Regjistri i të devotshmëve dhe mirësitë e tyre në Xhenet
"Jo, nuk janë të njëjtë! Se libri i të mirëve gjendet në Il-lijjun! E ku e di ti se ç' është Il-lijjun? Është një libër i shkruar (qartë). Të cilin e dëshmojnë engjëjt që janë më të afërmit. E s'ka dyshim se vepërmirët janë në përjetime e kënaqësi (të përhershme në Xhenet). Të mbështetur në kolltukë vështrojnë. Në fytyrat e tyre mund të kuptosh kënaqësinë e përjetimeve. U jepet të pinë pije në enë të mbyllura. Pije që në fund i vjen era myshk! E për shpërblim të tillë le të garojnë ata që lakmojnë të mirën. Dhe përzierja e asaj pijeje është në "tesnim" (uji më i mirë). Krua nga i cili do të pinë më të afërmit e Zotit". (El-Mutaffifinë, 18-28)
Koment:
18. Jo, nuk janë të njëjtë! Se libri i të mirëve gjendet në Il-lijjun!
Pas sqarimit të gjendjes së pabesimtarëve, vepërkëqijve dhe sidomos të atyre që masin e peshojnë në mënyrë të shtrembër, duke u hyrë në hak të tjerëve, tash jemi në grupin e ajeteve që flasin për njerëzit e mirë e të devotshëm, të cilët në Ditën e Gjykimit do të jenë në pozita fisnike, të respektuar e të lumtur, për mirësitë dhe nimetet e Allahut ndaj tyre.
Prandaj, edhe ardhja e ajetit në formë kaq të prerë tregon se kurrsesi nuk janë të njëjtë njerëzit e këqij dhe ata të mirët. Përderisa në ajetet paraprake pamë se emrat e pabesimtarëve janë shënuar në mënyrë të përpiktë në një Regjistër dhe ruhen në "Sixh-xhin", në një humnerë të skëterrës, tash shohim se edhe emrat dhe veprat e të devotshmëve janë shënuar në një Regjistër që ruhet në një vend të lartë në Xhenet, në "Il- lijjun".
Por, për të ditur se çfarë është ky libër, do të duhet t'u qasemi ajeteve në vazhdim...
19. E ku e di ti se ç'është Ilijun? 20. Është një libër i shkruar (qartë). 21. Të cilin e dëshmojnë engjëjt që janë më të afërmit.
Allahu xh.sh. i drejtohet sërish të dërguarit të Tij me fjalët, nëse e di se ç'është "Il lijjun"? Ç'është realiteti i këtij vendi ku ruhet me kujdes ky Libër fisnik, të cilin në Ditën e Gjykimit, me lejen e Allahut, do ta sjellin engjëjt për ta shfaqur para njerëzve vepërmirë.
Rreth fjalës "Il-lijjun", dijetarët kanë dhënë disa mendime, ndër të cilat do të veçonim këto:
- Ibn Abbasi e kishte pyetur Ka'b el Ahbarin rreth: "Il-lijjun", e ai i qe përgjigjur: "Il-lijjun" është Qielli i shtatë, në të cilin qëndrojnë shpirtrat e besimtarëve.
- Katadeja thotë se "Il-lijjun" është vend i lartë, pikërisht në anën e djathtë të Arshit.
- Disa të tjerë kanë thënë se "Il-lijjun" është tek "Sidretul Munteha" etj..
Sidoqoftë, pavarësisht se ku gjendet ky vend i fisnikëruar i njerëzve vepërmirë, kryesorja është se ky është një vend i lartë e i respektuar në Xhenetet e larta, plot mirësi.(1)
Përshkrimi që këtij Libri i është bërë në këto ajete, për të cilin dëshmojnë edhe engjëjt besnikë, tregon për madhështinë e pozitës së të devotshmëve, për të cilët, pas jetës së kaluar në këtë botë me respektin dhe përulësinë ndaj Krijuesit Fuqiplotë, tash për ta do të vijë koha e prehjes shpirtërore dhe trupore në Xhenetet plot bukuri e hijeshi, të krijuara enkas për këta kalorës të Njëshmërisë...
Ky Libër a regjistër i besimtarëve të devotshëm, që ruhet në një vend të lartë e të respektuar në Xhenet, është Libër nderi, që i ka të shënuar emrat e të gjithë xhenetlinjve. Në të mund të shënohet secili prej atyre që dëshmon me gjithë zemër Njëshmërinë e pastër të besimit, pa e përlyer atë më asnjë shibël të shirkut, dhe ai që ka fatin të skalisë emrin e tij në të, do të shijojë të gjitha nimetet dhe begatitë e Allahut në kopshtet magjepsëse të Xhenetit.
22. E s'ka dyshim se vepërmirët janë në përjetime e kënaqësi (të përhershme në Xhenet). 23. Të mbështetur në kolltukë vështrojnë. 24. Në fytyrat e tyre mund të kuptosh kënaqësinë e përjetimeve. 25. U jepet të pinë pije në enë të mbyllura. 26. Pije që në fund i vjen era myshk! E për shpërblim të tillë le të garojnë ata që lakmojnë të mirën. 27. Dhe përzierja e asaj pijeje është në tesnim (uji më i mirë). 28. Krua nga i cili do të pinë më të afërmit e Zotit.
Tash gjendemi në grupin e ajeteve që flasin rreth kënaqësive të vepërmirëve në Xhenet. Ata pushojnë e kënaqen me familjet e tyre nëpër kolltukë të lartë, të qëndisur në ar dhe margaritar. Në fytyrat e tyre mund të vërehet lehtë çiltëria dhe lumturia e tyre shpirtërore teksa përjetojnë kënaqësi pas kënaqësie. Për ta, tash ka përfunduar koha e obligimeve dhe e adhurimeve, dhe ka filluar koha e kënaqësive, të cilat i merituan me përkushtimin e tyre në këtë botë.
Sapo t'i shikosh fytyrat e xhenetlinjve, do të vëresh se ato shkëlqejnë e shndrisin me nurin e papërshkrueshëm të besimit të tyre. Ata këtu përjetojnë kënaqësinë më të madhe, shikimin e madhërisë së allahut, kënaqësi pas së cilës çdo gjë tjetër humb kuptimin e saj. Pas shkrirjes në këtë ekstazë kënaqësie, fytyrat e tyre shkrepëtijnë dritë nga përjetimi i kësaj kënaqësie të papërshkrueshme. Për këtë përjetim të kënaqësisë na flasin edhe ajetet 38-39 të kaptinës "Abese": "Atë ditë do të ketë fytyra të shndritura, të buzëqeshura e të gëzuara".
Përreth tyre enden shërbëtorë duke u shërbyer me plot respekt. U japin të pinë ujë nga enë të zbukuruara me margaritarë dhe gurë të tjerë të çmueshëm. Ky ujë ka shijen e nektarit të vulosur të Xhenetit, ujë era e të cilit është myshk aromatik. Prandaj le të garojnë për një shpërblim të tillë të gjithë ata që ende janë në këtë jetë, sepse, vetëm me adhurim të sinqertë, mund ta arrijnë këtë nder dhe privilegj, se, pas vdekjes, më nuk ka mundësi kthimi mbrapa...
Ajeti i 26-të i kësaj sureje: "E për shpërblim të tillë le të garojnë ata që lakmojnë të mirën", sikur u përkujton keqpeshuesve dhe shtrembërmatësve, që të mos garojnë në këtë botë me punë të ndyra e të shëmtuara, po le të garojnë me punë të ndershme e me sinqeritet, i cili të afron drejt dashurisë dhe kënaqësisë së Allahut. Garimi në këtë botë, me shëmtira e gjëra të rreme, devalvon qenien e njeriut, i humb atij f isnikërinë dhe nderin e mëkëmbësisë, ndërkohë që garimi në punë të mira, të cilat shpërblehen në Botën tjetër, e ngrenë njeriun në piedestalin më të lartë të dinjitetit e të krenarisë.
Mbase, për këtë arsye Allahu xh.sh. edhe në suren "Es-Saffat" sjellë një ajet të ngjashëm (ajeti 61), sipas kuptimit: "Për një shpërblim të këtillë le të veprojnë vepruesit."
Transmeton imam Ahmedi nga Ebu Seid el Hudrijj, "merfuan" nga i Dërguari i Allahut të ketë thënë: "Cilido prej besimtarëve që i shërben vëllait të vet besimtar ujë, për t'ia shuar etjen, Allahu nesër atij do T'ia shuajë etjen me ujë nga nektari i Xhenetit; cilido prej besimtarëve që e ushqen vëllanë e vet besimtar kur ai është i uritur, Allahu nesër do ta ushqejë atë me fruta nga Xheneti, dhe cilido prej besimtarëve që vesh një besimtar të leckosur, që s'ka as rroba për të veshur, Allahu do ta veshë atë me rroba (gjelbërime e stoli) të Xhenetit".(2)
Uji që do ta pinë xhenetlinjtë, buron nga "Tesnimi", një burim i Xhenetit, burim i cili është i dedikuar enkas vetëm për "të afërmit" "el-mukarrebun". Përzierja e këtij uji është nga nektari i Xhenetit, i cili buron nga lartësitë, dhe është pija me e çmueshme e më fisnike e Xhenetit.
Kur është pyetur Ibn Abbasi rreth këtij ajeti: "Dhe përzierja e asaj pijeje është në tesnim (uji më i mirë).", ka thënë: Ky është nga ato kënaqësitë për të cilat Allahu xh.sh. ka thënë: "Pra, për ata që kanë vepruar, nuk di askush për atë kënaqësi (të zemrës e shpirtit), që u është caktuar atyre si shpërblim". - (Es-Sexhde, 17)
Pasi ka cekur pozitën e lartë të të devotshmëve, Allahu i Madhërishëm ka dëftuar për përjetimin e kënaqësive të tyre në gjerësitë e Xhenetit, ndërkohë që kjo mënyrë e përjetimit të këtyre kënaqësive është tri llojesh:
1. Xhenetlinjtë janë të ulur nëpër kolltukë të lartë dhe vështrojnë e sodisin pamje magjepsëse para tyre; sodisin vocërrakët e amshueshëm të Xhenetit teksa u shërbejnë me buzëqeshje, hanë dhe pinë nga ushqimet e Xhenetit dhe përjetojnë çdo kënaqësi në të. Në lidhje me një nga kënaqësitë e panumërta të Xhenetit, i dërguari i Allahut ka thënë: "Kur besimtari hedh shikimin përpara, me këtë shikim i përthekon përnjëherësh të gjitha mirësitë që ia ka dhuruar Allahu. Më e pakta (mirësi) që i jepet njeriut (besimtarit), është që vështrimi i tij përthekon sa tërë pamja e kësaj bote me gjerësinë e saj".(3)
2. Fytyrat e tyre shkëlqejnë e rrezatojnë nga drita-nuri, sepse nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të shikosh Madhërinë e Allahut. Kjo është pika më kulmore e kënaqësisë që mund të përjetojë një krijesë.
3. Atyre u shërbehet pija "rehikul mahtum" - që nënkupton një pije të veçantë të pastër dhe jodehëse, për të cilën Allahu xh.sh. thotë: "Prej asaj nuk ka dhembje koke, dhe as që do të dehen prej saj". - (Es-Saffat, 47), dhe
"Prej së cilës pije (verë) as nuk u dhemb koka, as nuk dehen". - (El-Vakiatu, 19)
Pija "rehikul mahtum" ka katër cilësi:
- Është pije e mbrojtur dhe e ruajtur, në shenjë respekti e fisnikërie.
- Në përfundim të pirjes së saj, vjen era e myshkut, e cila të lë një shije të këndshme e të parezistueshme, saqë të dëshirosh të pish sërish prej saj.
- Kjo pije është objekt gare dhe konkurrimi në mes njerëzve, se cili prej tyre do ta arrijë këtë nder, që të jetë prej konsumuesve të saj. Por një nder i tillë arrihet vetëm me përulësinë dhe adhurimin e Allahut xh.sh. në jetën e kësaj bote...
- Përzierja e kësaj pijeje "rehikul mahtum" është nga "Tesnimi", që është një lumë që buron nga lartësitë e Xhenetit, dhe është një pije që është më e ndershmja dhe më e vlefshmja prej pijeve të Xhenetit.
Në lidhje me këtë, Abdullah ibn Mes'udi thotë: "Et-Tesnim" është një krua që buron në Xhenet, nga ujët e të cilit do të pinë "të afërmit"-"el mukarrebun", pa e përzier me asgjë tjetër, ndërsa nga ky burim "ashabul jemin" i përziejnë gotat me ujin tjetër dhe parfumosen".
Mbase për këtë arsye Allahu xh.sh. në ajetin vijues ka thënë: "Krua nga i cili do të pinë më të afërmit e Zotit", që do të thotë se nga ky krua do të pinë banorët e Xhenetit "Adn", banorët e të cilit janë banorët më të ndershëm dhe më me vlerë të Xhenetit.
Nga krahasimet që mund t'u bëjmë ajeteve kuranore në suren "El-Vakiatu", Allahu xh.sh. i ka ndarë njerëzit në tri grupe: "El-Mukarrebun", "As'habul jemin" dhe "As'habu-sh-shimal". Kur f let në suren "El-Vakiatu" rreth shpërblimeve të "As'habul jemin", Allahu flet se pija e tyre buron nga një krua, nga i cili pinë së pari të afërmit-"el mukarrebun". Nga kjo argumentohet se lumenjtë dhe burimet, nga të cilat pinë "el-mukarrebun", siç është "Tesnimi", janë më të vlefshme, sesa të tjerat, prandaj edhe "el-mukarrebun" janë pa dyshim njerëzit më të vlefshëm të Xhenetit.(4)
Porosia e këtyre ajeteve (18-28)
- Fletët e veprave të të devotshmëve janë të ruajtura e të shënuara në një Libër fisnik, të radhitur e të shkruar qartë, i cili gjendet në një vend të lartë të Xhenetit, "Il-lijjun". Ky Libër dallohet me shenja të veçanta, ndërsa për të dëshmojnë engjëjt më të afërt të Allahut. Ky Libër është i kundërt me Librin e mëkatarëve - "Sixh-xhin".
- Gjatë krahasimit në mes këtyre dy Librave, shohim se Librin e të devotshmëve, që gjendet në "Il-lijun" - e karakterizojnë lartësia, gjerësia, drita, pastërtia dhe lumturia, kurse Librin e mëkatarëve dhe pabesimtarëve, që gjendet në fund të Skëterrës "Sixh-xhin", e karakterizojnë nënçmimi, përbuzja, ngushtimi, errësira dhe vuajtja.
- Banorët e Xhenetit do të jenë në kënaqësitë e përjetshme të Xhenetit, në gjerësitë e të cilit do të shijojnë e përjetojnë gjërat më të këndshme e më madhështore. Ndër këto kënaqësi do të jetë, pa dyshim, edhe të parët e madhërisë së Allahut.
- Në Xhenet njerëzit më të afërt - el mukarrebun" do të pinë ujë nga kroi "Tesnim", i cili është uji më i vlefshëm dhe më i mirë, sepse buron nga lartësitë e Xhenetit. Shija e këtij uji është nektar i vulosur, i cili nuk i ngjason shijes së asnjë pijeje tjetër të kësaj bote.
(vijon)
________________________________
(1) Abdulhamid Kishk "Fi Rihabi-t-Tefsiri", vëll. 30 f. 7923
(2) Po aty, vëll. 30, f. 7924
(3) Imam Maturidiu "Te'vilatu ehli s-Sunneti", redaktuar nga Dr. Mexhdi Basel-lum, vëll. 10. f. 466, Bejrut, 2005
(4) Fahru Rraziu "Mefatihul Gajb", vëll. 30, f. 100
Sabri Bajgora