Qëndrimi i idhujtarëve ndaj Ringjalljes dhe Llogarisë, dhe gjendja e tyre në Ditën e Gjykimit
"Betohem në qiellin me plot rrugë (galaktikash-yjësish)! Ju gjendeni në mendime kundërthënëse, nga ai (Kurani) shmanget ai që ishte i zmbrapsur (edhe më parë). Qofshin të mallkuar gënjeshtarët që janë të zhytur në padije dhe të shkujdesur (ndaj Ditës së Gjykimit)! Ata pyesin se kur do të jetë Dita e Gjykimit. Atë Ditë, ata do të përcëllohen në zjarr! (Do t'u thuhet): "Shijojeni dënimin tuaj! Këtë kërkuat t'ju shpejtohej!" - (Edh-Dharijat, 7-14).
Lidhshmëria e këtyre ajeteve me ata paraprakë
Ky grup ajetesh ndërlidhet fuqishëm me ajetet paraprake, sepse po ashtu fillojnë me betim. Përderisa në ajetet paraprake betimet e të Lartmadhërishmit kishin të bënin kryesisht me hedhjen poshtë të pretendimeve të idhujtarëve se nuk do të ketë Ringjallje, Ditë të Llogarisë e as Ditë të Gjykimit. Tash, nëpërmjet këtij betimi, në qiellin plot rrugë yjësish, për forcohet edhe më fuqishëm dhe në mënyrë shumë më gjithëpërfshirëse fakti se të gjitha ato që i ka premtuar Allahu Fuqiplotë do të ndodhin, përfshirë këtu edhe Ringjalljen dhe Llogarinë përfundimtare. Madje, ata që kanë mohuar Ditën e Gjykimit, e që në këto ajete quhen gënjeshtarë e shpifës, do të përcëllohen në zjarrin e Xhehenemit, pasi të ketë përfunduar llogaria e veprave të tyre të shëmtuara...
Koment
7. Betohem në qiellin me plot rrugë (galaktikash-yjësish)!
Betimi i radhës, dhe i pesti në këtë sure, në qiellin plot rrugë galaktikash e yjësish, është në konstelacion të plotë me katër betimet paraprake, në erërat, retë, anijet dhe engjëjt e Allahut, qe me një qëllim të vetëm: që jobesimtarët mekas t'i zgjonte nga letargjia shekullore, e cila i kishte lënë në errësirën e kufrit e të shirkut. Këto betime hyjnore kanë një domethënie dhe mesazh shumë të fuqishëm, dhe për synim kanë nxitjen e mendjes njerëzore që të logjikojë me arsye të shëndoshë, e jo të mbetet pre e besimeve të kota dhe besëtytnive primitive.
Sipas shumicës së dijetarëve, fjala "hubuk" në këtë ajet nënkupton rrugët e shumta të yjësive dhe galaktikave në këtë gjithësi.(1) Arsyeja e këtij betimi, sipas Ibën Ashurit, është se yjësitë dhe galaktikat kanë shumë rrugë dhe lëvizje, ashtu siç ishin të shumta edhe fjalët e mendimet kundërthënëse të idhujtarëve lidhur me ekzistencën e Allahut, me Ringjalljen dhe Llogarinë.(2) Lidhur me kuptimet e tjera të fjalës "hubuk", dijetarët kanë dhënë disa mendime, ndër të cilët spikatin: krijimi i bukur e i përsosur i qiellit, stolia, degëzimet, madhështia e qiellit, qielli i thurur sikurse rrjetë, etj., por, megjithatë, mendimi më i pranuar është i pari, që nënkupton rrugët galaktike që ndjekin yjësitë e ndryshme gjatë lëvizjeve të tyre orbitale nëpër kupën qiellore.
Qielli që gjendet sipër nesh është gjëja më madhështore që shohin sytë tanë. Në dukje të shëmbëllen me një hapësirë të kaltër, që për shikimet tona duket si pafundësi, ndërkohë që me avancimin e teknologjisë, nëpërmjet teleskopëve më të ri e të fuqishëm si "Hub ble", tash kemi arritur të depërtojmë shumë thellë në vrojtimin e kozmosit, për të parë mrekullinë e krijimit nga ana e Allahut xh.sh. Sa e sa galaktika, mjegulla kozmike, sisteme diellore, yje e planetë, janë zbuluar, nga këto vrojtime. Ne tash mund të shohim këto perla galaktike, që enden nëpër këtë hapësirë, dhe janë aq të mrekullueshme sa të japin ndjesinë se je duke vësh truar korale të shumëngjyrta. Dhe nuk ke se si të mos mbesësh i mahnitur teksa vështron tërë këtë madhështi. Shikimet tona vërtet përulen me respektin më të madh për të pranuar Fuqinë Absolute që e ka krijuar tërë këtë bukuri. Allahu xh.sh. në suren "El-Mulk", ajetet (3-4), na thotë: "Ai, (Allahu) është që krijoi shtatë palë qiej, njërin mbi tjetrin, dhe ti nuk do të vëresh në krijimin e Mëshiruesit kurrfarë disharmonie, andaj drejtoje shikimin në mos sheh ndonjë plasaritje, pastaj ktheje shikimin herë pas here, por shikimi yt do të kthehet te ti, i lodhur dhe i molisur."
Me këtë kuptim, ku Allahu është betuar në qiellin, yjësitë dhe galaktikat qiellore, në Kuran gjenden edhe disa ajete të ngjashme me këtë, si: "Për qiellin me yjë si!" - (El-Buruxh, 1); "Pasha qiellin dhe yllin ndriçues (të natës)!, dhe; "Për qiellin që kthehet pareshtur!" - (Et-Tarik, 11).
8. Ju gjendeni në mendime kundërthënëse
Ky ajet është përgjigje ndaj betimit paraprak në qiellin plot rrugë galaktikash, dhe njëkohësisht tërheqje e hapët e vërejtjes ndaj idhujtarëve, të cilët ishin të zhytur në mjerim, duke pasur mendime të ndryshme rreth Ringjalljes, dhe përgjithësisht rreth Kuranit famëlartë dhe misionit të Muhamedit a.s. Ata jo vetëm që nuk e besonin Kuranin si fjalë të Allahut Fuqiplotë, por madje talleshin edhe me të Dërguarin s.a.v.s., duke e quajtur herë gënjeshtar, herë mashtrues, e shumë herë edhe të çmendur, magjistar, e madje edhe poet.
Sipas disa komentatorëve, mendimin e të cilëve e përcjell edhe Imam Maturidiu, ky ajet flet për një dukuri të shëmtuar që gjendej tek idhujtarët. Ata, kur shihnin ndonjë të huaj që vinte në Mekë dhe interesohej për Muhamedin a.s. dhe për Shpalljen që po i vinte nga qielli, i thoshin se Muhamedi a.s. ishte i çmendur, ishte magjistar, poet(3) etj., duke shpifur kështu fjalë të paqena, e të cilat i përmendëm edhe pak më lartë.
Sipas dijetarëve të Tefsirit, ky ajet, në vija të gjëra, flet dhe dëfton për jokompaktësinë dhe për kundërthëni et e idhujtarëve në fjalët e tyre, lidhur me Allahun e Madhërishëm, me Muhamedin a.s., Ringjalljen dhe Gjykimin. Këto kundërthënie të tyre vetëm sa po e thellonin hendekun në mes injorancës, ku ata gjendeshin, dhe dritës së imanit, që po përpiqej t'i përshkonte me ngrohtësinë e saj. Në lidhje me këtë flet edhe ajeti i 105 i sures Ali Imran: "Mos u bëni si ata që, pasi u erdhën provat e qarta, u përçanë dhe u grindën...!"
9. Nga ai (Kurani) shmanget ai që ishte i zmbrapsur (edhe më parë).
Në lidhje me kuptimin e këtij ajeti janë dhënë disa mendime. Fillimisht mendimet janë ndarë në etimologjinë e fjalës, pra se çka synohet me fjalën "ju'feku". Disa mendojnë se fjala është për shmangie, largim, zmbrapsje, e disa thonë se synohet privimi nga ëmbëlsia e besimit dhe e Fjalës së Allahut. Ai që privohet nga këto mirësi, ai nuk do ta përjetojë kurrë ëmbëlsinë e imanit, e rrjedhimisht edhe shpërblimet e Xhenetit. Ndërkohë, mendimet janë të ndara edhe rreth parafjalës "anhu-nga ai". Disa mendojnë se me të synohet i Dërguari i Allahut, domethënë misioni i tij, pastaj disa të tjerë anojnë nga mendimi se kjo parafjalë nënkupton Kuranin famëlartë, e disa të tjerë thonë se nënkupton Njëshmërinë dhe Ringjalljen, apo Imanin në përgjithësi.(4)
Pavarësisht këtyre mendimeve, konsideroj se që të gjitha mund të merren si të pranueshme, sepse në radhë të parë besimi nënkupton se duhet të pasohen urdhëresat e Kuranit si fjalë e Allahut, të pasohet i Dërguari a.s. si përcjellës i mesazhit hyjnor, si dhe të paso het besimi në Njëshmërinë absolute dhe në Ringjalljen pas vdekjes. Në këtë rast ne kemi përzgjedhur mendimin se me këtë parafjalë nënkuptohet Kurani famëlartë, e nga ky Kuran plot dritë e udhëzim zmbrapset, shmanget e privohet vetëm ai që është i çmendur, mendjemadh dhe i prishur shpirtërisht. Në këtë rast, mohimi i Fjalës hyjnore-Kuranit famëlartë dhe i thirrjes së Muhamedit a.s., është kulminacioni (apogjeu) i kufrit dhe i marrëzisë njerëzore. Ata idhujtarë që nuk ndienin mëshirë as ndaj më të vegjëlve, as ndaj grave dhe as ndaj shtresave të tjera të shtypura të shoqërisë, nuk ishin në gjendje të linin të gjitha këto prapësi e ligësi, sepse e ndienin se do t'u lëkundej me themel pozita e tyre prej tiranëve e kriminelëve. Ata nuk ishin të gatshëm të pranonin realitetin e ri që po krijohej, se njerëzit nuk duhej vlerësuar sipas pasurisë apo racës, por sipas devotshmërisë dhe afërsisë që kanë me Krijuesin e tyre...
Lidhur me këtë ajet, edhe në aspektin akaidologjik, janë dhënë shumë mendime, por ne kemi përzgjedhur mendimin e Imamit të madh të mutekel-liminjve - Ebu Mensur el-Maturidiut, i cili pasi thkson disa mendime, përzgjedh mendimin që thotë: "Nga e vërteta zmbrapset e shmanget ai që është zmbrapsur (me vullnetin e tij të lirë)."(5) Kjo nënkupton që secili njeri i kryen veprat e tij me vullnet të lirë dhe pa imponim nga Krijuesi. Madje, për të ilustruar këtë, Maturidiu prezanton edhe dy ajete të ngjashme me këtë tematikë: "Kur ata u larguan (nga e vërteta), Allahu i largoi zemrat e tyre (nga rruga e drejtë)." - (Es-Saff, 5) dhe: "...pastaj largohen, Allahu i largon (shmang) zemrat e tyre (nga besimi), sepse janë njerëz që nuk kuptojnë!" - (Et-Tevbeh, 127).
10. Qofshin të mallkuar gënjeshtarët
Fjala "harrasune" në këtë ajet nënkupton gënjeshtarët dhe mohuesit e Njëshmërisë Absolute, si dhe ata që tallnin e përqeshnin Pejgamberin a.s., duke e quajtur herë poet, herë magjistar e herë-herë edhe të çmendur. Në anën tjetër, ky ajet nënkupton një lloj mallkimi ndaj të gjithë atyre që shpifin ndaj Allahut duke i bërë shirk Atij. Këtë e ka përcjellë Vahidiu, nga shumica e mufesirëve, duke thënë se fjala "kutile" në këtë rast nënkupton mallkimin ndaj gënjeshtarëve, sepse hipokritët gënjeshtarë, të cilëve lumturia dhe kënaqësia e besimit u kalon pa e përjetuar, ata i ngjasojnë të mbyturit, atij që i shkatërro het jeta me vdekje, dhe që më nuk ka mundësi të bëjë asnjë mirësi.(6)
Mallkimi nga Alla hu xh.sh. do të thotë largim dhe privim i amshueshëm nga mëshira e Tij. Këtë e pohon edhe Ibën Enbari, kur thotë se fjala"El-Katl" me trajtat e ndryshme që ka, si: "kutile, katelehum" etj., pothuajse gjithmonë nënkupton mallkimin, si, fjala vjen: në kaptinën "Abese", ajeti i 17 të: "Qoftë mallkuar njeriu, sa mohues i fortë është ai!", pastaj në kaptinën "El-Munafikun", ajeti i 4-t: "Allahu i vraftë (mallkoftë), si shmangen nga e vërteta!"(7)
Në veprën "Keshful Esrar" është shkruar se "harrasunët" ishin disa njerëz të caktuar nga paria mekase, që endeshin nëpër rrugicat e Mekës dhe kishin për detyrë që çdo të huaj që hynte në qytet, sidomos në kohën e arritjes së karvanëve tregtarë, ta shmangnin nga kontakti me Muhamedin a.s.(8)
11. që janë të zhytur në padije dhe të shkujdesur (ndaj Ditës së Gjykimit)!
Këta gënjeshtarë janë gjithmonë në kundërthënie me vetveten dhe me rrethin. Janë të shkujdesur dhe nuk çajnë kokën se një ditë do të ballafaqohen me një realitet shumë të pakëndshëm për ta, pra në Ditën e Gjykimit. Ata e vazhdojnë jetën e tyre në humbëtirat e injorancës e të kufrit, duke mos vrarë mendjen se pa besim të pastër në këtë botë nuk kanë të ardhme në botën tjetër. Ata sikur kanë ndonjë perde para syve, e që i pengon për ta parë realitetin e vërtetë.
Transmeton Taberiu, me isnad të besueshëm nga Ibën Zejdi, që në lidhje me këtë ajet të ketë thënë: "Këta idhujtarë janë të humbur e të shkujdesur nga ajo që ka zbritur për ta, dhe nga ajo me çka i ka urdhëruar Allahu", dhe pastaj lexoi ajetin 63 të sures El-Mu'minun: "Por zemrat e tyre (të mohuesve) janë të verbra nga ky (libër)..."(9)
12. Ata pyesin se kur do të jetë Dita e Gjykimit.
Idhujtarët, duke u tallur dhe ironizuar me myslimanët dhe me të Dërguarin e Allahut, pyesnin se kur do të jetë ajo Ditë e Gjykimit, me të cilën po kërcënoheshin. "Silleni dhe shpejtojeni atë, sepse ne edhe ashtu nuk ju besojmë!", thoshin ata. Idhujtarët, në vend se të pyesnin me qëllim të udhëzimit të tyre, urrejtja që kishin në zemra nuk i lejonte të pranonin dritën e këtij udhëzimi. Po të pyesnin me qëllim udhëzimi, i Lart madhërishmi nuk do t'i kërcënonte me zjarr të Xhehenemit, ashtu siç flasin edhe ajetet në vazhdim...
13. Atë Ditë, ata do të përcëllohen në zjarr!
Kjo ditë, që ata e mohuan me ngulm, e shpeshherë edhe talleshin me të, do të vijë, ndërkohë që zhgënjimi dhe trishtimi do të pllakosë zemrat dhe trupat e tyre. Ata tash do ta shohim prapësinë e talljeve të tyre. Para tyre është zjarri i Xhehenemit, i cili do t'i përpijë e përcëllojë me flakët e tij. Ky është ndëshkimi më i tmerrshëm, sepse ata nuk do të vdesin më, por do të përjetojnë ndëshkim të vazhdueshëm, përjetësisht.
14. (Do t'u thuhet): "Shijojeni dënimin tuaj! Këtë kërkuat t'ju shpejtohej!"
Engjëjt e ndëshkimit, duke i tërhequr zvarrë nëpër skëterrat e Xhehenemit, këta mohues të së vërtetës do t'i hedhin me forcë në Xhehenem e do t'u thonë: "Shijojeni dënimin që e kërkonit në jetën e Dynjasë, që t'ju vijë sa më shpejt. O të mjerë, a nuk ju erdhën juve të Dërguarit e Allahut për t'jua tërhequr vërejtjen nga ky ndëshkim, në të cilin sot do të hidheni? Në lidhje me këtë moment flasin shumë ajete kuranore, ndër të cilët, në mënyrë shumë autentike ngjarjen e kanë pasqyruar ajetet (6-11) të sures El-Mulk: "Kurse për ata që e mohojnë Zotin e tyre, dënimi është Xhehenemi; eh, sa i shëmtuar është ai vendbanim! Kur të hidhen aty, do të dëgjojnë ulërimën e tij, ndërkohë që ai vlon dhe nga zemërimi është gati për të shpërthyer. Çdoherë që aty të hidhet ndonjë grup, rojtarët e tij do t'i pyesin ata: "A nuk ju erdhi ndonjë paralajmërues (qortues)?!" "Po", do të përgjigjen ata - "na erdhën vërtet paralajmërues (qortues), por ne i quajtëm gënjeshtarë, dhe thamë: Allahu nuk ka shpallur asgjë; ju jeni në një humbje të madhe!" Ata do të thonë: "Sikur të kishim dëgjuar ose menduar, nuk do të ishim midis banorëve të Zjarrit flakërues! Kështu, ata do ta pranojnë gjynahun e tyre. Larg nga mëshira e Zotit qofshin banorët e Zjarrit flakërues!"
Porosia e këtyre ajeteve: (7-14)
- Allahu i Lartmadhërishëm është betuar sërish, për herë të dytë në këtë sure, në qiellin, që paraqet madhështinë krijuese të Tij, me yjësi të shumtë, galaktika, qëndrueshmëri, stabilitet etj., për të vërtetuar faktin se idhujtarët mekas vërtetë ishin në kundërthënie të thellë me vetë fjalët e tyre. Këto fjalë qortuese vijnë për shkak se këta kishin bërë shirk, kur në besim Allahut i kishin shoqëruar edhe idhujt. Ata pretendonin se në këtë formë po afroheshin tek Ai! Në anën tjetër, sjelljet e tyre ndaj Pejgamberit a.s. ishin në kundërthënie të madhe. Ata në kohën e rinisë së tij e kishin cilësuar si "El-Emin" - besnik, kurse pasi u kishte ardhur me shpallje, për të thoshin se ishte i çmendur, e më vonë e akuzonin si magjistar, poet, dhe si njeri të xhindosur etj.
- Nga drita e këtij Kurani që po zbriste shmanget vetëm ai që është i përhumbur në mendje e në shpirt, dhe ai që me vullnet e dëshirë e ka zgjedhur rrugën e kufrit e të mosbesimit.
- Gënjeshtarët që mohonin këtë udhëzim hyjnor janë të mallkuar, sepse e vënin në dyshim premtimin dhe kërcënimin e Allahut, pra se do të ketë Ringjallje dhe Ditë të Gjykimit, ditë në të cilën do të dalin sheshazi veprat e njerëzve, për t'u marrë pastaj në llogari.
- Idhujtarët-jobesimtarët mekas, përveç injorancës së tyre që e shfaqnin karshi të vërtetës, talleshin e ironizonin edhe me të Dërguarin e Allahut dhe besimtarët, duke i provokuar me fjalët se kur do të vijë ajo Ditë e Gjykimit me të cilën po kërcënoheshin! Fjalët e tyre ishin fjalë të kufrit, meqë ata nuk besonin se do të kishte ringjallje e as llogari pas vdekjes.
- Përgjigjja e Allahut ndaj tyre ishte e shkurtër, por shumë e qartë. Ajo ditë që po e mohoni, ajo do të jetë dita kur ju, o idhujtarë, do të përcëlloheni në flakët e Xhehenemit, dhe do t'ju thuhet shijojeni tash këtë ndëshkim që e mohonit në jetës e Dynjasë dhe talleshit me të.
- vijon -
_______________________________________
(1) Et-Tefsirul Vesit lil Kuranil Kerim - (shkruar nga dijetarët e Az'harit), Kajro, 1992, v. 9, f. 1090; Shih po ashtu: Muha medenil Emin el Hererijj, Hadaiku-Rrevhi ve-r-Rrejhan, Bejrut, 2001, v. 27, f. 507.
(2) Et-Tahriru ve-t-Tenviru, v.26, f. 140.
(3) Imam Ebu Mensur el Maturidij, Te'vilatu Ehli-s-Sunneti, Bejrut, 2005,v.9, f. 376 (redaktuar nga Dr. Mexhdi Basel-lum).
(4) Siddik bin Hasen el Kinuxhi, Fet'hul bejan fi mekasidi-l Kuran, Bejrut, 1992, v.13, f. 192.
(5) Te'vilatu Ehli-s-Sunneti,v.9. f. 376.
(6) Imam Vahidiu Et-Tefsiru-l Besit, Rijad, 1430 h,v.20, f. 431.
(7) Mustafa bin Adevij Et-Tes'hilu fi te'vili-t-tenzil-Tefsiru Xhuz'u Edh-Dharijat fi sualin ve xhevabin, Tanta-Egjipt, 2006, f. 16.
(8) Hadaiku-r-Rrevhi ve-r-Rrejhan, v.27, f. 510. Fusnotë e cituar nga vepra Keshful Esrar.
(9) Imam Taberiu, Xhamiul bejan an te'vili ajil Kuran, Kajro 2001, v.21, f. 494. (Redaktuar nga Dr. Abdullah Turki).
Sabri Bajgora