Gjatë një dite të zakonshme në shkollë, një nxënës bëri një shaka që doli jashtë kufijve të mirësjelljes: ai i ngjiti shokut të klasës një letër në shpinë, ku shkruhej "JAM BUDALLA". Pastaj, me një buzëqeshje paksa ironike, u tha të tjerëve të mos i tregonin gjë.
Nxënësi ecën nëpër klasë i qetë, i pavetëdijshëm për të qeshurat e papritura që ngriheshin pas tij. Askush nuk i tha asgjë… askush nuk e paralajmëroi.
Më vonë, gjatë orës së matematikës, mësuesja shkroi në dërrasë një ushtrim të vështirë. Klasa heshti. Asnjë dorë nuk u ngrit. Veç një: ajo e djalit me letrën në shpinë.
Në mes të qeshurave tinëzare, ai u ngrit, iu afrua dërrasës dhe e zgjidhi ushtrimin me saktësi dhe qetësi.
Mësuesja e duartrokiti dhe kërkoi që edhe klasa të bënte të njëjtën gjë. Pastaj iu afrua dhe i hoqi letrën nga shpina.
Me një zë të butë, por të vendosur, i tha:
- "Duket se nuk e dije që dikush kishte ngjitur këtë letër në shpinën tënde. Por, le të mësojmë diçka nga kjo situatë."
U kthye nga klasa dhe tha:
"Para se t'ju dënoj, dua t'ju them dy gjëra të rëndësishme për jetën:
E para: Njerëzit ndonjëherë do të përpiqen t'ju vendosin etiketa. Do ju quajnë ndryshe nga çfarë jeni, për t'ju ulur vlerën dhe për t'ju ndalur. Po të dinte për letrën, ndoshta ky djalë nuk do të kishte pasur guximin të çohej.
Mos lejoni kurrë që mendimet e të tjerëve të përcaktojnë kush jeni. Bëni përpara, mësoni, guxoni, rrituni. Etiketat bien… por dija dhe përpjekja që bëni për veten, mbeten përgjithmonë.
E dyta: Në këtë klasë, askush nuk u tregua mik i vërtetë. Të gjithë panë, askush nuk foli.
Mos u mashtroni nga numri i miqve, por matni vlerën e tyre me besnikërinë dhe mbështetjen që ju japin. Nëse nuk keni dikë që ju mbron, që ju paralajmëron, që ju do në heshtje... atëherë është më mirë të jeni vetëm, sesa të rrethuar nga njerëz që nuk ju duan sinqerisht."
* * *
"Nuk ka rëndësi çfarë etiketë të tjerët përpiqen të vendosin mbi ju - rëndësi ka çfarë ju shkruani me jetën tënde."
Ky tregim na kujton se etiketat që të tjerët na vendosin mund të jenë të padrejta apo tallëse, por nuk mund të përcaktojnë vlerën tonë reale. Vërtetësia, përpjekja dhe qëndrimi ynë në jetë janë përgjigjja më e fuqishme ndaj çdo paragjykimi.
"O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër..." (El Huxhurat, 11)