Kaptina "El-Mearixh" është kaptinë mekase, sipas mendimit unanim të dijetarëve. Transmetojnë Ibn Durejsi, Nehasi, Ibn Merduvije dhe Bejhekiu nga Ibn Abasi të ketë thënë: "Ka zbritur surja "Se'ele" - (El-Mearixh) në Mekë." Ibn Merduvije, të njëjtin transmetim e përcjell edhe nga Ibn Zubejri.(1) Kaptina "El-Mearixh" ka gjithsej 44 ajete, 213 fjalë dhe 757 shkronja.(2) Ka zbritur pas sures "El-Hakkah" dhe para sures "En-Nebe'ë". Në radhitjen e Mushafit mban numrin 70, kurse në radhitjen e zbritjes është e 78-ta.(3)
Emërtimi i kaptinës "El-Mearixh"
1. Emërtim kryesor i kësaj sureje është "El-Mearixh", emërtim me të cilin ka qenë e njohur që nga koha e Resulullahut s.a.v.s., si dhe në kohën e sahabëve, dhe me po këtë emër është radhitur nëpër mushafe, dhe në shumicën e librave të Tefsirit dhe të Sunetit.(4)
Arsyeja e një emërtimi të tillë janë ajetet 3-4 të kësaj sureje: "Ai dënim vjen nga Allahu, pronari i shkallëve të larta (në qiej). Atje ngjiten engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) në një ditë që zgjat pesëdhjetë mijë vjet (ose lartësia e atyre shkallëve është pesëdhjetë mijë vjet)."(5)
Fjala "El-Mearixh" nënkupton shkallët e larta apo ngritjen në lartësi, të engjëjve më të mëdhenj në krye me Xhibrilin a.s., i cili është ngarkuar me përcjelljen e shpalljeve te të dërguarit e Allahut.
2. Emërtimi i dytë i sures është"Se'ele". Ky emërtim ka qenë i njohur ndër sahabët, siç përcjellin Ibn Abasi dhe Ibn Zubejri, se sur ja "Se'ele" ka zbritur në Mekë. Me këtë emërtim e kanë quajtur Tabe riu, Ibn Atije, Ibnul Xhevzij, Haz ini, Thealebiu, Shevkaniu, Alusiu, Xhessasi etj., ashtu siç e kanë përmendur edhe muhaddithinët, Buhariu, Tirmidhiu(6) etj.
Arsyeja e këtij emërtimi është aje ti i parë i kësaj sureje: "Një pyetës e kërkoi dënimin e pashmangshëm."(7) Këtij emërtimi, dijetarët si Ibnul Xhevzij. Ibn Kethiri, El-Fe jruzabadi, Buhariu dhe Tir midhiu(8) ia kanë shtuar edhe fjalën e dytë të ajetit të parë: "sailun", d.t.th. "Se'ele sailun", dhe në këtë formë e kanë përmendur në librat dhe tefsiret e tyre.
3. Ndërsa emërtimi i tretë i kësaj sureje është: "Suretul Vaki'ë". Këtë emërtim e kanë përmendur Sehaviu, Fejruzabadi, Sujutiu etj. Arsyeja e këtij emërtimi është fun di i ajetit të parë"adhabun vaki'ë".(9)
Vlera e kësaj kaptine
- Surja "El-Mearixh" bën pjesë në grupin e sureve "El-Mufassal". Në lidhje me këtë, transmetohet nga Vathilete ibnul Eska'ë El-Le jthi, të ketë thënë: "I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: "Më është dhënë në vend të Tevratit, shtatëshja, (suret nga El-Bekare e deri te El-En fal ose Et-Tevbe); më janë dhënë në vend të Zeburit, "El-Mi'ine" - njëqindëshet, (suret që kanë mbi 100 ajete); më janë dhënë në vend të Inxhilit "El-Methani" - (suret që kanë më pak se 100 ajete), ndër sa jam nderuar (ndaj të dërguarve të tjerë) me suret "El-Mufassal" (nga sureja Kaf, e është thënë nga El-Huxhurat, deri te En-Nas)."(10)
- Transmetohet nga Alkame dhe El-Esvediu të kenë thënë: Erdhi një njeri tek Abdullah ibn Mes'udi dhe i tha: Unë i lexoj të gjitha suret "El-Mufassal", në një rekat, e Ibn Mes'udi i tha: A mos po mendon se ky Kuran është si poezi, që të ngutesh në leximin e tij e të ndalesh ku të duash, dhe a mendon se këto vargje kuranore u ngjajnë vargjeve të hurmave të prishura?! Dije se Pejgamberi a.s. në një rekat lexonte vetëm nga dy sure prej sureve "El-Mufassal", si: "En-Nexhm" dhe"Er-Rrahman" në një rekat, "Ikterebeti-s-sa'atu" dhe "El-Haakkah" në një rekat, "Et-Tur" dhe "Edh-Dharijat" në një rekat, "Idha vekeatil vakia" dhe "Nun" në një rekat,"Se'ele sailun"dhe "En-Naziat" në një rekat, "Vejlun lil mutaffifin" dhe "Abese" në një rekat, "El-Mud deth-thir" dhe "El-Muzzemmil" në një rekat, "Hel eta alel insani" dhe "La uksimu bi jevmil kijame" në një rekat, "Amme jetesaelune" dhe "El-Murselat" në një rekat, dhe "Ed-Duhan" dhe "Idhe-sh-shemsu kuvviret" në një rekat."(11)
Shkaku i zbritjes
- Në ajetet (1-2) të kësaj kap tine:"Një pyetës kërkoi një dënim të pashmangshëm, për jobesimtarët. Atë (dënim) s'ka kush që mund ta ndalë", kemi edhe shka kun e zbritjes, siç transmetojnë Nesaiu dhe Ibn Ebi Hatimi nga Ibn Abasi, se këto dy ajete kanë zbritur në lidhje me Nadr ibnul Harithin, i cili ashtu siç e përshkruan ajeti i 32 i sures "El-Enfal": "O Allah! Nëse është ky (Kurani) vërtet prej Teje, lësho gurë nga qielli kundër nesh, ose sillna ndonjë dënim të hidhët." Pas kësaj duaje që ai bëri kundër vetvetes, ndëshkimi i arriti në luftën e Bedrit, kur edhe u vra.(12)
- Transmeton Ibnul Mundhi ri nga Haseni të ketë thënë: "Kur zbriti ajeti i parë i sures "El-Mear ixh": "Një pyetës kërkoi një dënim të pashmangshëm", njerëzit pyetën: mbi kë do të bjerë ky dënim?, Atëherë zbriti ajeti i dytë i kësaj kaptine: "për jobesimtarët. Atë (dënim) s'ka kush që mund ta ndalë".(13)
Në lidhje me ajetet 38-39: "A mos secili prej tyre lakmon të hyjë në Xhenetin e begatshëm? Kurrsesi...!", komentatorët kanë thënë: Idhujtarët tuboheshin për të dëgjuar të Dërguarin e Allahut, por nuk përfitonin asgjë prej tij, përkundrazi e përgënjeshtronin dhe talleshin me të duke thënë: Nëse këta (besimtarët) do të hyjnë në Xhenet, ne do të hyjmë para tyre, dhe ne do të kemi më shumë hise në të sesa këta. Pas këtyre fjalëve, Allahu zbriti ajetet në fjalë, 38 dhe 39.(14)
Lidhja e kësaj kaptine me atë paraprake
Një prej karakteristikave të veçanta të kësaj sureje, është se ka zbritur pas sures El-Hakkah, ndërkohë që edhe në Mushaf është radhitur menjëherë pas saj., kështu që edhe si tërësi, tematike konsiderohet plotësim i saj, sidomos kur bëhet fjalë rreth përshkrimit të Ditës së Kiametit, të Xhehenemit, si dhe të gjendjes së besimtarëve dhe të kriminelëve nesër në Ahiret.
- Surja El-Hakkah flet për jetësimin e së drejtës dhe të së vërtetës në mes njerëzve, gjë që sqarohet shumë mirë në shpërndarjen e fletushkave, atëbotë, kur njerëzit do të jenë ndarë në dy grupe, besim tarë dhe jobesimtarë, ndërkohë që surja El-Mearixh hapet pikërisht me fjalët e këtij grupi jobesimtar, të cilët përgënjeshtronin dhe mohonin Ditën e Gjykimit, e cila patjetër do të vijë.
- Surja paraprake El-Hakkah f illoi me përmendjen e njërit prej emrave të Ditës së Gjykimit dhe tmerreve të saj, ndërkohë që këto pamje të llahtarshme dhe vuajtje që jobesimtarët do t'i përjetojnë, janë sqaruar e detajuar në mënyrë shumë më të përpiktë në suren El-Mearixh.
- Në suren El-Hakkah është përmendur ndryshimi që do të pësojë qielli në Ditën e Kiametit, në ajetin 16: "E qielli çahet, pse ai atë ditë është i rraskapitur", kurse në ajetin 8-të, të sures El-Mearixh kemi këtë përshkrim të qiellit: "Atë ditë, qielli do të bëhet si kallaji i shkrirë".
- Në lidhje me kodrat, në ajetin 14, të sures El-Hakkah kemi këtë përshkrim: "Dhe të ngrihen toka e kodrat e t'i mëshojnë njëra tjetrës me një të goditur.", ndërsa në ajetin e 9-të, të sures El-Mearixh në lidhje me kodrat thuhet: "e kodrat do të bëhen si lesh i lënurur (shprishur)."
- Në suren paraprake, janë përmendur pësimet e popujve të mëparshëm, si pasojë e kryeneçë sisë së tyre, që nuk po pranonin dritën e udhëzimit. Krejt kjo ka ardhur për ta qetësuar shpirtërisht Pejgamberin a.s., që të mos mërzitej për suksesin e misionit të tij, ndërkohë që edhe në suren El-Mearixh shohim se si do të përfundojnë përgënjeshtruesit e Ringjalljes: "Ditën, kur do të dalin nga varrezat duke vrapuar, si kur të ishin duke nxituar drejt idhujve, me shikime të përulura, të kapluara nga poshtërimi..."- (El-Mearixh, 43-44)
- Në suren El-Hakkah , ajeti 18, sqaron se jobesimtari në Ditën e Gjykimit, nga dëshpërimi do të thotë: "Pasuria ime nuk më bëri fare dobi.", kurse në suren El-Mearixh në ajetin e 18-të: "Dhe që ka grumbulluar (pasuri) dhe e ka fshehur (depozituar)", sqarohet se ata që tubuan pasuri duke e ruajtur atë, pa u ndihmuar të varfërve, siç ishte rasti i parisë kurejshite në krye me Ebu Xhehlin dhe të ngjashmit me të, kjo pasuri e grumbulluar nuk do t'u bëjë kurrfarë dobie nesër në Ahiret, sepse ata e humbën edhe këtë botë edhe botën tjetër, për shkak të mendjemadhësisë dhe kufrit të tyre.
- Një ngjashmëri të këtillë kuptimore kemi edhe ndërmjet ajeteve (33-34) të sures El-Hakkah: "Se ai ka qenë që nuk besoi Alla hun e madhëruar. Ai nuk nxiste për t'i ushqyer të varfrit.", dhe ajeteve (17-18) të sues El-Mearixh: "Që thërret atë që është zmbrapsur e larguar (prej besimit), dhe që ka grumbulluar (pasuri) dhe e ka fshehur (depozituar)..", ku sqarohet se disa prej idhujtarëve kurejshë preokupoheshin vetëm për tubimin e pasurisë dhe nuk kujdeseshin fare për të ushqyer të varfrit.
- Po ashtu, ka një lidhje edhe mes ajetit 18 të sures El-Hakkah: "Ai nuk nxiste për t'i ushqyer të varfrit.", në të cilin shohim përshkrimin e zemërngushtësisë së idhujtarëve në raport me të varfrit, dhe ajeteve (24-25) të sures El-Mearixh: "Dhe që nga pasuria e tyre e kanë ndarë një pjesë të caktuar, për lypësin dhe për nevojtarin;.", ajete të cilat përshkruajnë zemërgjerësinë dhe bujarinë e besimtarëve në raport me të varfrit, duke ndarë një pjesë të pasurisë për ta.
- Ndërsa duhet të meditojmë thellë për një ngjashmëri në mes ajetit të 35-të të sures El-Hakkah:
"Ai sot nuk ka këtu ndonjë mik", ajet i cili flet se mohuesi i Alla hut, nesër në Ditën e Gjykimit, nuk do të ketë asnjë mik që do të mbrojë e do të përkrahë, kurse në suren El-Mearixh, nga ajeti i 10-të: "Dhe asnjë mik nuk pyet për mi kun", na bëhet e qartë se në Ditën e Llogarisë para Allahut, njerëzit që në këtë botë dikur ishin miq të mirë, tash do të ikin nga njëri-tjetri dhe nuk do të pyesin fare për njëri-tjetrin, nga frika në mos ata do t'i kërkojnë njëri-tjetrit ndonjë hak, që të shpëtojnë vetveten nga tmerri i ndëshkimit që i pret.
Lidhja e fillimit të kësaj kaptine me përfundimin e saj
- Ata që merren me meditime kuranore, e dinë shumë mirë se kjo sure ka filluar me ironinë dhe sarkazmin e idhujtarëve, të cilët në këtë mënyrë mohonin Ditën e Kiametit dhe Ringjalljen, madje duke kërkuar haptazi që Muhamedi a.s., t'ua përshpejtonte atë dënim, tash në fund të sures shohim përgjigjen e Allahut ndaj tyre kur e përshkruan gjendjen e tyre të mjerë në Ditën e Gjykimit me fjalët: "Ditën, kur do të dalin nga varrezat duke vrapuar, sikur të ishin duke nxituar drejt idhujve, Me shikime të përulura, të kapluara nga poshtërimi. Ajo është dita që u është premtuar atyre."Pra, kjo është ajo Dita poshtëruese për jobesimtarët, e cila u premtohej e të cilën, për fatin e tyre të keq, e mohonin dhe talleshin me të.
- Në fillim të kësaj sureje, i Dërguari a.s. porositej e këshillohej që të duronte: "Prandaj, ti duro me një durim të hijshëm (të mirë)." - (El-Mearixh), kurse kah fundi i sures, porositet me këto fjalë: "Andaj lëri të zhyten në fjalë të kota dhe të dëfrehen, deri sa të përballen me Ditën që u është premtuar".(15)
Paraqitje e shkurtër e përmbajtjes së kësaj kaptine
Ashtu si edhe simotrat e saja mekase, kjo sure ngërthen në vete fondamentet e besimit të drejtë, duke sjellë argumente bindëse për ringjalljen dhe llogarinë, përshkrimin e ndëshkimit me zjarr të Xhehenemit etj.
Nga ana përmbajtjesore, surja "El-Mearixh", mund të ndahet në tri tematika qendrore:
1. Në reagimin hyjnor ndaj mo huesve të Ringjalljes dhe Llogarisë, ku përshkruhen edhe tmerret e Ditës së Kiametit,
2. Në tematikën e dytë flitet për natyrën njerëzore dhe implikimet e saj në punë të mira dhe në ato të këqija, duke veçuar besimtarët me nëntë cilësi lavdëruese, si dhe sqa rimin e gjendjes së jobesimtarëve, të cilët do të privohen nga mirësitë e Xhenetit, dhe
3. Në faktin që është prehje dhe qetësim për Pejgamberin a.s., për të vazhduar i paluhatshëm në rrugën e Thirrjes së tij.
Sa u përket tematikave në aspektin e ajeteve, në këtë sure, shohim qëndrimin injorues e tallës të banorëve të Mekës karshi Thirrjes së Resulullahut s.a.v.s., si dhe përçmimin që ata i bënin kësaj Thirrjeje. Madje, ata me ironi e sarkazëm edhe pyetnin se kur mund t'ua sillte Muhamedi a.s. këtë dënim, me të cilin po i kërcënonte. Personi i cili kishte kërkuar sjelljen e këtij dënimi, ash tu siç u theksua te shkaku i zbritjes, ishte Nadr ibnul Harithi, për çka bëjnë fjalë edhe ajetet (1-7).
- Pas kësaj, Allahu xh.sh. për shkruan Ditën e Kiametit me të gjitha tmerret e saj, pastaj përshkruan Zjarrin e Xhehenemit dhe ndëshkimet që do të përjetohen në të si dhe gjendjen e mjerë të kriminelëve jobesimtarë në këtë ditë të rëndë e të vështirë për ta. (Shih ajetet: 8-18).
- Ajetet e mëparshme janë pasuar nga ajetet që flasin për natyrën e ligët të njeriut dhe cilësitë e tij, të cilat e shtyjnë atë në zjarrin e Xhehenemit. Njeriun kur e godet ndonjë fatkeqësi, ai nuk ka durim që t'i përballojë këto vështirësi, e kur atë e prek ndonjë e mirë, bëhet koprrac dhe nuk është falënderues ndaj Allahut për këto të mira. (Shih ajetet: (19-21).
- Kurse përjashtim nga grupi i këtyre njerëzve mosmirënjohës, bëjnë besimtarët e vërtetë, të cilët falin namazin, të cilët janë të stolisur me cilësitë më fisnike e më të larta morale, duke çuar në vend obligimet që kanë ndaj Krijuesit dhe ndaj njerëzve nëpërgjithësi, prandaj edhe e kanë merituar përjetësinë në kopshtet e Xhenetit. Në lidhje me këtë flasin ajetet: (22-35).
- Kjo sure përmbyllet me një grup ajetesh të cilat edhe njëherë flasin në mënyrë kërcënuese ndaj jobesimtarëve se ata do të shkatërrohen e do të ndëshkohen rëndë përligësitë e tyre në këtë botë. Ajetet në fjalë pak a shumë përshkruajnë mundimet dhe vuajtjet që do t'i përjetojnë ata në botën tjetër, në Ditën e Ringjalljes dhe të Llogarisë. (Shih ajetet: 36-44).
- vijon -
____________________________
1. Imam Shevkaniu, Fet'hul Kadir, vëll.V, fq. 382.
2. Fejruzabadi, Besairu dhevi-t-Temjizi, vëll. I, f. 480.
3. Ibn Ashuri, Et-Tahriru ve-t-Tenviru, vëll. XXIX, fq. 153; Shih edhe: Ahmed bin Muhamed et-Tatvil, Muhtevejatu suveril Kuran, Rijad, 2013, f. 401.
4. Dr. Mu hamed bin Abdurrahman es-Shaië, Esmau su veril Kuranil Kerim, Rijad, 2011, f. 179; Shih: Imam Sujutiu El-Itkan, (1/196).
5. Muhamed bin Fenhur el Abdeli, Fevaidu ve fedailu havle suveril Kuranil Kerim, Kurajat (A. Saudite) 2006. f. 132.
6. Dr. Munire ed-Devserij, Esmau suveril Kuran ve fedailuha, Rijad, 1426 h. f. 482-483;
7. Dr. Adem Bemba, Esmaul Kuranil Kerim ve esmau suverihi ve ajatihi-mu'xhemun mevsuijjun mujesserun, Dubai, 2009, f. 63.
8. Esmau suveril Kuranil Kerim, f. 179 180;
9. Esmau suveril Kurani ve fedailuha, f. 484. Shih edhe: Mesaidu-n-Nedhar, (3/118); Shih Tefsirin e Ibnul Xhevzijes (8/357).
10. Transmeton Imam Ahmedi (4/107); Bejhekiu në Shuabi-l Iman (2/465); Albani e ka kategorizuar si hadith 'hasen' në Sahihu-t-Tergib (1457); si hadith 'sahih' me të gjitha rrugët e transmetimit në Silsiletu-s-Sahiha (1480) dhe në Sahihul Xhamiu (1059).
11. Grup autorësh, El-Kitabul Xhamiu li fedaili-l Kurani-l Kerim, Amman, 2008, f. 104-105. Transmetimi është i kategorisë"sahih". E transmeton Ebu Davudi në Sunenin e tij (1396) dhe thotë se radhitja e këtyre sureve është bërë nga Ibn Mes'udi.
12. Esbabu-n-Nuzuli nga Vahidiu, f. 445. Këtë transmetim nga Seid ibn Xhubejri, e përcjell edhe Hakimi në El-Mustedrek (2/502); Shih poashtu Lubabu-n-nukuli fi esbabi-n-nuzuli nga Imam Sujutiu, f. 274.
13. Lubabu-n-nuku li fi esbabi-n-nuzuli nga Imam Sujutiu, f. 274; Shih po ashtu Et-Tefsirul Munir, vëll. XXIX, f. 122.
14. Esbabu-n-Nuzuli, f. 445.
15. Grup autorësh nën mbikëqyrjen e dr. Mustafa Muslimit, Et-Tefsirul mevdui li suveril Kuran, Sharika (UAE), vëll. 8, f. 340-341.
Sabri Bajgora