Dispozitat e namazit të teravive


Namazi i teravive është një nga adhurimet e preferuara të Pejgamberit a.s. në muajin e bekuar Ramazan.
Ky namaz është veçori e këtij muaji të bekuar dhe nuk falet në muajt e tjerë. Koha e faljes së namazit të teravive është pas namazit të jacisë dhe para vitrit. Ky namaz është i ligjshëm si për gjininë mashkullore, ashtu edhe për gjininë femërore. Mund të falet në mënyrë individuale dhe me xhematë, porse falja e tij me xhematë është më e preferuar, ngase kështu arrihet edhe shpërblimi i namazit me xhematë.


Norma e namazit të teravive


Ky namaz bën pjesë në grupin e namazave joobligative, ose thënë ndryshe bën pjesë në grupin e namazeve vullnetare. Por, meqë Pejgamberi a.s., këtë namaz e falte rregullisht, atëherë e merr normën e suneteve të forta - muekede.(1) 
Pejgamberi a.s., i nxiste sahabët për ta falur këtë namaz duke iu thënë: “Kush ngrihet të falë namaz nafile (teravitë) gjatë natës në Ramazan, me bindje dhe besim, duke llogaritur në shpërblimin e Allahut, atij do t'i falen mëkatet e tij të kaluara.”(2)
Me këtë hadith na bëhet e qartë rëndësia dhe dobia e namazit të teravisë, ngase Pejgamberi a.s. u premtoi agjëruesve se do t'u falen nga mëkatet e tyre, nëse ata janë të kujdesshëm dhe të rregullt në faljen e këtij namazi.


Periudha e aplikimit të namazit të teravisë


Nuk ka ndonjë hadith që tregon saktësisht se kur ka filluar së aplikuari falja e namazit të teravive. Por, sipas disa mendimeve nga juristët islamë, Ramazani i fundit i Pejgamberit a.s. mund të jetë Ramazani ose viti në të cilin është filluar me faljen e namazit të teravive në mënyrë të rregullt.(3)


Është evidentuar nga Aisheja r.a. se Pejgamberi a.s. në një prej netëve të Ramazanit doli në xhami dhe u fal (pra fali namazin e teravive), dhe disa njerëz u falën bashkë me të. Të nesërmen njerëzit biseduan për këtë namaz dhe u tubuan edhe më shumë, ai u fal dhe ata u falën me të, në natën e tretë erdhën edhe më shumë sahabë për t'u falur, dhe u falën me të. Kurse në natën e katërt pasi erdhën shumë xhematë nga sahabët për t'u falur me Pejgamberin a.s., ai nuk u doli në xhami. Sahabët e pritën një kohë të gjatë Pejgamberin a.s. për të dalë në namaz, por ai prapë nuk doli. Në ditën e nesërme pas namazit të sabahut, Pejgamberi a.s. iu drejtua njerëzve me një fjalim të shkurtër dhe u tha atyre: "O ju njerëz, e di gjendjen tuaj, nuk dola mbrëmë për të falur namaz (namazin e teravive), ngase u frikësova se po u bëhet obligim juve, e pastaj do të jetë ngarkesë për ju, e nuk mund ta kryeni.”(4)


Numri i rekateve të namazit të teravisë


Sipas mendimit të shumicës së juristëve islam,(5) e ndër ta edhe juristët e medhhebit hanefi, medhheb të cilin edhe zyrtarisht e kemi në trojet tona shqiptare, namazi i teravive ka njëzet rekate. Lidhur me këtë, Imam Merginani në librin e tij “El Hidajeh”, ka thënë: “Preferohet që në Ramazan të tubohen njerëzit dhe të falën pesë teravi, (secila teravi me nga dy selame, pra pesë herë nga katër rekate)."(6) Ndërsa Imam Vehbi Sulejman Gavoxhi në librin e tij "Erkanul Islam" ka thënë: "Numri i rekateve të namazit të teravive është njëzet, mund të falen edhe me dhjetë selame, në çdo rekate lexohet Fatihaja dhe diç tjetër nga Kurani fisnik, mjafton tri ajete të shkurtra, ose një ajet të gjatë, ose ndonjë sure.”(7)
Për numrin e rekateve që e theksuam, juristët hanefitë numërojnë disa argumente, e ndër me të rëndësishmet janë:


Transmetohet nga Jezid bin Rumani, se njerëzit në kohën e Umer ibën Hatabit r.a. falnin njëzet e tri rekate namaz (njëzet teravi dhe tri rekate vitr).(8)
Po ashtu transmetohet nga Ibën Abasi r.a., se: "Pejgamberi a.s. në Ramazan i falte njëzet rekate."(9)
Po ashtu transmetohet nga Abdurrahman b. Abdulkarië, i cili ka thënë: “Një natë gjatë Ramazanit dola në xhami me Omerin r.a., e atje i pamë njerëzit duke u falur të shpërndarë, dikush falej vetmas, e disa të tjerë faleshin në grupe." Omeri kur i pa tha: “Unë mendoj që t'i bashkoj këta njerëz që të falin namazin me një imam." Pastaj i thirri të gjithë sahabët dhe i bashkoi në një xhemat, dhe për imam të tyre caktoi Ubej b. Kabin. E kur doli natën tjetër dhe i pa njerëzit duke u falur me xhematë pas një imami tha: “Sa risi e mirë është kjo." Më pastaj tregohet nga sahabët se kur Omeri r.a. i kishte bashkuar ata në një xhemat dhe ua kishte caktuar atyre imam Ubej ibën Kabin, e falnin namazin e teravive njëzetë rekate.(10)
Transmetohet gjithashtu se edhe Aliu r.a. e kishte urdhëruar një imam që t'i falte teravitë njëzetë rekate.(11)
Këto hadithe, edhe nëse ndonjërit prej tyre mund t'i kontestohet saktësia e tyre te dijetarët e hadithit, prapëseprapë argumentimi me to mbetet tejet i fortë dhe kredibil. Kjo për faktin se veprimi i sahabëve dhe praktika e tyre në këtë çështje, e forcon mendimin e katër medhhebeve për numrin e rekateve të teravive.
Madje, një çështje shumë me rëndësi që duhet ta kemi parasysh është ixhmai i sahabëve, (pajtueshmëria dhe unanimiteti i të gjithë sahabëve me mendimin e Omerit r.a.), ngase kur Omeri r.a. i organizoi sahabët që të falen me një imam dhe një xhemat, dhe që teravitë të faleshin njëzetë rekate, asnjë nga sahabët e pranishëm nuk doli që e kundërshtoi Omerin r.a.. E dihet fare mirë, që sahabët po të kishin tjetër mendim nuk do të pajtonin me një vendim të gabuar të Omerit r.a..
Prandaj, edhe Ebu Hanife kur u pyet për namazin e teravisë dhe veprimin e Omerit me njëzetë rekate, tha: "Ai nuk e bëri këtë nga vetvetja e tij, dhe kurrë nuk do ta bënte nëse nuk do të gjente mbështetje në Sunetin e të Dërguarit të tij?"(12)
Prandaj, ajo që te ne po ndodh në kohën e pasluftës, ku një numër i xhematit pas faljes së tetë rekateve, ose një numri të caktuar të rekateve të teravive, po ndahen nga imami, nga xhemati e xhamia, është gabim në normë dhe edeb.
Them gabim në normë, ngase Pejgamberi a.s. ka thënë: "Kush falet me imamin e tij derisa imami ta përfundojë namazin e tij, atij do t'i shkruhet (llogaritet) sikur të jetë falur tërë natën."(13)
Ndërsa gabim në edeb, e kemi për qëllim prishjen e rendit të xhematit, disiplinës së xhamisë dhe qetësisë së saj, ngase në shumicën e rasteve të tillët (siç edhe dihet qartazi) me bisedat dhe diskutimet e tyre brenda xhamisë, bëhen pengesë për imamin dhe xhematin të cilët vazhdojnë namazin e tyre.


Mënyra e faljes së namazit të teravive


Për faljen e namazit të teravisë nuk ka nevojë të thirret as ezan e as ikamet. Ngase edhe ezani edhe ikameti janë të aplikueshme vetëm për namazet obligative, respektivisht për pesë namazet ditore dhe për namazin e xhumasë. Namazi i teravive mund të falet vetmas, por mund të falet edhe me xhematë. Nëse e falim me xhematë imami lexon Kuranin me zë, e nëse e falim vetmas atëherë mund ta falim edhe me zë, por edhe pa zë (duke lexuar vetvetiu). Ky namaz mund të falet nga dy rekate, por mund të falet edhe nga katër rekate me një selam. Në vendin tonë është bërë e zakonshme që të falen katër rekate me një selam, gjë që nuk ka asgjë të nga keqe, dhe mendojmë se është më e udhës që të respektohet kjo traditë.
Në fillim të rekatit, merret tekbiri fillestar, këndohet Subhanekeja, Eudhubilahi dhe Besmeleja, pastaj lexohet Fatihaja dhe ndonjë ajet ose ndonjë sure. Në rekatin e dytë po ashtu lexohet Fatihaja dhe ndonjë ajet ose ndonjë sure, dhe shkohet ne uljen e parë, ku lexohet Tehijati, Shehadeti dhe Salavatet. Ngrihemi në rekatin e tretë, (dhe meqenëse ky namaz bën të falet edhe nga dy edhe nga katër rekate, atëherë edhe në fillim të rekatit të tretë) e lexojnë Subhaneken, Eudhubilahin dhe Besmelen, pastaj lexojmë Fatihan dhe ndonjë ajet ose ndonjë sure. Në rekatin e katërt lexohet Fatihaja dhe ndonjë ajet ose ndonjë sure, dhe pastaj shkojmë në uljen e fundit ku lexojmë: Tehijatin, Shehadetin, Salavatet, Duatë, dhe japim selam. Gjatë faljes së namazit të teravisë, dijetarët janë të mendimit se është e preferuar që të pushohet nga pak pas çdo katër rekateve, për aq sa xhemati mund të bëjnë një pushim të vogël. Gjatë këtij pushimi, mund të ketë ndonjë këshillë nga imami apo ndokush tjetër, ose edhe mund të lexohet Kuran, apo vetë xhemati në heshtje të bëjë ndonjë lutje apo dhikër tjetër.


Namazi i natës pas namazit të teravive


Rëndom, edhe vetë namazi i teravive konsiderohet namaz i natës, ngase çdo namaz vullnetar mes namazit të jacisë dhe namazit të sabahut konsiderohet namaz i natës. Mirëpo këtu nuk kemi për qëllim namazin e teravive, por namazin e natës që e bëjmë në Ramazan, pas namazit të teravive, e sidomos në dhjetë netët e fundit të Ramazanit. Në këto dhjetë net gjendet edhe Nata e Kadrit, natë që konsiderohet më e vlefshme sesa njëmijë muaj.
Për rëndësinë e namazit të natës flet edhe Allahu xh.sh. në Kuran kur thotë: “O ti i mbuluar! Ngrihu për namaz nate, përveç një pjese të vogël të saj. Gjysmën e saj ose diç më pak se gjysmën. Ose shto diç prej saj dhe Kuranin lexoje me vëmendje. Ne do të shpallin ty fjalë të rëndë. E nuk ka dyshim se aktiviteti i natës është fuqizues i qartë.” (Muzemil 1-6).
Andaj në parim, kalimi i natës me adhurim, rikujtim të Allahut, lexim të Kuranit, e namaz vullnetar, si na Ramazan ashtu edhe jashtë Ramazanit, konsiderohet prej veprave të preferuara dhe të shpërblyera tek Allahu i Madhërishëm. Pejgamberi a.s., në një hadith ka thënë: “Kalojeni natën me namaz nate, ngase namazi i natës është qëndresa e robërve të mirë?(14) Po ashtu me një rast i ka thënë Abdullah ibën Amrit r.a.: "O Abdullah, mos u bë si filani, ka qenë i rregullt në namaz të natës dhe tani e ka lënë atë."(15) E në një tjetër hadith ka thënë: "Namazi më i mirë pas farzit është namazi i natës?"(16)
Ky namaz është sunet që të falet nga dy rekate, ashtu siç falet suneti i sabahut, ngase Pejgamberi a.s., ka thënë: "Namazi i natës falet nga dy rekate."(17) Mund të falet me zë dhe pa zë. Mund të falet vetmas, por edhe me xhematë (ngase Muhamedi a.s. ndonjëherë e falte namazin e natës edhe me xhematë, transmetohet se një rast në shtëpi të vet ua kishte falur namazin e natës Ibën Abasit, Ibën Muesudit, dhe Hudhejfi ibnul Jemanit r.a.).(18)
Por, sipas medhebit hanefi (por edhe atij shafi), namazin e natës është më e preferuar që ta falim në shtëpi, larg nga sytë e njerëzve (e sidomos gjinia femërore). Kjo për faktin se Pejgamberi a.s., kur e falte namazin e natës kishte dëshirë që mos ta shoh atë askush nga njerëzit, madje as bashkëshortja e tij. Transmetohet nga Ajsheja r.a. të ketë thënë: “Një natë e vërejta të Dërguarin e Zotit se nuk është në shtrat, kur shikova e vërejta se është duke u falur namaz...".(19) Po ashtu, edhe me fjalët e tij i kishte porositur shokët e tij me një hadith duke ju thënë: "O ju njerëz, përhapeni selamin, bëhuni bukëdhënës dhe faluni natën kur njerëzit janë fjetur, sepse do të hyni në Xhenet pa ndonjë pengesë.(20)



_______________
1. El Hidajeh Sherh Bidajetul Mubtedi, Imam Merginani, 1/85. 
2. Transmeton Muslimi me nr. 759.
3. Shih: Pejgamberi a.s. në Ramazan, Abdulhakim el Enis, përkthyer nga mr. Vedat Shabani, fq.73.
4. Transmeton Buhariu me nr. 1077, Muslimi me nr. 761.
5. Shih: Fikhul Islam ve ediletuhu, dr. Vehbi Zuhejli 1/75.
6. El Hidajeh Sherh Bidajetul Mubtedi, Imam Merginani, 1/85.
7. Erkanul Islam, Vehbi Sulejman Gavoxhi, 1/330,
8. Transmeton Imam Maliku në "Muveta" (525).
9. Transmeton Imam Bejhakiu në “Sunen" (496).
10. Transmeton Buhariu me nr. 1906.
11. Transmeton Imam Bejhakiu në "Sunen" (497). 
12. Erkanul Islam, Vehbi Sulejman Gavoxhi, 1/331 
13. Evidenton Ibën Fuzejme në Sahihun e tij me nr. 2211. 
14. Transmeton Imam Tirmidhiu.
15. Transmeton Buhariu me nr. 1152 
16. Transmeton Muslimi me nr. 
17. Transmeton Buhariu me nr. 472. 
18. Transmeton Buhariu me nr. 698. 
19. Transmeton Muslimi me nr. 485 
20. Transmeton Tirmidhiu me 7/1166.


 


Dituria Islame 412