Më 23 dhe 24 qershor 2025 (e hënë dhe e martë), në ambientet e Medresesë "Alaudin" në Prishtinë, u mbajt takimi jubilar i gjeneratës së VIII të medresantëve të viteve 1970-1975.
Edhe pas pesë dekadash - një gjysmë shekulli - ka mbetur e paharruar dita kur për herë të fundit lamë pas klasën tonë, dhomën e internatit, oborrin ku takoheshim me shokë të gjeneratave më të vjetra e më të reja, mensën, sallën e bibliotekës dhe Xhaminë e Medresesë "Alaudin", e vetmja që edhe sot qëndron në këmbë.
Atëherë ishim të rinj, plot ëndrra e pasion për jetën. Sot, ndonëse vitet kanë lënë gjurmë në pamjen tonë, shpirti i asaj kohe jeton ende i ri brenda nesh. Ky nuk ishte thjesht një takim, por një rikthim i kujtimeve të çmuara - një ndalesë për të nderuar vitet që na formësuan dhe njerëzit që na ndriçuan rrugën e jetës.
U bashkuam 18 shokë nga të gjitha anët e Republikës së Kosovës, nga Struga, Tetova dhe Shkupi, me të cilët kishim kaluar pesë vite të paharrueshme në klasë e internat, duke ndarë kafshatën, shpresat, dëshirat e vështirësitë. Aty jo vetëm që u edukuan mendjet tona, por u formua edhe karakteri ynë - një trashëgimi që na ka përcjellë gjatë gjithë jetës. Internati ishte më shumë se strehë: ishte shtëpia jonë e dytë, vendi ku u ngjizën miqësi që mbeten të forta edhe pas 50 vitesh.
Për fat të keq, jo të gjithë kishin mundësi të ishin të pranishëm. Disa prej shokëve tanë kanë ndërruar jetë: Zahadin Ajdini, Zymer Boshtraj, Isen Etemi, Nuredin Ahmeti, Abdylbahri Halili, Ali Qerimi, Hysen Ajeti dhe Mehmet Gjokaj. Lutemi që Allahu i Lartëmadhërueshëm t'i mëshirojë dhe t'i shpërblejë me Xhenet!
Po ashtu, shumica e profesorëve dhe edukatorëve tanë tashmë nuk janë në mesin tonë. Me përulësi dhe respekt, i kujtuam dhe do t'i kujtojmë përjetësisht: profesorin e akaidit, Mulla Sherif Ahmeti; profesorin e fikhut, Mulla Rashit Osmani; kujdestarin dhe myderrizin tonë të klasës, Mulla Sadri Prestreshi; hafiz Muharrem Adilin; profesorin Bajrush Ahmeti; profesorin Nexhat Nahi; edukatorin Ymer Musolli; edukatorin Mulla Sejdi Simnica, e të tjerë. Allahu i mëshiroftë dhe u dhëntë vend në xhenet!
Në hapjen e takimit, patëm kënaqësinë dhe nderin të na bashkohej edhe Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Naim ef. Tërnava, i cili na informoi mbi të arriturat, sfidat dhe planet e BIK-ut dhe të Medresesë "Alaudin". E falënderojmë përzemërsisht për praninë e tij dhe i urojmë shëndet e mbarësi në drejtimin e mëtejshëm të institucionit.
Po ashtu falënderojmë ngrohtësisht drejtorin e Medresesë, Prof. Fadil ef. Hasani, dhe stafin e tij për mikpritjen shembullore. U gëzuam pa masë nga zhvillimet dhe përmirësimet e mëdha që janë bërë në kushte dhe standarde mësimore, edukative dhe jetësore për nxënësit e sotëm të Medresesë. Vizituam klasat, dhomat e banimit dhe kujtuam kushtet e vështira të viteve tona të shkollimit, nga 1970 deri më 1975.
Takimi u shënua në mënyrë modeste e pa bujë, por me emocion dhe dashuri të madhe. Koha nuk i shlyen miqësitë e vërteta, as zbeh kujtimet që na bëjnë të qeshim, të mallëngjehemi, apo edhe të përlotemi. Të jesh bashkë me shokët e gjeneratës në një moshë mbi 70-vjeçare është një privilegj dhe një bekim nga i Madhi Zot, për çka e falënderojmë me zemër.
Koha që kishim në dispozicion (nga ora 11:00 e datës 23 deri në orën 09:00 të datës 24) u shfrytëzua kryesisht për evokim kujtimesh nga jeta jonë si nxënës. Vizituam edhe lokacionin ku dikur ndodhej Medreseja e vjetër, internati dhe objektet përcjellëse - nga të cilat sot qëndron vetëm Xhamia "Alaudin". Shetitëm në vende të dashura për ne si nxënës, që tashmë kanë ndryshuar rrënjësisht, por që në kujtesën tonë ruhen me imazhet e dikurshme. Kjo na shërbeu për ta rifreskuar kujtesën tonë, aq të begatë e të rëndësishme edhe për kujtesën historike të Prishtinës nga viti 1970 e këndej.
Takimi kaloi në atmosferë të gëzueshme, me optimizëm e mirënjohje. U ndamë duke uruar njëri-tjetrin për jetë të gjatë, shëndet, paqe dhe suksese në të ardhmen, me shpresën se do të takohemi sërish.
Në fund, një falënderim i veçantë i takon shokut tonë të gjeneratës, Prof. Dr. Nehat ef. Krasniqi, për nismën dhe organizimin e këtij takimi jubilar, si dhe për përkushtimin dhe kujdesin e treguar.
Përgatiti: Esat Rexha