Në ambientet e Medresesë “Alauddin” në Prishtinë, me një atmosferë vëllazërore, u inaugurua programi për shpërndarjen e hurmave nga Mbretëria e Arabisë Saudite, Qendra e Mbretit Selman.
25 ton hurma do të shpërndahen për familjet në nevojë nga Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti”.
Në këtë ngjarje morën pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, zëvendësambasadori i Arabisë Saudite në Tiranë, Ahmed al Harbi, dhe të ftuar të tjerë.
Në fjalën e tij Myftiu Tërnava falënderoi shtetin e Arabisë Saudite për përkrahjen e vazhdueshme ndaj popullit të Kosovë, gjatë dhe pas luftës, duke përmendur donacione të shumta që ky shtet dha për popullin e Kosovës kur ishte më tepër nevoja.
Myftiu Tërnava po ashtu me këtë rast shprehu mirënjohjen për Shoqatën Humanitare Bamirëse “Bereqeti” për gjithë punën dhe përkushtimin e saj për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të Kosovës.
Hurmat e para të këtij projekti u ndanë për nxënësit e Medresesë “Alauddin” në Prishtinë. Në ditët në vijim do të bëhet shpërndarja e hurmave për familjet në nevojë.