës, në këtë tubim morën pjesë sekretari i përgjithshëm i Kryesisë së BIK-ut, Ahmet ef. Sadriu dhe drejtori i Diasporës, Ekrem ef. Simnica. Gjithashtu në këtë tubim morën pjesë edhe delegacioni nga Maqedonia e Veriut, i kryesuar nga reisi Shaqir ef. Fetai, pastaj nënkryetari i KMSHZ-së, Fehim ef. Abazi, si dhe mysafirë të tjerë nga vendlindja dhe Zvicra.
Sekretari i përgjithshëm i Kryesisë së BIK-ut, Ahmet ef. Sadriu dhe drejtori për Diasporë në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, në fjalët e tyre përcollën urimet e besimtarëve të Kosovës, institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të Myftiut Naim ef. Tërnava, duke përgëzuar Kryesinë, imamin dhe gjithë besimtarët për punën që kanë realizuar përgjatë këtyre viteve.
Në fund, drejtori Simnica, në shenjë respekti dhe bashkëpunimi, ndau një dhuratë dhe mirënjohje nga BIK-u.\