Njeriu, krijesa më e lartë në botë, qysh në fillim të jetës e ka gjetur veten përballë problemit enigmatik të vetvetes dhe të gjithësisë. Ai ka pyetur veten: "Ç'jam unë?", "Ç'është gjithësia?".
Këto dy pyetje kanë filluar bashkë me njerëzimin dhe vazhdojnë akoma edhe sot. Përgjigjet e dhëna drejtpërdrejt me anën e fuqisë mendore nuk kanë mundur ta kënaqin ndërgjegjen e njeriut.
Mirëpo njeriu paska natyrë të çuditshme; ai pa u lodhur kërkon t'u përgjigjet dy pyetjeve të mësipërme. Kërkon të zgjidhë këto dy probleme.
Duke studiuar vetveten njeriu përpjek në makinën e çuditshme të trupit të tij, makinën e gjallë e trajtuar prej elementeve që formojnë gjithësinë.
Duke parë këtë marrëdhënie të ngushtë që ka me gjithësinë njeriu lë pas dore vetveten dhe vështron gjithësinë.
Kur vështron gjithësinë që i themi natyrë, i duket se gjeti formulën për të zgjidhur enigmat që e mundojnë. Shikon gjërat e natyrës dhe i krahason midis tyre; të gjitha i gjen të trajtuara prej të njëjtave elementeve dhe i vetmi ndryshim që sheh ndër to është mënyra e formimit të tyre.
Kështu fillon dituria e njeriut që quhet "Shkencë", e cila duke marrë për bazë gjendjen e trupave i ndan këto në tri grupe të mëdha:
a) të ngurtë,
b) lëngje,
c) gaze.
Një trup me anën e një fuqie që ndihet e nuk shihet e që quhet nxehtësi ndryshon gjendjen e tij. Kur ngrihet grada e temperaturës trupat e ngurtë kthehen në lëngje e lëngjet në gaze e, kur ulet kjo gradë, gazet kthehen në lëngje e lëngjet në trupa të ngurtë.
Duke bërë këto studime njeriu zbulon ligjet e nxehtësisë; por vetë nxehtësia mbetet gjë e pashpjegueshme; pasi ajo duket nëpër lëndë, porse vetë nuk është lëndë. Shkenca mundohet për të na e shpjeguar, por gjithmonë shpjegon ligjet e saj e ajo atë vetë. Deh more hall! Duke dashur të zgjidhim dy enigmat e para na doli e treta e pazgjidhshme! Eja të kthehemi atje ku e filluam: "ç'jam unë?" e "ç'është gjithësia?"
Njeriu prapë s'rrin; kërkon të gjejë rrugë për të zgjidhur problemin që e mundon. I merr përsëri nëpër duar trupat e natyrës dhe i vështron në një pikëpamje tjetër; mbas ndryshimit që gjen midis tyre i grupon edhe njëherë me një sistem tjetër:
a) xehe,
b) bimë,
c) shtazë.
Xehet janë formuar prej elementesh materiale të mbërthyera midis tyre prej një fuqie misterioze që vepron pa ia ndarë. Kjo fuqi misterioze bimëve iu shton një gjë të re: jetën organike, me anën e së cilës ato ushqehen, rriten e vijojnë farën e tyre.
Fuqia misterioze që vepron në natyrë, shtazëve iu shton edhe një gjë tjetër: ndjenjën, me të cilën ndiejnë të kënaqurit e dhimbjen. Kur vjen puna te njeriu, këtu shohim se shtohet edhe një kapacitet tjetër: gjykimi dhe arsyetimi.
Në këtë grupim të dytë njeriut i duket se e gjeti fijen e zbërthimit të pyetjeve "ç'jam unë" e "ç'është gjithësia?" dhe kështu vazhdon studimin e tij:
Shtazët me fuqitë e ndjenjës, me anën e shqisave njohin rrethin e tyre; mbajnë mend dhe sjellin ndërmend ata që kanë ndjerë e kanë njohur e, të shtyrë prej tyre, veprojnë: por ato s'kanë vetëdije.
Njeriu ka një pajë më të madhe- mendjen, me të cilën ka kompetencë për të njohur e për të ditur marrëdhëniet e gjërave; për të hetuar e për t'u dhënë përfundime logjike; për të çmuar e për të paraparë; për të kuptuar nga të njohurat e të panjohurat.
Është e vërtetë se edhe shtazët shfaqin shenja vullneti; kanë dëshira, zgjedhin e pëlqejnë, por kjo gjë është një instinkt e jo fryt i arsyes; ato veprojnë nën influencën e rrethit e nuk kanë gjykim të vetin; prandaj shumë herë veprojnë në dëm të vetvetes. Ky është shkaku për të cilin shtazët s'kanë responsabilitet.
Kur vijmë te njeriu puna ndryshon. Njeriu ka kapacitet për të gjykuar e arsyetuar, pra është i lirë të zgjedhë e të veprojë e për këtë shkak është përgjegjës për veprën e vet. Fisnikërinë e një krijese nuk e shkaktojnë cilësitë e përbashkëta që e shoqërojnë me inferiorët e saj, por cilësia karakteristike që e dallon nga këta inferiorë. Njeriu pra, me fuqinë e arsyetimit e të vullnetit të lirë ka një jetë të brendshme, një jetë tejshqisore që quhet "jeta njerëzore".
Nëse ka një të vërtetë të provuar, ajo është që: "asgjë në botë s'është rastësi, por ka një qëllim"; është destinuar për një qëllim të paraparë mbas një projekti eternal.
Xehet në realizimin e qëllimit për të cilin janë destinuar, s'kanë fuqi as të japin përkrahje as të kundërshtojnë; por qëndrojnë ashtu si janë.
Bimët janë të shtrënguara të thithin ushqimin që u duhet, për t'u rritur e në fund për të lënë farën e tyre për bimën e re.
Shtazët në këtë pikëpamje kanë një pjesë më të madhe e më të rëndësishme: Ato kërkojnë atë që është e dobishme, shmangen nga ajo që i dëmton, ndiejnë kënaqësi e dhimbje; por nuk e dinë se janë të destinuara për një qëllim, as nuk e dinë se përse janë destinuar. Prandaj vepra e shërbimi i tyre rrjedhin vetvetiu e paramendim të tyre.
Vetëm njeriu u pajis me cilësinë e lartë që ta çmojë se është destinuar për një qëllim e që e ka detyrë që të përpiqet për të realizuar këtë qëllim. Cili është ky qëllim, të cilin duhet ta realizojë njeriu? Cili është misioni i njeriut?
Siç shihet, edhe sistemi i dytë i grupimit të gjërave të natyrës e studimi i tyre nuk na i zgjidhën problemet që na u shfaqën në krye të herës: "Ç'jam unë?" e "ç'është gjithësia?".
Ky farë studimi jo vetëm që nuk na i zgjidhi këto dy probleme, por na nxori edhe një problem të ri: "Cili është misioni i njeriut?" Përpara këtij labirinti njeriu, në qoftë se hesht, ulet në shkallë të shtazëve. Prandaj heton, gjurmon, imton dhe kërkon të gjejë rrugë për të zbërthyer problemin që e mundon.
Të gjithë dijetarët kanë pranuar një të vërtetë, por janë ndarë më dysh: disa pretendojnë se "e vërteta është dhe njeriu vetëm e zbulon"; disa të tjerë thonë se "e vërteta s'është, por e krijon njeriu me mendjen e tij".
E kuptojnë lexuesit e ndershëm se sa të drejtë ka pjesa e parë e sa gabim ka pjesa e dytë. Sepse në qoftë se nuk ka një të vërtetë, atëherë edhe njeriu vetë është një gënjeshtër, një e pavërtetë. E si bëhet pra, që një e pavërtetë, një gënjeshtër të mundet të krijojë një të vërtetë.
Kjo gjë është absurde dhe ato që janë në këtë mendim e kanë gabim. Prandaj dalim në përfundimin e themi se "e vërteta është dhe njeriu vetëm e zbulon".
Misioni i njeriut pra, është vetëm "për të zbuluar të vërtetën që është, ka qenë para se të dalë në shesh njeriu".
Cila është kjo e vërtetë dhe a mundet njeriu ta zbulojë me mendjen e tij? Ky është problemi më i madh që preokupon trurin e njeriut qysh në fillim e deri sot e ka për ta preokupuar derisa të soset jeta.
Për ta diktuar këtë pikë njeriu ka marrë në studim e në vështrim dy gjëra: "Vetveten" dhe "Gjithësinë", prandaj ka parashtruar pyetjet "ç'jam unë?" e "ç'është gjithësia?".
Kështu lindi ai produkt i mendjes njerëzore që quhet filozofi.
Sistemet e hershme filozofike
Duke studiuar vetveten dhe gjithësinë njeriu ka diktuar dy duar ngjarjesh:
a) Ndijimet, me të cilat lidhet me botën e jashtme;
b) ndjenjat e brendshme ose vetëdijen.
Ata dijetarë që morën parasysh vetëm botën e jashtme iu dhanë fuqi ndijimeve të jashtme dhe kujtuan se çdo gjë qëndron vetëm në fuqinë e shqisave, dhe kështu caktuan doktrinën e tyre që quhet "Sensualizëm". Ata që ndjekin këtë sistem filozofik besojnë se krejt lëvizjet mendore e kanë burimin tek shqisat. Ky sistem filozofik i mbështetur vetëm në provën e ndijimit u quajt empirizmë, prej të cilës doli materializmi që beson se veç materies, veç lëndës nuk ka tjetër të vërtetë. Kundra këtij sistemi revolton një pjesë tjetër që merr parasysh ngjarjet origjinale të intelektit.
Kjo pjesë nuk merr fare parasysh ndijimet, por gjithë rëndësinë ia jep ngjarjeve origjinale të mendjes. Kjo doktrinë quhet "idealizëm", prej të cilës rrjedh (Spiritualizmi i thjeshtë) që mohon fare ekzistencën e materies.
Sensualizmi dhe idealizmi me ekstremitetin e tyre kundra njëritjetrit ranë në kundërshtim me një palë të tretë, e cila, për të shpëtuar nga gabimet e të parave kapi rrugën e dyshimit dhe u quajt "Skepticizëm".
Kjo palë pretendon se nuk ka një të vërtetë të qartë e të padyshimtë.
Veç këtyre ka edhe një doktrinë tjetër, panteizmi, e cila e përcolli mendjen në një greminë prej nga ku nuk dilet më. Mbas kësaj doktrine e sosura dhe e pasosura janë një substancë e vetme, dhe kjo është gjithësia.
Disa dijetarë të dëshpëruar nga gjithë këto kundërshtime mendore e duke parë se të gjitha përpjekjet që kanë bërë filozofët për të mbërritur tek e vërteta nuk dhanë ndonjë fryt pozitiv, u tërhoqën me një anë dhe gjithë fuqinë e tyre ia dhanë kontemplimit, inspiratës e ekstazës, duke besuar se kjo është e vetmja rrugë që e çon njeriun tek e vërteta e amshueshme. Kjo parti është partia e "Iluminizmit".
Nga gjithë këto sisteme filozofike lindën degë të dyta e të treta me doktrina të ndërlikuara e të ngatërruara, saqë asnjëra s'ka mundur t'i shpëtojë kritikës.
Që ta përmbledhim mendimin tonë themi se: Të gjithë filozofët pranojnë një fill të vërtetë prej të cilit ka buruar gjithësia dhe jeta. Çështja mbetet që ta njohin këtë fill e kështu ta zgjidhim problemin e vështirë e t'i përgjigjemi pyetjeve "ç'jam unë?" e "ç'është gjithësia?".
Ndër disa të rinj shqiptarë mjerisht shohim një rrymë të re, rrymën ateiste; ata thonë se "ç'na duhet ne të dimë si ka filluar bota, mbasi kjo gjë na përcjell në prehrin e fesë e të klerit; feja është krijesë e fantazisë njerëzore dhe s'ka bazë të vërtetë; kleri është një turmë njerëzish që kërkojnë të ushqehen në kurriz të popullit; mësimet fetare janë të dëmshme dhe të rrezikshme, pse mundohen të mbajnë në një skllavëri të përjetshme njerëzinë e thjeshtë; qytetërimi i vërtetë mund të qëndrojë vetëm në ato vende ku ka liri mendimi..."
Na vjen keq për këtë rini tek e cila e ka mbështetur shpresën krejt kombi. Kjo djelmëni e re që kërkon lirinë e mendimit, për të cilën duhet ta lavdërojmë dhe e lavdërojmë me gëzim, na vjen keq kur shohim se harrojnë që në proporcion të lirisë së mendimit që gëzojnë e që gabimisht kuptojnë se ua ka rrëmbyer kush, kanë edhe detyra e përgjegjësi.
Të kërkosh liri të pakufishme, domethënë të marrësh përsipër detyra të pakufishme. Harron djelmënia e re se detyra më e parë e saj është që të njohë detyrat që ka. Harron djelmënia e re se e vetmja cilësi që e dallon nga shtazët, është aftësia që iu dha njeriut për të kuptuar se ka një mision drejt të cilit i drejton gjithë veprimet e veta.
E dimë fort mirë se krejt rinia nuk janë të këtij mendimi; edhe ata që janë të këtij mendimi bile janë të gabuar pse nuk i dinë bazat e vërteta të fesë hyjnore.
Feja më e panjohur ndër të rinjtë e sotëm është ajo Islame; për këtë fe të lartë rinia shqiptare ka studiuar vetëm kritikat e gabuara dhe të pathemelta të kundërshtarëve të saj.
Më poshtë do të shpjegojmë bazat esenciale të Islamit e tani njëherë po shohim gabimin e madh e të pafalshëm të rinisë që përmblidhet me këto dy faza të shkurtra "S'ka Zot; gjithësia ka qenë dhe rregullohet vetvetiu; njeriu është përmirësimi i një forme më të ulët qenieje; ç'na duhet ne të dimë se si filloi bota?..."
Ç'është kjo babiloni mendore?- Më një anë kërkohet liri-mendimi e më anë tjetër kërkohet shtrëngimi i mendjes që mos të mendohet mbi fillimin e botës!
Më një anë thuhet se njeriu është përmirësim i një forme më të ulët qenieje e më anë tjetër pretendohet se do të vijë koha që shkenca do të fabrikojë njerëz gjeni!...
Ç'qenka kjo natyrë e çuditshme që në fillim përmirësoi një formë më të ulët qenieje dhe e bëri njeri e tash e harroi këtë mjeshtëri, të cilën pa pandehur po e zëvendëson me fabrikën që do të prodhojë njeri?
Po t'i thuhet ateistit se disa materiale të grumbulluara në një fushë, vetvetiu u rregulluan dhe trajtuan një ndërtesë, nuk ka për ta besuar kurrë, kurse më anë tjetër pretendon se gjithësia e bukur dhe e rregullt u krijua vetvetiu, e pra s'ka Zot krijues!...
Ç'logjikë e ç'arsyetime gjeni në këto mendime, të ndershëm lexues? E vetmja provë me të cilën afetarët kërkojnë për të vërtetuar se "s'ka Zot", është se sot shkenca ka shpikur teleskopë të mëdhenj, me të cilët shihet mjaft thellë në kupë të qiellit, por deri sot nuk është parë Zoti.
Harrojnë këta afetarë të shkretë se Zoti është afër tyre; Ai s'ka nevojë për kurrgjë, prandaj i thonë i Mbinatyrshëm. Këta të rinj të gabuar duhet të studiojnë me kujdes e me durim Zotin sipas instruksioneve të Hazreti Muhamedit e pastaj të japin gjykim mbi fenë Islame.
Kompetenca e mendjes
Përpara se të flasim për bazat e fesë Islame, duhet të flasim pak mbi kompetencën e mendjes. Sikur e vërtetojnë filozofët më të përmendur, mendja e njeriut është aktive e pasive.
Aktiviteti i mendjes shtrihet mbi gjëra konkrete e evidente e mbi gjëra abstrakte që mund të përfshijë nënkompetencën e saj. Por, kur vjen puna për gjëra krejt abstrakte, mbi të cilat s'ka asnjë njohuri, atëherë ka karakter pasiv, që merr e rrëmben, si xhami i fotografit, të vërtetat që i parashtrohen, por gjithmonë mbasi t'i ketë shoshitur nëpër sitën e arsyetimit e të mos gjejë kontrast sipas parimeve e ligjeve të logjikës. Për sa u përket gjërave fizike mendja është aktive e për sa u përket gjërave metafizike mendja është pasive.
Faktet, ngjarjet dhe ekzistenca si në natyrë, si edhe në tejnatyrë janë tri llojesh: të domosdoshme, të mundshme (posibël) dhe të pamundshme (imposibël).
Të domosdoshme e kanë quajtur atë gjë, qenia e së cilës është vetvetiu, s'është e bërë e s'ka nevojë për kurrgjë.
Një qenie e domosdoshme që të qëndrojë vetvetiu duhet të jetë e plotë në çdo pikëpamje dhe mos të ketë asnjë të metë.
Njerëzia qysh në fillim ka pranuar një qenie të këtillë të domosdoshme, të cilën shumica e quajnë Zot dhe disa, filozofët e quajnë fill të gjithësisë.
Duke parë se çdo gjë në natyrë nuk është kot, por ka një qëllim të arsyeshëm, shtrëngohemi ta pranojmë që filli i gjithësisë ka dijeni të plotë, kompetencë të pasosur, pushtet të pambarueshëm. Sepse po t'i mungonte dijenia,
kompetenca dhe pushteti këtij filli do të ishte i pamundur rregulli i plotë që shohim në natyrë.
Ky fill i parë duhet jetë një i vetëm se përndryshe pushteti i tij nuk do të kishte autoritet, mbasi mund t'i kundërshtonim shokët, po të kishte shokë. Prandaj është më mirë që këtij filli t'i themi Perëndi, emër që përfshin të gjitha cilësitë e plota.
Perëndia është i mbinatyrshëm, pra, s'ka nevojë për askënd e prandaj nuk shihet me teleskop, si duan ta shohin ateistët, të cilët e mohojnë pse nuk e shohin me teleskop në qiell. Këta ateistë duhet ta dinë se froni i Zotit është në ndërgjegje të tyre, aty le ta kërkojnë, se kanë për ta gjetur sigurisht, në qoftë se dinë rrugën se si kërkohet.
Për ne nuk kanë faj këta ateistë të shkretë; për gabimin e tyre janë përgjegjës ata që iu ka predikuar një zot-njeri. Për sa i përket një zoti të këtillë jemi dakord me ata që s'e pranojnë. Por, ndahemi prej ateistëve për sa i përket Zotit të vërtetë. Zoti i vërtetë është i mbinatyrshëm, të cilin mendja nuk mund ta njohë vetvetiu. Për sa i përket ekzistencës së Zotit, mendja është aktive, d.m.th. e gjen vetiu se ka një Zot. Por për sa i përket njohjes së tij, mendja është pasive, dhe po t'i vijë një komunikatë hyjnore e pranon, përndryshe s'pranon kurrgjë.
Tani na mbetet të shohim në i ka ardhur njerëzisë komunikatë hyjnore. Duke studiuar këtë pikë shohim se në kohët e kaluara kanë ardhur njerëz që kanë pretenduar se kanë pasur kontakt me Zotin, prej të cilit kanë marrë instruksione e njoftime mbi mënyrën se si do t'ia njoftojnë njerëzisë të mbinatyrshmin. Këta njerëz quhen profetë dhe instruksionet e tyre quhen Bibël ose libra të shenjtë.
Si do t'i njohim profetët se janë të drejtë në pretendimin e tyre? Kjo gjë kryhet duke studiuar dy pika:
a) Jetën e profetëve,
b) Instruksionet e tyre.
Po të na mbushet mendja se profetët janë njerëz të lartë, të ndershëm, të ditur e idealistë, e jo gënjeshtarë, egoistë, ambiciozë e intrigantë; edhe instruksionet e tyre po të jenë kontingjente që t'i pranojë mendja, atëherë është detyrë që t'u bindemi profetëve.
Përndryshe flakim rrugën e tyre dhe kërkojmë një rrugë tjetër për të gjetur të vërtetën, e cila duhet që duhet gjetur.
Ne këtu nuk mundemi të përshkruajmë historinë e gjithë profetëve, vetëm pohojmë se të gjithë profetët pa përjashtim kanë qenë të ndershëm, të ditur e të pajisur me virtytet më të larta: Gabimet trashanike që u atribuohen janë trillime e gënjeshtra. Është e vërtetë se disa prej tyre si njerëz që kanë qenë kanë bërë ndonjë rrëshqitje të vogël, por kjo rrëshqitje s'ka ndodhur brenda misionit profetik e megjithëkëtë në realitet ka pasur një mister që shpjegohet me hollësi vetëm në Kuran.
Cili është Hz. Muhamedi?
Mbasi shkon gjatë për të treguar jetën e çdo profeti, ne këtu do të flasim shkurt mbi jetën e Hz. Muhamedit. Muhamedi qysh kur qe djalë i ri, megjithëse ishte rritur jetim, kishte një sjellje fisnike dhe një virtyt të lartë, saqë tërhoqi dashurinë, simpatinë e besimin e gjithë popullit të vet e atyre që e njohën. Ai kurrë në jetën e tij nuk gënjeu, nuk trilloi e nuk tradhtoi ndonjëherë, prandaj populli i tij i pati dhënë epitetin "El-EminBesniku". Kurdoherë që ngatërroheshin dy persona ose dy fise, e ftonin atë që t'ua zgjidhte konfliktin; vendimi që jepte ai i kënaqte të dy palët, të cilët pajtoheshin dhe grindja merrte fund.
Muhamedi (a.s.) ishte idealist e s'kishte asnjë ambicie për pozita të larta shoqërore, as për interesa personale. Zotëria e tij për t'u shpenguar nga mendimet e ulëta të vulgut, tërhiqesh në malin "Hira" ku jetonte në vetmi dhe mendonte për të zgjidhur problemin e njeriut e të gjithësisë. Ky djalosh idealist ishte analfabet dhe s'kishte parë fare shkollë.
Megjithëkëtë ishte i arsyeshëm dhe me gjykim të mprehtë. Dinte të dallojë të vërtetën prej gënjeshtrës; prandaj qysh në rini shihte me vërejtje e me ironi fetishizimin e kombit të tij dhe vetë kërkonte për të zbuluar rrugën që të shkonte te Krijuesi i Vërtetë e i Amshueshëm.
Në kohën kur ky njeri i lartë po hynte në moshën dyzetvjeçare, në atdheun e tij poezia dhe arti letrar kishte marrë një zhvillim të madh. Në tempullin e shenjtë të "Qabes" ekspozoheshin ose deklamoheshin veprat artistike të poetëve të famshëm. Në këtë kohë të konkurrencës së artistëve letrarë, Muhamedi (a.s.) jetonte në vetmi në shpellën e malit "Hira" dhe aty kërkonte për të zbuluar rrugën që do ta shpinte tek e vërteta e amshuar. Këtu në këtë shpellë Zotëria e tij pyeste gjithnjë veten: "ç'jam unë, ç'është gjithësia" përpiqesh të zgjidhte këto dy problema; porse s'mund të caktonte asnjë drejtim, pasi s'kishte kryer fare shkollë.
Duke ndenjur në këto mendime, një ditë i çelet një panoramë e jashtëzakonshme. U mbush me dritë fund e majë dhe s'e shihte më botën lëndore. Në këtë gjendje të lumnueshme i del para një mësues që e kishte trupin krejt dritë dhe i thotë:
"Ikre bismi Rabbike el-ledhij haleka.. ".
Ata që e njohin arabishten letrare e kuptojnë madhështinë e kësaj fraze e nëpër të edhe krejt filozofinë islame në mënyrë lakonike. Për ata që s'e kuptojnë arabishten do të përpiqemi këtu më poshtë me dhanë pak shpjegime; por më përpara duhet të shprehet plotësisht teksti i Kuranit prandaj po e pohojmë edhe vetë se shpjegimet që do të japim nuk mund ta kenë fuqinë e origjinalit.
Më parë ta themi shkurt ç'i urdhëron Perëndia Muhamedit me këtë pjesë të Kuranit: "Këndo me emrin e Zotit tënd që krijoi, krijoi njeriun prej (alek)-ut, këndo, Zoti yt është më i madhi mirëbërës, i cili mësoi me pendë, i mësoi njeriut atë s'e dinte!..."
Kjo kaptinë e lartë që iu kumtua për herë të parë Muhamedit (a.s.) u ekspozua në Qabenë e ndritur. Porsa e panë poetët e lartë që konkurronin shoq me shoq, mbetën të habitur nga elokuenca mrekulluese dhe pohuan se ajo kaptinë e Kuranit ishte një art hyjnor me të cilin s'mund të konkurronte asnjë poet. Prandaj të gjithë u përulën dhe e pranuan dërgatën e shenjtë të Muhamedit (a.s.).
Edhe ne po t'i vëmë mendjen dhe ta studiojmë si duhet këtë pjesë të Kuranit, e marrim vesh fare lehtë se cilit Zot i falen myslimanët.
Myslimanët adhurojnë atë Zot, i Cili urdhrin më të parë e jep për shkollë. Urdhri "Këndo!" do të thotë bëhu i ditur. Pra, Zoti që na predikon feja Islame mund të kuptohet vetëm me dituri. Ata që s'kanë dituri e njohuri mbi fenë Islame s'kanë të drejtë të mohojnë Zotin e vërtetë që adhurojnë myslimanët, sepse mohimi i tyre rrjedh nga injoranca. Për ata që e mohojnë Zotin pa pasur dituri, Perëndia urdhëron: "Ka disa njerëz që pa qenë kompetentë e pa pasur njohuri luftojnë me Zotin; këta njerëz i shtrohen çdo djalli. Është e shkruar që djalli t'i shtijë në rrugë të prapë dhe t'i udhëheqë për në skëterrën përvëluese gjithë ata që mbajnë miqësi me të." (Kurani, 22: 3-4)
Gjithashtu po për këta njerëz në një ajet tjetër thuhet: "Ka disa njerëz që pa qenë kompetentë, pa pasur dituri e libër luftojnë me Zotin; këta njerëz largohen prej fesë duke u hedhur e u përdredhur me krenari që t'ia prapësojnë rrugën njerëzisë; këta njerëz në dynja kanë mjerim e në Ditën e Kiametit do të shijojnë mundim që djeg shumë." (Kurani, 22: 9-10)
Nga përmbajtja e këtyre verseteve kuptohet se ata që s'i njohin parimet e fesë së vërtetë nuk duhet ta luftojnë Zotin, por le të rrinë me fajin e injorancës, faj që shpresohet se Ai e fal.
Le të kthehemi në temë: Siç shihet, i pari urdhër që iu dha Muhamedit është "Këndimi", i cili duhet të fillohet me emrin e Zotit, sikurse urdhëron Ai vetë. Edhe kjo pikë, për ata që e marrin vesh, shpjegon një hollësi tjetër. Në tekstin e Kuranit urdhërohet "Këndo me emrin e Rabbit tënd". Fjala "Rabb" do të thotë Edukues; merret vesh pra se Zoti vepron pa ia ndarë dhe merret me edukatën e krijesave që ka gatuar Vetë. Zoti i Vërtetë krijoi dhe krijon çdo gjë me vullnet të Vet. Ai krijoi edhe njeriun në formën më të bukur; i dha gjithë të mirat që s'mund të numërohen kurrë. Pastaj e mësoi njeriun, ia mësoi gjithë ato që s'i dinte. Pra, i dha njeriut edukatën fizike, edukatën mendore dhe edukatën morale. Ky Zot i madh e vetëm Ky meriton të adhurohet e të lavdërohet. Urdhrat e këtij Zoti meritojnë të respektohen.
Këtë Zot e besojnë dhe e adhurojnë myslimanët. Veç këtij Zoti s'ka zot tjetër. Rrugën e këtij Zoti ka predikuar edhe Muhamedi (a.s.). Sipas Kuranit, Qenie e Amshuar, pa fillim e pa mbarim, me pushtet absolut, Krijues i gjithë- sisë është vetëm Allahu, e veç Tij s'ka tjetër zot.
"Zani i Naltë", nr. 13-14, shtator-tetor 1934