Le ta hedhë gurin e parë ai që nuk ka bërë kurrë ndonjë mëkat!


Një turmë e trazuar sjell para hazreti Isait një grua të akuzuar për zina, për ta vrarë me gurë, sipas mësimeve të Tevratit. Synimi i tyre është i dyfishtë: të ngrejnë peshë mëkatin e saj dhe njëkohësisht ta vënë në provë hz. Isain me autoritetet e vendit. Në duart e tyre rëndojnë gurë, në zemrat e tyre rënkojnë gjykime. Secili e sheh veten të pastër, ndërsa tjetrin të ndotur.
Hz. Isai, me një qetësi që e ftoh zemërimin e njerëzve, u drejtohet me vetëm një fjali:
"Ai që është pa mëkat ndër ju, le të jetë i pari që hedh gurin."
Fjala bie mbi turmë si një perde heshtjeje. Sepse njeriu, kur e gozhdon vështrimin tek gabimi i tjetrit, humbet nga sytë gurët që i mban brenda vetes. Zemërimi e vesh njeriun me iluzionin e të qenit i drejt, ndërsa drejtësia e vërtetë lind vetëm pasi njeriu përkulet para mangësive të veta.
Kjo fjalë na mëson se:
1. Asnjë qenie njerëzore nuk është model i përsosmërisë.
Askush nuk mund ta ngrejë zërin kundër tjetrit pa dëgjuar më parë heshtjen që i flet nga brenda. Të gjithë kemi ditë kur rrëzohemi, gabojmë, dhe më pas ngrihemi pak më të urtë se më parë.
2. Mëshira është zemra që rreh brenda drejtësisë.
Të ngresh dorën për të hedhur një gur është e lehtë; të japësh falje është një akt që kërkon shtrirjen e shpirtit. Fjalët e Hz. Isait nuk synojnë thyerjen e trupit, por zgjimin e zemrës.
3. Para se të gjykojmë, duhet të përpiqemi të kuptojmë.
T'ia përplasësh gabimin dikujt në fytyrë është si të fikësh një dritë në shpirtin tënd. Turma që bërtet është e shpejtë dhe e papërmbajtur; qëndrimi në udhën e drejtë kërkon maturi dhe durim.
4. Pa parë plagët e veta, askush s'ka të drejtë të gjuajë me gur plagët e tjetrit.
Sepse secili njeri bart një sprovë të fshehtë, një dhimbje që nuk e sheh askush.
Në kohën tonë, qoftë në rrjetet sociale, në rrugë apo brenda familjes, njerëzit nxitohen të venë etiketa e të japin dënime. Një fjalë e gabuar, një imazh i çastit… dhe gurët fillojnë të mprehen. Por, paralajmërimi i Hz. Isait mbetet si një dritë e artë që nuk shuhet me kohën:
"Pastroje më parë zemrën tënde; mos e pesho mëkatin e tjetrit me gur."
Një botë ku secili e shikon veten para se të hedhë gurin bëhet një botë me më pak gjyqe dhe më shumë zemërgjerësi. Atëherë rritet numri i njerëzve që shërojnë plagë, e pakësohen ata që plagosin.


 


Nga turqishtja: Rehan Neziri


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Rikthimi te rrënjët, vakëfi dhe historia që u ringjall në konferencë