Agjërimi, shkollë e edukimit hyjnor dhe sakrificës për atdhe

 


Kur eruditët islamë thellonin analizën e tyre në madhështinë e agjërimit, dhe soditnin me syrin e tyre zhbirues në urtësitë fisnike të tij, ata spikatnin, pos tjerash, edhe efektin e tij kalitës në karakterin e besimtarit dhe përgatitjen e tij për sakrificë e vetëflijim. Duke i kërkuar njeriut që, për një ditë të tërë, të heqë dorë nga nevojat e tij ekzistenciale, Allahu i Plotfuqishëm synoi që, përmes agjërimit, ta kalitë njeriun për përballje të mëdha dhe beteja sfiduese të jetës, ku çmimi i qëndresës dhe pjesëmarrjes mund të mos jetë asgjë më pak se vetë jeta e tij. E pastaj, për këtë gatishmëri të lartë të njeriut për vetëmohim, Zoti Mëshirëplotë mori përsipër shumëfishimin e shpërblimit, siç rrëfeu i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., në hadithin e tij kudsij: "Çdo vepër e birit të Ademit shumëfishohet: një vepër e mirë shpërblehet dhjetëfish deri në shtatëqindfish. Allahu i Madhëruar thotë: (Përveç agjërimit; ai është për Mua dhe Unë e shpërblej atë. Ai heq dorë nga epshi i tij dhe nga ushqimi i tij për hir Timin." (Buhariu, 7492, Muslimi, 1151) Madhështor është shpërblimi hyjnor nga Krijuesi ynë Bujar, ngaqë kjo dëshmon heqjen dorë nga ana e besimtarit nga e domosdoshmja përkohësisht, nga ajo që pa të nuk imagjinohet jeta e njeriut e as vazhdimi dhe ruajtja e llojit të tij. 
Këtë leksion të çmueshëm e kuptojmë apriori të gjithë, por duket se më së miri e kuptuan dhe e mishëruan në shpirt heronjtë e dëshmorët e kombit tonë. Ata, që tytat e tankeve dhe flaka frikacake e armikut shekullor, para më shumë se një qerek shekulli, i gjeti në sofrën e syfyrit, e dikë tjetër edhe me hurma në xhep, duke pritur ta bëjë iftarin e tij.
Historia jonë e lavdishme nuk guxon të mbulohet nga harresa. Ajo është amanet brezash dhe busull e ndërgjegjes sonë kolektive. Prandaj, ne nuk e kemi harruar mëngjesin e hershëm të 22 Janarit, të vitit 1998 - një ditë e rëndë, por madhështore në domethënien e saj - kur në Prekaz u krye ai që njihet si sulmi i dytë ndaj familjes Jashari. Ishte ditë Ramazani, muaj sakrifice dhe qëndrese, muaj në të cilin armiku shekullor e gjeti një familje të përgatitur shpirtërisht dhe moralisht për flijimin më të lartë.
Familja Jashari, në krye me bacën Shaban, urtakun e edukuar në shkollën e dashurisë për fe e atdhe, sapo kishin mbaruar së ngrëni vaktin e syfyrit. Shabani kishte marrë abdes për namazin e sabahut, por teksa po e fshinte abdesin, dëgjoi krismat e armëve drejt shtëpisë së tij. Ishin ata të cilët, baca Shaban me bijtë e tij të patrembur, tashmë dëshmorë: Ademin (që atë natë nuk qëlloi aty), Hamzën, por edhe gjithë familjen e tij, ishin përgatitur gjatë e mirë t'i prisnin siç e do rendi e tradita shqiptare. U zhvillua një betejë me plot kuptimin e fjalës, ani pse në mes të të pabarabartëve në armë e municion. Forcat pushtuese, atë mëngjes janari, u zmbrapsën dhe morën çmimin e merituar, për t'u rikthyer sërish në marsin e atij viti në një mision të pambaruar. U kthyen për ta kryer krimin makabër, dhe për ta vazhduar tentativën e shuarjes së asaj familjeje që, sakrificën e saj, Zoti e bëri flakadan të lirisë e pavarësisë sonë. Pjesa tjetër mbetet histori, veçse bukur e lavdishme dhe ende tejet e freskët në memorien e gjithë kombit tonë.
Ngjashëm e gjejmë edhe storien e vrasjes së heroit tonë kombëtar, Zahir Pajazitit, me shokët e tij. Ai, një vit më herët, me datë 31 Janar 1997, ra dëshmor në Pestovë të Vushtrrisë duke qenë agjërueshëm, siç rrëfente me admirim e krenari vëllai i tij Bajrami.
Tani, kur Ramazani na rikthehet pas më shumë se qerek shekulli thuajse në të njëjtën kohë, dhe kur ai koincidon të fillojë ngjitas me datën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, iu rikthehemi edhe ne atyre mësimeve të shtrenjta, që populli ynë dhe heronjtë e dëshmorët e paharruar të tij, i morën nga agjërimi, si një shkollë e sakrificës, dëlirësisë, fisnikërisë, e sigurisht edhe devocionit ndaj Zotit. Të tillat mësime, duhen ofruar brezave të ardhshëm si margaritarë që s'e humbin ndriçimin në asnjë epokë historike. Por, duhet t'u sillet ndërmend edhe atyre, që Islami dhe çdo gjurmë e tij te shqiptarët, iu është bërë si një digë që pengon tentativat e tyre për zhbërje të identitetit tonë kombëtar e fetar.
Kjo përpjekje meskine për t'ua shpikur shqiptarëve një identitet të ri, duke lënë jashtë margjinave të tij Islamin, duket se ka marrë notën e farsës historike, dhe si e stisur që doli, ka ngelur në testin e mbijetesës deri në përjetësi.


 


Editorial
Dituria Islame 423


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Promovohen “Akaidi islam: Parimet, zhvillimi dhe shkollat” dhe “Ixhazetnamet e Sherif ef.Ahmetit”