Në orët e hershme të mëngjesit, në të gjitha xhamitë e komunës së Gjakovës u mblodh një numër i konsiderueshëm i besimtarëve, të cilët maorën pjesë në dy lutjet e mëngjesit, faljen e namazit të sabahut dhe atë të Fitër Bajramit.
Gjatë ligjëratave dhe hutbeve të mbajtura, imamët përcollën mesazhe që theksonin vlerat thelbësore të kësaj feste. Fitër Bajrami u përshkrua si një festë e gëzimit dhe uniteti, si dhe një moment i rëndësishëm reflektimi pas përfundimit të muajit të bekuar të Ramazanit.
Në fjalimet e tyre u theksua rëndësia e mirëkuptimit, tolerancës dhe solidaritetit. U bë thirrje që këto vlera të mos mbeten vetëm brenda dimensionit festiv, por të shndërrohen në parime të qëndrueshme të jetës së përditshme.
Po ashtu, imamët u lutën për paqe, shëndet dhe mirëqenie për të gjithë, duke shprehur dëshirën për një shoqëri më të harmonizuar dhe më të bashkuar.
Kjo festë, përtej dimensionit të saj shpirtëror, shërben edhe si një rikujtim i fuqishëm për rëndësinë e solidaritetit dhe përkujdesjes ndaj atyre në nevojë, si dhe për forcimin e lidhjeve njerëzore në frymën e respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.
