Agjërimi (savmi) në Kuran


Përkufizimi i agjërimit islam


Në gjuhën arabe agjërimi quhet "sijam". Nga aspekti gjuhësor do të thotë përmbajtje e përgjithshme nga fjalët dhe veprimet. Thuhet: "Same anit taam", që do të thotë: "Përmbahet nga ushqimi" ose: "Same anil kelam", që do të thotë: "Përmbahet nga të foluri", pra hesht.
Në Kuranin famëlartë qëndron rasti i Merjemes, e cila pasi kishte mbetur me barrë, i është thënë që kur të takoj dikë nga njerëzit të thotë: "Inni nedhertulir rrahmani savma"- "Unë jam betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të hesht/agjëroj, dhe sot me asnjë njeri nuk do të flas." (Merjem, 26) Agjërimi në legjislacionin islam është definuar si: "Abstenim i rreptë nga marrëdhëniet intime, dhe futjes së çdo gjëje në organizëm nga agimi e deri te perëndimi i diellit, duke iu përgjigjur thirrjes së Allahut.


Analizë e përgjithshme e ajeteve rreth agjërimit


Në Kuranin famëlartë janë 22 ajete me të cilat urdhërohet agjërimi, përcaktohen rregullat e tij konkrete, si fillimi, përfundimi dhe gjërat e lejuara dhe të ndaluara gjatë agjërimit. Dijetarët islam këto ajete i përcaktojnë me termin "ajetus sijam" apo "ajetet e agjërimit". Ajetet rreth agjërimit i përkasin një grupi të gjerë të ajeteve të quajtura "ajatul ahkam", apo ajetet që rregullojnë obligimet (farzet), e të cilat në Kuran janë rreth pesëqind të tilla, sipas disa dijetarëve, e sipas disave edhe më shumë se kaq.
Nëse bëjmë një analizë të shkurtër në mes fillimit dhe fundit të ajeteve që flasin për agjërimin, do të vërejmë një lidhje shumë interesante.
Pra, fillojnë me thirroren: "O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim!", kurse përfundojnë me shpjegimin se kjo na është obliguar në mënyrë që të jemi të devotshëm: "... kështu që të bëheni të devotshëm." Sikur është një shenjë në këtë, se agjërimi që kërkohet nga ne, nuk është vetëm lënia e ushqimit, pijes dhe marrëdhënieve intime, por ky agjërim është i bazuar në besim të thellë, i cili na ngrit në nivelin e devotshmërisë. Agjërimi, i cili fillon në iman - besim dhe përfundon në takvallëk - devotshmëri.


Ajeti i parë që flet për agjërimin


Para paraqitjes së rregulloreve të veçante rreth agjërimit, i Plotfuqishmi flet për robërit e Tij të bindur, duke i thirrur ata. Dijetarët e tefsirit përmendin se, obligimi të cilit i paraprinë një lutje e tillë është dëshmi për rëndësinë e tij, interesin për të, kujdesin e veçantë rreth tij, sepse thirrja ka për qëllim t'u tërheq vëmendjen atyre që po thirren me të.
Abdullah ibën Abasi r.a. sugjeron një lloj marrëdhënie me ajetet që u paraprinë kjo thirrje, duke thënë: "Kur të dëgjoni thirrjen e Allahut me fjalët "O ju që besuat" keni kujdes për atë që pason pas tyre, sepse, pas tyre do të pasoj diçka e mirë që urdhërohet, ose diçka e keqe që ndalohet."
"O ju që keni besuar!" - Besimtarët thirren me një tipar karakteristik dhe personal, i cili i lidh me Zotin e tyre dhe të Dërguarin a.s., me cilësi e cila në shpirtrat e tyre mobilizon gatishmërinë për pranimin e plotë të urdhrave dhe obligimeve që pasojnë. Kjo thirrje ishte diçka e re në Gadishullin Arabik, diçka e jashtëzakonshme. Këtu në mënyrë ekskluzive u drejtohet atyre që besuan, "el ledhine amenu." "Ju është bërë obligim agjërimi" - Termi "kutibe", i përdorur në këtë ajet, do të thotë: "Ju është shkruar - obliguar, ju është bërë detyrim." Tipar i veçantë i rregullave kuranore është se ato nuk janë bërë obligim në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtën formë. Disa janë obliguar me thënien "Ju është bërë obligim", kurse disa të tjera janë obliguar në mënyrë të drejtpërdrejtë, në mënyrë klasike, nëpërmjet imperativit: "Faleni namaz in dhe jepeni zeqatin", "Bëni mirë" etj.


Kujt i dedikohet termi "atyre që ishin para jush"?


Allahu xh.sh. na informon se agjërimi bën pjesë në llojin e adhurimeve që është në dobi të njerëzimit në çdo kohë. Prandaj, akti i agjërimit ishte obligim edhe i atyre që ishin para nesh. Na bëhet me dije, se ne nuk jemi të parët, as të vetmit, të cilëve na është bërë obligim ky ibadet. Ky është mesazhi kryesor i kësaj pjese të ajetit. Megjithatë, mufesirët kanë shqyrtuar çështjen, se cilët ishin popujt për të cilët flet kjo pjesë e ajetit, përkatësisht, kujt i është bërë obligim agjërimi para nesh.
Një pjesë e dijetarëve thonë, se atyre që u është bërë obligim agjërimi para nesh janë elhul kitabi (ithtarët e librit). Ky mendim është transmetuar nga Ibën Abasi dhe Muxhahidi, kurse e regjistron edhe Ibën Kajimi në tefsirin e tij.
Es Sabiu dhe Er Rabiu konsiderojnë se kjo pjesë e ajetit i referohet vetëm të krishterëve, të cilët na kanë paraprirë sipas ligjit të Zotit.
Ibën Ashuri thotë se kjo frazë i referohet ekskluz ivisht hebrenjve, duke argumentuar me fjalët se hebrenjtë kanë jetuar me myslimanët dhe se myslimanët i njihnin ritualet e tyre, zakonet etj., kurse, të krishterët nuk kishin agjërim shtesë në krahasim me atë që është vërtetuar në Tevrat.
Qëndrimi i katërt, e ndoshta edhe qëndrimi edhe më i saktë është i atyre që thonë se, ajeti u referohet popujve të mëparshëm, ndër të cilët përfshihen edhe hebrenjtë, krishterët dhe ata që kanë jetuar para tyre. Të këtij mendimi janë Muhamed Abduhu, Reshid Rida, Ibën Kajim el Xheuzije etj.
En Nesefiu duke komentuar këtë ajet thotë: "Ata që ishin para nesh, nga pejgamberët dhe popujt, nga Ademi a.s., e deri në kohën tonë."
"Për t'u shmangur (ruajtur nga të këqijat)" - En Nesefiu precizon dhe thotë se fjalët kuranore: "Për t'u shmangur" kanë të bëjnë me ruajtjen nga mëkatet me aktin e agjërimit."
Termi takva është një nga termet që përdoret shpesh në Kuran. Ai përfaqësohet në Kuran në rreth 300 vende. Është e saktë që të konstatohet se një nga qëllimet kryesore të ritualeve islame është arritja e takvallëkut (devotshmërisë) në zemrat e pasuesve të tij.
Sa më pak që konsumohet ushqimi, aq më të vogla janë instinktet dhe pasionet, kurse, kur janë pasionet më të vogla, më pak janë mundësitë për të bërë mëkat.


Ajeti i dytë që flet për agjërimin


"(Jeni të obliguar për) ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri e ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për të. Mirë po, po që se e dini, agjërimi është më i mirë për ju."
"Ditë të caktuara" - d.m.th. jeni të obliguar të agjëroni për ditë të caktuar, dhe nuk është obliguar numri i madh i ditëve, ose një vit të tërë nga mirësia për ne. Ky numër i ditëve që është obligim të agjërohet është i caktuar në mënyrë të urtë dhe precize nga ana e Atij, i cili na njeh mirë, i cili dinë se çka është në interes të moralit njerëzor dhe organizmit të tij. Nuk është bërë obligim agjërimi i shumë ditëve, e që për arsye, disa prej nesh të mos kenë mundësi të agjërojnë, e as shumë pak, e që ilaçi të mos jetë plotësisht efektiv.


Ditët në të cilat na obligohet agjërimi


Mendimi më i saktë, i përfaqësuar nga shumica e komentuesve të Kuranit të shenjtë, është se ajeti i përmendur i referohet ditëve të muajit Ramazan.
Ka mufesirë të cilët thonë se obligimi i agjërimit të ditëve jo të caktuar i referohet agjërimit në muajin Sheval - ashure, etj., dhe që ajeti që vjen pas këtij e shfuqizoi këtë dhe e precizoi në obligimin e agjërimit gjatë muajit të Ramazanit.
"...e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë." - Pra kushdo që është në një gjendje të tillë, kështu që e prish agjërimin e ditëve të caktuara të Ramazanit, është i detyruar që t'i agjërojë ato ditë në një kohë tjetër. Allahu e di më së mirë se në çfarë kompletohet kjo fe.
Ai i di situatat në të cilat vihet deri te shtrëngimi.
"E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor) i një të varfëri." - Sa i përket atij që është i shëndetshëm dhe i cili nuk është udhëtar, ai në fillim të obligimit të agjërimit, sipas këtij ajeti kishte të drejtë të zgjedh midis agjërimit dhe të ushqyerit e përditshëm të një të varfëri. Janë transmetuar thënie nga Ibën Mesudi, Muadh ibën Xhebeli, Ibën Omeri, Ibën Abasi, Seleme ibën el Evkas, Alkames, Edh Dhuhrisë dhe të tjerëve. Duke marrë parasysh se transmetimet e tyre janë shumë të ngjashme me njëri-tjetrin, si shembull do të përmendim atë nga Muadhi r.a., të cilin e përmend Ibën Kethiri në tefsirin e tij: "Në fillim ishte e lirë (të zgjidhet midis dy gjërave), kush dëshironte agjëronte,e kush dëshironte në vend të agjërimit, për çdo ditë kishte obligim të ushqyerit e një të varfëri."
"...e ati që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për të." - d.m.th kush i jep më shumë të varfëritë se sa sasia e caktuar minimale e fidjes, ose kush ushqen më shumë se një të varfër, kjo është më mirë për të.
"Mirëpo, po që se e dini, agjërimi është më i mirë për ju." - Pra, nëse ju e dini rëndësinë, dobinë dhe shpërblimin që rrjedh nga akti i agjërimit. Agjërimi është konsideruar më i mirë se dhënia e ushqimit për të varfrin. Ky është qëndrimi i Ibën Mesudit, Ibën Abasit, Muxhahidit, Tavusit dhe shumë të tjerëve.


Ajeti i tretë që flet për agjërimin


Ky ajet paraqet vazhdimësinë e ajeteve të mëparshme brenda shpjegimit të rregullave të agjërimit. Me këtë ajet sqarohet obligueshmëria e agjërimit të detyrueshëm në muajin e Ramazanit, dhe se hikmeti (urtësia) për të cilin është obliguar në këtë muaj qëndron në atë se, në të njëjtin muaj filloi edhe shpallja e Kuranit famëlartë. Ne në këtë ajet vërejmë se Allahu xh.sh. na urdhëroi të agjërojmë pikërisht në këtë muaj, për të na kujtuar për begatinë e zbritjes së Kuranit në këtë muaj dhe që t'i jemi falënderues Atij.


 


Dituria Islame 319


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kur profesioni bëhet mision - Dr. Qazim Qazimi - 46 vite në shërbim të arsimit