Uthmani r. a. ishte shumë i urtë, dorëlirë dhe fisnik. Atë e donte shumë dhe e respektonte Pejgamberi a.s., por edhe mushrikët kurejshë. Mirëpo pranimi i Islamit nga ana e tij shkaktoi shqetësime të mëdha në mesin e kurejshëve, saqë ata filluan ta ndëshkonin me qëllim që ta detyronin të kthehej në fenë e mëparshme.
Bedri, Tebuku dhe Marrëveshja e Hudejbies
Pasi kurejshët ishin përgatitur për luftën e Bedrit dhe pasi për këtë u informua Pejgamberi a.s. ai tha: "Kush dëshiron të udhëtojë me mua, le të më pasojë". Kur e dëgjoi Uthmani, deshi t`i bashkohej Pejgamberit a.s. por ai e ndali duke i thënë që të rrinte pranë bashkëshortes, Rukijes, e cila ishte e sëmurë. Sipas të gjitha argumenteve, ajo vdiq në kohën kur zhvillohej lufta e madhe e Bedrit, në të cilën fituan myslimanët. Edhe pse Uthmani nuk e pati fatin të mirrte pjesë në betejën e Bedrit, Pejgamberi a.s. ia ndau pjesën e vet të pasurisë nga plaçkat e luftës. Uthmani r. a. ishte mërzitur dhe kishte qarë aq shumë për bashkëshorten Rukijen dhe për ndërprerjen e miqësisë me Pejgamberin a.s. saqë, kur e kishte parë Pejgamberi a.s. në gjendje të tillë, i kishte thënë: "O Uthman, nëse do, po ta jap, merre bijën tjetër, Umu Kulthumin". Uthmani u pajtua me këtë ofertë të Pejgamberit a.s. dhe u martua me të e jetoi deri në vdekje me Umu Kulthumin, në vitin 9. h.(1).
Transmetohet në Sahihun e Buhariut: "Një person nga Egjipti kishte ardhur për ta kryer Haxhin. Kur arriti, pa një grup njerëzish ulur dhe tha: "Kush është i pari (kryeplak) i tyre? I thanë: Abdullah ibn Umeri. Tha: O i biri i Umerit, unë do të të pyes për një gjë, më trego për të, dhe tha: "A e di se Uthmani iku ditën e zhvillimit të betejës në Uhud? I tha: "Po". Tha: "A e di se ai ka munguar në Bedër? I tha: "Po". Tha: "A e di se ai ka munguar në Bejatu Er-Ridvan" (betimin nën hijen e lisit, në të cilën Allahu xh. sh. ka qenë i kënaqur)? I tha "Po". Tha: "Allahu Ekber". Tha ibn Umeri: "Eja të ta sqaroj ty". Për mungesën në Uhud, Allahu xh. sh. e ka falur Uthmanin r. a. ; mungesa e tij në Bedër ishte për shkak të sëmundjes së bashkëshortes së tij; mosprania e Uthmanit r. a. në Bejatu Er-Ridvan ishte e arsyeshme, sepse ai në momentin e kësaj besnikërie apo betimi ndodhej në Mekë. Ky ishte sqarimi që ibni Umeri i dha personit nga Egjipti, i cili kishte ardhur për ta kryer haxhin.(2) Përsa i përket mospranisë së uthmanit me rastin e besnikërisë nën lis, ai në këtë kohë ishte dërguar nga Pejgamberi a.s. si përfaqësues i myslimanëve tek kurejshët për të konfirmuar qëndrimin e Resulull-llahut a.s. dhe qëllimin e udhëtimit, i cili nuk kishte karakter tjetër përveçse kryerjen e Umres.
Uthmani r.a., ndihmon betejën e Tebukut
Pejgamberi a.s. më parë e kishte thirrur Umer ibn Hattabin për ta dërguar tek mushrikët, por ai kishte kërkuar falje duke thënë: "O Pejgamber, unë nuk kam askënd në Mekë për të më mbrojtur, po qe se benu Ka`bët më torturojnë. Dërgoje Uthman ibn Affanin, se familja e tij është në Mekë. Ai ka mundësi ta dërgojë mesazhin të cilin dëshiron ti".(3) Pejgamberi a.s. e thirri Uthmanin dhe i dha detyrën për të shkuar tek kurejshët, e i tha: "Lajmëroji ata që nuk kemi ardhur për ta mbytur dikë apo për të luftuar, por kemi ardhur për ta kryer Umren, dhe thirri në Islam"(4) Po ashtu Pejgamberi a.s. i urdhëroi Uthmanit që në Mekë t`i lajmëronte besimtarët se së shpejti do të çlirohej Meka, dhe t`ua përcillte lajmin e gëzueshëm se feja e vërtetë e Allahut do të triumfonte në Mekë dhe se askush nuk do të fshihte besimin e vet në Mekë. Uthmani r. a. shpejtoi për në Mekë. Gjatë rrugës hasi në pengesa nga kurejshët, të cilët e ndalnin për ta pyetur për ku ishte nisur. u takua edhe me Eban b. Se`id b. El-Asin, i cili i uroi mirëseardhje, ia shaloi kalin e tij dhe e hipi në kalin e vet e vazhduan rrugën së bashku me Uthmanin drejt Mekës. Uthmani ua përcolli mesazhin parisë kurejshe, dhe, kur ai përfundoi, ata i ofruan që të bënte tavafin rreth Qabesë, por ai nuk pranoi këtë ofertë përderisa të mos e bënte i Dërguari i Allahut. Konsultimet midis Uthmanit r. a. dhe kurejshëve zgjatën paksa, prandaj në mesin e myslimanëve ishte përhapur lajmi se Uthmanin e kishin vrarë. Kur i Dërguari i Allahut (a.s. ) dëgjoi për këtë, tha: "Nuk do të zmbrapsemi përderisa t`i ndëshkojmë këta njerëz". Pastaj Pejgamberi a.s. i thirri shokët e vet që të betoheshin. I pari që bëri betimin, ishte Ebi Sinan El-Esedij, pastaj Selme b. El-Ekv`ae, i cili u betua tri herë për besnikëri gjer në vdekje. Pejgamberi a.s. e zgjati grushtin e vet, e shtrëngoi mirë, e i tha: "Kjo dorë imja është garanci për Uthmanin"(5) Zyrtarizimi dhe ceremonia e betimit u mbajtën nën një dru (lis). Umeri r. a. e mbante Pejgamberin a.s. për dore, ndërsa Ma`kil b. Jesari mbante një degë të lisit mbi kokën e Resulallahut a.s. dhe i freskonte ajrin. Ky betim u quajt "Er-Ridvan" për të cilin Kurani thotë: "Allahu është i kënaqur me besimtarët, të cilët të janë zotuar për besnikëri nën lis". Kur kurejshët kuptuan seriozitetin e situatës së krijuar, ata e dërguan urgjentisht Suhejl b. Amrin për të lidhur marrëveshjen me Pejgamberin a.s. dhe myslimanët. Uthmani r. a. , shquhet për ndihmën që ka dhënë për betejën e Tebukut, veçmas në aspektin logjistik dhe material. Beteja e Tebukut ishte zhvilluar në kushte klimatike shumë të rënduara. numri i ushtarëve myslimanë arrinte në tridhjetë mijë dhe ata kishin nevojë për ushqim, kafshë dhe gjëra të tjera. Për këtë qëllim, Ebu Bekri r. a. kishte dhuruar tërë pasurinë e tij, kurse Umeri r. a. kishte dhuruar për këtë qëllim gjysmën e pasurisë së tij. Meqë gjithë kjo pasuri nuk ishte e mjaftueshme, Pejgamberi a.s. u ngrit në minber dhe tha: "Kush e përgatit ushtrinë e myslimanëve për betejën e ushtrisë, do të ketë për shpërblim Xhennetin". Uthmani u ngrit e tha: "Unë po jap njëqind deve me shalë dhe tërë atë që kanë ato nevojë". Pejgamberi a.s. tha: "Allahu të shpërbleftë me mirësi! O Zot, fale Uthmanin dhe bëhu i kënaqur me të". Pas kësaj fjale të Pejgamberit a.s. dhe uljes së tij në minber, Uthmani tha: "Unë jap treqind deve me shalë dhe me tërë ato që kanë ato nevojë". Pejgamberi a.s. pas kësaj u lut për të përsëri dhe tha: "Nuk i bën më dëm Uthmanit asgjë në jetë pas kësaj". Kur Uthmani e dëgjoi këtë, tha: "O i Dërguari i Allahut, unë jap nëntëqind e pesëdhjetë deve me shalë dhe tërë atë që kanë ato nevojë, pesëdhjetë kuaj, shtatëqind copë ari dhe dhjetë mijë dinarë". Atëherë Pejgamberi a.s. filloi të rrihte (afronte) duart e tij duke thënë: "O Zot, falja Uthmanit ato që ka bërë më parë dhe ato që do të bëjë më vonë".(7) Me këtë pasuri të dhuruar nga Uthmani r. a. , u përgatit një e treta e ushtrisë. Në kohën e halifit Ebu Bekër kishte një vit thatësie që solli varfëri dhe mungesë të madhe ushqimi. Kur u acarua gjendja edhe më shumë, njerëzit shkuan te Ebu Bekri dhe i thanë: "O udhëheqës (pasues) i Pejgamberit të Allahut, siç shihet, nga qielli nuk ka shi e pa shi nuk do të ketë as prodhime, ç'të bëjmë?" Ebu Bekri tha: "Shpërndahuni, duroni dhe gjinduni derisa të na e lehtësojë Allahu".(8) Nuk vonoi shumë dhe në mbarim të asaj dite u vërejt arritja e karvanit tregtar nga Medina, pronë e Uthmanit r. a. , i cili numëronte një mijë deve të ngarkuara me ullinj dhe kokrra rrushi apo fiku të tharë. (9). Pas arritjes së mallrave tregtarët shkuan te shtëpia e Uthmanit për të blerë nga ai dhe për t`ua ndarë të varfërve. Uthmani u tha: "Sa fitim më jepni që ua kam sjellë nga Shami?" Ata në fillim i ofruan Uthmanit 10 për 12. Uthmani u tha: "Më ka dhënë çmim më të lartë dikush tjetër". Ata filluan ta ngritnin çmimin derisa arritën në 10 për 14, por Uthmani sërish u tha: "Më ka dhënë më shumë dikush tjetër". Në fund i ofruan 10 për 15, por prapë Uthmani u tha: "Më ka dhënë çmim më të madh se ky që po më ofroni. Më ka ofruar për çdo dërhem dhjetë dërhemë". Tregtarët i thanë: "Për Allahun, ne nuk mund të të japim më shumë sesa të dhamë". Uthmani ua ktheu: "Dëshmoni që një mijë kafshë të ngarkuara me artikuj ushqimorë janë sadaka për banorët e Medinës".(10)
Zgjerimi i Xhamisë së Pejgamberit a.s.
Xhamia e Pejgamberit a.s. ishte e ndërtuar me qerpiç dhe çatia e saj e mbuluar me gjethe palmash. Shtyllat e saj kanë qenë të ndërtuara nga trungje palmash. Në kohën e Ebu Bekrit nuk pati ndonjë rinovim. Në kohën e Umerit kishte pasur një ndërhyrje të pjesshme në rinovimin e Xhamisë së Pejgamberit a.s. kurse në kohën e Uthmanit r. a. , në vitin 29 h. , ishte bërë një meremetim më i madh i xhamisë, duke i bërë muret e saj me gurë të gdhendur dhe argjend, siç i bëri edhe shtyllat e saj me gurë të skalitur, ndërsa çatinë me dru, po dyert mbetën aq sa ishin në kohën e Umerit, gjashtë. Transmeton Jahja nga El-mutal lib ibn Abdull-llah ibn Hatab, i cili tregon se, kur Uthmani u zgjodh halif në vitin 24 h. , myslimanët i kërkuan që ta zgjeronte xhaminë, sepse nuk i nxinte të gjithë besimtarët në ditën e xhuma. Uthmani r. a. , pasi u këshillua me një grup, të cilin e kishte caktuar më parë Pejgamberi a.s. filloi shembjen e xhamisë deri në fund, me qëllim që ta ndërtonte që nga e para. Pasi fali drekën, Uthmani r. a. hipi në minber, falënderoi Allahun e pastaj tha: "O njerëz, unë dua të shemb Xhaminë e të Dërguarit të Allahut e ta ndërtoj rishtazi duke e zgjeruar, dëshmoj këtu para jush se e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: "Atij që ndërton një xhami për hir të Allahut, Allahu do t`i ndërtojë një shtëpi në Xhennet". Pastaj, nuk jam i pari që po e bëj këtë, meqë Umeri r. a. e ka zgjeruar, ndërkohë që edhe jam këshilluar për këtë çështje dhe u pajtuam që të shembet dhe të ngrihet nga e para"11 Pasi u pëlqeu njerëzve, të nesërmen i mblodhi punëtorët dhe vetë u vu në ballë të punës. Punimet filluan në muajin Rebiul-Evvel të vitit 29 h. , dhe mbaruan me hyrjen e vitit tjetër (Muharrem 30 h. ), që domethënë se punimet zgjatën 10 muaj. Për periudhën e ndërtimit të xhamisë ka edhe mendime të tjera. Sipas Ibn Haxherit, ndërtimi i Xhamisë së Pejgamberi a.s. nga Uthmani ishte bërë në vitin 30 h. , ndërkohë që ka mendime se ishte bërë në vitin e fundit të sundimit të tij. Në atë kohë xhamia ishte e gjatë 2. 880 inça (72 m), ndërsa e gjerë 2700 inça (67. 5 m)12 kështu së paku është shënuar nga Ibn Ketheri dhe Taberiu, prej të cilëve e mori muhamed reda. në kohën e uthmanit r. a. ka ndodhur edhe zgjerimi i shtëpisë së shenjtë - Qabesë. Pjesa që i ishte shtuar Qabesë më parë, ka qenë oborr rreth saj, që ka shërbyer për falje dhe tavaf. As në kohën e të Dërguarit dhe as në kohën e Ebu Bekrit nuk ka pasur mur rrethues. Shtëpitë kanë qenë shumë pranë, aq sa dyert e tyre hapeshin e mbylleshin nga çdo anë. Kur Umeri erdhi në krye të shtetit dhe njerëzit u shtuan shumë, e zgjeroi xhaminë duke i blerë shtëpitë të cilat pastaj i shembi. Ai rreth xhamisë ngriti një mur jo shumë të lartë, ku i vunë kandilat. Umeri ishte i pari që e rrethoi xhaminë me mur.
Afërsia e Pejgamberit a.s. me Uthmanin r.a.
Uthmani r.a. i frikësohej shumë Allahut. Ai kishte një skllav të cilit ia kishte pasë tërhequr veshin, njëherë. Ai një ditë i pati thënë atij: "Ta kam pasë tërhequr veshin, merre hakun ndaj meje"! Personi ia tërhoqi veshin, ndërsa Uthmani i tha: "Më fort! O lumi unë! Hakmarrja në dynja e jo në Ahiret (jetën e amshueshme)"! Thuhet gjithashtu se ai ka thënë: "Sikur të jem në mes Xhenetit dhe Xhehenemit e të mos e di për ku jam, do të kisha dashur të kisha hi para se ta merrja vesh për ku jam caktuar"13 Duke parë virtytet fisnike të Uthmanit r. a. , Pejgamberi a.s. shpeshherë kishte pasur biseda personale me Uthmanin r. a..Aishja r. a. ka thënë: " Isha tek i Dërguari a.s. kur më tha: "Aishe! Sikur të kishim dikë që të bisedonim!" I thashë: "A të thërras Ebu Bekrin?" Ai heshti ca, pastaj tha përsëri: "Sikur të kishim dikë të bisedonim!" I thashë prapë: " A të thërras Umerin?" Ai përsëri heshti, pastaj thirri një shërbëtor, i tha diçka në vesh, dhe ai shkoi. Pas pak kohe erdhi Uthmani, i cili kërkoi leje të hynte. I Dërguari i Allahut e lejoi dhe, pasi hyri, biseduan gjatë. Pastaj i Dërguari a.s. i tha: "O Uthman! Allahu do të të veshë një këmishë (fjalën e kishte për drejtimin e shtetit islam). Nëse keqbërësit duan që ti ta heqësh, mos e hiq për ta, qoftë edhe për respekt. Këtë e përsëriti dy a tri herë". (Ahmedi). Buhariu thotë: "Na ka treguar Musa ibn Ismaili, ky vetë nga Othman ibn Meuhibi, i cili thotë: Erdhi njëri nga Egjipti për haxh, pa një grup ulur dhe pyeti! Kush janë këta? Kurejshë,- i thanë. Kush është më i moshuari i tyre?-pyeti përsëri. Abdullah ibn Omeri,-iu përgjigjën. Ai tha: O ibn Omer, do të të pyes për diçka, prandaj më trego! A është e vërtetë se Uthmani u zmbraps në betejën e Uhudit? Po ,- i tha ai. Po, a është e vërtetë se ai nuk mori pjesë në Bedër?- e pyeti prapë. Po,- u përgjigj Ibn Omeri. A është e vërtetë që ai nuk mori pjesë në Besëlidhje (Bej'etur-riduan)?Po,- i tha ai. Allahu Ekber,- ia priti burri. Ibn Omeri, i tha: Eja tani të të sqaroj: Për sa i përket ikjes nga beteja e Uhudit, dëshmoj së Allahu ia ka falur, ndërsa për mungesën nga Bedri, ai u ndal se e kishte të shoqen të sëmurë (e bija e të Dërguarit). I Dërguari a.s. i tha: "E ke shpërblimin dhe pjesën e atij që lufton në Bedër", ndërsa se pse mungoi nga Besëlidhja, po të them se, sikur të ishte ndonjë tjetër më i dashur e më i shtrenjtë sesa Uthmani, do ta kishte dërguar. E Besëlidhja u bë pasi shkoi Uthmani në Mekë. I Dërguari a.s. e bëri Besëlidhjen në vend të tij, duke e vënë dorën e djathtë të tij mbi të majtën. Kjo është për Uthmanin",-tha ai. Në fund Ibn Omeri i tha: Merri këto me vete dhe shko tani". (Muslimi)
_____________________________
(1) Mahmud Shakir, Tarihul Islami,3,1991, Bejrut, f. 223.
(2) Po aty.
(3) Safijurrahman El- Muberekfuri, Er-rahikul Mahtum, 1996,f. 341.
(4) Po aty.
(5) Po aty, f. 341-342.
(6) El-fet-h: 18.
(7) Amër Halid , Katër halifët e drejtë, Prishtinë, 2009, f. 136.
(8) Mahmud Shakir, po aty, f. 224.
(9) Po aty.
(10) Amër Halid, po aty f. 138.
Dituria Islame 240