Një histori e vërtetë
Një njeri e pyeti një tjetër që po falej:
"Po sikur, pas vdekjes, të zbulojmë se Parajsa dhe Ferri nuk ekzistojnë, dhe se nuk ka shpërblim apo ndëshkim? Çfarë do të bësh?"
Përgjigjja e tij ishte e habitshme. Ja historia:
Ishim në një restorant arab në Londër, pak para perëndimit të diellit, në vitin 2007. Pasi u ulëm, kamerieri erdhi të merrte porositë. U njoha me shokët e mi dhe kërkova leje për disa minuta. Kur u ktheva, njëri prej tyre më pyeti:
"Ku ishe, Doktor? Na le të presim."
Iu përgjigja: "Kërkoj ndjesë, po lutesha."
Ai qeshi dhe tha: "Ende lutesh? Jeni të modës së vjetër!"
Edhe unë buzëqesha: "Të modës së vjetër? Pse? A ekziston Zoti vetëm në vendet islame? A nuk ekziston edhe në Londër?"
Ai tha: "Doktor, dua t'ju bëj disa pyetje. Ju lutem, më duroni me durimin tuaj të zakonshëm."
I thashë: "Patjetër. Por kam një kusht."
Ai tha: "Vazhdo."
Iu përgjigja: "Pasi t'i mbarosh pyetjet, duhet të pranosh fitoren ose humbjen. Dakord?"
Ai tha: "Dakord. Dhe është premtim."
"Mirë," - i thashë. - "Fillojmë."
Ai pyeti: "Sa kohë ke që lutesh?"
I thashë: "E mësova në moshën shtatëvjeçare, e zotërova në moshën nëntëvjeçare dhe nuk e kam lënë kurrë. Me vullnetin e Zotit, nuk do ta lë asnjëherë."
Ai tha: "Në rregull... Por çfarë nëse, pas vdekjes, zbulon se nuk ka Parajsë, nuk ka Ferr, nuk ka shpërblim e ndëshkim? Çfarë do të humbisësh?"
I thashë: "Le ta marrim për të vërtetë supozimin tënd. Edhe nëse nuk do të kishte Parajsë e Ferr, nuk do të humbisja asgjë. Siç tha Ali ibn Ebu Talibi:
"Zoti im, nuk të adhurova nga frika e Zjarrit tënd, as nga dëshira për Parajsën tënde, por të adhurova sepse Ti je i denjë për adhurim.""
Ai vazhdoi: "Po lutjet e tua ndër vite? Do të zbulosh se ata që u lutën dhe ata që nuk u lutën janë të njëjtë."
I thashë: "Nuk do të më vinte keq. Ato marrin vetëm disa minuta në ditë. Do t'i konsideroja një ushtrim të dobishëm fizik e shpirtëror."
Ai tha: "Po agjërimi, sidomos në Londër ku ndonjëherë zgjat më shumë se 18 orë?"
U përgjigja: "Agjërimin e shoh si ushtrim të lartë shpirtëror e mendor. Ka edhe përfitime të shumta shëndetësore, të dokumentuara nga studime ndërkombëtare jo-islame."
Ai pyeti: "Ke provuar ndonjëherë alkoolin?"
I thashë: "Jo, kurrë."
Ai u habit: "Kurrë?! Po kënaqësia e tij, po shoqëria?"
Iu përgjigja: "Ndoshta jam privuar nga kënaqësitë e tij, por jam shpëtuar nga dëmet e tij që janë shumëfish më të mëdha: sëmundje, familje të shkatërruara, varësi. Edhe raportet ndërkombëtare paralajmërojnë për këtë."
Ai vazhdoi: "Po Haxhi e Umra? Po sikur, pas vdekjes, të kuptosh se Zoti nuk ekziston?"
I thashë: "Do t'i kujtoja si udhëtime të mrekullueshme që më pastruan shpirtin, ashtu si udhëtimet e tua të zakonshme që të ndihmojnë të largosh stresin."
Ai heshti për disa sekonda dhe tha:
"Faleminderit për durimin. Unë e pranoj humbjen."
E pyeta: "Si mendon se ndihem tani?"
Ai tha: "Me siguri je i lumtur."
I thashë: "Jo, jam i pikëlluar."
Ai u çudit: "Pse?"
I thashë: "Sepse kam vetëm një pyetje për ty."
Ai tha: "Cila është?"
I thashë: "Nëse supozimi yt nuk më dëmton mua, çfarë nëse pas vdekjes zbulon se Zoti ekziston vërtet, dhe gjithçka që përshkruhet në Kuran është e vërtetë? Çfarë do të bësh atëherë?"
Ai m'u drejtua me sy, por nuk foli. Në atë moment kamerieri solli ushqimin.
I thashë: "S'ka nevojë të përgjigjesh tani. Hajde të hamë. Kur ta kesh përgjigjen, më thuaj."
Kaloi muaji. Ai më telefonoi dhe u takuam sërish në të njëjtin restorant. Pas shtrëngimit të duarve, më përqafoi dhe shpërtheu në lot.
E mbajta për krahësh dhe e pyeta: "Çfarë ka ndodhur?"
Më tha: "Erdha të të falënderoj. Jam rikthyer te lutja, pas më shumë se njëzet vitesh që e kisha braktisur. Fjalët e tua nuk më lanë të qetë. Sikur zgjove diçka brenda meje. Ndihem si njeri tjetër, me një qetësi të re që nuk e kam provuar kurrë."
I thashë: "Ndoshta ato fjalë zgjuan shikimin tënd të brendshëm, pasi shikimi yt fizik të kishte dobësuar."
Ai tha: "Po. Ti më zgjove shikimin e brendshëm. Faleminderit nga zemra."
Në përmbyllje, i lutemi Allahut të na bëjë prej atyre që e dëgjojnë fjalën dhe ndjekin më të mirën e saj, dhe të na shtojë dashurinë për të Dërguarin e Tij dhe pasimin e Sunetit të tij.
O Zot, dërgo paqe dhe bekime mbi Muhamedin, sa herë që përmendet nga ata që e përmendin dhe sa herë që harrohet nga ata që e harrojnë.
Përktheu: Mulaim Shehu