Një dijetar e pyeti studentin e tij:
Sa kohë ke qenë me mua?
"Tridhjetë e tre vjet!" - përgjigjet studenti.
"Dhe çfarë ke mësuar nga unë gjatë kësaj kohe?" - pyet dijetari.
"Kam mësuar tetë gjëra!" - përgjigjet studenti.
"Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi! Jeta ime është humbur me ty, meqë ti ke mësuar vetëm tetë gjëra!" - tha dijetari.
"Mësuesi im, nuk kam mësuar asgjë tjetër dhe nuk dua të gënjej!" - tha studenti.
"Më trego çfarë ke mësuar!" - i tha dijetari.
Studenti tha:
Së pari.
I vura re njerëzit dhe pashë se të gjithë duan diçka, por kur shkojnë në varr, i dashuri i tyre i lë! Kështu që i bëra veprat e mira të dashurit e mi, në mënyrë që kur të hyj në varr, ata të hyjnë me mua."
Së dyti.
Reflektova mbi fjalët e Allahut të Plotfuqishëm: 'Por sa i përket atij që kishte frikë të qëndronte para Zotit të tij dhe e përmbajti veten nga [ndjekja] e dëshirave të tij, atëherë me të vërtetë, Xhennetit do të jetë streha [e tij].' Kështu që u përpoqa t'i rezistoja dëshirave të mia, derisa u vendosa për bindje ndaj Zotit.
Së treti.
E vëzhgova këtë krijim. Kuptova se kushdo që zotëronte diçka me vlerë e ruante atë që të mos humbiste!
Pastaj reflektova mbi ajetin: "Ajo që zotëroni do të mbarojë, por ajo që është tek Allahu do të qëndrojë". Kështu që sa herë që fitoja diçka me vlerë, ia besoja Zotit, duke i kërkuar Atij ta ruante.
Së katërti.
Vëzhgova njerëzit dhe pashë se të gjithë mburreshin me pasurinë, prejardhjen a origjinën e tyre. Andaj, reflektova mbi ajetin: "Vërtet, më fisniku prej jush tek Allahu është më i devotshmi prej jush". Kështu që u përpoqa për devotshmëri në mënyrë që të isha fisnik në vështrimin e Allahut!
Së pesti.
Vërejta njerëz që shpifnin dhe mallkonin njëri-tjetrin dhe kuptova se rrënja e të gjitha këtyre është zilia.
Andaj, reflektova mbi ajetin: "Ne jemi ata që kemi ndarë midis tyre jetesën e tyre në jetën e kësaj bote". Kështu që e braktisa zilinë, shmangia njerëzit dhe kuptova se furnizimi vjen nga Allahu.
Së gjashti.
Vërejta njerëzit se si e urrejnë, shtypin dhe luftojnë njëri-tjetrin.
Andaj, reflektova mbi fjalët e Allahut të Plotfuqishëm: "Vërtet, shejtani është armik juaj, prandaj merreni atë si armik." Kështu që e braktisa armiqësinë ndaj njerëzve dhe iu përkushtua vetëm armiqësisë ndaj shejtanit.
Së shtati.
Vërejta njerëzit dhe pashë secilin prej tyre duke luftuar dhe duke u përulur në kërkim të furnizimit, madje duke iu drejtuar asaj që është e ndaluar!
Andaj, reflektova mbi fjalët e Zotit të Plotfuqishëm: "Dhe nuk ka krijesë në tokë që furnizimi i saj të mos jetë tek Allahu." Kështu që kuptova se jam një nga këto krijesa dhe u angazhova me atë që Allahu më ka detyruar të bëj, duke lënë pasurinë time në duart e Tij.
Së teti.
Vërejta njerëzit dhe pashë se secili prej tyre mbështetet në një krijesë tjetër si ata vetë! Ky në pasurinë e tij, tjetri në shëndetin e tij dhe tjetri në pozicionin e tij.
Andaj, reflektova mbi fjalët e Allahut të Plotfuqishëm: "Dhe kushdo që mbështetet te Zoti, atëherë Ai është i mjaftueshëm për të."
Kështu që hoqa dorë nga mbështetja te njerëzit dhe u përpoqa të mbështetesha vetëm te Zoti.
Në atë moment, mësuesi i tij e duartrokiti dhe tha: "Allahu të bekoftë".
Përktheu: Mulaim Shehu