Të drejtat në Islam nuk janë absolute, veçse ato duhet të ushtrohen në atë mënyrë që të mos dëmtojnë të drejtën e askujt.
Fjala Hakk, prej së cilës rrjedh termi "e drejta", gjuhësisht do të thotë: e drejtë, e vërtetë, autentike, valide, e konfirmuar si e vërtetë, detyrim dhe obligim. Sipas juristëve, kuptimi i saj është përshkrim i pranuar sipas Sheriatit, i cili i jep dikujt të drejtë dhe obligon me një obligim a detyrë. Dhe nuk ekziston ndonjë e drejtë a obligim pa pasur argument për të në bazat e Sheriatit.
Ekzistojnë të drejta dhe obligime të ndryshme për secilin njeri. Njeriu është nën detyrime për t'i përmbushur obligimet ndaj Allahut të Madhërishëm, ndaj vetes së tij, ndaj shoqërisë dhe ndaj natyrës fizike dhe mjedisit. Ai duhet t'i përmbushë obligimet e caktuara nga Zoti dhe, në të njëjtën kohë, atij i janë dhënë disa të drejta. Shoqëria si tërësi është e obliguar që t'i respektojë të drejtat e secilit individ pa i cenuar të askujt. Njeriut i është dhënë e drejta për t'i shfrytëzuar pasuritë e tokës për të mirën e tij, po në të njëjtën kohë ai është i obliguar të kujdeset për to pa i dëmtuar. Ai duhet t'i përdorë ato në mënyrën më të mirë, pa dallim nëse ato janë gjallesa apo minerale. Bazuar në të drejtën biznesore, sipas ekonomisë islame ekzistojnë rregulla dhe kushte në kontratë për t'i eliminuar mundësitë e cenimit të së drejtës të njërës palë ndaj tjetrës. Gjithashtu është ndaluar çdo lloj tregtie në të cilën të lihet anash e drejta e njërës palë.
Të drejtat në Islam nuk janë absolute, veçse ato duhet të ushtrohen në atë mënyrë që të mos dëmtojnë të drejtën e askujt. Tema është shumë e gjerë, po përqendrimi në këtë pjesë do të jetë rreth së drejtës dhe obligimeve financiare.(1)
Të drejtat financiare dhe jofinanciare
Të drejtat e njerëzve mund të ndahen në të drejta financiare dhe jofinanciare. Të drejtat financiare kanë të bëjnë me pasurinë dhe shërbimet që dalin nga ajo pasuri, apo të drejtat që dalin nga transaksionet komerciale. Për shembull, banuesi ka të drejtë të qëndrojë në shtëpinë për të cilën e ka paguar qiranë, por në të njëjtën kohë ka obligim që të kujdeset për të. Të drejtat jofinanciare janë ato të drejta që nuk kanë të bëjnë me pasurinë: e drejta e shprehjes, e drejta e jetës së lirë, e drejta e prindërve si prindër, etj...
E drejta ekonomike mbi personat dhe mbi pasurinë
Të drejtat dhe obligimet ekonomike që kanë njerëzit, përfshin edhe të drejtat mbi apo për persona të tjerë dhe të drejtat mbi pasurinë. Të drejtat që kanë mbi persona të tjerë janë ato të drejta, të cilat Sheriati i ka caktuar për një person mbi tjetrin. Këto të drejta mund të ushtrohen kur kanë të bëjnë me disa aktivitete ekonomike. Për shembull, palët në një kontratë të shitjes, janë të obliguar për shkëmbim të një produkti të shitur e të çmimit, dhe në kontratën e qiradhënies (lizingut) apo punësimit - punëtori është i obliguar t'i ofrojë shërbimet e kërkuara, kurse punëdhënësi obligohet ta paguajë punëtorin. Po ashtu, kredimarrësi është i obliguar të paguajë borxhin e tij, për të cilin ka deklaruar në fillim të kontraktimit. E drejta mbi persona të tjerë mund të ushtrohet edhe duke shmangur disa aktivitete, për shembull, marrësi i depozitave (një person juridik a fizik) është i obliguar të mos keqpërdorë pasurinë e depozituar tek ai. E drejta dhe obligimet mbi pasurinë, kanë të bëjnë vetëm me pasurinë. Kjo është e lidhur drejtpërdrejt me pronarin e asaj të drejte dhe me vetë pasurinë. E drejta e pronësimit i lejon personit që ta përdorë pasurinë, dhe e drejta e garantuesit është që të garantojë me pasurinë dhe ta bllokojë atë, derisa të përfundojë borxhi.
Karakteristikat e së drejtës ekonomike mbi personat dhe mbi pasurinë
E drejta mbi pasurinë është e shoqëruar vetëm me pasurinë dhe nuk është ndonjë obligim mbi diçka tjetër, aty ku gjendet ajo pasuri, aty është edhe e drejta dhe obligimi mbi atë pasuri. Për shembull, pronari të cilit i është uzurpuar apo vjedhur një pasuri, ka të drejtë ta kërkojë atë pasuri si të tijën, edhe nëse uzurpatori ia ka shitur atë një pale të tretë. Përkundrazi, e drejta për personin ka të bëjë vetëm me personin i cili është i obliguar, dhe nuk mund të kërkohet nga dikush tjetër. Për shembull, kredidhënësi mund të kërkojë borxhin e tij nga kredimarrësi, por jo edhe nga persona të tjerë, edhe nëse ata janë të afërm të kredimarrësit. Por kredimarrësi mund ta kërkojë borxhin nga garantuesit a personat tek të cilët është transferuar borxhi.(2)
Të drejtat dhe obligimet që kanë të bëjnë me pasurinë, pushojnë kur pasuritë shkatërrohen ose harxhohen. Për shembull, nëse një produkt i shitur shkatërrohet në duart e shitësit, para se ai të kalojë në pronësinë e blerësit, kontrata bëhet e pavlerë dhe nuk mund të kërkohet asgjë nga ajo kontratë. Nëse një shtëpi, e marrë me qira, digjet, e drejta e qiramarrësit për të qëndruar në atë shtëpi përfundon.
Të drejtat dhe obligimet që kanë të bëjnë me persona, kanë tjetër trajtim. Obligimet e personave nuk kushtëzohen nga ekzistimi i produktit në fjalë. Për shembull, e drejta e huadhënësit mbi huan e dhënë nuk përfundon nëse paratë e dhënë hua humbin ose shkatërrohen në dorën e huamarrësit. Kjo për shkak se e drejta dhe obligimet e palëve kanë të bëjnë me persona e jo me pasuri.
Ndarja e të drejtave dhe obligimeve të njerëzve
Të drejtat dhe obligimet e njeriut ndahen në dy grupe: 1. Të drejtat që mund të eliminohen në krahasim me ato që nuk mund të eliminohen dhe 2. Të drejtat e trashëguara dhe jo të trashëguara.
1). Të drejtat dhe obligimet që mund të eliminohen në krahasim me ato që nuk mund të eliminohen
Të gjitha të drejtat e njeriut ose të drejtat private të tij mund të eliminohen, përveç në disa raste. Të drejtat dhe obligimet që kanë të bëjnë me të ardhmen, nuk mund të eliminohen, sepse ato nuk kanë ardhur nuk ekzistojnë ende. Të drejtat dhe obligimet që kanë të bëjnë me personin si një individ, nuk mund të eliminohen. P.sh., e drejtat dhe obligimi i babait për pakujdesje ndaj fëmijëve, nuk mund të eliminohet. Të drejtat dhe obligimet, të cilat, nëse do të eliminoheshin, do të afektonin të tjerët, në këto raste nuk lejohet të eliminohen këto obligime. P.sh., e drejta e personave për të mbajtur pasurinë e tyre në pronësi në mënyrë që pasuria të ketë zotërinë e vet, i cili është përgjegjës për çdo gjë që del nga ajo pasuri.
2). Të drejtat e trashëguara dhe jo të trashëguara
Dijetarët pajtohen se të drejtat dhe obligimet që kanë për qëllim garantimin, janë të trashëguara. P.sh., një produkt i shitur mund të mbahet nga trashëgimtarët e shitësit, derisa ta bëjë blerësi pagesën, sipas marrëveshjes, dhe garantuesit mund të mbahen përgjegjës nëse pagesa nuk bëhet ashtu siç është paraparë në marrëveshje. Të drejtat dhe obligimet kur bëhet fjalë jo për produkte dhe shitjen e tyre, por për shërbime të cilat dalin nga produktet e caktuara, - nuk janë të trashëgueshme dhe përfundojnë me vdekjen e personit, trashëgimtarët mund të vazhdojnë me të njëjtat kushte, por për këtë kërkohet marrëveshje e re dhe pajtueshmëri nga të dyja palët.
_______________________________________________________
(1) Muhammad Yusuf Salim, A handbook on Fiqh for Economist, Kuala Lumpur: IIUM, 2005, f. 75
(2) Razali Hj Nawawi, Islamic Law on Commercial Transactions, Kuala Lumpur: CT Publications, 1999, f. 35.
Dituria Islame 257