Përqeshja e idhujtarëve ndaj besimtarëve në këtë botë, dhe tallja e besimtarëve ndaj idhujtarëve në Ahiret
29. Mëkatarët (kriminelët) ishin ata që i përqeshnin ata që besuan. 30. Dhe kur kalonin (besimtarët) pranë (idhujtarëve), ata ia bënin me sy njëri-tjetrit. 31. E kur ktheheshin te familjet e veta, ktheheshin të kënaqur. 32. Dhe, kur i shihnin ata (besimtarët), thoshin këta janë të humbur!" 33. Po Ne, nuk i caktuam ata (idhujtarët) si rojë të atyre (besimtarëve). 34. E sot, (në Ditën e Gjykimit), ata që besuan, do të tallen me jobesimtarët. 35. Duke qëndruar të mbështetur (besimtarët) në kolltukë e duke shikuar. 36. Vallë, a (nuk) u shpërblyen jobesimtarët për atë që punuan? (Po).
Lidhshmëria e këtyre ajeteve me ato paraprake
Tetë ajetet e fundit të kësaj sureje, kanë një lidhshmëri të fuqishme kuptimore jo vetëm me ajetet paraprake, por pothuajse me tërë suren në përgjithësi. Përderisa në ajetet paraprake, I Lartmadhërishmi na dëftoi për Regjistrin e njerëzve të mirë e të devotshëm, të cilët do të trashëgojnë Xhenetet e mrekullueshme, duke cekur se emrat e tyre janë shkruar në Librin e përjetshëm të xhenetlinjve, Libër ky që ruhet nga engjëjt në një vend të lartë në "Il-lijjun", duke përjetuar kënaqësi pas kënaqësie, për hir të besimit të tyre të sinqertë në Allahun dhe në të Dërguarit e Tij, tash, në ajetet në vazhdim, Allahu xh.sh. na i zbulon edhe disa ligësi e vese të këqija të idhujtarëve mekas dhe vuajtjet shpirtërore që këta u shkaktonin besimtarëve...
Në këto ajete shihet se sa të pandjenja e të pashpirt ishin idhujtarët, sepse i nënçmonin haptazi besimtarët duke i ironizuar e përqeshur për shkak të varfërisë dhe pozitës së tyre sociale. Ata tregoheshin mendjemëdhenj, duke i quajtur madje edhe të humbur e të krisur nga mendja, sepse kishin besuar Allahun, dhe Pejgamberin e Tij, i cili, sipas tyre, po i ftonte të adhuronin një Zot të padukshëm dhe i cili po u premtonte Parajsën, e cila, sipas tyre, ishte vetëm në këtë botë, në të cilën ata po kënaqeshin e dëfreheshin...
Por i Gjithëpushtetshmi, ua bën me dije shumë qartë, se ata (idhujtarët) nuk ishin roja e as kujdestarë të besimtarëve, sepse Ai ishte Vigjilues mbi ta, dhe pikërisht Ai do t'ua mundësonte këtyre të përvuajturve që në Ditën e Gjykimit të kënaqeshin e të qetësoheshin duke i parë qafirat tek marrin ndëshkimin e merituar në Xhehenem...
Koment:
29. Mëkatarët ishin ata që i përqeshnin ata që besuan.
Pabesimtarët dhe idhujtarët kurejshë ishin njerëz shumë të ulët për nga karakteri njerëzor. Ata, me pacipësinë dhe ironinë më të madhe, talleshin me besimtarët. Ata, kur flisnin, flisnin nga pozita e të fortit dhe e të pasurit. Nuk pranin së nënçmuari e përqeshuri myslimanët e varfër që, me dëlirësinë e shpirtit, kishin përqafuar dritën e Islamit, si Bilalli, Ammari, Habbabi, Suhejbi etj.. Këta heronj të Islamit, të cilët sistemi shoqëror në Mekë i kishte vënë në shkallën më të përbuzur të shoqërisë, duke qenë të shfrytëzuar pamëshirshëm nga shtresa mizore sunduese, Pejgamberi a.s. i mblodhi rreth vetes si një aureolë vezulluese dhe me ta filloi rrugëtimin në ngadhënjimin e fesë së Allahut.
Fahru Rraziu, në Tefsirin e tij ka cekur dy shkaqe për zbritjen e këtij ajeti:
1. Ata që janë synuar në ajetin 29 të kësaj sureje: "Mëkatarët (kriminelët), ishin ata që i përqeshnin ata që besuan." - janë paria e idhujtarëve, si Ebu Xhehli, Velid ibn Mugire, As bin Vail es-Sehmij, Ukbe ibn Ebi Muit, Esved bin Abdu Jeguth, As ibn Hishami, Nadr bin Harithi etj., të cilët talleshin dhe i përqeshnin myslimanët e varfër, dhe
2. Një ditë, Ali ibn Ebi Talibi, kishte qenë duke ecur me një grup myslimanësh, ndërkohë që një grup idhujtarësh ishin tallur me ta. Kur këta të fundit ishin kthyer tek shokët e vet idhujtarë, ia kishin shkelur syrin njëri-tjetrit, duke thënë: E kemi parë sot tullacin (Aliun r.a.), dhe kishin qeshur me ironi e përbuzje, prandaj edhe kishte zbritur ky ajet kuranor, para se Aliu r.a. të arrinte tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s..(1)
Ky ajet shpërfaq dhimbshëm fazat e vështira nëpër të cilat kaloi Thirrja islame, faza që flasin e dëshmojnë për fillimin e vuajtjeve shpirtërore, për talljet, përqeshjet dhe ironitë thumbuese, të cilat ua shponin zemrat e tyre të dëlira...
Ishin ato kohë të rënda e të ndera, sepse besimtarëve u duhej të duronin e përballonin edhe nënçmime të tilla, të cilat lënë vragë të thella në zemra, më tepër se kur majat e shtizave apo shigjetave ngulen në mish (trup). Megjithatë, Pejgamberi a.s. i këshillonte për durim, derisa Allahu të vendoste ndryshe...
30. Dhe, kur kalonin (besimtarët) pranë (idhujtarëve), ata ia bënin me sy njëri-tjetrit.
Ishte një zakon i mbrapshtë i këtyre kriminelëve që, kur kalonte pranë tyre ndonjë besimtar mysliman, ata, përveç thumbimeve ironike që u drejtonin në shenjë talljeje, edhe ia shkelnin syrin njëri-tjetrit, e pastaj, sakaq, plasnin të qeshurat e tyre histerike...
Natyrisht që besimtarët e kishin të vështirë t'i përballonin të gjitha ato vuajtje shpirtërore, krahas atyre trupore, që i përjetonin çdo ditë nga duart e tyre, por shpresa në Allahun dhe këshillat e ngrohta nga ana e Pejgamberit a.s., se megjithatë, do të vinte dita që edhe këta do të talleshin me ta, i bënte të qetësoheshin dhe të përballonin çdo situatë të tillë.
31. E, kur ktheheshin te familjet e veta, ktheheshin të kënaqur.
Idhujtarët, kur ktheheshin në shtëpitë e tyre, në vend që të turpëroheshin e të ndienin keqardhje, mburreshin për faktin se kishin maltretuar e tallur myslimanët e varfër. Ata e ndienin veten tepër të lartë ndaj tyre, dhe mendonin se kishin të drejtë t'i ironizonin e maltretonin ata që kishin lëshuar besimin e tyre, dhe, sipas tyre, ishin dhënë marrëzisht pas besimit në një Zot të vetëm, i Cili nuk mund të shihej e të prekej ashtu siç i shihnin e preknin zotat e tyre nga guri dhe druri! Sipas tyre, zotat që ata besonin, e që i skalitnin vetë, ishin zota që i shihnin, i preknin dhe jetonin me ta në të njëjtën shtëpi. Në fillim të Shpalljes, kur numri i myslimanëve ishte i vogël, askujt prej idhujtarëve nuk i interesonte të ndërmerrte diçka praktikisht për ta penguar përhapjen e kësaj feje të re-Islamit, sepse e shihnin se muhamedit a.s. i kishin shkuar pas vetëm disa të varfër e robër dhe aty-këtu ndonjë i pasur, si Ebu Bekri dhe Othmani r.a.. Mirëpo, kur, me kalimin e disa viteve, Shpallja hyjnore filloi të rrëmbente me dashurinë dhe çiltërsinë e saj, disa nga figurat udhëheqëse të kurejshëve, vetëm atëherë ata e kishin kuptuar seriozisht çështjen e fesë së re, që ishte përhapur në fshehtësi dhe i kishte kthyer gjërat mbrapsht për ta...
Vetëm atëherë e kishin kuptuar kurejshët se çështja e Muhamedit ishte shumë më e rrezikshme nga ç'kishin pandehur, kur kishin menduar se ishte thjesht një çrregullim i tij psikik. Ai po thërriste haptazi në një fe të re: fe në të cilën nuk kishte vend për statujat, idhujt, zotat, pozitat e tyre të larta në shoqëri dhe, përgjithësisht, për interesat e tyre ekonomikë. Ishte ajo një fe, në të cilën nuk kishte zota të tjerë përveç Allahut, nuk kishte ligjvënës tjetër përveç Allahut dhe as gjykues tjetër përveç Atij. Prandaj ishte e pritshme që nënçmimi dhe persekutimi të fillonte menjëherë pas proklamimit haptazi të kësaj Thirrjeje…
32. Dhe, kur i shihnin ata (besimtarët), thoshin këta janë të humbur!"
Idhujtarët, sa herë që i shihnin besimtarët, thoshin: Ja, shihni këta të humburit, këta që devijuan nga besimi i zotave tanë, që i kishim adhuruar së bashku për shekuj me radhë. Këta janë tradhtarët nga mesi ynë, sepse lanë besimin e stërgjyshërve tanë dhe pasuan një të çmendur dhe magjistar, siç e quanin Muhamedin a.s..
Është çudi e madhe që e njëjta gjë është përsëritur shpeshherë përgjatë gjithë historisë njerëzore. Sa herë që një pejgamber, proklamonte Shpalljen e tij prej Zotit xh.sh., duke i thirrur njerëzit në besim, atij në fillim i bashkoheshin vetëm një pakicë, rëndom të varfrit dhe robërit e përvuajtur. Klasa aristokrate gjithmonë pozicionohej kundër dhe refuzonte udhëzimin, sepse nga pozitat e pasurisë, luksit dhe të mirëqenies, instinktivisht lind mendjemadhësia dhe kujdesi më i shtuar për vazhdimësinë e interesave personalë. Prandaj, këta të fundit (aristokracia) nuk pranin së ofenduari e maltretuari Pejgamberin dhe besimtarët e varfër me lloj-lloj fjalësh e ligësish, derisa nuk ndërhynte Vullneti hyjnor për ndëshkimin dhe shkatërrimin e tyre...
Dihet se në çastin kur njerëzit e lënë adhurimin e Allahut dhe fillojnë t'u luten e t'i adhurojnë idhujt, po në atë çast vdes shpirti i bukurisë në Tokë, për t'u ngritur e kurorëzuar në fron e shëmtuara. Njeriu mposhtet shpirtërisht nga brenda, ndërsa mendja njerëzore turbullohet e çrregullohet. Si pasojë e kësaj shthurjeje, jeta e njeriut shndërrohet në një skëterrë dhe ferr të vërtetë.
Ky ligj gjen shprehje gjithmonë kur njerëzit adhurojnë dikë tjetër përveç Allahut, pavarësisht nëse idhulli i adhuruar është statujë prej guri, sundues prej njerëzve, ideologji prej ideologjive apo sistem prej sistemeve shoqërore.
Idhujtarët, sikurse të gjithë pabesimtarët para tyre, përgjatë historisë, ishin mësuar me traditën e përcjellë të të besuarit të idhujve nga baballarët e tyre. Ishte ky një imitim i verbër e i mbrapshtë, i ngulitur thellë në shpirtrat dhe mendjet e tyre, ndërkohë që ardhja e Pejgamberit a.s. ishte e papranueshme për ta, sepse ai me ngulm insistonte në shkatërrimin e asaj tradite prapanike dhe injorante në të njëjtën kohë. Ata nuk e kuptonin dot se Thirrja për Njëshmëri (Tevhidi) është para së gjithash çlirim mendor, Thirrje për çlirimin e mendjes njerëzore nga prangat dhe litarët e traditës imituese, besëtytnitë e paraardhësve dhe fantazitë imagjinuese të tyre. Meqë mendjet e tyre ishin të ngurtësuara, mendonin se vetëm ata ishin në të drejtën dhe kishin në dorë edhe jetët e besimtarëve të varfër e të robërve. Mirëpo, atyre pohimeve të tyre të marra, u është përgjigjur Vetë Allahu xh.sh., në ajetin vijues të kësaj sureje:
33. Po Ne, nuk i caktuam ata (idhujtarët) si rojë të atyre (besimtarëve).
Nga ky ajet kuptohet qartë se fjalët dhe përqeshjet e idhujtarëve ishin të kota dhe të pavlera, sepse ata nuk janë roja dhe as kujdestarë të besimtarëve. Allahu nuk i ka ngarkuar ata që të jenë roja të tyre. Roja të besimtarëve janë vetëm engjëjt fisnikë, të cilët shënojnë çdo vepër, me lejen e Allahut. Besimtarët nuk kanë nevojë që idhujtarët të vigjilojnë mbi ta e të kontrollojnë lëvizjet dhe veprimet e tyre, sepse secili njeri është nën kujdesin e Allahut Fuqiplotë, prandaj, mjerë ai që para Madhërisë së Tij, del me vepra të shëmtuara, e lum ata që, me veprat e tyre të mira, merituan të dalin faqebardhë para Allahut xh.sh..
34. E sot, (në Ditën e Gjykimit), ata që besuan, do të tallen me jobesimtarët. 35. Duke qëndruar të mbështetur (besimtarët) në kolltukë e duke shikuar.
Dita e Gjykimit do të jetë dita kur do të ndërrojnë pozicionet dhe rolet e protagonistëve të kësaj bote. Tash besimtarët do të jenë ata që do të tallen e do t'i përqeshin pabesimtarët, të cilët do të jenë duke përjetuar dënim pas dënimi. Ata, tashmë kanë humbur përjetësisht Ahiretin, kurse besimtarët do të jenë të respektuar, duke përjetuar kënaqësitë e Allahut. Ata do të jenë ulur nëpër kolltukë të lartë dhe prej aty, do të shikojnë se si ndëshkohen pabesimtarët në ferr. Ata që në këtë botë talleshin dhe i mundonin besimtarët, tash do të jenë të zhytur në dënimin e vazhdueshëm e të përjetshëm.
Është transmetuar nga Katadeja të ketë thënë: Ka thënë Ka'bi: "Ndërmjet Xhenetit dhe Xhehenemit ka një hapësirë si një lloj dritareje, prej së cilës, nëse një besimtar dëshiron të shikojë ndonjë armik të tij që e ka pasur në këtë botë, mund ta shikojë (teksa bëhet azab)".(2) Këtë gjë e konfirmon edhe Allahu xh.sh. në ajetin 55 të kaptinës "Es-Saffat": "Ai shikon dhe e vëren atë (armikun) në mes të Xhehenemit".
Po ashtu, transmetohet nga Ibn Abasi të ketë thënë: "Ekziston një mur ndërmjet banorëve të Xhenetit dhe Xhehenemit. Për banorët e Xhenetit do të hapen disa dyer (a dritare), e këta nga kolltukët e lartë do të vështrojnë teksa bëhen azab e ndëshkohen banorët e zjarrit, dhe do të qeshin me ta. Kjo do të jetë një satisfaksion dhe prehje e zemrave të tyre derisa shikojnë armiqtë e tyre pabesimtarë, ndërkohë që Allahu xh.sh. hakmerret kundër tyre, për hir të tyre".(3)
36. A thua u shpërblyen jobesimtarët për atë që punuan? (Po)
Ajeti përmbyllës i kësaj kaptine tregon më së miri për nënçmimin dhe përbuzjen e mohuesve të Ringjalljes. Kjo pyetje u drejtohet banorëve të Xhenetit, sidomos atyre që kanë vuajtur nga mundimet, talljet dhe ironitë e pabesimtarëve gjatë jetës në këtë botë. Ata do të pyeten, në mënyrë që të merret përgjigjja, se a janë të kënaqur derisa i shohin pabesimtarët duke përjetuar ndëshkimet e tmerrshme në Skëterrë?
Natyrisht që përgjigjja është pozitive, sepse një gjë e tillë kuptohet edhe nga përfundimi i ajetit...
Ky ajet përputhet edhe me kuptimin e ajetit 49 të kaptinës "Ed-Duhan": "(I thuhet pabesimtarit në xhehenem): Shijoje! Se ti je ai "i forti", "i autoritetshmi", e ky është ai (dënimi) për të cilin dyshonit", që nënkupton se besimtarët do të prehen e qetësohen shpirtërisht vetëm atëherë kur të shohin se pabesimtarët, mynafikët dhe grupet e tjera të humbura, do të ndëshkohen praktikisht...
Porosia e këtyre ajeteve (29-36)
- Allahu i Madhërishëm në këto ajete ka përshkruar katër cilësi të këqija të idhujtarëve kurejshë në raport me besimtarët e sinqertë:
1. Pabesimtarët kriminelë, i përqeshnin e tallnin besimtarët kudo që i shihnin;
2. Ata ia shkelnin syrin njëri-tjetrit kur i shihnin besimtarët, në shenjë nënçmimi;
3. Ishin mendjemëdhenj dhe mburravecë, kur ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre duke ironizuar besimtarët, dhe
4. Kur i shihnin besimtarët, thoshin: Ja, këta të humburit e të krisurit/
- Pabesimtarët janë gjithmonë në armiqësi me besimtarët e Njëshmërisë.
- Imani në asnjë mënyrë nuk mund të takohet me kufrin, as feja e drejtë me humbëtirën, dhe as morali i lartë me sjelljet destruktive e të ulëta.
- Idhujtarët ishin sjellë shumë keq me besimtarët, duke i përqeshur, tallur e ironizuar, duke i quajtur këta të fundit si të humbur, por në Ditën e Gjykimit, besimtarët do të jenë ata që do të tallen me pabesimtarët, derisa i shohin këta të fundit duke u përpëlitur në greminat e zjarrta të Xhehenemit.
- Myslimanët atë ditë do të jenë në pozita të larta nderi në Xhenet, dhe do të pyeten nëse janë të kënaqur që, me sytë e tyre, shohin dënimin e dhembshëm që i ka kapluar pabesimtarët, të cilët në dynja talleshin me ta ju...
(Fund)
__________________________
(1) Fahru Rraziu "Mefatihul Gajbi", vëll. 31, f. 102
(2)Imam Sujutiu "Ed-Durrul menthur..." vëll. 15, f. 311
(3)Ali bin Najif esh-Shehud "El-Mufassal li tefsir xhuz'i Amme", f. 572