Sheriati në përgjithësi dhe si tërësi sjell dobi ndaj njeriut si individ por edhe ndaj komunitetit si shoqëri. Ligjet e tij janë të formuara në mënyrë të atillë, që mbrojnë dhe lehtësojnë këto dobi, si dhe përmirësojnë kryerjen e kushteve të jetës njerëzore në tokë. Kurani Fisnik e shpreh shumë qartë këtë objektiv, atëherë kur e bën të dallueshëm qëllimin e rëndësisë së dërgimit të Muhamedit a.s., duke thënë: "E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat." (El Enbija, 107)
Allahu e shpalli fenë islame, duke treguar objektiva dhe synime të ndryshme në librin e Tij. Se sa janë të qarta këto, kjo mund të shihet në karakterizimin e Kuranit si shërues, udhëzues dhe mëshirë për besimtarët. "Ne të shpallim Kuranin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët." (El Isra, 82); "O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kurani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim dhe mëshirë për besimtarët." (Junus, 57)
Duke treguar për historikun e Shuajbit a.s., Allahu xh.sh. thotë: "Unë nuk dua tjetër, vetëm të përmirësoj aq sa mundem." (Hud, 88); "Mos u bëni padrejtësi njerëzve në sendet e tyre dhe mos bëni çrregullime në tokë pas përmirësimit të saj." (El Araf, 85); "A menduat se Ne ju krijuam kot?" (El Muminun, 115)
Këto objektiva të rëndësishme, të përmendura në këto ajete, vërtetojnë se çdo dispozitë në Kuran dhe Sunet, promovon mbështetje për njeriun, familjen dhe shoqërinë. Gjithashtu, këto lehtësojnë vështirësitë, eliminojnë paragjykimet, vendosin drejtësi, si dhe bashkëpunojnë në realizimin e një jete të zakonshme e të përditshme. E gjithë kjo bëhet që njeriun ta përgatisë për përfitimin e virtyteve të dobishme, duke ndihmuar atë në përkushtimin e tij në fe, dhe në këtë mënyrë ta përmbush misionin e tij.(1)
Dijetari i njohur, El Iz ibën Abduselam ka thënë: "Ata të cilët merren me sheriatin dhe i kanë kuptuar objektivat e Kuranit dhe të Sunetit, e dinë se: Të gjitha urdhëresat e tyre, në të vërtetë sjellin një apo më shumë dobi, largojnë një apo më shumë të këqija, apo që të dyja këto aspekte së bashku. Gjithashtu, të gjitha ndalesat e tyre, në të vërtetë largojnë një apo më shumë të këqija, sjellin një apo më shumë dobi, apo që të dyja këto aspekte së bashku.(2)
Se feja islame është për njeriun, tregon fakti se kjo fe është fisnike, përmban parime hyjnore që i paraprinë njerëzimin drejt së mirës, drejt sigurimit dhe përparimit shpirtëror e material. Është përmbledhje e parimeve fisnike që udhëheqin sjelljet njerëzore. Është shkolla më e mirë, institucioni më i bekuar, i themeluar për të ngulitur te njerëzit cilësitë më të bukura morale. Ajo është e hapur për të gjithë, pavarësisht nga ngjyra, raca, mosha, pozita apo gjendja shpirtërore. Vetëm ata që e ndjekin atë, arrijnë paqen, lirinë dhe kënaqësinë.
Islami nuk është dhe nuk paraqet thjeshtë një detyrë rituale. Në përbërje të sheriatit qëndrojnë një grup ligjesh e normash që menaxhojnë gjithë jetën njerëzore në aktivitetet fisnike, mendore, trupore, shpirtërore, individuale e shoqërore. Tërë këto për të inspiruar koncepte të drejta e humane për botën dhe jetën, si dhe relacionin midis njeriut dhe Krijuesit të tij.
Islami është nevojë për të mbrojtur qëllimet të cilat janë më të larta se realiteti i njeriut, por gjithashtu është udhëzim hyjnor në favor të njeriut për jetën dhe mënyrën e të jetuarit. Islami merr përsipër të drejtojë aktivitetet jetësore në dobi të mbajtjes së ekuilibrit, midis detyrës dhe interesit, trupit dhe shpirtit, tokës dhe qiellit. Islami synon që njeriu në aktivitetet jetësore të tij, të paraqes vetëm të vërtetën dhe qëllimin e krijimit të tij.(3)
"O ju njerëz, ju keni nevojë për Allahun, e Allahu nuk ka nevojë për ju; Ai është i falënderuari." (Fatir, 15)
Përputhshmëria e objektivave me natyrshmërinë e krijesës njeri
Është sqaruar më lartë se, objektivat e sheriatit kanë për synim njeriun dhe çdo gjë që është e mirë dhe e dobishme për të. Kjo bindje jona dhe ky realitet, nuk do të ishte me vend, e as që do të ishte e logjikshme sikur objektivat e sheriatit të mos ishin të përshtatshme me natyrshmërinë e njeriut. Nga vetë thelbi i objektivave, lloji dhe ndarjet e saj, shihet qartë se objektivat e sheriatit e kanë përfshirë njeriun në formën më të mirë të mundshme, duke pasur parasysh të gjitha rrethanat që bashkëveprojnë me njeriun. Natyrisht se kjo nuk është e vështirë kur flasim për sheriatin të cilin e ka zbritur i Madhërishmi. Ai i cili e krijoi njeriun në formën më të bukur, Ai i cili e zbriti programin për të, duke e bërë atë të përsosur në formën e tij njerëzore. Nëse nuk do të ndodhte kjo, do të binim në kundërshtim me ajetin kuranor, në të cilin Allahu qartazi thotë: "E si të mos dijë Ai që ka krijuar gjithçka, kur dihet se Ai depërton në thellësi të sekreteve, i njeh hollësitë." (El Mulk, 14)
Në bazë të këtij procesi rrjedh feja islame, d.m.th. Allahu krijoi njeriun dhe më pas zbriti program dhe ligj për të. Ky program në krye me objektivat e tij, dispozitat, obligimet, ndalesat, këshillat etj., është në përputhje të plotë me natyrshmërinë e njeriut,(4) për të cilin Allahu në Kuranin Fisnik thotë: "Feja e Allahut në të cilën i krijoi njerëzit, s'ka ndryshim (mos ndryshoni) të asaj natyrshmërie të krijuar nga Allahu, ajo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë." (Er-Rrum, 30)
Ibën Ashuri në librin e tij(5) thotë: "Nëse e rishikojmë qëllimin e përgjithshëm të legjislacionit, vërejmë se, legjislacioni islam është i kujdesshëm dhe lehtëson ruajtjen e natyrshmërisë, ashtu siç kërkon kujdes të shtuar në gjërat që dërgojnë në shkatërrimin e saj. Në bazë të kësaj, ajo që dërgon në shkelje të madhe të natyrshmërisë konsiderohet rreptësisht e ndaluar, ndërsa ajo që kontribuon në ruajtjen e saj konsiderohet vaxhib. Gjërat që janë të rangut më të ulët se këto të dyja, ose janë të kërkuara ose janë të ndaluara, e çdo gjë tjetër që nuk ndikon në natyrshmëri është e lejuar."
Garantimi i nevojave dhe ngrita e cilësisë së jetës së njeriut
Objektivat e sheriatit garantojnë nevojat e domosdoshme-qenësore dhe përmirësojnë cilësinë e jetës së njeriut.
Çdo lexues që lexon rreth fushës në të cilën sqarohen objektivat, llojet e saj, universaliteti i tyre, rëndësia e tyre në legjislacionin islam etj., kupton se objektivat e sheriatit garantojnë domosdoshmëritë e jetesës për njeriun. Gjithashtu ai kupton se këto garantojnë nevojat e jetës, përmirësojnë cilësinë e jetës në përgjithësi, duke mos lënë anash dobitë dhe interesat e njeriut për ahiretin. Ky legjislacion me objektivat e saj, nuk e njeh këtë dynja pa ahiretin, por as ahiretin pa këtë dynja, ashtu siç nuk e njeh shoqërinë pa individin, e as individin pa shoqërinë, por e sheh individin si organ dhe si trup, dhe çfarëdo qoftë ai trupi apo organi, nuk munden pa njëri-tjetrin.
Shatibiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: "Allahu xh.sh. ka vendosur në legjislacionin e tij dobi dhe interesa për njeriun në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe nuk ka mundësi që ky legjislacion, qoftë në aspektin e përgjithshëm apo të veçantë, të jetë në kundërshtim me këto interesa, qofshin ato të kategorive themelore, të nevojshme apo plotësuese. Sikur të ishin këto objektiva që mund të ndryshohen në tërësi, apo në disa dispozita, nuk do të konsiderohej legjislacion që përmban këto interesa, ngase nëse ndodh kjo, atëherë është më e udhës që të quhen dëme sesa interesa. Por, Allahu xh.sh. ka vendosur objektivat e Tij që janë në të mirë të njerëzimit në përgjithësi dhe nuk ka mundësi që të jenë ndryshe përveçse të përhershme, të përgjithshme dhe gjithëpërfshirëse në të gjitha llojet e obligimeve, si dhe obliguese në çfarëdo gjendje. Kështu e kemi gjet këtë çështje, për të cilën falënderimi i takon Allahut.(6)
Në një çështje duhet të kemi kujdes, në kuptimin e drejtë të dobisë dhe dëmit. Kjo ngase njeriu me logjikën e tij mund të mendojë se diçka është e dobishme, ndërsa ajo nuk është, ose e kundërta. Dobia në legjislacionin islam i ka disa veçori të cilat do t'i përmendim, e me këtë do të anashkalohet problemi i keqkuptimit të dobisë. Me këtë do të bindemi se objektivat e legjislacionit islam sjellin dhe garantojnë dobi të shumta për njeriun. Por, në fakt, dobia që dëshiron Allahu xh.sh. është më e gjerë sesa ne perceptojmë atë.
Veçoritë kryesore të dobisë në sheriatin islam janë:
• Koha për të cilën kërkohet arritja e dobive te njeriu nuk kufizohet vetëm në këtë botë, por ajo vazhdon edhe në botën tjetër - ahiretin;
• Vlera e dobisë nuk kufizohet vetëm në të mirat materiale, por edhe në ato shpirtërore;
• Dobitë e fesë janë parësore, kurse dobitë të tjera radhiten pas saj.(7)
Pra, feja islame i ka kushtuar dhe i kushton rëndësi të madhe jetës dhe nevojave shpirtërore, por edhe nevojave materiale të qenies njerëzore. Gjithashtu ka rregulla në të gjitha fushat dhe aktivitetet e jetës njerëzore, shikon cilësinë etike, kultivon vlera të larta të mirëqenies së njerëzve, i siguron ato, synon të pajtojë dhe të baraspeshojë interesat e individit me ato të shoqërisë, interesat e një kombi në veçanti me ato të njerëzimit në përgjithësi, interesat e gjeneratave të tanishme me ato të gjeneratave të ardhme etj. L:egjislacioni islam synon ta bëjë këtë, sipas rendit të përparësisë, përmes:
• Garantimit të nevojave të domosdoshme, qenësore të tyre; (المصالح الضرورية)
• Plotësimit të kërkesave ose nevojave të tyre; (المصالح الحاجية)
• Përmirësimit të cilësisë së jetës së tyre. (المصالح التحسينية)
Ne shohim dhe jemi dëshmitarë se, interesat, të mirat e të dobishmet, të cilat njerëzit i synojnë t'i sigurojnë në jetën e tyre individuale dhe shoqërore nuk dalin jashtë këtyre tri llojeve që i përmendëm. Kur njeriu ka nevojë për shtëpi ose së paku për një vendstrehim ku do të ruhet nga të ftohtit, të nxehtit dhe nga gjërat e tjera që mund ta shkaktojnë edhe vdekjen e tij, ai në këtë rast plotëson një nga interesat e domosdoshme. Por, kur njeriu dëshiron që shtëpia e tij të ketë dritare dhe dyer që të dalë e të hyjë kur të dojë pa vështirësi, ai me të vërtetë plotëson njërën nga ajo që i quajmë interesa të nevojshme. Kur atij i pëlqen që të ketë në shtëpi orendi funksionale, të bukura, luksoze, pa të cilat nuk do të ishte e rrezikuar jeta, ai në këtë rast plotëson një interes për të përmirësuar cilësinë, apo diç në këtë kontekst.
________________________
1. El-Fevaid fi Ihtisar el Mekasid - el Kavaid Es-Sugra (f. 143-144); Mekasidu esh Sheriati el-Islamijeti (f. 273-277); Hukuk el Insan Mihveru Mekasid esh Sheriati (f. 67-74); Mekasidu esh-Sheriati Tesilen ve Tef'ilen (f. 31-41).
2. El-Fevaid fi Ihtisar el Mekasid - el Kavaid Es-Sugra (f. 53 ).
3. Mevsuatu Kadaja Islamije Muasereh (v2. f 721-750).
4.Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti (f. 259); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti ve alakatuha bil Edileti esh Sher'ijeti (f. 425-426).
5. Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti (f. 266).
6. El Muvafekat (v.2, f 62); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti ve alakatuha bil Edileti esh Sher'ijeti (f 432).
7. Davabitu el Maslahati f i Sheriati el Islamijeti (f. 44-70).
Dituria Islame 359