"A nuk e ke dëgjuar ti (o Muhamed) se çfarë i tha paria e bijve të Izraelit, pas Musait, një profeti të tyre? I tha: 'Na dërgo një mbret, që të luftojmë në rrugën e Allahut!' - Profeti u tha: 'Po sikur të mos luftoni kur të shpallet lufta?' Ata thanë: 'E përse të mos luftojmë në rrugën e Allahut, ne që jemi dëbuar nga atdheu ynë dhe jemi ndarë nga fëmijët tanë?!' Mirëpo, kur u urdhëruan të luftojnë, ata nuk luftuan, me përjashtim të një pakice. Allahu i njeh mirë keqbërësit." (El bekare, 246)
I lavdëruar është Allahu xh.sh., i Cili i jep pushtetin kujt të dojë dhe ia merr pushtetin kujt të dojë Ai, sepse është kompetencë e Allahut xh.sh. dhe jo e njerëzve që dëshirojnë të kenë pushtet mbi pushtetin e Krijuesit fuqiplotë në këtë botë.
Atë kohë, mes Egjiptit dhe Damaskut jetonte fisi i quajtur Amalika, ata kishin një kryetar shumë të fuqishëm, të quajtur Xhalut. Allahu xh.sh. ua lëshoi në qafë Xhalutin të bijve të Izraelit. Ai i mundi izraelitët dhe gratë e fëmijët ua mori rob.(1)
Në një nga këto beteja, benu israilët thyhen keq dhe humbasin edhe arkën që e kishin trashëguar nga koha e Musait a.s., sepse kjo arkë ka qenë si mbështetje në luftërat që luftonin izraelitët ndaj të tjerëve dhe kjo arkë ra në dorën e Xhalutit, i cili me qëllim qe ta poshtëronte popullin e Izraelit e hodhi në ndyrësirë, në Kuran kjo arkë quhet "Tabut".
Sepse në ketë tabut thuhet se ka qenë disa pllaka, ku ka qenë i shkruar Tevrati, që i ka zbritur profetit Musa a.s. dhe shkopi që ishte një nga muxhizet e tij dhe disa rroba.
Gjithashtu Allahu xh.sh. i tregon profetit Muhamed, thotë: O Muhamed për disa pejgamberë të kemi treguar e për disa nuk të kemi treguar.
Samueli thuhet se ka qenë profet pas Harunit a.s. Ngaqë kishin vuajtur, ata tashmë kërkonin një 48 prijës që t'i udhëheqë në luftë për të vënë nderin në vend. Por kur profeti i ftoi për luftë, shumica prej tyre nuk e mbajtën besën. Vetëm tetë mijë hebrenj i qëndruan fjalës së tyre për të luftuar.
Ata që e mbajtën besën për luftë, i kërkuan Samuelit të njihen me mbretin që do t'i udhëhiqte dhe do t'i komandonte. Atëherë Samueli u tregoi se mbreti i tyre do të jetë Taluti. Ai ishte biri i Kajshit, nga pasardhësit e Benjaminit, birit të Jakubit a.s.(2)
Dhe këtë tregim e përshkruan edhe Kurani famëlartë: "A nuk e ke dëgjuar ti (o Muhamed) se çfarë i tha paria e bijve të Izraelit, pas Musait, një profeti të tyre? I tha: 'Na dërgo një mbret, që të luftojmë në rrugën e Allahut!' - Profeti u tha: 'Po sikur të mos luftoni kur të shpallet lufta?' Ata thanë: 'E përse të mos luftojmë në rrugën e Allahut, ne që jemi dëbuar nga atdheu ynë dhe jemi ndarë nga fëmijët tanë?!' Mirëpo, kur u urdhëruan të luftojnë, ata nuk luftuan, me përjashtim të një pakice. Allahu i njeh mirë keqbërësit." (El bekare, 246)
Gjithashtu Samueli u tha se Taluti ishte njeri i thjeshtë, punonte në regjjen e lëkurave dhe njeri i thjeshtë. Megjithatë, ai ishte i ditur, i urtë dhe me fizik të fuqishëm, me lëkurë të bardhë dhe simpatik.
"Profeti i tyre u tha: 'Allahu ka dërguar Talutin si mbretin tuaj'. Ata thanë: 'Si mund të bëhet ai mbreti ynë, kur ne kemi më tepër merita se ai për të sunduar, madje ai edhe nuk është i pasur.' Ai u përgjigj: 'Allahu e ka zgjedhur atë për mbretin tuaj dhe e ka pajisur me dijeni të gjerë dhe me fuqi trupore. Allahu ia jep pushtetin e Vet kujt të dojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm'." (El bekare, 247).
Sipas parisë së bijeve të izraelit, pushteti duhet të ishte në dorën e të pasurve, mirëpo ky mendim bie në kundërshtim me interesat e shoqërisë dhe drejtësinë, sepse në pushtet duhet të vijnë jo të pasurit, por ata që janë të aftë dhe të guximshëm.
Sipas Fahrudin Rraziut: Ishomili (Samueli) hodhi poshtë propozimin e bijve të izraelit për katër arsye:
1.Talutin e zgjodhi për sundimtar Allahu.xh.sh.
2. Te sundimtarët kërkohen dy veti: Njohja e politikës (administrimit), dhe fuqia trupore dhe shpirtërore.
3. Pasuria është e Allahut: Ai ja jep atë kujt të dojë.
4. Me bujarinë e Tij, Allahu e bën të varfrin të pasur, Ai e di drejtësisht se kush është i denjë për sundim.
Duke parë refuzimin dhe kokë fortësinë e popullit të tij, Samueli u tha: "Po sikur t'ju sjell një sinjal se kjo është zgjedhje nga ana e Zotit?!" Kjo, pasi i thoshin se nuk e dimë nëse na thua të vërtetën apo na gënjen. Ata i thanë: "Po, nëse na sjell një shenjë dhe sinjal se kjo është zgjedhja e Zotit, atëherë do të bindemi."
"Profeti u tha atyre: "Shenjë e sundimit të tij është ardhja e Arkës. Aty ka qetësi për ju nga Zoti juaj dhe relike të lëna nga familja e Musait dhe Harunit. Atë e bartin engjëjt. Sigurisht që kjo është një shenjë për ju, nëse jeni besimtarë'!" (El bekare, 248).
Më në fund me anë të engjëjve, Allahu xh.sh. e vuri Tabutin para shtëpisë së Talutit. Kur e panë këtë gjë të bijtë e izraelit, e pranuan sundimin e Talutit dhe u qetësuan.
Kështu, Zoti kishte dhuruar shenjën e kërkuar nga robërit e Tij në mënyrë që Taluti të bëhej sundimtar.
Zoti në Kuran thotë: "Kur Taluti u nis për luftë bashkë me ushtrinë, u tha atyre: 'Allahu do t'ju provojë me një lumë. Kush pi ujë në të, nuk është ushtari im. Ndërsa kush nuk pi ujë në të ose kënaqet vetëm me një grusht ujë, është ushtari im'. - Kushdo që do të pinte vetëm një grusht ujë, do vazhdonte rrugën për në luftë. Ai që e thyente këtë, do të përjashtohej -Por të gjithë pinë, përveç një pakice. Pasi ai me ata (ushtarë) që ishin besimtarë kaluan lumin, shumë prej tyre thanë: 'Ne sot nuk kemi fuqi të luftojmë me Xhalutin dhe ushtrinë e tij'. Por ata që ishin të bindur se do të takoheshin me Allahun, thanë: 'Sa herë, me ndihmën e Allahut, një ushtri e vogël ka ngadhënjyer mbi një ushtri të madhe! Allahu është me të durueshmit'." (El bekare, 249).
Fitorja nuk arrihet vetëm me numër të madh luftëtarësh, por arrihet me forcën e besimit dhe vullnetin e çeliktë. Në ushtrinë e Talutit ishte një djalë 18-vjeçar që e quanin Davud.
Davudi merrej me dele dhe ishte i aftë për hedhjen e hobesë dhe e kishte zërin shumë të bukur dhe ishte shumë guximtar.
Një ditë i pati thënë kështu të atit: Të gjithë gurët e malet emrin tim e thonë!
Dhe i ati i pati thënë kështu: Myzhde për ty, o Davud!
Me t'u vendosur dy ushtritë para njëra-tjetrës, ushtarët e Talutit filluan të luteshin dhe t'i përgjëroheshin Zotit për ndihmë.
"Dhe kur u përballën me Xhalutin dhe ushtrinë e tij, thanë: 'Zoti ynë! Na pajis me durim, na forco këmbët tona dhe na ndihmo kundër këtij populli jobesimtar'!" (El bekare, 250).
Xhaluti ishte luftëtari më i fuqishëm dhe më i madhi, ishte ai që doli i pari dhe kërkoi një luftëtar në dyluftim nga ushtria e Talutit. Duke dashur që t'i nxitë, Taluti u tha: "Kushdo që del, në dyluftim do ta martoj me vajzën time dhe do të trashëgojë fronin mbretëror pas meje. Në këtë moment, del para një djalë i ri nga ushtria e Talutit, që quhej Davud. Kur e pa Davudin të ri në moshë , Xhaluti i tha: "Kush je ti? Kthehu o vogëlush se nuk kam qejf të vras djem të rinj si puna jote!" Kurse Davudi a.s ia ktheu: Por unë kam qejf të të vras ty, pastaj Davudi e mori gurin e vendosi mirë në hobe dhe ia lëshoi Xhalutit. Guri e mori në ballë dhe Xhaluti ra i vdekur nga kali. Thotë Zoti në Kuran:
"Me ndihmën e Allahut, ata i thyen armiqtë dhe Davudi e vrau Xhalutin." (El bekare, 251).
Kështu, benu israilët e fituan këtë betejë dhe Davudi a.s u martua me vajzën e Talutit, si dhe u bë prijës i tyre.
Thotë Zoti në Kuran: "Allahu i dha atij pushtetin dhe pejgamberinë dhe i mësoi dituritë që deshi.". (El bekare, 252).
__________________
1. Osman Nuri Topbashi, Vargu i profetëve, Stamboll, 2012, fq 8.
2. Amer Halid, Historitë e profetëve, Shkup.
Ibrahim Iljazi
Dituria Islame 354