Në shkrimin paraprak kam folur për testamentin e përfitimeve dhe mënyrën e realizimit të testamentit. Në këtë punim do të flasim për testamentin për të afërmit që nuk trashëgojnë, për çështjet për të cilat është mirë të lihet testamenti, për ekzekutuesin e testamentit si dhe për rastet kur testamenti shpallet i pavlefshëm.
Testamenti për prindërit dhe të afërmit që nuk trashëgojnë
Më herët kemi sqaruar se testamenti, sipas katër shkollave (medhhebeve) juridiko-fetare, parimisht është i pëlqyer - i preferuar për të afërmit (jo trashëgimtarë) dhe për nevojtarët, dhe nuk është i obliguar përveçse kur bëhet fjalë për të drejtat ndaj njeriut apo të drejtat ndaj Allahut xh.sh., siç janë:borxhi, Haxhi, kefaretet etj..
Megjithatë, disa dijetarë, si: Ibn Hazem Edh-Dhahiri, Et-Taberiu dhe Ebi Bekr bin Abdul Aziz nga hambelinjtë, mendojnë se testamenti është obligim edhe për prindërit dhe të afërmit që nuk trashëgojnë, që janë të përjashtuar nga trashëgimia, apo nuk trashëgojnë për shkak të ndonjë ndalese, siç është dalliminga feja. Në këtë rast, nëse i vdekuri nuk ka lënë testament për këta të afërm, atëherë është obligim i trashëgimtarëve të tij që diçka-një pjesë prej pasurisë së të vdekurit, t'ua dhurojnë këtyre të afërmve, që nuk trashëgojnë. Në këtë kategori - të afërmve që janë të përjashtuar nga trashëgimia, gjithsesi llogariten nipa dhe mbesat, të cilëve u kanë vdekur baballarët. Sipas sistemit të trashëgimisë në Islam, kësaj kategorie-nipave dhe mbesave që u kanë vdekur baballarët, nuk u takon asgjë nga trashëgimia e gjyshërve të tyre, për shkak të pranisë së axhëve dhe hallave të tyre. S'ka dyshim se kjo kategori, nipat dhe mbesat, mund të jenë në nevojë për shkak të mungesës së prindit. Madje prindërit e tyre, në një mënyrë ose tjetër, mund të kenë kontribuar në grumbullimin e pasurisë së gjyshit. Për këtë arsye, testamenti për nipat dhe mbesat, të cilëve u kanë vdekur baballarët, sipas këtyre dijetarëve, është i obligueshëm, dhe gjyshërit e tyre duhet t'u lënë testament atyre një vlerë të pjesës-hises që do t'u takonte prindërve të tyre sikur ata të ishin të gjallë, me kusht që kjo vlerë të mos jetë më shumë se një e treta e pasurisë.(1)
Për cilat çështje është mirë të lihet testamenti Testamenti është mirë të lihet për çështjet në vijim:
Testamenti për të afërmit nevojtarë, për jetimët dhe të varfrit; Testamenti për ndërtimin e xhamive dhe shkollave, në të cilat bëhet edukimi i brezava dhe mësohet Fjala e Allahut-hivzi i Kuranit; Testamenti për kryerjen e haxhit a umres për testamentlënësin; Testamenti për themelimin dhe ndërtimin e vakëfeve; Testamenti për studentët dhe luftëtarët në rrugën e Allahut; Testamenti për ndërtimin e bibliotekave dhe për botimin e librave fetarë; Testamenti për dituri dhe për hulumtime shkencore; Testamenti për ndërtimin e jetimoreve; Testamenti për shlyerjen e borxheve të atyre që nuk kanë mundësi t'i paguajnë borxhet e tyre etj..
Ekzekutuesi i testamentit
Ekzekutimin e testamentit e bën personi të cilin e cakton trashëgimlënësi në testament për t'u kujdesur që testamenti të realizohet në bazë të vullnetit të tij- testamentlënësit.
Është mirë që testamentlënësi të autorizojë një person, i cili do të merrte përsipër ekzekutimin e testamentit. E, nëse testamentlënësi nuk autorizon personalisht askënd, atëherë ekzekutimin e testamentit e bëjnë trashëgimtarët. Testamenti duhet të zbatohet sipas porosisë së testamentlënësit. Nëse testamentit i ndryshohet destinimi ose ai nuk kryhet sipas porosisë së testamentlënësit, atëherë mëkati nuk bie mbi testamentlënësin, po mbi ekzekutuesin e testamentit. Allahu i Madhërishëm thotë: "Kush bën ndryshimin e tij pasi ta ketë dëgjuar (ditur) atë, mëkati për te u takon atyre që e ndryshojnë. Allahu dëgjon dhe di". (El Bekare, 181)
Kur shpallet i pavlefshëm testamenti Testamenti shpallet i pavlefshëm në këto raste:
1. Nëse testamentlënësi tërhiqet nga testamentlënia-e, anulon testamentin. Nëse testamentlënësi dëshiron të ndryshojë përmbajtjen e testamentit, ai mund ta ndryshojë atë përderisa është i gjallë, meqenëse testamenti, me pajtim të të gjithë dijetarëve-shkollave juridikofetare- medhhebeve, nuk është akt obligativ. Prandaj ai ka të drejtë të shtojë shumën e dhuruar, ta pakësojë ose ta anulojë atë përfundimisht, me apo pa shkak. Omeri r.a. ka thënë: "Njeriu mund të ndryshojë ç'të dëshirojë në testamentin e tij" (Bejhekiu).
Anulimi i testamentit bëhet me shprehje të qartë, si p.sh. "kam anuluar testamentin", "e kam prishur testamentin" etj., por mund të bëhet edhe me shprehje të tjera, që dëshmojnë anulimin e tij, si p.sh. "testamenti im është haram për testamentmarrësin", ose "ky testament është për trashëgimtarët e mi" etj.. Po ashtu anulimi i testamentit mund të bëhet edhe me veprime që dëshmojnë anulimin e tij, si p.sh. "shfrytëzimi i tij nga ana e testamentlënësit", "dhënia e testamentit dhuratë dikujt tjetër", "shitja e testamentit" e të ngjashme.(2)
2. Nëse testamentpranuesi refuzon testamentin pas vdekjes së testamentlënësit.
3. Nëse pasuria e lënë testament shkatërrohet, humbet, prishet apo digjet, atëherë ai testament shpallet i pavlefshëm.
4. Nëse testamentlënësi braktis fenë.(3)
5. Mospërmbushja e kushtit të ndërlidhur me testament. Testamenti mund të jetë i ndërlidhur me ndonjë kusht, dhe nëse ai kusht nuk realizohet, testamenti shpallet i pavlefshëm, si p.sh., nëse testamentlënësithotë se, nëse vdes prej kësaj e kësaj sëmundjeje apo në këtë vend e të tjera, filanit i takojnë kaq nga testamenti, dhe nuk vdes nga ajo sëmundje ose në atë vend, testamenti shpallet i pavlefshëm.
6. Nëse testamentlënësi çmendet. Çmenduria e dukshme-e shfaqur qartë e testamentlënësit e bën testamentin të pavlefshëm, pa marrë parasysh nëse vdes në këtë gjendje ose shërohet para vdekjes, sepse testamenti është një akt-kontratë e lejuar-ligjore sikurse është edhe autorizimi-el vekaletu, dhe, për të qenë akti-kontrata e qëndrueshme-e vlefshme, duhen kushtet e kërkuara në fillim të kontratës. E për sa kohë që i çmenduri, parimisht, nuk ka të drejtë të lërë testament, atëherë sigurisht që shfaqja e çmendurisë pas aktit-kontratës, testamentin e bën të pavlefshëm.(4)
7. Nëse testamentmarrësi vdes para testamentlënësit, atëherë, sipas katër shkollave juridiko-fetare -medhhebeve, testamenti shpallet i pavlefshëm, ngase i vdekuri nuk mund as të pronësojë e as të marrë pasurinë nga testamenti.(5)
8. Nëse testamentmarrësi e vret testamentlënësin.(6)
Një shembull se si mund të shkruhet një testament
Testamenti është një akt gojor, i cili realizohet edhe me fjalë dhe përmbajtja nuk është kusht që të hidhet në letër. Megjithatë, të lihet me shkrim është shumë më mire, pasi në këtë mënyrë evitohen mosmarrëveshjet e mundshme. Gjithashtu, testamenti nuk ka nevojë për dëshmitarë, po megjithëkëtë pëlqehet prania e dëshmitarëve, me qëllim që trashëgimtarët të mos e mohojnë. Gjithsesi është më mirë që testamenti të shkruhet dhe të firmoset nga vetë trashëgimlënësi. Madje është mirë që ky testament të noterizohet tek një noter zyrtar ose në gjykatë.
_________________________
1). El Fikh el-Islami ve ediletuhu, prof.dr.Vehbet Ez-zuhejli, v.10, f.7563-7565, bot.4.2002, Darul Fikr,Dimeshk.
2) Po aty, f.7489-7490. 3) Nëse testamentlënësi braktis fenë, sipas hanefinjve dhe shafiinjve, testamenti i tij shpallet i pavlefshëm. Po ashtu, sipas malikinjve, testamenti shpallet i pavlefshëm nëse testamentmarrësi braktis fenë dhe vdes si renegat.
4) Sipas imam Ebu Jusufit, çmenduri e dukshme-e qartë konsiderohetçmenduria që zgjat më shumë se një muaj, ndërsa sipas imam Muhamedit çmenduri e dukshme konsiderohet ajo që zgjat një vit. Sipas shafiinjve, malikinjve dhe hanbelinjve çmenduria nuk e bën testamentin të pavlefshëm, pa marrë parasysh nëse është çmenduri e qartë-e dukshme apo jo, përderisa testamentlënësi ka qenë i shëndoshë psikikisht në kohën kur e ka lënë testamentin. Ata thonë se ligjshmëria-vlefshmëria e akteve-kontratave bazohet në përmbushjen e kushteve-kritereve në kohën e shpalljes së tyre. Dhe rënia-dështimi i ndonjë kushti pas lidhjes së kontratës, nuk ndikon në vlefshmërinë e saj sikurse ndodh me kontrata të shitblerjes, qirasë etj,, të cilat nuk prishen-nuk shpallen të pavlefshme nëse çmenduria shfaqet pas shpalljes së tyre.
5) Gjithashtu, sipas tri medhhebeve të tjera, përveç hanefinjve, testamenti shpallet i pavlefshëm nëse testamentmarrësivdes pas testamentlënësit pa e marrë ofertën. Ndërsa tek hanefinjtë në këtë rast testamenti nuk shpallet i pavlefshëm, sepse, sipas tyre, mosrefuzimi i ofertës nënkupton pranimin esaj. Në këtë rast testamenti kalon-hyn në pronësinë e trashëgimtarëve të testamentmarrësit.
6) Sipas medhhebit hanefi dhe atij hanbeli, nëse testamentmarrësi e vret testamentlënësin, testamenti shpallet i pavlefshëm, pa marrë parasysh nëse vrasja ka ndodhur para apo pas lënies së testamentit, edhe nëse një gjë të tillë e lejojnë trashëgimtarët. Shih: Bedaius-Sanaiu fi tertip esh-Sherai, Alaudin Ebi Bekr bin Mesud el Kasani, v.10, fq.593- 594, bot.1.1997, Darul Kutub el Ilmijetu. Dhe Shih: El-Fikh el-Islami ve ediletuhu, prof.dr.Vehbet Ez-zuhejli, v.10, f.7553-7559.
Dituria Islame 285