(Ramazani te diabetikët)
Agjërimi në fenë islame nënkupton privimin nga konsumi i ushqimit, lëngjeve ose marrjes së medikamenteve nga koha e agimit e deri pas perëndimit të diellit. Agjërimi nuk është i menduar që ta rrezikojë jetën e njeriut.
Agjërimi me sëmundje të sheqerit ose diabet është një sfidë e veçantë, megjithatë shumë besimtarë me diabet këmbëngulin në mbajtjen e agjërimit, prandaj është e rëndësishme që profesionistët shëndetësorë të kenë njohuri lidhur me këshillimin e pacientëve për menaxhimin e diabetit gjatë muajit Ramazan.
Dieta diabetike
Për të filluar, ju duhet një pjatë që nuk është shumë e madhe (rreth 22 cm.). Tani që keni pjatën e duhur, është koha ta mbushni.
Imagjinoni dy vija të vizatuara në pjatën tuaj duke e ndarë atë në tri pjesë:
Mbushni gjysmën e pjatës suaj me perime pa niseshte. Perimet pa niseshte janë më të ulëta në karbohidrate, kështu që ato nuk e rrisin shumë sheqerin në gjak. Ato janë gjithashtu të larta në vitamina, minerale dhe fibra. Kjo i bënë ato një pjesë të rëndësishme të një diete të shëndetshme.
Shembuj të perimeve pa niseshte janë: specat, domatet, lakra (jeshile, e kuqe,), karotat, trangujt, patëllxhani, bizelet, brokoli ose lulelakra, kërpudhat, zarzavatet për sallatë si, spinaq, rukola, kunguj, selino, asparagusi etj..
Mbushni një të katërtën e pjatës suaj me ushqime me proteina pa yndyrë. Ushqimet me proteina (veçanërisht ato nga burimet shtazore) duhet të merren me masë, sepse zakonisht përmbajnë yndyra të ngopura, të cilat mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës.
Mbani në mend se disa ushqime proteinike me bazë bimore (si fasulet dhe bishtajore) janë gjithashtu të larta në karbohidrate.
Shembuj të ushqimeve proteinike me më pak yndyrë janë: pulë (të largohet lëkura), peshq si salmoni, merluci, toni ose peshku shpatë, prerje viçi pa dhjam, mish pa dhjam, djathë dhe gjizë, vezë.
Burimet e proteinave me bazë bimore janë: fasule, thjerrëza, humus, arra, tofu.
Mbushni një të katërtën e pjatës suaj me ushqime me karbohidrate. Këto ushqime kanë efektin më të madh në sheqerin në gjak. Kufizimi i pjesës suaj të ushqimeve me karbohidrate në një të katërtën e pjatës suaj, mund të ndihmojë që sheqeri në gjak të mos rritet shumë pas ngrënies.
Shembuj të ushqimeve me karbohidrate janë: drithërat integrale si, orizi kaf, bullgur, tërshërë/bollgur, kokoshka, quinoa dhe produkte me drithëra të plota (bukë, makarona, tortilla), perime me niseshte si kungulli, bizelet e gjelbra, majdanozët, patatet, kungulli dhe patatja e ëmbël, fasule dhe bishtajore si fasulet e zeza, frutat dhe frutat e thata, qumështi dhe produktet e qumështit.
Pini ujë ose një pije me pak kalori. Uji është zgjedhja më e mirë, sepse nuk përmban kalori apo karbohidrate dhe nuk ka efekt në sheqerin në gjak. Opsione të tjera pijesh me zero ose me kalori të ulët përfshijnë: çaj pa sheqer (i nxehtë ose i ftohtë), kafe pa sheqer, ujë i gazuar.
Në syfyr:
Është e rëndësishme të mos anashkaloni vaktin e syfyrit, i cili duhet të hahet sa më vonë që të jetë e mundur, para fillimit të agjërimit ditor.
Ushqimet me niseshte të pasura me fibra si drithërat ose tërshëra, gruri bullgur ose orizi kafe ose i egër.
Thjerrëzat, qiqrat dhe fasulet janë burime të mira të proteinave dhe janë gjithashtu të larta në fibra.
Bashkojini ato me fruta dhe perime, pasi kjo mund të ndihmojë në parandalimin e kapsllëkut dhe për ta mbajtur zemrën tuaj të shëndetshme.
Para se të filloni agjërimin e ditës, duhet të pini mjaft lëngje pa sheqer dhe pa kafeinë për të shmangur dehidrimin gjatë ditës.
Në vaktin e iftarit:
Tradicionalisht agjërimi mund të prishet me hurma, ato janë të pasura me fibra, por janë edhe burim i pasur me karbohidrate. Dy hurma të mëdha mund të japin rreth 20 g karbohidrate, që është pothuajse e njëjtë me një fetë buke mesatare. Mundohuni të ku zoni numrin e hurmave në një, për të hapur agjërimin ose hapni agjërimin me një gotë ujë.
Praktika e zakonshme e gëlltitjes së sasive të mëdha të ushqimeve të pasura me karbohidrate dhe yndyra, veçanërisht në vaktin e perëndimit të diellit, duhet të shmanget.
Përpiquni të rehidroheni me lëngje pa sheqer - uji është alternativa më e mirë. Shmangni pijet e gazuara me sheqer ose lëngjet e frutave, pasi këto do të rrisin sheqerin në gjak dhe mund t'ju bëjnë të ndiheni më të etur.
Rreziqet kryesore që lidhen me agjërimin në pacientët me diabet:
Hipoglicemia (sheqeri i ulët në gjak);
Hiperglicemia (sheqeri i lartë në gjak);
Ketoacidoza diabetike;
Dehidrimi (humbja e lëngjeve);
Tromboza (trashja e gjakut).
Udhëzime të rëndësishme:
Mbani gjatë agjërimit karbohidrate me veprim të shpejtë gjithmonë me vete;
Mbani gjatë agjërimit kartelën e diabetit me vete;
Testoni më shpesh se zakonisht vlerën e sheqerit në gjak çdo 2-4 orë dhe sa herë që nuk ndiheni mirë, se kjo nuk e ndërpret agjërimin.
Nuk duhet të agjërohet në asnjë rast:
Në diabetin Tip 1 të pastabilizuar;
Në diabetin e kontrolluar keq;
Në diabetin me komplikime;
Në ketoacidozë;
Dhe gratë shtatzëna me diabet.
Përfundojeni menjëherë agjërimin nëse:
Vlera juaj e sheqerit në gjak është nën 3,3 mmol/l, merrni karbohidrate me veprim të shpejtë;
Nëse vlera juaj e sheqerit në gjak është mbi 16 mmol/l, merrni ilaçet tuaja për uljen e sheqerit në gjak;
Nëse vëreni gjatë agjërimit shenja dehidrimi (shterjeje, humbje e lëngjeve), pini ujë;
Nëse gjatë agjërimit nuk ndjeheni mirë dhe të dezorientuar. Agjërim të lehtë dhe të pranuar!
Referencat:
___________________________
What is the diabetes plate method? [Internet]. Diabetes Food Hub. The American Diabetes Association; 2020 [cited 2023Mar7]. Available from: https://www.diabetesfoodhub.org/articles/what-is-the-diabe tes -pla te- method.html?fbclid=IwAR3Phx dPWDN0X3 GX0 EGRa 9Fw f0L3B_vab5O5xA7MQgKYx egysNDBHAOPQ- 8#:~:te xt= Th e %20Diabetes%20Plate%20Method%20is,you%20need%20 is%20a%20plate
Jaleel MA, Raza SA, Fathima FN, Jaleel BNF. Ramadan and diabetes: As-saum (the fasting). Indian Journal of Endocrinology and Metabolism. 2011;15(4):268.
Al-Arouj M, Assaad-Khalil S, Buse J, Fahdil I, Fahmy M, Hafez S, et al. Recommendations for management of diabetes during Ramadan. Diabetes Care. 2010;33(8):1895-902.
Diabeti dhe Ramazani [Internet]. Schweizerische Diabetes Gesellschaft; [cited 2023Mar7]. Available from: https://assets. ctfassets.net/fclxf7o732gj/489Bx DjT28IEiqsgWEwc4o/4aa256979 533f6a142 dd1de9d29d10c0/Diabetes_und_Ramadan_albanis
Dr. Edita Blaka