Kurani – fjala e zotit mbi Zotin, fjala e Zotit mbi absolutin


 Kurani nuk është një lexim i strukturuar sipas logjikës (së njeriut) për të ndjekur një histori nga fillimi deri në fund. Përkundrazi, nga faqet e Kuranit lexuesve u jepet një mori shtresash, nivelesh apo planesh të tekstit hyjnor. Vetë leximi i Kuranit është në të njëjtën kohë një akt interpretimi i Kuranit, ose “sistematizimi” i Kuranit nga njeriu/le xuesi. Interpretimet e deritanishme të Kuranit kanë zbuluar dhe njohur shumë fusha në Kuran: teofanike, eskatologjike, kozmologjike, etike, antropologjike...(2) 
Por, në Islamin si fe, kulturë dhe qytetërim, vendi i mesazhit kuranor, si dhe rëndësia dhe kuptimi kuranor me simbolikën e tyre të shenjtë, janë shumë më lart sesa përmbajtja tematike, forma e jashtme dhe pamja librore e Kuranit. Në mesazhin e Kuranit, myslimanët besojnë si në Fjalën e drejtpërdrejtë dhe të përjetshme të Zotit (Verbum Dei), po ashtu edhe në thirrjen absolute që Muhamedi i përcolli njerëzimit,(3) të cilën atij ia komunikoi drejtpërdrejt meleku Xhibril. 
Zoti - Kurani - Muhamedi (Njeriu) është një zinxhir apo sekuencë transmetimi, që njeh njerëzit myslimanë si një drejtim vertikal dhe si një rrugë zbritjeje të Fjalës së Zotit apo Mesazhit Absolut nga Përjetësia në kohë, në histori.
Sipas botëkuptimit islam, Zoti kurrë nuk e shfaq veten si person, si karakter, si formë, si imazh. Zoti e zbulon Veten duke ia dërguar Fjalën e Tij njerëzimit ose nëpërmjet krijimit të Tij të panumërt të botëve të universit të pafund. 
Zoti (Allahu), Qenia e Tij e Paarritshme dhe Madhështore, me misterin e Tij mbetet i fshehur dhe i mbuluar në thellësitë e qiellit të kaltër, por në të njëjtën kohë zbulohet në univers, natyrë, botë dhe histori, për më tepër, është i pranishëm – siç thotë Kurani – në zemrën e njeriut, në damarin e qafës së tij. Një nga mesazhet më të forta të Kuranit është se Zoti është edhe një realitet transcendent (el Batin) dhe një realitet imanent (edh Dhahir),(4) dhe se Ai vazhdimisht shpallet, vazhdimisht i shfaqet të gjitha botëve. 
Vetë Kurani pohon fuqishëm dy forma të Shpalljes ose Revelatës (vaḥj) ose dy forma të manifestimit të realitetit të përjetshëm hyjnor. 
Aspekti i parë i Shpalljes së Zotit ndodh duke dërguar Fjalën e Zotit krijesave të Tij. Zoti ua zbulon-shpall Fjalën e Tij të dërguarve të Tij, p.sh. Ibrahimit, Musait, Davudit, Isait, Muhamedit. Zoti e zbulon gjithmonë Fjalën e Tij në gjuhën e njerëzve nga i cili vjen i dërguari i Zotit në fjalë. 
Të jesh mysliman do të thotë të besosh në vazhdimësinë monoteiste të Shpalljes së Zotit, të besosh në të gjithë librat e Zotit dhe në të gjithë të dërguarit dhe lajmëtarët e Zotit. Në këtë aspekt, Islami është një valë e madhe dhe e fuqishme shpirtërore, që në vazhdimësi ua rikujton njerëzimit ekzistencën e Zotit dhe rëndësinë e besimit në Zot.(5) Është vazhdimi i mesazhit monoteist ku Islami është i hapur ndaj Judaizmit dhe Krishterimit, ku e konsideron veten pasardhës, por edhe ripërtëritës të freskët të monoteizmit historik apo pikëpamjes së pa kompromis se, universi i pafund, yjësitë e panumërta, të gjitha botët e Tokës dhe Qiellit kanë vetëm një Krijues.(6) 
Në të vërtetë, në shumë faqe dhe në variacione të ndryshme, Kurani i kujton fuqimisht gjithë njerëzimit të kujtojë, gjithmonë e pa pushim, se Zoti është një Një dhe i Vetëm Krijues. Nuk ka Zot përveç Tij! Në Shpalljen e Zotit në formën e Fjalës së Zotit (pra: në librat Tevrat, Zebur, Inxhil dhe Kuran) zëri i të Vetmit Zot është mbi të gjithë zërat e tjerë. 
Një Zot, ky është mesazhi themelor, pika e parë rreth së cilës përqendrohen të gjitha temat dhe rrëfimet e tjera të librave fetarë të rrethit monoteist semit e veçanërisht të Kuranit. Islami e konsideron veten trashëgimtar të lavdishëm të atij mesazhi madhështor. 
Lloji i dytë ose forma tjetër e Shpalljes së Qenies së Madhërishme Hyjnore, sipas Kuranit, duhet të zhvillohet dhe vëzhgohet në Kozmosin, universin, natyrën, shpirtin... Në Kuran, fjalët ajatu-llah (shenjat hyjnore) në të njëjtën kohë i referohen: a) artikujt dhe versetet kuranore, dhe b) dukuritë në natyrë dhe në univers. 
Këto dy aspekte të Shenjave Hyjnore, mistikët islamë i kanë shprehur me thënien: Kurani është Natyra që flet, Natyra është Kurani që hesht!(7)
Këto janë arsyet kryesore pse myslimanët e respektojnë shumë Fjalën kuranore në origjinalin e saj arab, pse e përkthejnë mesazhin e saj në gjuhë të shumta, pse e ngrenë dhe e transmetojnë këtë Zë kuranor në kohë dhe hapësirë, pse besojnë në Kuran si Fjala e gjallë dhe e përjetshme e Zotit, shfaqja e zërit të përjetshëm të Absolutit. 
Kurani nuk është Zot, Kurani është Fjala e Zotit! Kjo kredo islame i mëson myslimanët se për ta Kurani është teofania më e fuqishme, të folurit e patejkalueshëm dhe të pakrahasueshëm të Zotit, tregimi i përjetshëm i Fjalës së Zotit.(8) Ka edhe arsye për pozicionin qendror të Kuranit në ritualet islame, kodet morale, mësimet teologjike, shprehjet artistike etj.. 


Islami – nënshtrim ndaj Zotit, mesazhi themelor i Kuranit nëse


Kurani është Fjala e Zotit, atëherë çfarë është Islami dhe ku është vendi i njeriut? Dhe pse Islami ka të bëjë me njeriun? 
Edhe pse Kurani dëshmon dhe kujton se përveç njeriut gjithmonë ka pasur (dhe ka) shumë marrës ose pranues të tjerë të Fjalës së Zotit ose të Frymëzimit Hyjnor (p.sh. Toka, Qielli, kafshët, botët shpirtërore, etj.), megjithatë, sipas Kuranit, njeriu është pranuesi më i rëndësishëm i Shpalljes së Zotit. Në këtë pikë duhet përmendur Islami (kjo fjalë arabe nënkupton nënshtrimin e të gjitha krijesave ose nënshtrimin e njeriut ndaj Krijuesit të tij, Zotit Një dhe të Vetëm). 
Kurani nuk mund të kuptohet siç duhet dhe as fjala e Kuranit nuk mund të realizohet siç duhet pa e ditur atmosferën dhe aromën e Islamit në faqet e tij. Shkurtimisht, sipas Kuranit, Islam është përgjigja e të gjitha krijesave, dhe përgjigja eo ipso dhe e njeriut ndaj Thirrjes Hyjnore, e cila ndryshon nga faqet e Fjalëve të Zotit, librave të Zotit (Tevratit, Zeburit, Ingjilit dhe Kuranit), ose nga anët dhe hapësirat e Universit. 
Kurani në variacione të panumërta thotë se Zoti i Gjithëmëshirshëm dhe i Mëshirshëm dëshiron që krijesat e Tij t’i nënshtrohen Atij. Në të vërtetë, Kurani deklaron se Qielli dhe Toka i janë nënshtruar Zotit, e madhërojnë Zotin (57:1) dhe janë vazhdimisht në sexhde para Tij (16:49). E njëjta gjë kërkohet edhe nga njeriu, nënshtrimi ndaj Zotit. 
Këtu janë arsyet kryesore pse islam në arabisht (dhe në të fjalimin kuranor) do të thotë nënshtrim ndaj Zotit. 
Për çfarëdo që thotë Kurani: qiejt e stolisur me yjësi, lëvizja e Diellit dhe e Hënës, lëvizja e reve, fryrja e erërave, mbirja e grurit, rritja e luleve të bukura, mbledhja e mjaltit nga bletët, bukuria e njeriut, shiu që bie, lumenjtë që rrjedhin, larmia e gjuhëve dhe ngjyrave njerëzore..., është gjithmonë një fjalim për islamin ose rrëfimi i islamit.
Kështu mund të thuhet se islam është një sagë hyjnore e nënshtrimit të të gjitha krijesave ndaj Një Zoti, saga e rrëfyer në faqet e Kuranit. 
Kurani e afirmon islamin (ose nënshtrimi universal ndaj Zotit Një dhe të Vetëm) në një mënyrë shumë të qartë dhe të hapur, si marrëdhënie themelore midis Zotit dhe krijesave të Tij. Islami i Kuranit shpjegohet si një modus operandi specifik i ekzistencës së universit, botës, jetës. Sepse, në kënd vë shtrimin kuranor të botës, pothuajse çdo gjë, çdo krijesë, çdo galaktikë dhe çdo milingonë, janë në rrugën që çon në fund të rrugës, te Zoti Një dhe të Vetëm. 


Islami si fe e myslimanëve, si fe e njerëzimit mysliman 


Në faqet e Kuranit shohim shumë qartë motivet e forta të Kuranit për të paraqitur, ofruar dhe formuluar Islamin si fe konkrete, fe myslimane, fe e njerëzimit mysliman. Në Kuran, përveç Islamit universal ose kozmik, ekziston një Islam shumë specifik ose njerëzor, d.m.th. Islami i një njeriu që është mysliman. (Fjala arabe muslim, do të thotë një person ose krijesë e nënshtruar ndaj Zotit). 
Kështu, në shumë faqe, Kurani shfaqet si një libër që themelon një fe specifike, Islamin, një fe që ka rrënjët si një entitet i veçantë fetar që nga shekulli VII, përveç judaizmit, krishterimit, adhurimit të yjeve, idhujtarisë, adhurimit të zjarrit... 
Nëse Islami universal ose kozmik (ose nënshtrimi universal i të gjitha botëve ndaj një Zoti) përshkruhet në Kuran si përgjigja e të gjitha krijesave dhe të gjitha botëve ndaj Zotit ose Krijuesit, kjo shtresë e dytë e Kuranit, ose Islami si fe specifike e një segmenti të njerëzimit, është veçanërisht feja myslimane, iu destinohet njerëzve të cilët e pranojnë Islamin si fenë e tyre, si religjion të tyre. 
Atëherë, si të lexohet Kurani nën dritën e postulateve për pluralizmin e religjioneve? Është e qartë se Kurani nuk e fsheh simpatinë e tij për myslimanët, por në të njëjtën kohë në faqet e tij Kurani trajton sekretin se pse ka shumë besime në Zot. 
Në shumë vende, Kurani aludon për faktin se besimi në Zot ka kuptim të plotë vetëm nëse është rezultat i zgjedhjes së lirë të njeriut.(9) Kurani thotë haptazi: “Nuk ka detyrim në fe” (2:256). Gjithashtu, në suren 11:118 thuhet: “Sikur të kishte dashur Zoti yt, do t’i bënte të gjithë njerëzit në një besim! E megjithatë ata gjithmonë ndryshojnë në besim.” Kështu që Zoti nuk donte t’i detyronte njerëzit që të gjithë të jenë në një fe. Sepse, detyrimi do të anulonte aktin e lirisë njerëzore dhe lirisë së zgjedhjes. Ajeti i Kuranit 10:19 ka një temë të ngjashme: “Njerëzit nuk ishin tjetër pos të një feje, e u përçanë. E sikur të mos ishte caktim i hershëm nga Zoti yt, do të përfundohej (me dënim) mes tyre, për atë që ishin të përçarë.” Fjala që “i parapriu nga Zoti yt” është në fakt trashëgimi hyjnore e fesë si një akt i vlefshëm i lirisë njerëzore. 
Por edhe ato pjesë të Kuranit që flasin për Islamin si një fe specifike të njerëzimit mysliman janë plot me thënie universale për Zotin. Zoti i Kuranit nuk është vetëm Zoti i myslimanëve, por një Zot universal, “Krijuesi dhe Zoti i të gjitha botëve” (1:1-3). Kjo shihet më së miri nga ajeti: “Vërtet, ata që besuan, ata që ishin jehudi, krishterët, sabejët (kishin lëshuar fenë e adhuronin engjëjt), kush besoi prej tyre (sinqerisht) Allahun, dhe botën tjetër dhe bëri vepra të mira, ata e kanë shpërblimin te Zoti i tyre.” (2:62). 
Nga njëra anë, diskursi universal i Kuranit për Zotin buron nga vetë natyra e krijimit të njerëzimit nga Zoti si një mozaik i madh diversiteti. Në suren 30:22, vihet në dukje drejtpërdrejt fakti që njerëzimi është i ndryshëm. Nga ana tjetër, fakti është se Kurani e vendos Islamin si fe dhe religjion i myslimanëve si një segment të veçantë dhe specifik të njerëzimit. Këto dy faqe të Kuranit duhet të shikohen në një marrëdhënie dinamike.


 Islami si fe, kulturë dhe qytetërim 


Islami kaloi nga faqet e Kuranit në jetën e njeriut, u bë fe dhe me kalimin e kohës u bë edhe kulturë e qytetërim.(10) Roli i Kuranit në besimin mysliman është jashtëzakonisht i madh. Pjesa më e madhe e përmbajtjes nga besimi mysliman dhe praktikimi i atij besimi vjen nga faqet e Kuranit. Për shembull, gjashtë themelet e Islamit, ose besimit në: 1. Zotin, 2. engjëjt/ melaqet e Zotit, 3. librat e Zotit, 4. Të dërguarit e Zotit, 5. Ditën e Gjykimit dhe 6. Fatin/Caktimin e Zotit; ato janë marrë drejtpërdrejt nga faqet e Kuranit. 
Për më tepër, përshëndetja e përgjithshme myslimane es selamu alejkum (Paqja qoftë mbi ju!) vjen nga vetë Kurani, si dhe frazat kryesore të riteve myslimane në namazet dhe lutjet e përditshme. P.sh. të porsalindurve mysliman u afrohet me Fjalën kuranore, myslimanët varrosen me këndim të Kuranit, gjithashtu Fjala e Kuranit është bërë pjesëmarrëse në ceremonitë fetare, dasma, festa islame. Kështu, Kurani u bë jo vetëm burimi i besimit mysliman, por pjesërisht edhe përmbajtja e atij besimi. Gjithashtu, në disa shoqëri tradicionale myslimane, teksti i Kuranit është pranuar dhe normativ, si burim i të drejtave dhe rregulloreve.(11) 
Në një kuptim specifik të riteve myslimane, të jesh mysliman do të thotë para së gjithash t’i përkushtohesh dëgjimit të Vullnetit dhe Qëllimit të Zotit, i cili komunikohet në Fjalën e Zotit, Kuran. 
Hyrja në Islam si devotshmëri, por edhe si doktrinë fetare, dëshmon për një mesazh tjetër të rëndësishëm të Kuranit, tevhidin ose monoteizmin striktë, të rreptë. Pothuajse ndër zërat më të fuqishëm të Kuranit është zëri që lartëson njëshmërinë e Zotit. Nuk ka zot tjetër përveç një Zot (La ilahe ila Allah!), ky është pozicioni qendror dhe themelor i Kuranit, është filli kryesor që dëshmohet në veprat, aktet, veprimet, ritualet, kulturën islame apo myslimane, arkitekturë, art. 
Për shkak të faktit të lavdishëm se Islami nuk e ka institucionalizuar klerin, pjesëmarrja në ritet e menjëhershme është çështje e të gjithë myslimanëve, burra dhe gra. Në kuptimin ritual, Islami është një thirrje për secilin që të jetë shpëtimtari i tyre personal. Kështu, Islami ritual u bë një thesar simbolik i të gjithë myslimanëve, të gjitha komuniteteve dhe popujve myslimanë. 
Gjatë historisë së tij, Islami është bërë një lloj mjedisi fetar, shoqëror, kulturor dhe qytetërues i Kuranit, streha në të cilën ruhet Kurani, por vetë Kurani i ka dhënë gjithmonë freski këtij ambienti të përgjithshëm. Vendet tradicionale islame, nga Maroku deri në Indonezi, nga Afrika Sub-sahariane deri në skajet jugore të Siberisë, janë të njohura nga kultura dhe qytetërimi i tyre specifik islam, i pasur me shumë tipare dhe tranzicione rajonale që respektojnë specifikat racore, gjuhësore dhe kulturore. 


_______________________ 
1. Enes Karić, Kako čitati Kur’an – crtice (pretraga za strukturama cjeline temeljne Knjige islama), Sarajevë, 2019. 
2. Ka shumë libra që tregojnë se si besimet dhe besimet islame rrjedhin nga teksti Kuranor. Një vepër e tillë është: Sachico Murata i William C. Chittick, The Vision of Islām, Paragon House, St. Paul, Minnesota, 1994. 
3. Për jetën e Muhamedit, të Dërguarit të Zotit, shih: Martin Lings, Muhammad, his life based on the earliest sources, Islamic Texts Society, Cambridge, 1991. Karen Armstrong, Muhammad, A Biography of the Prophet, HarperSanFrancisko, 1992. Barnaby Rogersona, The Prophet Muhammad, A Biography, Abacus, London, 2003. Po ashtu, shih: Tariq Ramadan, In the Footsteps of The Prophet, Lessons from the Life of Muhammad, Oxford University Press, Oxford – New York, 2007. 
4. Mbi transcendencën dhe imanencën e Zotit në Islam, shih: Ian Richard Netton, Allah Transcendent, Studies in the Structure and Semiotics of Islamic Philosophy, Theology and Cosmology, Curson Press, 1989. 
5. Për një përmbledhje gjithëpërfshirëse të përshpirtshmërisë islame, shih: Seyyed Hossein Nasr (urednik), Islamic Spirituality (Foundations) i Islamic Spirituality (Manifestations), The Crossroad Publishing Company, New York, 1987. 
6. Teologjia klasike islame e ka njohur gjithmonë vazhdimësinë e Shpalljes së Zotit. Krah. Tim Winter (redaktor), The Cambridge Companion to Classical Islamic Theology, Cambridge University Press, Cambridge, 2008. 
7. Mbi leximet dhe interpretimet mistike të Kuranit, shih: Annemarie Schimmel, Mystical Dimensions of Islam, The University of North Carolina Press, 1975. Po ashtu shih: Annemarie Schimmel, As Through a Veil, Mystical Poetry in Islam, Oneworld, Oxford, 2001. 
8. Mbi konceptin e Fjalës së Zotit në Islam, shih: Hans Küng, Der Islam, Wesen und Geschichte, Piper München Zürich, München, 2007. 
9. Për drejtimet në teologjinë islame që mbështetën pikëpamjet e lirisë njerëzore, shih: Tilman Nagel, Geschichte der islamischen Theologie von Muhammed bis zur Gegenwart, Verlag C. H. Beck, Munchen, 1994. 
10. Një përshkrim i jashtëzakonshëm i kulturës dhe qytetërimit islam mund të shihet në veprën: Marshall G. S. Hodgson, The Venture of Islam I – III, The University of Chicago, Chicago, 1974. 
11. Për vendin e Kuranit brenda ligjit klasik islam, shih: Wael B. Hallaq, The Origins and Evolutions of Islamic Law, Cambridge University Press, Cambridge – New York, 2005.


 


Dr. Enes Kariç
Përktheu e përshtati nga gjuha boshnjake: 
Dr. Azmir Jusuf